Mendime » Çeliku
Kalosh Çeliku: Shkupi mes sëpatave politike e fetare
E hene, 07.07.2014, 07:04 PM
SHKUPI MES SËPATAVE
POLITIKE E FETARE
NGA KALOSH ÇELIKU
Parku i Grave, ku ne si nxënës të shkollës së mesme normale e kalonim natën nën pishat dundushore me vajza maqedonase, ka ndryshuar mjaftë nga ajo kohë. Azganet, në atë kohë ishin më të “lira” për ahengje, sesa cucat shqiptare që me rënjen e territ mbi Qytet, prindërit i mbyllnin në shtëpi. Ditën e kishin për në shkollë, por jo edhe natën për t’u dalldisur nëpër parqe e lokale nate. Vite ato, kur duhej të ndërronim për “mashtrime” dashurie, emër e mbiemër si shqiptar. Punë tjetër ishte ajo se, pak kishim nevojë për veprime të tilla strategjike. Shkaku se, shteti komunist moti e kishte bërë këtë me kohë: shumicës së mbiemrave të shqiptarëve te ofiçari maqedonas ua kishte shtuar vetë në fund nga një “oski”, ose “viç”. Përndryshe, vajzat maqedonase të asaj kohe, posa të dëgjonin se je shqiptar, iknin me të katra nga sytë - këmbët. Ndoshta, më vonë pajtoheshin me fatin se, edhe pse kanë qenë të “mashtruara”, mund të lidhin bashkëjetesë me një “shiptar”, por kjo më nuk mvarej prej tyre si “viktima” shkaktare, por famaljes dhe shoqërisë. Edukata e tillë ishte familjare, njësoj si me vajzat shqiptare, nëse martoheshin me një burrë të një feje tjetër dhe nacionaliteti. Edhe pse, propoganda politike komuniste, përpiqej t’i afrojë si popuj nën një çati me parullën e “vëllazërim-bashkimit”. Pak martesa të “përziera” u bënë në atë kohë, ku shumica përfumduan të pasukseshme.
Pishat e asaj kohe, sot me kokat në qiell janë rritur pa mua me shokë të gjeneratës sime revolucionare. Fundviti shkollor, gati të gjithëve na shpërndau si Kashta e Kumbarës në Shkup, Prishtinë e nëpër botë. Shumicën në kurbet. Ndonjërin, edhe në burg. Bibliotekën më të pasur me libra, në Idrizovë. “Universitetin” shqiptar, nga ku pak veta dolën me diploma të zanateve, piktor e shkrimtar. Nuk e di sot, a strehohet natën ndonjë shqiptar mes atyre pishave kokë më kokë te Parku i Grave. Arsyeja, nuk e kanë më atë sigurinë dhe “bukurinë” e tyre të atëhershme natyrore si dëllinja. Shtat kanë lëshuar dhe gati me kokë prekin qiellin mes reve. Korzon e famshme, në Bit-Pazar. Netët hirstorike, kur i gjithë Qyeteti me gra e burra pa dallim feje e kombësie, dyndeshte në këtë anë të Vardarit, sokaqeve të kësaj Çarshie shqiptare deri në agim. Vërtetë, Shkupi në atë kohë merrte frymë përmes këtij damari natyror, rrëzë Kalasë Dardane.
Ditën e sotshme, fatkeqësisht Shkupi pas gjithë këtyre përpjekjeve politike - “demokratike” mbi njëzetë vjeçare, mezi merr frymë artificiale me zemër betoni plot plagë e “operacione” kirurgjike në trup. Partitë politike, përpiqen ta shpëtojnë nga vdekja klinike. Pak rëndësi ka se, cila parti politike do t’ia kthejë shpirtin, ringjallë përsëri në jetë: ajo maqedonase, apo shqiptare. Dorën në zemër, që të dy palët përpiqen dhe i dalin zot si Kryeqytet i tyre historik. E kanë ngulfatur me beton deri në fyt, në vend të gjelbërimit edhe me përmendore antike (hipur në kalë e më këmbë me armë në dorë): bullgare, serbe e aty - këtu edhe me ndonjë shqiptare sa për sy e faqe me strehime “ilegale” partiake: Skënderebeun dhe Hasan Prishtinën, në Bit – Pazar. Dhe, ndonjërën që e pret radhën me vite mbi “Urën e civilizimeve”. Kryeqyteti me vështirësi merrë frymë mes sëpatave fetare e politike. Kryqave gjigant majëmaleve dhe drapërhënave nëpër minare, në vend të shqiponjave dykrenare. Gjelbërimin e ka mbuluar bërlloku. Drunjt, përditë i rrëzon mbi bar sharra elektrike dhe sëpata. Ndërtesat dhe shtëpitë e Zotit, mbijnë brenda një nate nëpër parqe e livadhe si këpurdhat pas shiut.
Vështirë e kanë politikanët e arratisur, sot të na e fshehin realitetin me sytë në ballë, ne të pagjumëve. Hutaçëve, që natën e kalonim qafë për qafe me femra mes tingujve të muzikës vendit dhe asaj botërore nëpër diskoklube nate deri në agim, nga ku të nesërmen me një fletore në xhep përfundonim në bankat shkollore. Vite, kur kujdestari i klasës, na merrte si shembull, sesi nuk duhet të jetë nxënësi. “Armën” e tij primitive e nxirrte nga xhepi brendshëm i setres, këmbëkryq na priste në orën e parë të kujdestarisë: krah për krahu nëpër qytet na kishte parë me ndonjë mike, ishim veshur me xhins (farmerka, vajzat me minifunde), Padashtas, e kishim ngacmuar shoqen e shkollës, rrokur përqafe gjatë pushimit mes orëve të mësimit. Ruajna Zot, nëse flokët pak na i kishin mbuluar veshët. Pantollonat e këmishat i kishim stolisur me emrat e këngëtarëve dhe grupeve legjendare të muzikës botërore: The Beatles, Jimi Hendrix, The Rolling Stones, Janis Joplin, Led Zeppelin… Ose, gishtat e dorës me unaza argjendi: kafkë njeriu (simbolin e Zonjës Vdekje), gjarpër kulaç me kokën përpjetë, kokë tigri gojëhapur, ose ujku. Mos e dhëntë Zoti të na e gjenin portretin e Skënderbeut të fshehur nënë jakën e setres, ose simbolin e flamurit kuqezi kombëar me shqiponjën dykrenare. Gjithë klasën e merrte lumi. Kujdestari i klasës, kur ti arsyetoheshe të dalësh nga “rrethimi” luftarak i sulmeve “artilerike” nga të katër anët, se: nuk ke para në xhep, është fundi i muajit, i nxirrte nga xhepi paratë dhe të përcillte te berberi. Dënimi dihej: aty - për aty hapej ditari. Përdreq, ditari gjithmonë hapej te “viktima” para gjygjit te dërrasa e zezë. Tri pyetjet e kujdestarit të klasës rafal, si tre plumba dum-dum “naganti” në mes të klasës të qëllonin mu në ballë. Përfundimi, i dyluftimit në klasë me “fitore”: njëshi me karrige në ditar.
Megjithatë, ne ishim para “gjykimit” të kohës egër komuniste, përballë kujdestarit të klasës: edhe kur i dinim pyetjet, për inatë vetëm me një lëkundje koke i përgjigjeshim “komandantit” se, nuk i dimë pyetjet. Kujdestarit të klasës ia plotësonim dëshirën e “fitores” luftarake në klasë, ia “zbutnim” pak zemërimin. Përçudi, edhe ne gëzoheshim, kur e shihnim sesi ai krenohej e fryhej përpara klasës si biban mes lëmës se, ia ka arritur qëllimit edukativo - arsimor. Njëshi, kurdiseshte në ditar. Përditë, kujdestari i klasës, kur na shihte në qytet, ose kishim bërë ndonjë bela në klasë, na pyeste me notë, armën e vetme luftarake. Shpërblimi dihej, njëshi në ditar me gjithë karrike.
Një ditë, kujdestari gati përpak u çmend, i zemruar u ngritë nga tavolina duke e goditur me grushta: nuk kishte rubrikë të zbrazët në ditar, ku mund ta vëndonte njëshin e radhës “me karrige”, aq të dashur e proferuar si armë ndëshkimi për ne “kryemgritësit” e shkollës. E pa se, ia kishim hedhur me mjeshtri pa e shkrepur asnjë “plumb” nga pusia. Klasa qeshi atë ditë me këta hutaçë, që gjithë natën e lume e kalonin nëpër disko klube me një fletore në xhep, dhe të nesërmen, na hynin në klasë si “banditë” shkolle.
Intersant, është rasti i profesorit të gjuhës maqedonase (Boge), një artist i asaj kohe që vinte mes nesh nga teatri maqedonas, të cilin Partia Komuniste e kishte dënuar si “armik” të Shtetit me ndërrimin e vendit të punës në një shkollë shqipe. Bindjet e tij edukativo-arsimore, që kishte për nxënësit shqiptar. Fjalinë e parë, që e nxirrje nga goja, ta përplaste notën në fytyrë para syve të gjithë klasës. Diturinë dhe mendimet, pa e hapur fare gojën, aty për aty t’i lexonte në sy e kokë. E, sidomos Filin, që e kisha shok klase, por edhe banese në një barakë humanitare pas tërmetit (1963) në veri të Shkupit. Boshnjaken Hajrën, pronaren e banesesë që sa herë kthehesha nga diskoklubi pak para agimit, i trokisja në dritare të ma hapë derën, ia prishja gjumin e Shejtanit. Zjarr e flakë nxirrte nga goja, se: kurrë më, nese i vija edhe njëherë në këtë kohë në dritare, nuk do të ma hapte derën. Megjithatë, “çmenduria” rinore vazhdonte nëpër diskoklubet e natës, e ajo kurrë nuk më la pas dere me një fletore në xhep.
Një ditë, kur profesorit i erdhi te hunda me “diturinë” e Filit, i tha para klasës: Shiko ti Fili, mos e shiko Loshin! Vërtetë, Loshi nuk mëson, por ai di. Ti, as mëson dhe as që di. Prandaj, ulu dhe nxeje mirë karrigen! Njëshin ia përplasi atë ditë me gjithë karrige në ditar përpara klasës. Fili e humbi edhe vitin shkollor. Ishte tip tjetër i nxënësit, aq dhunti qiellore i kishte falë Zoti e Natyra, nuk e kalonte natën nëpër disko klube e as mbi libra. Mosmëkeq, o Zot kujdestari im i klasës të shihte në mesin tonë ndonjë nxënëse me shami e veshje turko – arabe. Qindpërqind, jam i bindur se si i çmendur duke uluritur me duart pas shpine, të gjithëve një nga një do ta na pëzente nga klasa. Reklamat e huaja të modës propagandistike të sotshme, që ne i kemi nëpër shkolla, universitete, emisione televizive, kurrë nuk do ta shkelnin pragun e derës të shkollave shqipe, që me plotë vështirësi në atë kohë i kishin hapur Rilindasit tanë edhe fshatrave nëpër male.
I shalova këto fjali dhe mendime në këtë shkrim për të dalur te qëllimi. Shkupin, për çdo njëqind vjet e shkund (zgjon) nga gjumi tërmeti katastrofal. Përçudi, ai edhe në Ditën e sotshme përkundet me ninulla shoveniste mes feve dhe partive politike. Trusakatët me këmbët dhe trutë në legen, nën shkrimet e mia më sulmojnë pa argumente me komente teknefese. Fare nuk merren me shkrimin publicistik. Fenomenin e çuditshëm, që na është ulur këmbëkryq në sofër, por me mua si autor. Gjoja e dua Gruevskin e Cërvenkovskin, politikën “madhore” të Ali Ahmetit e Menduh Thaçit. Fotografitë e të cilëve i mbaj në dhomën e punës. Verën, se e pi me nga dy shtamba. Rakinë me ibrik. Herë më shpallin spiun serb e herë rus pa fakte. Veten, gjoja e paskam shitur për pak para.
