Mendime » Çeliku
Kalosh Çeliku: Skizofreni
E enjte, 17.07.2014, 09:05 PM
SKIZOFRENI
NGA KALOSH ÇELIKU
Skizofrenia, është sëmundja dhe dukuria e radhës që i është hudhur popullit shqiptar në “magazinë” për provokime politike. Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe e shpjegon kështu këtë fjalë: Skizofreni, A f. mjek. Sëmundje e rëndë mendore, që shfaqet me dyzim të botës së brendshme të të sëmurit për shkak të çrregullimeve në bashkërendimin e proceseve psikike dhe që sjell rënien e veprimtarisë psikike e paaftësinë për të vepruar në përputhje me realitetin. Skizofreni kronike. Skizofreni e pleqërisë. Vuan nga skizofrenia. Fat i yni si popull shqiptar, që na ka përfshirë pjesërisht e jo në përmasa masovike.
Skizofrenin, si personazh të këtij shkrimi publicistik e njeh i gjithë Shkupi, por shumë pak Prishtina dhe Tirana. Prandaj, Skizofreni pas disa rrotullimeve akrobatike nën sjetullat e partive politike nëpër Tetovë e Shkup, një ditë do të marrë në sy rrugën e “kurbetit” si shpëtim nëpër botë. Nuk shkruaj këtu, sesi dhe përmes cilëve kanaleve e kaloi kufirin. Ose, themeloi ndonjë Shoqëri civile të “pavarur” si “klinikë” mjeksore për rehabilitim të shpirtit, fushëveprim “ilegal” nga pusia pas ferre. Vendstrehim, ku nuk e njeh rrethi si “patriot kuqezi” shqiptar, dhe nga andej me një torbë taxhi përqafe, do t’i sulet përsëri Shkupit me çetën e tij “kryengritëse” për veprime dhe “ndryshime” politike. Punemadhe, që bota përparimtare haptas nuk i përkrah këto “pranvera arabe” në mes të Ballkanit, por votën e lirë demokratike si armë paqësore për të ardhur në pushtet si faktor politik me vullnetin e popullit. Mendja ende nuk i mbushet, edhe pas dështimit të disa “pranverave arabe” e Parti - Pykave në Shkup se, populli shqiptar nuk është ai i djeshmi me kokën nën sjetulla, kujt t’i teket dhe kur t’i teket me një thirrje anonime përmes Facebook ta nxjerrësh në rrugë. Qëllimi, për përfitime personale, familjare, grupore, klanore e partiake, marrë më qafë një pjesë të rinisë shqiptare që i shkojnë përmbrapa Askushit me të dy sytë në ballë. Populli shqiptar, moti është në rrugë, vështirë është këtë popull si ta shtimë nëpër institucione të Shtetit. Dhe, një ditë i bie maska e mashtrimit si përkrahës i protestave qytetare “paqësore” nga oborri i xhamisë para kamerave televizive dhe policisë të Shtetit “përbashkët”, dhe syve të popullit. Punë tjetër është ajo se, nuk e sheh par syve dhe nuk di asgjë policia e Shtetit “përbashkët për këtë “shehit”, mjafton që e di populli shqiptar strategjinë politike të këtij “patrioti kuqezi” të vonuar me çallmën e turkut nën setre, një në kokë dhe tri - katër të tjera nëpër xhepa.
Pajtohem, të ishte vetëm një skizofren rruge, por populli shqiptar hë për hë ka skizofrenë me qerre, saqë mund t’i shesë me shumicë e pakicë edhe Evropës. Konkurencë pazari hë për hë u bëjnë vetëm kungujt e Stambollit. Skizofren i këtij soji, u printe në ballë edhe protestave qytetare “paqësore” në Tetovë, që pas pak kohe doli në anën e forcave policore, edhe i sulmoi me gurë protestuesit shqiptar. Ditën e nesërme, pas “bisedave informative”, doli se kishte qenë i “çmendur”?!
Ndoshta një ditë, edhe këto dy skizofrenët e protestave qytetare në Shkup, që përpak desh u vranë mes veti se cili të dalë i pari në ballë të turmës para kamerave televizive si “patriotë kuqezi” shqiptar, policia pas një “bisede informative” do t’i shpallë të “çmendur”. Nuk e di faktorin “natyror”, virusin e shkaktimit të kësaj sëmundje kolektive shqiptare. Edhe pse, ma merr mendja shkaktarin: rrethanat natyrore dhe shoqërore e politike me të cilat përballet me shekuj populli shqiptar. Përmbi të gjitha e them publikisht, është zgjidhja e Çështjes shqiptare në Ballkan. Secili shqiptar më patriot se shoqi. Shembull konkret, rasti i fundit “Monstra” me protestat e manipuluara paqësore në Shkup. Qytetarë të cilët për shkak të halleve dhe problemeve sociale e politike kanë “ikur” nga shtëpia dhe kanë dalur në rrugë. Dy skizofrenë u prinë në ballë, njëri pranë – tjetrit, krah për krahu me “veprime organizative”, gjoja për ta qetësuar turmën përballë policisë Shtetit të “përbashkët” e armatosur deri më dhëmbë. E, asnjëri me njëri - tjetrin nuk kanë asgjë të përbashkët si “organizatorë”, qoftë nga veprimet “ilegale” patriotike, qoftë nga strofullat partiake nga i sulen Shkupit shqiptar me këmbët dhe trutë në legen. Përçudi, edhe ia arrijnë qëllimit: e qetësojnë turmën e paorganizuar të protestave qytetare, që janë nisur dhe sulen me të vetmin qëllim, çdo gjë që u delë përpara: lule, pemë, kontenjerë bërlloku e xhama, ta vënë nën këmbë dhe flakë. Guxim “patriotik”, që skizofrenët të nesërmen t’u kundëvihen shkrimeve publicistike parashikuese me komente anonime plot shpifje e etiketime. Dorën në zemër, nuk duhet hëngër hakun: Talent kanë për sharje e ofendime duke e fshehur veten në dimi të grave.
Skizofreni, përpilon edhe “lista të zeza” në rolin e Rrufjanit si në kohën e Millosheviqit, pse nuk i shkojnë gomarit përmbrapa me të katra këmbët e rrasura deri në bark mes batakut, dhe përmes Facebook ia dërgon “Vojvodës” për “flijime artistike”. Skizofreni me kokën në xhami e palarenë në polici. Vese negative, të cilat i bartin në zemër e samarë me vite, përpiqen t’ia mveshin tjetrit si autor i shkrimeve publicistike, pse i ka zhveshur lakuriq pisat e sokakut para syve të popullit, ua ka nxjerrë për mejdani rraçet majë një kodre për rrezitje në Diell. E di, çifti i tyre do të thotë edhe se, “klloshari” është kundër ndryshimeve politike. Përralla arabe të Njëmijenjënetëve i rrëfen Shkrimtarit, që gjithë jetën ka qenë, është dhe do të vdesë në opozitë. Gabim e keni si “myslimanë ehamdurila” të Allahut. Shkrimtari moti është për ndryshime politike, por jo me këtë mall të mykur e kalbur politik, që na e shkarkuan “vëllezërit” para dere. Poashtu, i përkrah edhe Lëvizjet qytetare që u pri në ballë truri, por jo edhe protestat e dhunshme të cilave u pri bytha si komandante. Bërllok shqiptar, që e ka shitur veten me pare e pa pare: dje, sot dhe do ta shesë edhe Nesër. Jashtëqitje partiake pas shtëpie, që me vite si kërrocë fushe i ngatërrohet popullit shqiptar nëpër këmbë.
Fushëveprimi “strategjik” i skizofrenëve, kurdisja e tyre për provokime politike ndërsehen nga qendra të njohura nëntoksore antishqiptare. Vetëm një gjë nuk e kam të qartë: Partitë politike shqiptare (nuk e kam fjalën për ato maqedonase), si rrinë duarkryq para këtyre veprimeve “patriotike kuqezi” dhe ngjarjeve historike të kësaj natyre, nuk ua presin udhën qorre. Punë tjetër është ajo se, ndonjëri delë në rrugë me parulla e pankarta partiake e fetare në protesta ‘kombëtare kuqezi”, marrë vulën e Dexhallit në ballë. Kulminacioni ironik i shekullit: autorë të panjohur të videos, edhe kur tallen në YouTube me përbaltjen e flamurit kuqezi kombëtar, duke ua veshur dy qenëve sesi e shqyejnë flamurin maqedonas. Them unë: Mungon qeni i tretë me zgjebe me bishtin ndër këmbë. Storie filmike jocivilizuese, që i shpërndajnë partizanët nëpër botë, në Facebook. Veprim i ulët njerëzor, që aspak, nuk na ka hije dhe bënë nderë si popull me traditë e kulturë Ilire nëpër shekuj. Shqiptarët, sipas këtyre autorëve anonim, qenkan qenë me flamurin kombëtar kuqezi në shpinë, që e shqyejnë flamurin e Shtetit të “përbashkët” maqedonas para syve të botës. Ose, me ata dy qentë e veshur me flamurin kombëtar kuqezi, kanë dashur t’i paraqesin në vepër dhe fshikullojnë me thupër thane ato dy “revolucionarët” në ballë të protestave qytetare, sesi e “disiplinojnë” turmën e zemëruar para kamerave televizive, mos ta kalojë “kufirin” politik, dalin matanë Vardarit, në anën maqedonase. Përmëkeq, edhe disa shqiptarë shkurtpamës, që nuk shohin më larg se para këmbëve të tyre në legen, u duartrokisin çmendurive të këtilla provokative si “fitore” historike shqiptare. Ndoshta, edhe kanë të drejtë “regjisorët” e filmit “Spaghetti Western”: “vëllezërve” ua përcjellin porosinë e protestave të fundit paqësore në Bit – Pazar, kur dy “patriotë kuqezi” përpiqen ta qetësonjë turmën e zemëruar, mos dalin matanë Urës Gurit te Aleksandri i Madh, që i bëjnë roje luanët duke vjellur nateditë ujë, në vend të zjarrit.
Mjerim kombëtar shqiptar, për ta vajtuar nateditë me gra Zajazi. Protesta qytetare, falë këtyre dy skizofrenëve, kësaj radhe përfundoi e “qetë”, pa dhunë. Akrepët e orës, Dikushi (“Vëllai i Madh”) që ua kishte kurdisur dje, sot ua ktheu përmbrapa, bythëprapë te kufiri (“26 korriku”), në Bit-Pazar. Porosi, që populli shqiptar duhet ta di dhe shohi larg jo me sy, por me dylbi, që mos t’ua hapë rrugën e as derën krah më krah këtyre dy kalorësve të arratisur, të cilët i njeh mbarë Shkupi për veprime teknefese “patriotike”.
Presidenti i parë i Kosovës, Ibrahim Rugova ka thënë: durim, o popull shqiptar! Edhe unë them si parashikues i Ditës së Nesërme: durim o “patriotë kuqezi” të Bit - Pazarit! Amani, mos e rrokni topin e Mic Sokolit për fyti në Ditën e sotshme! Shkaku se, i keni përzi shekujt lëmsh, të cilin Macja e zezë ua rrokullis nëpër Lëmë: nuk është koha e Turqisë, nuk kemi ku të gjejmë sot këngatarë me çifteli, edhe dyluftimeve të jauja heroike “fytas” me armikun shekullor t’i fusim në këngët tona popullore, copë - copë t’i bëjmë çiftelitë nëpër emisione televizive me “oda shqiptare” e dasma familjare. Përmëtepër, kur sot populli shqiptar, nuk i do më ato këngë patriotike, po muzikën tallava: plotë Xhemile, Lali Xhan, Vagabonda e djemë azgana që shtëpinë e “kallin me alltie” nëpër dasmat shqiptare. Nateditë, hidhen e përdridhen nëpër dasma familjare e ahengje partiake në rolin e arushës me dajre: herë më një anë e herë në tjetrën anë duke u rënë duarve shuplakë mes livadheve, maleve e salloneve dhe hedhin me thasë euro e dollarë amerikan mbi nusen pa koçi me krushqit (këngëtarët) e shashtrisur të shekullit.
Momentalisht, jemi populli më i lumtur në botë! Vetëm, hapni pak kanalet televizive shqiptare në Tiranë, Prishtinë e Shkup: Non – stop, ditenatë me këngë e valle. Pakgjë, përmes atij ekrani televiziv: arsimore, shkencore e kulturore. Heroizëm patriotik i dalldisur me këngë e valle. Dhe, Skizofreni, më mirë e ka të rri në xhami me këmbët dhe trutë në legen, sesa të merret me politikë “madhore”! E kënaqi xhaminë, tashti i ka mbetur ta “nxjerrë” në dritë edhe politikën shqiptare. Pesë vakte, “sevap” është t’i fali në Shtëpinë e Zotit. Allahut t’i lutet për mëkate. Ndoshta, ndonjë këngëtar i muzikës tallava, me siguri një ditë merr guximin, e shti si “shehit” në këngë me tarabuka…