E shtune, 21.12.2024, 05:10 PM (GMT)

Mendime » Çeliku

Çeliku: Porosia ''politike'' nga xhamia e Çikagos

E hene, 04.08.2014, 07:05 PM


POROSIA “POLITIKE” NGA XHAMIA

E ÇIKAGOS NË AMERIKË

NGA KALOSH ÇELIKU

Ditën e sotshme, kur shqiptarëve u digjet zjarr mbi krye, të dalësh me porosi “politike” nga xhamia e Çikagos, për mua është çmenduri e shekullit. Tek tashti e shoh se, pse si popull shqiptar me shekuj nuk mund të ngremë krye, hudhim zgjedhën nga qafa në mes të Ballkanit. Ende na rren mendja se, nga ky hendek historik shekullor ku kemi rënë këmbekokë si popull, do të na shpëtojë nga gremina xhamia me gjysëmhënën në minare: pesqind vjet me radhë që na ka mbajtur robër nën Turqi e me shekuj nën Serbi. Gjtihmonë, u kemi besuar “miqëve” dhe “vëllezërve” duke i gostitur me dreka e darka se, një ditë do të na e zgjidhin Çështjen shqiptare. Nateditë i jemi lutur Zotit në xhami. E kemi thirrë, dhe ende e thirrim nga minaret për ndihmë. Aspak, vargjeve të Çajupit nuk u kemi hyrë në shpirt dhe gjak nëpër damarë, qoftë edhe për një “Bajram” në Katund: Burrat nën hije,/ lozin, kuvendojnë,/ pika që s’u bie,/ se nga gratë rrojnë!

Para me thasë kemi derdhur nëpër botë duke menduar se, të tjerët do të na e sjellin Lirinë, punojnë më shumë se ne shqiptarët për zgjidhjen e Çështjes shqiptare në Ballkan. Kurrë, nuk na ka shkuar mendja se, ai të cilin e paguajmë sot ne me djersën e popullit, nesër do të dalin ta paguajnë tregtarë të tjerë politik edhe me shuma më të mëdha parash si mall tregu në skenën politike dhe do të na e kthejë shpinën si dikur në Londër.

Joe DioGuardit, shqiptarët e Amerikës i kanë dhënë para si ish kongresist dhe president i Ligës Shqiptaro - Amerikane. Ndoshta, edhe kanë lëvizur ndonjë tullë në politikën shqiptare. Feleminderit, Jo DioGuardit. Arsye, për të cilën edhe ka rënë nën ndikim nga qarqe “patriotike” fetare myslimane. Vetëmse, punëtorët tanë emigrant të krahut që i janë përgjigjur thirrjes së Nolit:

Ç'thot' ajo e ve e gjorë,

-Mbretëreshë pa kurorë-

Faqe-çjerrur, lesh-lëshuar,

Shpirt e zëmër përvëluar;

Gjysm' e vdekur: "O Shqiptarë,

Nënës mos ia bëni varrë!"

Mbahu, Nëno, mos kij frikë

Se ke djemtë n'Amerikë.

…………………………………

Sa kërkon e sa të duhen?

Burrat nga detyra s'ndruhen!

Trim i mirë do të japë,

S'kursen jetën as paratë;

Hithni, hithni tok dollarë,

Të mos mbetemi të sharë.

Mbahu, Nëno, mos kij frikë.

Se ke djemtë n'Amerikë.

Kurrë nuk kanë menduar se, ai që punon sot me para për shqiptarët, nesër edhe mund të shitet te armiku shekullor dyfish me çmim shumë më të lartë. Shkaku se, ai Shqipërinë e do për para, e shqiptari është ai që e do me shpirt e zemër, dhe ne vetëm ia kemi rritur çmimin e pazarit. Rasti ma përkujton Sartin, që në vitin 1964 e fitoi Çmimin Nobël për letërsi dhe e ktheu prapë me arsye, se: gjithmonë, i ka kthyer  shpërblimet zyrtare dhe nuk dëshiron të barazohet me institucionet. Punë tjetër, është ajo se tre-katër ilntelaktualë shqiptar kanë marrë çmime lypësish te Ura e Gurit me pagëzime sllave, në Shkup. Alemet burrash do të thoni ju, “patriotë shqiptar” të shëtitur nëpër redaksi komuniste e instiutucione shtetërore, asnjëri nuk mori guximin që ta kthejë një çmim të tillë ofendues për popullin shqiptar. Nesër, të hyjë heroikisht si burrat në histori. Zërin ta ngrejnë lartë deri në qiell, popullit shqiptar në këtë shtet të “përbashkët” i duhen çmime arsimore dhe kulturore me emërime artistike shqiptare. Merreni me mend, nëse këtyre “patriotëve kuqezi” të sotshëm, “gabimisht” u ndahet çmimi Nobël, dhe këta e kthejnë prapë, me siguri do të bëhet “Kiameti”. Përmbytja e madhe, në Shkup. Përmbyset bota. Me siguri e dini edhe realitetin e shekullit: Sartri e ktheu se, mecenarë çifut ia dhanë dyfishin e parave të atij çmimi filosofit. E, përderisa shqiptarët ende nuk kanë mecenarë shqiptarë të këtij niveli patriotik, edhe gjatë kohë do të zvarriten rrugëve të botës në rolin e lypësit me ëndrra historike për Bashkim kombëtar dhe Shqipëri Etnike.

