E diele, 22.12.2024, 04:10 PM (GMT)

Shtesë » Lajme

Gërvalla: Mustafa po ia dorëzon LDK-në Haradinajt

E enjte, 10.07.2014, 05:30 PM


Tjetër reagim i Donika Gërvallës: Isa Mustafa po ia dorëzon LDK-në Haradinajt

Nga Bota Sot

Po të kishte Isa Mustafa një pikë konsekuencë dhe guxim, do të duhej t’ia dorëzonte Ramush Haradinajt edhe zyrtarisht kryetarllëkun e LDK-së, sepse ky do të jetë rezultati i kësaj strategjie: Futja e LDK-së në darët e Ramush Haradinajt.

Premtimet se nuk do të diskutohet rreth postit të Kryeministrit dhe se vet Kryetari i LDK-së do të jepte dorëheqje në rast humbjeje u harruan menjëherë. Isa Mustafa fillimisht zhburrëroi vetveten politisht dhe tani për hatër të Ramushit dhe Fatmirit don ta tredh LDK-në dhe organet e saj.

E bija e Jusuf Gërvallës, Donika, ka dalë kundër idesë që LDK t’ia jap Ramush Haradinajt pozitën e Kryeministrit.Ajo ka kërkuar nga anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm të mos qëndrojnë të heshtur por të tregojnë pak dinjitet dhe të mos lejojnë shkatërrimin e LDK’së.Donika ka thënë se Isa Mustafa për ta shpëtuar vetën po ia dorëzon LDK’në dy jaraneve të Thaçit – Ramush Haradinajt e Fatmir Limajt.

Letra e plotë e Donika Gërvallës:

LETËR E HAPUR- drejtuar anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, më 10 korrik 2014

Të dashur miq,

ju sot do të takoheni në një mbledhje historike, në të cilën do të merrni vendime të rëndësishme, të cilat do të jenë vendimtare për mbijetesën politike të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Më 10 korrik 2014 ju do të përcaktoheni për vazhdimësinë përmes reformave ose fundit të mundshëm të LDK-së. Shuarja e LDK-së nuk vjen përnjëherë, nuk vjen as në javët e ardhshme. Por javët e ardhshme do të jenë vendimtare.

Kryetari Isa Mustafa dhe një grup i vogël rreth tij kanë kaq ditë që përpiqen të na mbushin mendjen, se kjo na qenka mënyra e vetme për ta penguar një qeverisje të mëtejme të Thaçit, i cili Kosovën në vetëm 7 vjet qeverisje e solli buzë greminës. Dhe për ta bërë këtë Kosova nuk paska alternativë tjetër, veçse të qeveriset nga bashkëudhëtarët e hershëm të ngushtë dhe shokët e armëve të Thaçit. Ne na thonë, dhe shpresojnë që të jemi aq naiv dhe t’iu besojmë, se vetëm me këto figura të dyshimta dhe të konsumuara u shpëtoka Kosova. Kjo thjesht nuk është e vërtetë, përkundrazi është një gabim tragjik.

Pyes veten, të nderuar anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm, se kur do të ngriheni më në fund dhe të thoni Mjaft më! Të thoni MJAFT, sepse nuk jemi kope delesh që sillemi njëherë në kaq kohë sa për të ngritur dorën, por jemi njerëz të devotshëm, që politikës i kemi hyrë për të ndërtuar një Kosovë dinjitoze dhe jo për të vulosur pazare në kurriz të saj.

Nëse ju nuk i jepni fund kësaj strategjie të gabuar, atëherë dhjetëra mijëra qytetarë do t’i kthejnë shpinën LDK-së, do t’iu bashkohen partive të tjera ose do të formojnë parti të reja, të cilat rrjedhin nga elektorati i LDK-së. Kundërshtarët politik të LDK-së do të gëzohen pa masë, të ushqyer nga shpresa se mund të fitojnë një përqindje votash mbi gërmadhat e LDK-së, ndërkohë që një LDK vitale dhe e guximshme do t’iu tregonte vendin e merituar Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Xhavit Halitit, Fatmir Limajt, Ramush Haradinajt dhe plot të tjerëve.

E kam përkrahur masivisht gjatë fushatës zgjedhore LDK-në dhe rrjedhimisht edhe Isa Mustafën si Kryetar të saj, megjithe skepticizmin tim. Nuk kam kërkuar mandat, por kam kërkuar fitoren e LDK-së. Kemi premtuar se me ne nuk do të qeverisë më korrupsioni dhe krimi.

Thua për çfarë?

Për të hyrë në një koalicion të ri me krimin dhe korrupsionin, për t’iu mundësuar tani këtyre të mbushin xhepat në kurriz të ardhmërisë së vendit?

- Për të mbrojtur edhe më tej kriminelët nga dora e drejtësisë?

- Për të formuar një qeveri të re, të korruptuar dhe të kriminalizuar, e cila njësoj si ajo e vjetra, për të shpëtuar kokat e veta, do të detyrohet të’iu nënshtrohet shantazheve – edhe nga jashtë, në dëm të interesave tona kombëtare?

- Për ta vulosur përfundimisht ndarjen e Kosovës për shkak të reputacionit të tmerrshëm ndërkombëtar të figurave që mendohet të marrin përgjegjësinë për drejtimin e vendit?

- Për të lënë të padënuara krimet e mëdha dhe të vogla dhe për t’i bërë ato njëherë e përgjithmonë pjesë të historisë sonë?

- Për të humbur edhe pikën e fundit të respektit tek miqtë e fundit që mund të na kenë mbetur?

- Për të arritur që në të ardhmen edhe LDK të përmendet në një frymë me kriminelët dhe miqtë tanë në Evropë të thonë që jemi të gjithë kriminel?

Këta zotërinj e kanë detyruar LDK-në të zvarritet. Mos u zvarrisni, por ecni kokëlartë, më vjen t’iu thërras përgjegjësve të kësaj gjendjeje. Atëherë do të shihni së çfarë është pragmatizmi i vërtetë – jo oportunizmi juaj i pafuqishëm, i frikësuar, i vogël.

Isa Mustafa , nga paaftësia ose nga oportunizmi, ofron vetëm një alternativë: një koncept të disfatës dhe të shkatërrimit të LDK-së. LDK-ja duhet ta refuzojë konceptin e tij nëse dëshiron të mbijetojë. Në vend të koncepteve të Mustafës duhet të vijnë reformat, në vend të frikës duhet të vijë guximi, në vend të oportunizmit, karakteri. Me parime, reforma dhe njerëz të rinj, LDK-ja, së bashku me veprimtarët shumëvjeçarë të devotshëm, do ta nxjerrë veten nga moçali ku është zhytur.

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk e pati të lehtë përballojë vdekjen e Kryetarit Rugova. Dy kryetarët që e trashëguan, e dëmtuan rëndë LDK-në, secili në mënyrën e tij. Fatmir Sejdiu e shndërroi gati në në degë të PDK-së, ndërsa Isa Mustafa, pas një stabilizimi të përkohshëm të saj, po rrezikon shuarjen totale.

Të tjerët po e nuhasin kundërmimin e LDK-së. Si ujqërit i kanë rrethuar figurat e vjetra dhe të dobëta dhe kanë nuhatur mundësinë që me njerëz si Mustafa të ndërtojnë një Kosovë tjetër nga ajo e Rugovës. Koncepti i tyre, prej një kohe të gjatë, është shkatërrimi sistematik i LDK-së si shtyllë bartëse të Kosovës. Isa Mustafës mund të mos i dhemb kjo, sepse asnjëjerë nuk ka qenë i lidhur ngushtë me konceptin, me vizionet, me idealin e Ibrahim Rugovës, Fehmi Aganit, Salih Çekajt, Enver Malokut dhe shumë heronjve të tjerë të Kosovës dhe të LDK-së. Isa Mustafa nuk e ka hallin as tek mbijetesa politike e ideve që përfaqëson LDK-ja. Halli i tij është shumë trivial, mbijetesa personale politike.

I përtypin dhe ripërtypin të vdekurit, sa herë që iu përshtatet. Gjatë fushatës së fundit zgjedhore u shfrytëzua emri i Kryetarit Rugova deri në fund: gjatë të gjitha tubimeve të LDK-së ai mori më shumë duartrokitje se të gjithë kandidatët e gjallë, përfshi këtu edhe Isa Mustafën. Të gjithë ia përmendnin emrin, por mendjen nuk e kishin tek ai, por tek vetvetja.

Ju anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm jeni ata që mbani përgjegjësinë për jetën ose vdekjen e LDK-së së Ibrahim Rugovës. Kush hesht sot, në njëfarë mënyre e ka thënë fjalën e vet, ka dhënë kontributin e tij. Shumë prej jush më keni kontaktuar dhe unë e di që jeni kundër kursit të Isa Mustafës dhe atyre që e hartuan këtë kurs së bashku me të. Këta teknokratë të oportunizmit politik nuk kanë mësuar asgjë nga humbja e LDK-së në këto zgjedhje. Në vend të marrjes së përgjegjësisë dhe reformave partiake, janë duke e shitur shpirtin e LDK-së për disa poste.

Po të kishte Isa Mustafa një pikë konsekuencë dhe guxim, do të duhej t’ia dorëzonte Ramush Haradinajt edhe zyrtarisht kryetarllëkun e LDK-së, sepse ky do të jetë rezultati i kësaj strategjie: Futja e LDK-së në darët e Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limaj, duke i dhënë Ramush 9%-it pozicionin më të rëndësishëm në drejtimin e vendit. Madje nuk kursehen votuesit e LDK-së as nga propozime të rilla, si ai që LDK-ja në zgjedhjet e ardhshme, për herë të parë në historinë e saj gati 25-vjeçare, të mos hyjë në garë me një kandidat të vetin për postet më të rëndësishme shtetërore, por të dorëzohet plotësisht. Një poshtërim i pabesueshëm! Ky nuk është vetëm mashtrim i elektoratit, por edhe vetëvrasje pikërisht e asaj partie, e cila ishtë garanci e mbijetesës në kohëra shumë të vështira për shqiptarët në Kosovë.

