Mendime » Graciani
Deo Graciani: Shteti inekzistent i Kosovës
E hene, 02.06.2014, 07:29 PM
Njohja ndërkombëtare e shtetit inekzistent të Kosovës
Nga Deo Graciani
Është diçka krejt e natyrshme që kur një shtet krijohet për herë të parë, siç është rasti i Kosovës, ky shtet ka nevojë për njohje në arenën ndërkombëtare. Menjeherë pas shpalljes së pavarësisë dhe njohjes së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran (2008), filluan edhe njohjet e para të shtetit të ri të Kosovës. Megjithëse rritja e numrit të njohjeve është e rëndësishme për popullin e Kosovës, rëndësia e njohjeve kalon në plan të dytë, kur ajo që njihet nuk është një shtet i mirëfilltë.
Në rastin e Kosovës, përpjekja për të rritur numrin e njohjeve është kthyer në një fenomen pothuajse qesharak, duke patur parasysh se në Kosovë aktualisht shteti nuk ekziston, pra është inekzistent. Në Kosovën e sotme nuk funksionon absolutisht asgjë, përveçse kemi një grup njerëzish që janë vendosur apo katapultuar pothuajse artificialisht në “drejtimin” e diçkaje që as ata vetë nuk e dinë se çfarë është. Ky grup qesharak “drejtuesish” nuk dihet me çfarë merren, kë përfaqësojnë apo çfarë qëllimesh kanë. Vetëm një gjë dihet me siguri, se këta “udhëheqës” nuk e kanë ndërmend të ndërtojnë shtet dhe as nuk duan t’ia dijnë se çfarë ndodh në Kosovë dhe jashtë saj. Çfarë është më e keqja, ndërgjegjësimi i popullatës në Kosovë është pothuajse në kufijtë e vdekjes klinike. Ky mosreagim i popullatës e ka një arsye të fortë. Kosova është si një fëmijë jetim akoma nën trajtim dhe vëzhgim klinik nga autoritet e huaja. Gjendja në Kosovë ngjason me një eksperiment të shëmtuar social, dhe produkti që ka dalë deri tani, është akoma pa emër, një bashkësi pa identitet, e cila anon andej nga fryn era.
Kosova e sotme ka një “qeveri” të paaftë, në të cilën asnjë ministri apo institucion nuk e di mirë se çfarë përgjegjësish ka, si duhet të veprojë apo çfarë duhet të bëjë. Siç duket, qëllimi i vetëm i këtij entiteti nuk është përkjekja për të ndërtuar një shtet të mirëfilltë dhe solid, por për të rritur numrin e njohjeve, të cilat në fakt nuk kanë asnjë vlerë, sepse kjo Kosovë që shohim sot është një ndërtesë gjysmë e shembur, një fasadë që nuk përmban asnjë lloj substance.
Niveli i qesharakllëkut ka arritur deri aty sa planifikohen edhe takime bashkëqeveritare si për të treguar se Shqipëria dhe Kosova janë tashmë dy shtete të konsoliduara dhe të zhvilluara që do të përcaktojnë politikën ballkanike dhe do jenë pararojë e progresit në këtë rajon. Absurditet dhe paradoks. Shqipëria ashtu si edhe Kosova ndodhet akoma në një fazë tranzicioni pa një shtet të mirëfilltë. Për 23 vite me rradhë, dhe sidomos këto 8 vitet e fundit, në Shqipëri nuk ka funksionuar asnjë lloj shteti, përveçse ka ekzistuar një klan i ndërlidhur nga hallka dhe interesa kriminale dhe antikombëtare. Gjatë këtyre viteve, kur Tirana zyrtare merrte ndonjë vendim apo lëshonte ndonjë deklaratë nga zyrat e presidentit, kryeministrit apo ministrave, gjithë bota gajasej së qeshuri. Ajo që pëshpëpëritej shpesh nëpër korridoret e Bashkimit Evropian apo Kombeve të Bashkuara, ishte se askush nuk i merr seriozisht deklaratat e qeverisë Berisha në Tiranë. Çdo gjë që ka dalur këto 23 vite nga goja e qeverisë shqiptare ka qenë boshe dhe pa asnjë lloj vlere. Këtë makineri mosfunksionale politike, ekonomike dhe sociale e ka trashëguar qeveria e re që doli nga vota e Qershorit. Kjo qeveri ka shumë punë për të bërë. Nuk i mjafton vetëm vullneti i mirë por i duhet edhe aftësia për zbatimin i një programi të mirë.
Fatkeqësisht, Shqipëria nuk pati një njeri të kalibrit të Ibrahim Rugovës që ta udhëhiqte gjatë periudhës post-diktatoriale. Qeverisja e këtyre 23 viteve në Shqipëri ishte vetëm një produkt i ripërpunuar i kriminalitetit të ish-diktaturës komuniste. Sidoqoftë, nëse sot e krahasojmë Kosovën me Shqipërinë, gjendja e Kosovës është edhe më keqe. Kosova ndodhet nën një diktat tre-nivelesh. E para, ajo është akoma e kontrolluar nga struktura të huaja përëndimore të cilat nuk dihet se përsa kohë do të qëndrojnë në Kosovë. Dhe qëndrimi i tyre në Kosovë në gjendjen aktuale është plotësisht i justifikueshëm. E dyta, për arsye dhe shkaqe që ne akoma nuk i kuptojmë mirë, Kosova e sotme qeveriset nga njerëz që nuk kanë asnjë lidhje me identitetin kombëtar shqiptar dhe interesat e popullit shqiptar. Këta njerëz asnjëherë nuk ia bënë pyetjen vehtes: Vallë, ku po shkon ky vend? Çfarë duhet të bëjmë? Si duhet të veprojmë? E treta, në Kosovë vetëdija dhe ndërgjegjia kombëtare është në një gjendje agonie. Lufta për mbijetesë, papunësia, krimi, emigrimi, dhe fundamentalizmi islamik në rritje, e kanë topitur plotësisht vetëdijen kombëtare. Opiumi shpirtëror dhe mendor me të cilin kryesia e bashkësisë islame e bombardon çdo ditë popullin fukara të Kosovës, po e shkatërron edhe atë pak ndërgjegje kombëtare që i ka mbijetuar stuhive historike.
Toleranca ndaj fundamentalizmit islamik në Kosovë nuk ka filluar sot, por a ka zanafillën nga viti 1999, dhe kjo ka ndodhur sepse strukturat e huaja në Kosovë, UNMIKu, KFORi, dhe OSCEja, e kanë toleruar përhapjen e vahabizmit në trojet e Kosovës duke mos i krijuar pengesa të mëdha misionarëve ekstremistë islamikë por duke i lënë hapësira të lira veprimi në gjirin e një popullsie që sapo kishte dalë nga lufta dhe kishte nevojë për mjetet më minimale të jetesës. Fundamentalistët islamikë në Kosovë, që nga viti 1999, janë “kujdesur” për nevojat e arsimimit, strehimit dhe të ushqyerit të popullsisë së Kosovës, dhe kjo “përkujdesje” e tyre ka filluar të shfaqë frytet e para në dy drejtime, në eksportimin e ekstremizmit islamik dhe në orvajtjet për pushtet politik të partive dhe organizatave islamike. Qeveria e Kosovës e drejtuar nga Thaçi, e ka trashëguar këtë politikë tolerance ndaj ekstremizmit islamik, dhe duke qenë edhe vetë antikombëtare dhe orientaliste në thelb, e ka ushqyer edhe më tej islamizimin e pakontrollueshëm të Kosovës, duke arritur deri aty sa edhe ministrinë e kulturës t’ia dorëzojë fundamentalistëve islamikë. Kosova e sotme është kthyer në një shtet eksperimental, dhe akoma nuk dihet se cili do të jetë produkti final i këtij eksperimenti.
Është e vërtetë se edhe pas 6 vitesh “sovranitet” qeveria kosovare nuk ka edhe shumë të drejta dhe fuqi për të marrë vendime të rëndësishme. Edhe sikur të kishte më shumë liri dhe fuqi për të marrë vendime të rëndësishme, prapëseprapë nuk do bënte asgjë sepse drejtohet nga njerëz inkompetentë dhe antikombëtarë. Edhe ato pak vendime që ka marrë qeveria e Thaçit, i ka marrë në kundërshtim me interesat kombëtare. Për interesa të ngushta elektorale, kjo “qeveri’ ka bërë dhe vazhdon të bëjë kompromise me grupime antikombëtare, duke përfshirë në gjirin e saj individë që kanë pak gjëra të përbashkëta jo vetëm me kauzën kombëtare por edhe me njëri tjetrin. Të vetmet gjëra që i mbajnë të bashkuar këta njerëz në qeveri, janë ndjenja antikombëtare (fryma islamike) dhe indiferenca totale për fatet e kombit dhe të ardhmen e tij.
Hashim Thaçi dhe bashkëpunëtorët e tij, janë produkt i një realiteti të hidhur historik. Si rrjedhojë, këta e shumë të tjerë si këta, vuajnë sot nga një vetëdije e përçudnuar; njerëz që kanë notuar dhe vazhdojnë të notojnë në të njëjtin moçal shpirtëror, ku nga dhuna u detyruan të notojnë gjenerata të tëra shqiptarësh për shekuj me radhë, shumë prej të cilëve, edhe sot e kësaj dite, megjithëse kanë shansin historik të dalin nga ky moçal, kanë zgjedhur për “forcë zakoni” të vazhdojnë të notojnë brenda tij.