Kulturë
Violeta Allmuça: Nuk më pëlqen të paragjykoj letërsinë femërore
E marte, 24.06.2008, 04:50 PM
Violeta Allmuça: Për librin e Blushit kanë shkruar shumë personalitete politike, historianë, adhurues etj, por fatkeqësisht nuk kanë shkruar kritikët
Violeta Allmuça
Nuk më pëlqen të paragjykoj letërsinë femërore
Nga Albert Zholi
Hyrje
Violeta Allmuça është autore e 6 librave. Ka mbaruar studimet e larta për Gjuhë – Letërsi në vitin 1991. Shkruan poezi, prozë, publiçistikë. Proza e saj është e lidhur me realitete të vërteta të shoqërisë së sotme universale. Krijmtaria letrare e autores mbështetet në analiza të thella psiko – sociale të botës shpirtërore të personazheve që e çojnë veprën drejt eseve. Modeli i saj më i mirë në publiçistikë është terreni me shkrime në gazetat e pavarura, sidomos me artikuj gjatë luftës në Kosovë.
Kush ka qenë e papritura më e madhe e jetës suaj në krijmtari ?
Kohët e fundit kam botuar romanin tim më të ri « Dashuria vjen nga jugu ». Ndoshta ishte një moment shumë i papritur nga ana ime. Para botimit ia dërgova me e-mail disa emrave të njohur të kritikes dhe letërsisë shqiptare romanin, thjesht për një opinion. Desha te citoj disa prej tyre : Profesorit dhe kritikut Mark Marku, kritikut Behar Gjoka, shkrimtares Luljeta Lleshanaku, dhe disa adhuruesve të mi. U befasova. Ishte një vlerësim i plotë nga ana e kritikës. Dhe nuk bëra asnjë publicitet apo promovim,( për fat të keq edhe nuk më pëlqejnë), nuk pranova të shkoj në asnje media vizive për të mbajtur në duar librin tim as për komercializëm, sepse më mjaftoi përcjellja domethënëse e mendimit të tyre që gjithsesi mbetet një gjykim i specializuar. Edhe pas botimit të librit vazhdoj të kem pikërisht mendimet e lexueseve të cilat më kanë sjellë një kënaqësi të paparë. Mund të ndodhte dhe e kundërta. Nëse nuk do më vlersonte kritika e mirëfilltë edhe mund të mos e botoja librin.
Po ashtu në panairin e librit në Kosovë pata një surprizë të veçantë. Kërkesa për librin ishte e madhe. Librin e fundit e bleu shkrimtarja e mirënjohur e Kosovës Flora Borovina. Ndjehem shumë mirë në arritjet e mia.
Flet me shumë pasion për letërsinë. Qysh kur ka ndodhur ky çast ?
Pasioni për letërsinë ka qenë për mua si një fytyrë e vërtetë që më është shfaqur qysh herët. Besoj se nuk isha as 9 vjeç kur kam shkruar vargjet e para. Sigurisht si një fëmijë e kam parë botën me sytë e mi, ose ashtu siç më pëlqente ta imagjinoja në sistemin tim të mendimit. Ndoshta brenda dhe jashtë realitetit. Edhe sot më kujtohet se imazhet e para që më ngacmonin ishin të vërteta. Shkruaja vjersha për njeriun ose formën e tij të tjetërsuar. Më vonë shkruajta tregime të shkurtëra. Prindërit e mi tregojnë se isha një vajzë rebele. Ikja prej të gjithëve, ndahesha vetëm, nuk më pëlqente të isha njësoj si të tjerët, të vishesha njësoj, madje të mendoja njësoj. Kjo në përgjithësi ka qenë karakteristikë e imja edhe në të shkruar. Më kujtohet se edhe plakun prej bore e quaja të vërtetë, ngase dalloja tek ai fytyrën njerëzore. Çuditërisht më kanë mbetur në kujtesë sytë e tij me thëngjinj të zes dhe libri im i parë me poezi ’’ Sytë e natës ’’ botuar më 1994, i cili nuk e gjeti udhën e botimit para viteve 90 – të, ka qenë një meditim ose refleksione nga fëmijëria. Por kujtoj se isha vetëm një fëmijë asgjë më shumë. Krijuesi pa fëmijëri është diçka bosh për një njeri që hyn në udhën e vështirë të krijimit.
Në vitin 1995 botova romanin tim të parë ’’ Era e pasionit ’’, ( Toena) i cili për hir të vërtetës më bëri të njohur. Ndoshta edhe jam habitur kur e lexova në shtypin e ditës se ky roman ishte ’’ Bestseller ’’. Por nuk më ka bërë ndonjë përshtypje të madhe, se ai ishte libri më i shitur i vitit. Brenda vetes e ndjeja se kisha një përvojë jo të plotë në gjininë e romanit. Edhe sot unë vazhdoj të jem larg medias së shkruar dhe vizive sepse më pëlqen të jem kështu. Kritika e kohës e analizoi këtë libër, si një roman ndryshe nga letërsia e shkuar shqiptare, me një formë, përmbajtje e stil të veçantë. Pothuajse janë shkruar rreth 30 shkrime nga kritika për këtë vepër letrare, e cila deri më tani është botuar pesë herë. Është publikuar edhe në librat e kritikëve më në zë të letërsisë shqiptare. Po ashtu u botua edhe në Maqedoni. Libri është promovuar në Kosovë, Mal i Zi, SH.BA. etj. Edhe sot ai mbetet pika ime më e dobët dhe më i dashur.
Më 1998 botova romanin ’’Zonjusha nën mjegull’’ (Onufri) që gjithashtu tregonte një ngjarje të vërtetë të botës shqiptare në historinë e vitit të mbrapshtë 1997. Edhe për këtë roman kritika letrare, natyrisht ajo që ekziston këtu dhe në diasporën shqiptare ka bërë analiza letraro – artistike dhe e ka vlerësuar librin. Mua nuk do më pëlqente kurrë që një vepër letrare të mos analizohej nga kritika. Flas për atë kritikë që ekziston tek ne.
A e keni ndjerë ndonjëherë veten keq në krijmtarinë tuaj ?
Gjatë vitint 1999 u përballa me duelin më të vështirë në krijmtarinë time. Mu desh që këtë pjesë të kohës të ndodhesha gjatë luftës në Kosovë me një projekt për gruan, ku më duhej të bëja disa intervista. Ka qenë një përvojë e vështirë por e shkëlqyer në publiçistikë. E kuptova se sa i rëndësishëm ishte misioni i gazetarit të terrenit. Aty mësova një realitet të prekshëm që do të linte gjurmë edhe në krijmtarinë time të së ardhmes. Libri i publikuar një vit më vonë në gjuhën italiane dhe angleze ’’Zë gruaje ’’u vlerësua nga kritika e huaj si një libër interesant. Më kujtohet që më erdhi një mesazh nga studjuesja e njohur italiane Luisa Passerini, e cila më shkruante se libri e kishte befasuar.
Në vitin 2002 kam botuar librin me poezi ’’Jetoj me zjarrin’’( Onufri ). Për shkak të obigimeve të mia jashtë vendit, këtë libër e kam shkruar në toka dhe qiej të huaj. Megjithëse ndjehem qytetare e botës dhe e dua gjithë botën në këto poezi më shumë ka folur heshtja dhe vetmia ime se sa shpirti. Dhe jam ndier keq. Më kujtohet me sa vështirësi e përballoja mjegullën e Londrës, shiun e Washingtonit, ngricën e New Yorkut, sepse më mungonte dielli i largët i vendlindjes. Nuk besova kurrë se do shkruaja më poezi.
Romani juaj “ Julia” pati një lloj « çensure ». Si ndodhi kjo ?
Në vitin 2004 publikova romanin ’’Julia’’. Romani u prit mjaft mirë nga qarqet letrare dhe nga lexuesi. Ky libër, i cili u vlerësua si një model elitar, ashtu siç u përfolën dhe romanet e para shënoi përpjekjen time më të re për të shkruar histori të vërteta të një realiteti që e prekja dhe e përjetoja. Kam marrë një numër të madh mesazhesh për këtë roman mes jetës dhe humbjes, sidomos nga gratë, të rinjtë e të rejat, të cilët përbëjnë personazhet e mi, megjithëse romani nuk këshillohej të lexohej deri në 16 vjeç. Kjo u quajt « çensurë » Le të themi se gjinia e romanit është mjaft e vështirë. Edhe për mua ka qenë një sakrificë e madhe. Kam humbur një pjesë të vetes dhe kohës duke iu kushtuar personazheve të mi. Letërsia e sotme nuk mund të pranojë vetëm një lloj energjie, merr lapsin, ulu dhe shkruaj. Është e domosdoshme të hedhësh në letër energji shpirtërore për të krijuar urën lidhëse mes krijuesit dhe lexuesit. Edhe romani im i fundit “ Dashuria vjen nga jugu” i botuar nga « Dudaj » siç ju thashë më lart ka tërhequr vëmendjen e lexuesit dhe kritikës. Në shtator romani do të ribotohet sërish.
Cili është mendimi juaj, për letërsinë dhe kritikën e sotme ?
- Kam përshtypjen se shkrimtarët në Shqipëri sot janë më të lirë se kurrë. Por kjo ndoshta ka sjellë që komunikimi i letërsisë së mirëfilltë dhe shkrimtarëve të mirëfilltë mungon. Do të ishte mirë që si në çdo vend të botës së sotme të qytetëruar shkrimtarët dhe artistët të krijonin ’’pushtetin’’ e tyre të gjithëpushtetshëm me vepra të arrira, të kishin të drejtat e tyre dhe të përkraheshin nga shteti, i cili e ka për detyrë të mbrojë kulturën kombëtare dhe të përfaqësohet para botës me potencial intelektual e artistik. Por nuk do të isha shumë dakord me këto botime marramendëse, ku secili që ka para mund të prezantohet me libra të rëndomtë, pa asnjë vlerë letraro-artistike. Nuk është e lehtë të bëhesh individualitet në letërsinë e sotme. Elita letrare me ndonjë përjashtim është e vakët dhe kjo edhe për shkak se misioni i kritikut po shuhet. Mesazhet dhe fuqia e kritikës bashkëkohore kanë shterur.
Po lexoj romanin ; « Të jetosh në ishull » i Ben Blushi. Edhe ai e ka ndjekur krijmtarinë time. Botuesi i tij Fatmir Toçi në një emision televiziv theksoi se për librin e Blushit kanë shkruar shumë personalitete politike, historianë, adhurues etj. Fatkeqësisht për librin e autorit nuk kanë shkruar kritikët. Ata më së miri mund të përshfaqnin dimensionin e vlerave letraro-artistike në këtë roman. Nuk e di arsyen e heshtjes së tyre.
Ju shkruani më shumë prozë, plot katër romane, tregime, ese. Ju paraprin ende poezia ?
- Sa herë kam menduar se nuk do të shkruaja poezi ka ndodhur e kundërta. Më ka prekur një ngjarje e fundit. Në një takim ndërkombëtar të poezisë, paraqita disa poezi në gjuhën italiane dhe në shqip. Ndërsa i recitoja poezitë e mia të reja, poeti i mirënjohur kosovar Ali Podrimja më duartrokiti. Më njihte më shumë si prozatore. Eshtë redaktori i librit tim më të ri me poezi’’ Liri në pasqyrë’’. Ai mendon se unë jam edhe poete e mirë. Po ashtu fjalë të mira më tha edhe poeti i shquar Italian Claudio Pozzani. Por besoj se dashuria ime e ardhshme do të jetë proza. Brenda poezisë duhet të ketë pak përsosmëri. Unë e adhuroj përsosmërinë. Nuk e di a do të arrij vetëm ta prek. Eshtë shumë herët të mendoj për këtë. Krijuesi sheh më shumë ëndrra nga qëniet e tjera. Por arti mbetet pasqyrim i realitetit të botës së njeriut.
Ju pëlqen suksesi në letërsinë femërore?
- Sa mirë do ishte të kisha arritur suksese ! E di që thjesht më janë shtuar fansat. Të jesh njeri publik në Shqipëri nuk është ndonjë ngazëllim i madh. Sot njerëz publik këtu janë gangsterët dhe bëmat e tyre që zenë faqet e para të gazetave dhe lajmeve të reja, politikanët e të gjitha ngjyrave që na tregojnë përralla dhe mburren me energjitë e vuajtjet e këtij populli të urtë, ca allasoj “artistesh” lakuriq që i këndojnë më shumë tradhëtive se sa dashurisë. Sot pra rolin kryesor e luan pseudoreklama, pseudoarti.
Më vjen mirë kur më njohin e vlersojnë njerëzit. Por të them të drejtën ende ndihem e brishtë teksa ngjis shkallët e letërsisë. Asgjë nuk është e lehtë. E rëndësishme është që jetoj në botën e madhërishme të artit. Nuk jam në mëdyshje për të ardhmen time. Atë ditë kur nuk do të shkruaj do të kem vdekur.
Nuk më pëlqen të paragjykoj letërsinë femërore. Madje as dëshiroj që ajo të vlersohet e ndarë nga letërsia e seksit tjetër. Nuk është e lehtë as për një femër as për një mashkull që të jetë krijues dinjitoz në kohët e sotme. Arti i të shkruarit është si një vitrinë ku duhet të ekspozosh shpirtin dhe talentin. Unë e kam të pamundur, ose le të themi se jam e paaftë të jem xheloze për askënd dhe as sektare. Në këtë botë të madhe secili ka vendin e vet. Koha zbulon ’’Unin’’e artistit të vërtetë që mbart koherencën dhe veprën e tij. Më vjen keq kur dëgjoj se ekziston fenomeni i xhelozisë edhe në letërsi. Mua nuk më shqetëson aspak. Kam dëgjuar se funksionojnë edhe klane që i thurin lavde njëri - tjetrit, bëhen shkrime jo nga kritika e mirëfilltë por me porosi nga gazetarë të paformuar për komercializëm. Kjo do të jetë një mangësi e mëvonshme, e cila do të ndikojë në cilësinë e vlerave dhe antivlerave. Shkolla e kritikës patjetër duhet të funksionojë edhe më mirë se në të shkuarën në këtë ’’Bum’’ të madh të krijimeve. Kjo mund të jetë shenjë e prekjes së lirisë, por jo e artit të vërtetë.
Çfarë ju ndodh në proçesin e krijmtarisë letrare ?
- Brenda çdo krijuesi përveç dhuntisë artistike ekziston edhe përvuajtja. Shkrimtari duhet të reformojë veten si njeri që mund të sjellë një model, i cili të merret si sinjal i civilizimit shpirtëror. Në të gjitha kohët shkrimtarët kanë përjetuar, se të pasurit talent nuk është gjithçka. Duhet një punë aq e madhe, sakrifica, vuajtje, kohë, sa vetëm ai që shkruan mund ta imagjinojë. Edhe mua më ndodh e njëjta. Suksesi vjen kur e meriton. Në të vërtetë lexoj letërsi të huaj, nobelistët dhe libra të miqëve të mi. Le të themi një letërsi të përzgjedhur. Sigurisht për çdo krijues letërsia kërkon sakrifica të paimagjinueshme. Meditimi i jetës së njeriut nuk është si një film i thjeshtë të cilit i dihet fundi. Sa herë kam menduar si do të shfaqen personazhet e mi nëpër libra, por edhe para lexuesit. Romanet e mi asnjëherë nuk përfundojnë në Happy End. Por as sillen nëpër ajrin gri të humbjes. Mbijetojnë duke gjetur vetveten.
Jam tip shumë i ndjeshëm dhe kam një nismë vetjake të rrallë. Më pëlqen të studjoj histori, psikologji, filozofinë. Kam lexuar shkrimtarë ku në librat e tyre personazhet lëvizin në një botë ku sundon, e bukura, lumturia, qiell parajsa. Personazhet e mi, përveçse nuk besojnë se ekziston lumturia, vdesin dhe ngjallen, janë lypësa, gra të braktisura, kërkojnë identitetin e humbur, kanë aftësinë të zbulojnë tek vetvetja idealin për jetën dhe botën që i rrethon.
Kurse poezia është diçka hyjnore në artin e të shkruarit. Kur flas kështu brenda vetes i besoj vargjeve të mijëra poetëve të të gjitha kohëve. Poezia dhe proza secila ka vendin e vet.
- Dhe më në fund:
Ka disa kohë që merrem me studime në fushën e psikologjisë së sjelljes, përvojë të cilën kam pasur mundësinë ta njoh në SH.B.A. Eshtë një fushë e paeksploruar në vendin tonë. Ajo merret me modelet e reja të sjelljeve bashkëkohore, jo tradicionale, steriotipike ku deri tani kemi trajnuar mësuesit e rinj nëpër universitetet shqiptare. Brenda këtij viti do të botohet një nga librat më të suksesshëm në këtë fushë, shkruar nga Terapistja e njohur amerikane Pamela Buttler. Ky libër të ndryshon jetën. Ai titullohet « Vetëpohimi i gruas » Ishte një dëshirë e madhe të publikonim këtë libër të mahnitshëm, i cili është botuar në shumë vende të botës. Le të jetë një surprizë edhe në Shqipëri.