Jo, o trusaktatë! Ditën, kur unë do ta shesë veten do ta marrë vesh e gjithe bota. Sot për sot, ende jam i shtrenjtë, nuk blehem me pak para të pista, nuk e kam ulur çmimin e pazarit. Ende ngulë këmbë për një Shtëpi të shkrimtarëve shqiptar në Shkup, buxhet shtetëror vjetor me tri-katër vende pune, Statutin e merituar të shkrimtarit dhe dy-tri manifestime tradiconale ndërkombëtare. Çmime shtetërore shqiptare. Institucion, pra shqiptar i barabartë me Shoqatën e Shkrimtarëve të Maqedonisë. Fatkeqësisht, deri më sot partitë politike shqiptare nuk kanë qenë të interesuara për shitblerjen e këtij “malli” kulturor me firmë shqiptare. Anda më shumë ua ka akademikët e “vëllazërim-bashkimit”, “profesorët” universitar me diploma e tituj shkencor të blerë në Qafë Thanë e nëpër universitete private dhe shtetërore me ngjyra partiake. “Inteketualëve dhe analistëve” politik, këmbekrye të strukur nën sjetullat e partive politike si partizanë të arratisur nëpër institucionet e Shtetit të “përbashkët” me një torbë taxhi përqafe.
Moti e
kam thënë se, këta gjysmanalfabetë nuk dinë t’i lexojnë shkrimet e mia
profetike për Ditën e Nesërme. Nateditë, përpiqen t’i lexojnë përsëprapthi,
devijojnë, japin karakter tjetër politik e lokalist vëllavrasës. E kanë kotë
dudumët, shkrimet që i shkruaj unë me kokë, e jo me trutë dhe këmbët në legen,
nuk mund t’ua lëvizë askushi një tullë, një gur nga kulla shqiptare. Shkrime parashikuese,
që na e rrëfejnë me gisht rrugën për në Baba Tomor. Punë tjetër është ajo se,
“miqtë” e mi një ditë do të cofin me përpjekjet e tyre tendecioze me simptome
tërbimi, shkrimeve të mia t’u japin karakter antikombëtar. Urrejtje personale,
lokaliste, fetare e nacionale. Edhe atë, sidomos kur e gjejnë veten këmbekrye
të zhveshur lakuriq, ashtu siç janë
Edhe, IRJ e Maqedonisë mua më duket si Fili, shoku im i bangës dhe klasës. Vite me radhë të cilin profesori Boge e ngelte në klasë. Njësoj, siç e lë pas dere Bashkimi Eavropian IRJ të Maqedonisë, e cila Sheshet e Kryeqytetit i mbushi me beton dhe përmendore. Mjaftë, sipas meje do ta kishte Aleksandrin e Madh të Maqedonisë me Olimpinë. Edhe Filipin e Maqedonisë me grushtin te koka si xhaxhi Enver. Përmendoret tjera historike, që na e kanë zënë frymën, qiellin dhe Diellin, janë pa nevojë, në të cilat edhe zogjtë e malit mbi to sot për sot nuk bëjnë çerdhe. Ndoshta, ndonjë gëlasë fluturimthi ua lëshojnë nga qielli mbi kokë, por vetëm kaq. Pakgjë, politikanët tanë “demokratik” bënë për të dalur nga qorrsokaku politik. Me siguri, po të ishte gjallë profesori i gjuhës maqedonase (Boge), i Shkollës Normale “Zef Lush Marku” në Shkup, do t’i mbante vite me radhë si ngelës këta politikanë vite me radhë në të njëtën klasë. Shkaku, se: Shkupit nuk i mungojnë kishat ortodokse me kryqin e madh në Vodno, e as xhamitë me drapërhëna në minare, po institucionet arsimore dhe kulturore.
Ndoshta një ditë, Shteti “demokratik i përbashkët” e kalon klasën si Fili i bangës sime duke e “ndezur” flakë nateditë karrigen nga mësimi. Edhe pse, frikë kam, se: kjo kohë qorre nuk e ka në Ditën e sotshme profesorin e gjuhës maqedonase (Boge), por Nikolla Karevin përpara Kuvendit me kalë shale përballë Parkut të Grave...