Mendime
Ardian Ramadani: Shteti i së drejtës i Ramës
E premte, 20.06.2014, 08:04 PM
Shteti i së drejtës i kryeministrit Rama
Nga Ardian Ramadani
Mbase po shihen sukseset e para të qeverisë shqiptare me në krye, z. Edi Ramën. Aksioni i suksesshëm në Llazarat, dëshmoi se shteti kur donë, ngase për të mundur mundet çdoherë, arrin të tregoje efiçiencën e tij dhe të shtrijë ndikimin në tërë territorin e vet.
Duke përcjellur lajmet e ndryshme, vërejta një titull sarkastik dhe ironizues « Llazarati ra ». Ky titull thuajse tentonte të sqaronte se Llazarati, si një perandori shumë e madhe, thuaja se me territor sa Kina, kishte rënë përfundimisht. Ndërsa, në vend se të përgëzohej kryeministri dhe policia për këtë aksion, opozita e zhurmshme në Shqipëri me në krye, liderin e saj Sali Berishën, i cili me sa duket do presim edhe shumë vite e ai do na lodhë edhe më tej me fjalimet e tija absurde dhe alogjike, patetizuese e çoroditëse, në vend se të mbështesë aksionin e policisë, ajo sillet si e përdalë.
Ky aksion i cili është dashur të ndërmerret shumë vite më herët, ngase shteti duhej të kontrollonte Llazaratin e jo e kundërta, dëshmoi se shteti shqiptar kishte qenë peng i narkodilerëve dhe kapove. Ky aksion dëshmoi brishtësinë e shtetit shqiptar, përballë krimit dhe kriminelëve. Edhe zogjtë e malit e kanë ditur se Llazarati nuk do të ishte i tillë po mos të kishte përkrahjen e politikës, e sidomos të shtetarëve. Por ama, u dëshmua se një qeveri kur do, e them përsëri mundet të realizojë dhe ushtrojë shtetin e së drejtës.
Ky aksion, të cilin unë e konsideroj si mjaft të suksesshëm, sepse me gjasa do të jetë përcaktues për fatin e Shqipërisë, për të fituar vendin kandidat për në UE, i realizuar nga qeverisja Rama, dëshmoi se kupola e krimit nuk gjendej në Llazarat, por në instancat e drejtësisë dhe të ish qeveritarëve. Mbase ky sukses i kryeministrit Rama, e me gjasa nuk duhet tani t`i thurret atij aureolë lavdie, ngjalli shpresat edhe përtej shtetit amë, ku ishim mësuar të merrej shembull vetëm për të keq, duke dëgjuar sintagmën e famshme « Llazarati ». Ky fshat, i cili u mediatizua aq shumë, saqë nuk mund të imagjinohej dot, mbase do u shërbejë për diçka brezave që jetojmë tani dhe që do vijnë. E ajo është se askush nuk ka faj për atë se si jemi, përpos neve vet. Si dhe atë se problemi mbetet çdoherë tek qeveria.
Kur të
marrim rastin e Serbisë, duhet të bëhemi realistë dhe të themi gjërat ashtu si
janë.
Mirëpo, Shqipëria, edhe pse me vonesë, bëri atë që duhej bërë më parë. Dëshmoi se me të vërtetë nuk ishte një butafori aksioni i ndërmarrë. Dëshmoi se shoqëria shqiptare nuk është ë mbërthyer nga inaptokracia (INAPTE- i paaftë, pa kapacitetin e duhur, term i Jean d`Ornesson, shkrimtar, akademik dhe gazetar francez). Por dëshmoi edhe atë se ndoshta jo të gjithë të majtët që qeverisin janë të aftë të ndryshojnë diçka, por shumica e të majtëve që qeverisin janë të aftë për të ndryshuar në të mirë shtetin amë.
E ndërkaq, përderisa kryeministri Rama me qeveritarët e tij, dëshmoi se është mendje që merret me ide e ngjarje, ish kryeministri Berisha, duke u marrë me njerëzit, e pikërisht me bashkëshortet e qeveritarëve, tregoi vogëlsinë e tij.
Kryeministri Rama, duke pasur si pararojë thënien e Gandit « fillimisht të injorojnë, pastaj të përqeshin, mandej të luftojnë, e pastaj fiton », shungulloi me aksionin e tij të fundit, ndërsa le të shpresojmë se ky yrish do të ketë jehonë ne tërë shtetin shqiptar, e të reflektojë edhe në këto shtetet tona, Kosovë dhe Maqedoni.
Kjo Mise en scene është e denjë për Shqipërinë. Dhe për shqiptarët.
(Autori është përkthyes dhe profesor i gjuhës dhe letërsisë frënge, magjistër i diplomacisë dhe shkencave politike, si dhe opinionist dhe kolumnist)