
Profil i artistes Klodi Kadillari
në 360 gradë
Ekskluzive nga Oralda Lahe
Klodiana
Kadillari është një nga regjisoret e talentuara dhe plot energji të skenës
shqiptare. Takimi me Klodin ishte fare i rastishëm kisha dëgjuar shumë për atë
çfarë ajo ka bërë dhe pse me modesti shpesh thotë se kam ende gjëra për të
bërë. Në të vërtetë atë gjithmonë e sheh duke punuar dhe mbi të gjitha me ide
që nuk shterojnë asnjëherë. Rend pas realizmit të tyre dhe nuk ndalet
asnjëherë. Klodi nuk është vetëm regjisore, aktore por mes të tjerash gazetare, psikologe dhe
autore. Libri me titullin “Pengu”
tregon ethshëm realitetin shqiptar që përcillet me ndjeshmëri nga vetë aurorja.
Me këtë libër ajo është shpallur dhe fituese e çmimit Pegasi. Kur flet për të
nuk di se nga t’ia nisësh më parë saqë as kalemxhinjtë siç e përmend dhe i
madhi Konica nuk do të dinin nga të fillonin. Duke shfletuar librin e
lartpërmendur disa prej rreshtave nis kështu:
“Mendoj se çdo qenie njerëzore me
vlera humane duhet të jetë i drejtpërdrjetë dhe i besueshëm në marrdhënien që
dëshiron të vendosë me lexuesin. Për të arritur një tërheqje reciproke
krijues-lexues, jam e mendimit se për të arritur këtu, krijuesi duhet të jetë i
qartë në radhë të pare me vetveten dhe ndaj unit të tij, të jetë i prekshëm dhe
një njohës i mirë i vlerës dhe njohës i kthjellët i kodit jetësor. Është e kot dhe e padepërtueshme nëse te vetë
krijuesi mungon liria”. ( Faqja 3: Romani “Pengu” )
Këto janë
disa nga radhët me të cilat nis romani. Një grishje drejt asaj që
auroja e quan një mendim me esencë. Në Cv-në e saj gjen një mori elementësh
duke nisur me romanin e parë “Kodi i trëndafilit”. Në listën e kulminacionit të saj i
shtohet çmimi nga Ministria e Kulturës
me monodramën “Pikëllim dhe dashuri”
kushtuar 100-vjetorit të Nënë Terezës. Në këtë film dokumentar me
titull “Një rrëfim për Nënën” vlerësohet nga kritika, një bashkëpunim i Radiotelevizionit të
Kosovës. Në vitin 2011 përfaqëson Shqipërinë me monodramën “Pikëllim dhe
Dashuri” në rolin e Nënë Terezës,
Festivalin Aktori më i mirë i Europës.
Klodi nuk
di të ndalet dhe në sukseset e saj falë dhuntisë, punës dhe arritjes i shtohet
dhe çmimi i parë në Festivalin Ndërkombëtar “Albamono” me rolin e Norës si
aktorja më e mirë në kategorinë “Best role in women category” , me monodramën “Shtëpi Kukulle” të Henrik Ibsen. Sfidat e saj vijojnë të
shtohen, rriten dhe përforcohen nga viti në vit. Regjisorja, aktorja,
psikologia i shton vlera të shumta dhe të patjetërsueshme karrierës, plotësimit
të saj artistik dhe shpirtëror. Para pak kohësh Klodi ka shfaqur dhe dokumentarin “Miti i
Natyrës” një nga prodhimet e Departamentit Satelitor në Televizionin Shqiptar.
Aty mes të tjerash na shfaqet bukuria e natyrës shqiptare, e brishtë si një
vashë e re në moshë. Tirana kryeqyteti, metropoli i zhurshëm ka një tjetër dimension
ndonëse në periferitë si Dajti dhe
Shpella e Pëllumbasit e quajtur ndryshe dhe Shpella e Zezë. Në vijimin e saj me
rritje të shumta profesionale është dhe përfaqëuese e Rrjetit të Globit të
Gruas Shqiptare në media për mbrojtjen dhe emancipimin e saj. Një tjetër
dokumentar që i bashkangjitet vitit që lamë pas 2013-të është dhe “Letër” kushtuar traumës dhe problemeve psiko-sociale që shkaktoi
lufta e Kosovës në vitet 1998-1999. Skenariste, regjisore e dokumentarëve,
përfaqësuese e shumë festivaleve Klodi në datën 10 gusht 2014-të
në qytetin e Vlorës sjell dokumentarin për promovimin e turizmit dhe
kulturës. Promovuesi i këtij aktiviteti është Instituti i Librit dhe Promovimit
Toena duke bashkuar artistët e plenerit me mrekullinë e lumit të këtij qyteti
jugor dhe të bregdetit. Gjithçka vjen me mbështetjen e deputetit zotit Fatmir Toçi. Një dimension i artistes
dhe gërshetimi me të thjeshtën janë në vijë propocionale. Para pak ditësh ka
interpretuar në filmin e regjisorit Armand Vllahu në rolin e psikologes. Ndërsa
është dhe botuese e një sërë temave psikologjike. Së fundmi ka nxjerrë në dritë
dhe dramën “Rrëfehem” me gjashtë personazhe femra të cilat rrëfejnë gjashtë
drama fatesh, të zhveshura deri në simbole për t’iu shfaqur publikut me
projektin e saj më të fundit. Ajo di të
flasë dhe me heshtjen, duke qëndruar siç dinë të bëjnë artistët e vërtetë. Nuk
më mbetet gjë tjetër veçse t’i uroj energji për të prekur dhe ëndrra të tjera
që shumë shpejt do të jenë pjesë e prekshme. Qetësia, inteligjenca dhe idetë
janë gërshetuar tek vetë ajo, Klodi
Kadillari.