Aspak nuk pajtohem me DioGuardin se, porosia: Shtetit maqedonas për dështimin e realizimit të Marrveshjes së Ohërit dhe rastit “Monstra”, duhet t’i jepet nga xhamia. Shtëpia e Zotit, edhe pse ende nuk është shqiptare të politizohet në këtë kohë të rrezikshme. Gati të gjitha protestat qytetare, u nisën nga xhamia “Jahja Pasha”, në Shkup. Përçudi, nuk ua pamë hajrin, po sherrin. Protesta qytetare paqësore, shqiptarët kanë organizuar edhe pas ndryshimeve demokratike në sheshin e kryeqytetit (në kohën e Nevzat Halilit), kur nga të katër anët  rrugëve drejtë Sheshit “Makedonija” marshonin grupe – grupe shqiptarët me kësula të bardha në kokë, parulla, pankarta në duar dhe flamuj kombëtar kuqezi. Kurrë më, shqiptarët nuk do të jenë në gjendje të organizojnë një protestë të tillë aq masive mbarëkombëtare. Fatkeqësisht, për organizatorët e fshehtë të sotshëm, ato protesta nuk kanë pasur asnjë parullë, pankartë e flamur të huaj t’u pri në ballë si Lëvizje Kombëtare Shqiptare. E, mua si shkrimtar, më ka marrë malli për një protestë të tillë gjithëpopullore. Shkaku se, po më villet nga protestat e sotshme pa organizatorë, ose me petka partiake e fetare. E dini, pse?! Shqiptarët në Ditën e sotshme nuk janë peshk, që përpëlitet për një krimb në zallë, në breg të Lumit. Përmëtepër, edhe sot mu si dje të na vrasin e burgosin si terroristë dhe fundamentalistë islam nëpër oborret e xhamive me simbole turko-arabe.

“Joe DioGuardi, përzgjedhjen që të mbahet mitingu në objektin e xhamisë e ka bërë për të “sfiduar” stigmën e krijuar që protestat në Maqedoni kanë prapavijë fetare, njofton express.” Mendimi i tij, gjoja se me këtë hap “politik” do t’ia bëjmë me dije botës se, protestat qytetare “paqësore” në Shkup nuk janë fetare, po kombëtare. Amani, na kënaqën “xhamitë tona” me gjysëmhënën në minare: në Tiranë, Prishtinë dhe Shkup. Tashti, ka mbetur edhe ajo e Çikagos të na dalë zot si shqiptarë. Gabim i madh për një politikan me përvojë i kauzës shqiptare, ish kongresist dhe president i Ligës Shqiptaro - Amerikane, të cilin e kanë paguar dhe e paguajnë edhe sot shqiptarët me para të thata për zgjidhjen e Çështjes shiptare në Ballkan. Tek tashti, legalizohen para syve të botës se, ato protesta fundekrye janë fetare. Nuk do të ishin fetare, po t’i jepeshte botës porosia nga Kisha Shqiptare e Fan Nolit, në Amerikë. Populli shqiptar hë për hë, ende nuk e ka Xhaminë Shqiptare me flamurin kombëtar kuqezi me shqiponjën dykrenare të valojë lirshëm në minare anembanë Atdheut.

Gojën plot e them: Arabia Saudite, sot para të mëdha derdhë për t’i blerë shqiptarët si dje turku me dy-tri franga në marrëveshje me Serbinë për t’i shpëngulur në Turqi. Serbia tashti e pa gabimin: shqiptarët nuk zmbrapsen me luftë, por me hoxhallarë të rrejshëm duke e shti si popull me këmbët dhe trutë në legen. Historikisht, hoxhallarët kanë qenë ato ma të cilët ka bashkëpunuar dje dhe sot Serbia, dhe e ka mbajtur përmes Fesë Islame rob këtë popull me shekuj. Kohën e fundit përmes kanaleve nëntoksore kriminele të errëta duke e dërguar edhe në luftë vullnetare në Siri. Pamje tmerruse duke shpërndarë në mjetet e informacionit me ato “shehitë” të arabizuar me thika në duar duke shokuar botën si “shqiptarë”. Kohë qorre, kur përpiqen Shejtanin me “gurë” ta përzënë nga oborret e kojshive, e Dexhallin me miq e shokë e kanë këmbëkryq në Shtëpi.

DioGuardit, kësaj radhe si shembull, vetëm do t’ia përmend një patriot shqiptar nga Kërçova heroike: Osman Ballin. Politikani me siguri e njeh, nuk them se ka marrë para nga ai patriot i zjarrtë i vargjeve të Fan Nolit, por me siguri ka pirë me të edhe ndonjë kafe.  Pasurinë që e krijoi gjithë jetën me familje në Amerikë, e shkriu për zgjidhjen e Çështjes shqiptare. Gjithë politikanët shqiptar dhe artistët i ka mbajtur në Amerikë me javë e muaj me dreka e darka dhe strehim, çati mbi kokë. Patriot shqiptar, që vështirë se e lind edhe njëherë Nëna shqiptare. Unë nuk e kam pasur rastin që të shkoj në Amrikë dhe të jem mysafir i tij në shtëpi. Megjithatë, kam pirë kafe me të në Kërçovë e Prishtinë. Burrit të botës kija inatin, por hakun mos ia ha, thotë populli. Vite me radhë, rreptësisht iu ndalua kthimi në vendlindje si “armiku rrezikshëm” i shtetit. Pas ndryshimeve demokratike (1990), sigurimi i Kërçovës i dërgoi një shkresë pajtuese “armëpushimi”: Osman Ballit, i thuani se e kemi falë si shtetas të IRJ të Maqedonisë, mund të vijë lirisht në vendlindje, nuk e ngasim e as nuk e shtimë në burg.

Osman Balli, një patriot i madh shqiptar i përgjigjet sigurimit shtetëror nga Amerika: Faleminderit, ato vertetë më kanë falur, por unë nuk i kam fal ende horrat.

Ditën e sotshme, përsëri do të kthehem te porositë e Rilindasëve tanë, vargjet e Vaso Pashë Shkodranit, nëse duam të shpëtojmë nga robëria shekullore si popull shqiptar historik i shpërndarë nëpër botë si Kashta e Kumbarës (Kumtrit), e jo tek porosia e DioGuardit nga xhamia e Çikagos, që historikisht ia kemi parë dhe po ia shohim ende sherrin si Shtëpi e Zotit:

Shqyptar', me vllazën jeni tuj u vra,

Ndër nji qind çeta jeni shpërnda;

Ca thone kam fè ca thonë kam din;

Njeni: "jam turk", tjetri:"latin"

Do thonë: "Jam grek", "shkje"-disa tjerë,

Por jemi vllazën t'gjith more t'mjerë!

Priftnit e hoxhët ju kanë hutue,

Për me ju damun me ju vorfnue!

Vjen njeri i huej e ju rri n'votër,

Me ju turpnue me grue e motër,

………………………………………….

Çoniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu,

Të gjithë si vllazën n'nji besë shtërngoniu,

E mos shikoni kisha e xhamia:

Feja e shqyptarit asht shqyptaria!

Porosia historike: Shqiptarët sot nuk duhet të dalin në protesta qytetare paqësore, as nga kisha e as nga xhamia, por nga institucionet arsimore e shkencore shqiptare: Shkollat, universitet dhe bibliotekat kombëtare. Themele shqiptare, që me shumë vështirësi i hapi në atë kohë historike Ministri i parë i arsimit në Shqipëri: Ernest Koliqi. Tekefundit, shqiptarët e kanë institucionin kombëtar në mes të Shkupit: Protestat shqiptare duhet të nisin nga Sheshi Skënderbeu, në Shkup. Edhe atë, para këmbëve të Kalit të Skënderbeut shpalosin flamujt kuqezi kombëtar dhe kërkesat e tyre qytetare e politike.

Fatkeqësi kombëtare, që “revolucionarët” e këtij soji melez, protestat qytetare në Shkup i nisën nga oborri i Xhamisë Jahja Pasha. Ndonjëri, edhe u priu në ballë këtyre protestave me petk fetar me megafon në dorë. Vetëm, që edhe nuk hipi në ndonjë dru si majmuni, imitojë demonstrat e vitit ’81, në Prishtinë. Natyra e ka fajin, ose dora e njeriut që për këtë “revolucionar” të vonuar nuk kishte mbjellë së paku një bli pranë rrugës. Përgjumshëm u përpoq t’i arsyetojë shëtitjet “patriotike” se, në këtë shtet u kanë mbetur si vendtubime të lira vetëm oborret e xhamive. Rrenë e madhe me këmbët dhe palarenë në “hava” përkarshi diellit me rreze. Besimtarët e Allahut të “revolucionarëve” të vonuar, sot më të afërt i kanë sulltanët dhe pashallarët e Turqisë, sesa Skënderbeun e Shqipërisë. Heroi legjendar shqiptar për to, edhe sot e kësaj dite është tardhtar, armik i Turqisë.

Kërkesat politike teknefese që vijnë nga kishat edhe xhamitë myslimane, në Ditën e sotshme janë të dëmshme dhe të rrezikshme për popullin shqiptar…



(Vota: 29 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora