Kulturë » Mehmeti
Hazir Mehmeti: Hetuesi
E enjte, 10.07.2014, 06:35 PM
Hetuesi
Tregim nga Hazir Mehmeti
Petriti mezimbante kokën mbi shuplakën e dorës, mes gishtave të së cilës dukeshin qimet e zeza të mjekrës. Bankëdërrasa e gjatë para zyrës numër dhjetë ishte e vogël për të gjithë intervistuesit. Prapa saj qëndronte njeriu që e quanin hetues, të cilit asnjëherë nuk ia kishin parë fytyrën. Në korridorin e ngushtë, gjysmë të ndriçuar, takoheshin fytyra njerëzish kontinentesh e racash të ndryshme, me trup e flokë gjithfaresh, ashtu siç ishin historitë e vuajtjeve të tyre.
Petriti shikoi orën, minutat e terminit ishin kaluar, sigurisht djaloshi nga Gana kishte për të thënë shumë nga historia e rrugës së tij deri këtu para portës, e cila ndante dy botë, të vuajtjeve dhe të nesërmes së panjohur. Një krrakamë e lehtë e hapjes së derës drejtoj fytyrat e të gjithëve, disa nga të cilët qëndronin në këmbë të mbështetur me shpatulla në mur.
-Pushim dy orë, -u dëgjua zëri nga një mesoburrë, pas të cilit u përsërit krrakama e serishme e derës në të cilën qëndronte numri i varur në kornizën e tij të bardhë.
Nga hapësira e derës së pambyllur si duhet, tufa e rrezeve ndriçonte një kozmos formash pluhuri në lëvizjen e pandalshme. Kjo të kujtonte derën e harruar hapur në mesomurin dymbëdhjetë kilometra të Konstadinopolit nga ushtari bizantin, një pakujdesi, e cila u bë shkak i përfundimit të perandorisë më të fuqishme njerëzore.
Dhoma numër dhjetë cilësohej si më e lehtë për intervistën si dhe gjasat për një qëndrim në vend fillimisht për tre muaj. Për dallim nga zyra numër njëmbëdhjetë aty pranë, nga e cila nuk dëshironte asnjëri të thirrej. Nga ajo zyrë zakonisht azilkërkuesit përfundonin me negativ në dorë dhe përcilleshin deri tek porta kryesore nga kishin hyrë në pamundësinë që përsëri të ktheheshin ndonjëherë.
Fjala më e urryer ishte fjala negativ dhe çuditërisht ishte ajo që dëgjohej më së shumti gjithandej hapësirave. Derisa kaloje pranë njerëzve, pranë kabinave telefonike, pranë sporteleve po edhe para e pas gjumit. Si të thuash ishte bërë pjesë e fjalorit të secilit brenda rrethojave të kompleksit shumë ndërtesash të vjetra. Nuk ishte e rrallë të dëgjonim edhe në jermi natën kur nuk të zinte gjumi, e kjo ndodhte shpesh aty ku flinin dhjetëra frymë nga vende të ndryshme të botës me gjithfarë përjetimesh e ëndrrash. Dhoma e gjatë, me tavan të lartë, dikur kazermë ushtarake e luftës së fundit, tani ishte vendshprese e shumë njerëzve të cilët nuk kishe mundësi t’i numëroje as të dije nga kishin ardhur. Agimet e gushtit ishin të ngrohtë në dhomën ku flinin njëzet e shtatë vetë në krevatet dykatëshe me rrjetë teli, e cila fryhej ulët nga pesha e mbifjetësit.
Derisa sytë ishin drejtuar nga dera me numrin dhjetë, u hap dera e zyrës tjetër fqinje nga e cila doli një burrë i shkurtër e i trashë, me kravatë e veshje zyrtari. I lëshoj një shikim të shkurtër letrës së bardhë që mbante në dorën e majtë.
-Petrit Kreksi,- u dëgjua zëri i i tij.
Të gjithë
i drejtuan sytë derisa ai u
Një burrë i gjatë me kravatë të bardhë me vija ngjyrëkafe u ngrit në këmbë, i dha dorën atij duke ju prezantuar në gjuhën të cilën nuk e kuptonte.
Në anën e majtë zuri vend përkthyesi, i cili la mbi tavolinë letrën ku dallohej emri i të sapothirrurit.
Pasi ndërruan shikimet dhe rregulluan uljen në karrige, hetuesi e filloj në gjuhën e tij, kurse pas tij përkthyesi.
-Z.Petrit, besoj se ndiheni mirë, ju tani këtu jeni i sigurt dhe i lirë t’i thoni të gjitha ato që ne ju pyesim dhe juve ju kanë detyruar të jeni sot këtu.
-Faleminderit, z.hetues,
- Nënshtetësia e juaj nuk i përgjigjet asaj që ju e keni shkruar në fletëparaqitjen tuaj ditën e ardhjes këtu, mund të na jepni sqarimet e juaja- e filloj bisedën hetuesi.
-E kuptoj z. Hetues, por ajo nënshtetësi është e një shteti të zhbërë. i cili ishte pushtues i vendit tim dhe s’kam asnjë arsye që ta pranoj.
Nga dollapi i tavolinës hetuesi nxori kopjen e letërnjoftimit e cila kishte një Yu të madhe brenda një rrethi të zi. E rrotulloi dy- tri herë duke e shikuar me vëmendje çdo detaj derisa e futi në kunxhat e kapakëve të dosjes me ngjyrë kafe të përzier me të gjelbër, e mbylli dhe e shtyeu skaj tavolinës së punës para së cilës vendosinjë libër të trashë nga i dukeshin vetëm skajet. .
- Na thuaj përse zotëri Kreksi, keni lëshuar vendin tuaj dhe dëshironi strehim këtu? E kuptoni ju zotëri se çfarë do të thotë strehim i të përndjekurit politik?
-Z. Hetues, unë nuk jam jurist dhe as që i njoh rregullat rreth azilit politik apo ekonomik, e filloi Petriti, por unë nuk kisha rrugë tjetër. Ju e dini zotëri se lufta në disa pjesë të asaj ngrehine makabre mori shumë jetë.
-Na e përshkruani gjendjen tuaj, problemet tuaja para se të vendosnit ta lëshonit vendin tuaj.
Hetuesi e shikoj me kujdes përkthyesin, sikur donte t’i thoshte se tani ishte momenti që të koncentrohej në detyrën e tij.
-Gjendja në vendin tim është e rëndë, shumë e rëndë. Në ndërmarrjen ku punonim u vunë masat e dhunshme, nuk shkoj gjatë dhe u përjashtuan të gjithë punëtorët shqiptarë. Shumë nga ata edhe u dënuan me burg si arsyetim i refuzimit të planeve serbe. Lëvizjet e sindikatave ishin për ruajtjen dhe mbrojtjen e punëtorëve, ne që ishim në kryesi na morën në polici, na rrahën, na torturuan, disa i dënuan disa vjet burg.
Hetuesi dëgjonte përkthyesin me shikim nga azilkërkuesi duke lënë përshtypjen se kjo nuk ishte diçka serioze për ndonjë vëmendje hetuesi.
Zgjatja e mëtejmë e fjalës së tij nuk iu duk e rëndësishme, pasi e shikoi përkthyesin ai u ndal. Kjo e ktheu vëmendjen e hetuesit, i cili e shikoi me shikim këshillues “...pse nuk flet tani” gati sa nuk foli.
Zotëri, ju duhet të flisni konkretisht për ju, ju kërkoni mbrojtje, vazhdoi hetuesi i cili filloi të shfleton fletë nga libri i trashë me kapakët e portokalltë.
...Edhe unë kisha fatin t’i provoj të gjitha ato masa kundër nesh, por disa nga shokët tanë përjetuan tragjedi të thella për të cilat shkroi edhe shtypi evropian, pra edhe shtypi i vendit tuaj. Fatet e njeriut e as fati im nuk janë të veçuara, por një pjesë e së përgjithshmes, bile e imja shumë e lehtë nëse bëhen krahasime.
-Zotëri Kreksi,- tha hetuesi duke i fshirë syzet me leckën e hollë ngjyrë kafe, e cila shkëlqente, ju e dini se hetuesia bazohet në dokumente konkrete, fakte që dëshmohen nga zyrtarë, nga shtypi, nga shoqëritë civile e organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Keni ju në vendin tuaj diçka nga këto, a keni kontaktuar dhe kërkuar mbrojtjen tuaj nga ato para se të lëshoni vendin tuaj?
Në shoqatën bamirëse “Nëna Tereze” mbeti shpresa e jonë e mbrojtjes dhe bukës e cila na duhej. Puna e saj gjysmëilegale ishte e vështirë, edhe nga aty u dënuan shumë veprimtarë me burg të gjatë dhe përjetuan tortura çnjerëzore.
-Ato nuk na duhen tani, sikur janë ca politikë e rrethit tuaj, flisni ju lutem konkretisht për veten tuaj.
Në fytyrën e hetuesit u hetua një vrënjtje duke rrudhur sytë mbi librin e trashë të hapur.
Petriti hapi kapakët e bardhë, i vuri përpara fletë të shumta, nxori një dhe filloi të lexon: “Rilindja” ...Me datë 26 maj z. Petrit Kreksi u arrestua nga policia në shtëpinë e shëndetit vetëm përse solli fëmijë të helmuar për shërim.... Më datë 10 e 11 gusht e kërkuan Petrit Kreksin në banesën e tij, fëmijët u kërcënuan me armë, duke u shkaktuar trauma të rënda dhe u kërkua paraqitja e detyruar e tij në polici. Banesa u demolua, u shqyen flamuri shqiptar, portrete dhe libra...”
Petriti nxori kopje nga shkrimet e disa gazetave : “Dello”, “Vjesnik”,”TheTiems”, “AllgemeinefrankfurterZeitung”, “DerDtandard”, “Le Mond” dhe i vendosi mbi tavolinë ku dallohej skaji i sipërm i majtë me një D të madhe.
Hetuesi u ngrit në këmbë mori gazetën sllovene “Dello” dhe pasi e shfletoi thirri sekretaren që t’i kopjonte. Derisa zhurma e kopjuesit dëgjohej nga hapësira tjetër e sekretarisë, hetuesi filloi të fliste me përkthyesin. Gjestikulimet, toni i zërit dhe fytyra e tij tregoheshin serioze. Përkthyesi, njeri me moshë mesatare fliste në gjuhën e panjohur, por bindëse për hetuesin, i cili aprovonte me kokë në stilin e tij. Nga theksi gjuhësor përkthyesi dukej se vinte nga viset jugore shqiptare, fliste pak dhe dukej me qëndrimin e tij në shërbim të rendit zyrtar.
-Ju lutemi, na thoni lidhur me rrugën tuaj deri këtu, nga cili shtet keni hyrë dhe kush u kujdes për këtë, - iu drejtua përkthyesit me një qëndrim mirëkuptimi, e shikoi orën e tij, rregulloi karrigën duke e drejtuar trupin.
-Z. hetues, nuk më kujtohet emri i kufirit as vendi prej nga kemi hyrë këtu.
- Kjo do të thotë se ju ishit i mbyllur apo ishte natë?- pyeti hetuesi.
Pas gjithë atyre përjetimeve dhe rrethanave, nuk më mbeti rrugë tjetër. Një natë vonë, pa e ditur askush, u vesha dola jashtë. Qeni im Veshtaku kërcente duke më përkëdhelur me këmbët e tij dhe nuk më linte t’i lidhja këpucët. U ula në dy gjunjë dhe u përqafuam gjatë, lëshonte zëra që kurrë nuk i kisha dëgjuar prej tij. Lotët ia pashë në sytë e tij, me besoni, sikur e dinte se më kurrë nuk do të takoheshim. Qava me lot, e putha gurëpragun e shtëpisë, vrapova deri në kosh dhe mora një kollomoq të bardhë drenie, marafq, i themi ne, e futa në gji dhe dola nga oborri. Veshtaku na përcolli në vrap derisa rruga ishte e drejtë dhe furgoni mori shpejtësi luginës skaj përroit.
Hetuesi nuk foli, lëvizi karrigen, tregonte se e priste vazhdimin e rrëfimit. Përkthyesi pasi e kreu fjalën u pa në fytyrën e tij një keqardhje.
Udhëtuam natën deri në malet drejt Alpeve Shqiptare, rrugë e gurtë me kthesa, sa poshtë, aq lart me orë të tëra sa të dukej sikur vendnumëroje. Majë Bjeshke nga avaria në motor mbetem njëmbëdhjetë udhëtarë në rrugë. Natë e errët, binte shi i ftohtë bjeshke që të prekte në palcë. Për t’u mbrojtur nga bandat plaçkitëse u fshehëm pas kaçubave disa metra larg furgonit. Një grup banditësh të armatosur e thyen makinën, morën çdo gjë që gjetën dhe në fund e dogjën. U gëzuam që shpëtuam gjallë të fshehur sikur minjtë nën rrënjët e drunjtëve. Të lodhur e të plaçkitur arritëm në Vlorë pas pesë ditëve dhe nga aty në det..
Me një çerek rrotullimi karrige hetuesi rregulloi pozitën e trupit, shënoi diçka në fletën e bardhë dhe iu drejtua përkthyesit:
- Zoti përkthyes jeni i sigurt në detajet e përkthyera nga i intervistuari.
-
-Mund të vazhdoni z.Kreksi, ndaluni në detajet që ju përkasin ju, kjo është lënda që ne duam nga ju, tha ai.
Petritit filluan t’i rridhnin djersët fytyrës, një mundim i vinte nga brenda në këto çaste. Piu një gllënjkë ujë dhe duke u dridhur filloi.
... Ishte
mbrëmje, na ngarkuan në një gomone njëzet e tre veta. Unë isha në mesin e
njëmbëdhjetë meshkujve dhe katër vajzave, kurse të tjerët ishin fëmijë.
- Atëherë zotëri Kreksi, përse ju zgjodhët vendin tonë për strehim e nuk zgjodhët ndonjë vend tjetër ?
Petriti i qetë piu ujë, shtriu këmbët dhe filloi.
-Zgjedhja erdhi si rezultat i rrethanave gjatë odiseadës sonë të udhëtimit dhe preferencat tona. Unë erdha këtu pasi e dija nga e kaluara qëndrimin miqësor të vendit e popullit tuaj ndaj kombit shqiptar dhe veçanërisht ndaj Kosovës. Kam besim në demokracinë këtu dhe shpresoj se një ditë do të kthehem në vendin tim të lirë me falënderime ndaj përkrahjes suaj.
-
Petriti shikoj anash nga dritaret, përkthyesin, mbështeti kokën mbi pëllëmbën e hapur të dorës dhe filloi të qetësohej.
Pushim u dëgjua zëri i hetuesit i cili shtyu karrigën duke u ngritur në këmbë. Përkthyesi hapi derën, përcolli urdhrin e hetuesit e pastaj doli. Azilkërkuesve që mbushnin korridorin e ngushtë iu shtua monotonia e pritjes që mbanin mbi supet e tyre. Zvarritnin sandalet e varura në maje të gishtave dyshemesë, duar në xhepa pantallonash gjithfarë ngjyrash dhe me trupa të kërrusur u shpërndanë kateve e dyerve të strehimoreve.
Petriti
në dërrasën e dritares pranë krevatit gjeti të mbushur shishen e kokakolës me
kafe mëngjesi, tri prerje buke të zezë, dy prerje djathi dhe një mbushje reçel
ku dallohej figura e dredhëzës dhe një E
madhe e pa kuptimtë. E kishte
sjell Ngazi, një djalë afrikan i cili
priste të
Ishte hera e parë që Petriti takonte njerëz nga aq shumë vende e kontinente nga të cilët Ngazit me mirësitë e tij i kishte hyrë në zemër. “Sigurisht ky duhet të ketë luajtur vallen e njohur nigeriane Inpirikpe, me ato lëvizjet e burrave dhe grave në rrethe me zbukurime prej natyrës tropikale. Ku në buçitjet e daulleve vallëzojnë gjethet bashkë me erëdredhat e pluhurit përreth kasollkallameve”
Derisa meditonte lëshoi shikimin në oborrin e gjerë i cili përfundonte me pavijonet katërkatëshe të mbushur me njerëz nga e gjithë globi. Tani kishte mësuar se në dy prej tyre banonin boshnjakët e ikur nga vendi i tyre tan disa vjet në luftë. Në këndin e Pavionit 1 u duk vajza me helmetë, e cila rrihte kokën me duar duke lëshuar brimë trishtueshëm “Neeeeemmoj, ovaj jee moooj brat, jahooooo... jahoo....” përsëritej britma e cila shoqërohej me goditje grushtesh dhe po të mos ishte helmeta do të kishte përfunduar që moti koka e saj. Nëna dhe motra e mbanin për krahu drejtë pavianit ku mjeku kishte ordinancën. Tani sikur ishin mësuar me atë pamje trishtuese të përsëritur disa herë brenda ditës. Nga kureshtaret vinin gjithë farë thëniesh rreth saj, se çka kishte përjetuar vajza e re boshnjake në Srebrenicë.
Petriti tërë natën nuk fjeti. Sapo mbyllte sytë për një moment i paraqitej vajza me helmetën e kaltër me fytyrën e Shqipes, vajzës së tij, e cila sapo kishte filluar gjimnazin.
- “Babi, babi ku ike e na le. E sheh si e kam vu helmetën, e sheh. Ata po vijnë babë, babëë poooooo viiiiijjj.... O sa erë e ngrohtë këtej, erë shkrumbi, erë gjaku, gjaaaaaaa” . Mundohej ta nxirrte vajzën nga kthetrat e erës para flakës. “Kapu në krahun tim, kapu, barbarët e zinj, zinj. Kapuuuuuuuka.aa...”
Mbi krah ndjeu prekjen nga dora e Ngazit dhe zërin e tij të hollë, Petri, Petri.
Vetëm atëherë e pa veten se ishte mbytur në djersë të ftohta. I dhimbte koka. U ngrit ngadalë, preku me shputat e ftohta të këmbëve sandalet e lehta plastike. Mori pakon e cigareve dhe doli në kantinë ku rrinte abazhuri i ndezur mbi tavolinën këmbëshkurtër.
Tani ishte koha kur kuptohej çdo gjë. Duhej ngjeshur helmetat dhe brezi në mbrojtje të vatrës. Lejeqëndrimi nuk kishte më vlerë. Shoqëria priste në marshin drejt vendlindjes, e cila zhuritej në robëri.
Ndezi një cigare, fshiu djersët dhe shkroi dorëdridhur mbi zarf.
Hetuesit, nga Petrit Kreksi