Isa Mustafa di shumë pak për shpirtin e LDK-së. Ai nuk i kupton sakrificat dhe vuajtjet e qindra mijërave, të cilët kanë luftuar së bashku me LDK-në për lirinë e Kosovës. Isa Mustafa në vitet e nëntëdhjeta punoi në mënyrë aktive kundër Presidentit Rugova duke u munduar ta pengojë deri edhe në ushtrimin e detyrave të tij si President i Republikës së Kosovës. Ai ishte një kundërshtar i deklaruar i Dr. Rugovës dhe asnjëherë idhtar i flaktë i idesë së një LDK-je të pavarur. Duke qenë se kam qenë për shumë vite nënkryetare e LDK-së në Gjermani dhe më pas zëdhënëse e saj, jam dëshmitare e dhjetëra bisedave në rreth të ngushtë dhe të gjerë, gjatë të cilave shihej qartë se për Isa Mustafën dhe rrethin e tij, më i rëndësishëm ishte kufizimi i kompetencave të Presidentit Rugova, sesa organizimi i luftës për liri dhe pavarësi. Isa Mustafa ka mbetur një funksionar i kastës së vjetër, i cili nuk arriti asnjëherë të kuptojë të renë, të veçantën, shpirtin e LDK-së.

Isa Mustafa nuk është armiku brenda LDK-së – por ai rrezikon të bëhet varrmihësi i saj.

Tani, pasi humbi për LDK-në Prishtinën dhe Kosovën, Isa Mustafa po ia dorëzon LDK-në Haradinajt dhe Limajt për të siguruar në këtë mënyrë postin e tij në politikën kosovare edhe për disa vite.

Taktikat e përdorura që nga humbja e zgjedhjeve e kanë rritur tek qytetarët e thjeshtë tej mase neverinë ndaj politikës kosovare në përgjithësi. Një koalicion i partive jashtë qeverisë së tanishme u paralajmërua dhe të gjithëve nga kapi ngazëllimi. Por ngazëllimi u fashit sapo u hap pazari i padenjë rreth posteve më të larta shtetërore: duhej „blerë“ Haradinaj për të evituar që ky të „blihej“ nga Thaçi. Koalicioni i mirëpritur fillimisht, rezultoi si një marrëveshje e paprincip e Isa Mustafës dhe një grupi të vogël rreth tij. Do të luftojmë krimin dhe korrupsionin me të gjitha forcat, pat premtuar Kryetari i LDK-së gjatë fushatës. Tani na tregon se këtë do ta bëjë me jaranat e Thaçit dhe figura të tjera të dyshimta. Premtimet se nuk do të diskutohet rreth postit të Kryeministrit dhe se vet Kryetari i LDK-së do të jepte dorëheqje në rast humbjeje u harruan menjëherë. Isa Mustafa fillimisht zhburrëroi vetveten politisht dhe tani për hatër të Ramushit dhe Fatmirit don ta tredh LDK-në dhe organet e saj.

Flitet për „pragmatizëm“, por në të vërtetë mungojnë parimet. Flitet për vlera, por në mendje kanë vlerat materiale. I urrejnë idealet, sepse idealet e kufizojnë oportunizmin. Ideali i tyre është një pragmatizëm pa parime. Zgjedhjet, demokracinë, korrupsionin, diktaturën: ata i mbijetojnë të gjitha, sepse janë të lëmuar si ngjalat.

Kjo nuk është Lidhja Demokratike e Kosovës. Ata që patën ideale, por që patën edhe guximin të luftojnë për idealet e tyre dhe për popullin, ata na çliruan nga zgjedha e huaj. Shumë prej tyre lirinë tonë e paguan me jetën e tyre, të tjerë vuajtën dhe sakrifikuan shumë për kombin dhe familjet e tyre.

Sot, më 10 korrik është radha juaj të mbroni vlerat e vendit tonë, dinjitetin e LDK-së dhe trashëgiminë e Kryetarit Rugova. Atje ku shkruhen shkronjat dikur krenare LDK, atje edhe përmbajtja duhet të jetë LDK.

Trashëgimia e LDK-së është pavarësia e Kosovës, refuzimi i dhunës, i kriminalitetit, refuzimi i vrasjeve politike ndaj kundërshtarëve, sjellja civile, respekti ndaj njëri-tjetrit dhe politika parimore. Pa parime dhe vlera fundoset çdo shtet dhe çdo popull. Ne kemi përjetuar padrejtësi të mëdha dhe prandaj duhet ta ndëtojmë dhe mbrojmë shtetin ligjor.

Secili prej jush ka sot të drejtën dhe detyrimin për të marrë një vendim. Secili ka gjithashtu të drejtë të heshtë si një i pandehur, ose të flasë i lirë, si një shqiptar krenar. Të heshtësh sot do të thotë të marrësh mbi vete një pjesë të fajit për ngjarjet e së nesërmes.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora