E merkure, 26.06.2024, 08:35 PM (GMT+1)

Mendime

Imer Mushkolaj: Misioni i darkave

E merkure, 23.07.2014, 07:11 PM


Misioni i darkave

Nga Imer Mushkolaj

Ministritë kanë harxhuar dhjetëra mijëra euro tonat në dreka e darka “zyrtare”, ndërkaq gjatë Ramazanit janë shtruar dhjetëra iftare për ata që fitojnë dhjetëra mijëra euro. Darkat i kanë mision të interesave të ngushta e të babëzisë.

A ju kujtohet darka e mësimdhënësve me kryeministrin Hashim Thaçi, e organizuar në Prizren dy ditë para fillimit zyrtar të fushtës zgjedhore? Aty Thaçi premtoi për ta rritje pagash 100 për qind në mandatin e ardhshëm, por faturën e darkës e pagoi Komuna e Prizrenit. Për 2000 mësimdhënës, kostoja mbërriti shumën e 15 mijë eurove.

Premtimet u dhanë në kuadër të “misionit të ri” që Thaçi e promovoi gjithandej. Por, paratë u paguan nga xhepi i taksapaguesve prizrenas, pavarësisht se darka ishte partiake, ndonëse pati përpjekje për ta “shitur” tjetërfare. Ajo shërbeu ekskluzivisht për promovimin e Thaçit dhe partisë së tij, në prag të zgjedhjeve. Darka është ngrënë, premtimet kanë ngelur premtime, e buxheti i Komunës është varfëruar.

Ndërkohë, shumë darka e dreka janë ngrënë gjatë vitit 2013 nga ministritë dhe Zyra e Kryeministrit. Përderisa në bazë të një udhëzimi administrativ kryeministri dhe zëvendësit e tij nuk kanë kufizime në reprezentacion, ministrat kanë të drejtë të shpenzojnë deri në 500 euro në muaj. Instituti GAP ka hulumtuar këto shpenzime dhe rezultatet tregojnë se disa ministra e kanë tejkaluar shumëfish këtë kufizim. Ndërkohë, katër ministri dhe Zyra e Kryeministrit nuk kanë pranuar t’i bëjnë publike shpenzimet.

Nga ministritë që kanë pranuar t’i publikojnë të dhënat, del se gjatë vitit 2013 ministri i Arsimit, Ramë Buja, ka shpenzuar më së shumti në krahasim me ministrat tjerë, respektivisht më shumë se 14 mijë euro, pasuar nga Mahir Jagcilar dhe Slobodan Petrovic (më shumë se 13 mijë euro).

Për një vend të varfër si Kosova, këto janë shifra të mëdha. Duket se zyrtarët publikë e kanë mision në vete ngopjen e apetiteve me shtrimin e drekave dhe darkave që i quajnë zyrtare, e në të cilat shumë herë zënë vend edhe njerëz që “rastisin” t’i shijojnë të mirat që sjellin postet publike.

Dhe, pasi ngopen e bëjnë qejf me pare t’shtetit, ministra e zyrtarë të tjerë shfaqen dalëzotës të po këtij shteti dhe na flasin pa pikë marre për ndërtimin e institucioneve, ndërtimin e demokracisë, ndërtimin e vendit.

E shefi i tyre, Hashim Thaçi, në vend që t’i disciplinojë e të jetë garant i ruajtjes së parave tona, harxhon edhe nga buxhetet e komunave për të mbledhur mijëra vetë në darka dhe për të dhënë mesazhe e premtime partie. Punë e madhe se ka njerëz pa kulm mbi kokë, pa bukë në sofër, të sëmurë pa ilaçe e të mjerë pa ndihmë.

* * *

Një seri darkash i ka karakterizuar javët e fundit - iftare që janë shtruar për nder të Muajit të Ramazanit. Institucione të ndryshme, laike e fetare dhe të tjera organizata, kanë shpenzuar para të majme për iftare masive, në të cilat kanë marrë pjesë kryesisht personalitete të njohura në shoqëri, që kanë mjaft para. Por rrallë, për të mos thënë hiç, janë ftuar edhe njerëz që vërtet kanë nevojë t’iu ofrohen darka falas, sepse nuk mund të sigurojnë bukë për të mbajtur shpirtin.

Teksa bëjnë thirrje për solidarizim me të vërfrit, pikërisht prijësit fetarë janë ata që japin shembuj aspak fisnikë, kur organizojnë iftare në të cilët ftohen personalitete të rëndësishme dhe të cilat përcillen nga mediat, ndërkaq nuk iu vjen ndërmend të shtrojnë iftare për të vobektit që salltanetet e tilla mund t’i shohin vetëm në televizor.

Profesori i teologjisë, Xhabir Hamiti i ka kundërshtuar ato që i ka quajtur “mega iftare”, në shoqërinë e varfër kosovare. Nëpërmjet një citati nga Kur`ani, ai para pak ditësh ka thënë se kjo formë e organizimeve të iftareve është veprim i pamatur e, njëkohësisht, në kundërshtim me mësimet dhe porositë fetare islame.

“Fetarisht, por edhe moralisht është e ndaluar që të bëjmë kaq shpenzime ‘për mashallah’, kurse në anën tjetër t`i anashkalojmë tërësisht të varfrit dhe për ta të na bie ndërmend vetëm kur vjen koha e Sadaka Fitrit në fund të Ramazanit”, është shprehur ai. Sipas tij, në iftaret masive duhet të përfshihen të varfrit në rend të parë dhe jo gjithmonë vetëm të priveligjuarit dhe njerëz të interesit.

Nga fotografitë e xhirimet e publikuara në rrjetet sociale, shihet se në këto iftare në shumë raste janë të pranishëm prijës fetarë islamë të njohur si radikalë dhe udhëheqës subjektesh politike e jopolitike që promovojnë agjenda islamike. Duke se mision i iftareve të tilla spektakolare nuk është veç bërja bashkë e besimtarëve. Mesazhi që jepet nga të tilla organizime është edhe në funksion të një misioni që tashmë hapur po proklamohet nga ata që duan një tjetër rend shoqëror e shtetëror në Kosovë - nga ata që nuk e kanë për gjë që urrejtjen ndaj të tjerëve, të cilët nuk janë si ata, ta kenë lajtmotiv të misionit të tyre.

Ndërkaq, bashkë edhe me qeveritarë, darkat i kanë mision të interesave të ngushta e të babëzisë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora