Mendime
Ramiz Lushaj: Zoti e shqiptarët lartësuan Ali Ahmetin
E marte, 06.05.2014, 05:55 PM
ZOTI E SHQIPTARËT
I DHANË
Nga Ramiz LUSHAJ
1.
Eu,
thashë, dy urime në një kohë për Ali Ahmetin: edhe për fitoren e BDI, edhe për
ditëlindjen e tij. Një rastësi, mrekulli...
Epo, thashë: emri Ali – ka domethanien “I lartë” dhe mbiemri Ahmet - “Ma i falenderuari”. Zoti, Koha, Shqiptarët ia kanë dhanë të dyja: lartësi e mirënjohje. Sllavët e Ballkanit kanë luftue gjithmonë me ia marrë edhe emrin e mbiemrin.
2.
Sivjet Ali Ahmeti i paska përplotë 55 vjet. Ia shtoftë Zoti dyfish!
A e dini pse po them? Në Tiranë, kryelideri i Kuvendit të Shqipërisë e festoi 45 vjetorin të hanën e 24 marsit 2014 e çka s’u tha...e lau detin me venë prej nga Gjini i Lalëzit. Në Prishtinë, kryelideri i ekzekutivit të Kosovës e festoi 45 vjetorin e lindjes të enjten e 24 prillit 2014 në vendlindjen e tij në Drenicë e çka s’u tha...edhe shkollat e banë pushim dhe zogjtë e malit u thirrën në orkestër.
Në Shkup, Ali Ahmeti, ish Komandanti Suprem e Përfaqësuesi Politik i UÇK-së dhe lideri i BDI, partisë në pushtet e fituese edhe e zgjedhjeve të fundit, e ka festue 55 vjetorin e ditëlindjes së tij në thjeshtësi, në qetësi, mirë e lirë.
E thjeshtë deri në përulje e madhështi piedestale ishte edhe përkujtimi i ditëlindjes të politikanit vizionar e lartësor, Arbën Xhaferrit, i lindur në Tetovë më 24 janar 1948 e ndrroi jetë në 100 vjetorin e Pavarësisë. Një delegacion i PDSH i vendosën më 24 janar 2014 kurora me lule tek varri i tij në vendlindje.
Dy
shqiptarët e mëdhenj të lindurit në janar: Ali Ahmetit 42 vjeçar me pushkën e
tij dhe Arbën Xhaferri 53 vjeçar me penën e tij, dy luftëtarët e idealeve
çlirimtare e demokratike, i ulën Maqedoninë e Ndërkombëtarët në Marrëveshjen
Kornizë të Ohrit në gusht 2001 për ngritjen e Flamurit Kombëtar Shqiptar, për
përdorimin e Gjuhës Shqipe...për të qënë edhe shqiptarët etnik në lartësi
dinjitare si shtetformues të Maqedonisë. Ali Ahmeti ishte Komandanti Suprem e
Përfaqësuesi Politik i UÇK në Maqedoni dhe Arbën Xhaferri ishte politikan e
filozof, lideri i PDSH, asokohe parti në pushtet në Maqedoni. Ndoshta, te dy,
ishin si Ismail Qemali e Hasan Prishtina për FYROM, për shqiptarët në këtë
shtet ish-jugosllav.
3.
As Ismail Qemal Bej Vlora, i linduri më 24 janar 1844, pas ngritjes së Flamurit Kombëtar Shqiptar në Vlorën e 28 Nëntorit 1912 nuk pati aq kohë me e festue ditëlindjen e tij, pasi në janarin e 1913 iu desht me shkue në Londër me e mbrojt Çështjen Kombëtare Shqiptare në Konferencën e Ambasadorëve. Ai nuk kishte kohë se po kërkonte të shkonte edhe në Konferencën e Paqes në Paris (1919)...Ai po luftonte si burrështetas kombëtar, diplomat, politikan për Ditëlindjen e Kombit, për Rilindjen e Kombit.
O Ali
Ahmeti, o kreshnik i rritur në luftëra e i thinjur në paqe, po më thonë zogjtë
e Korabit, orët e zanat e Vardarit, Drinit e Moravës së Binçës, shqipet e
enkelenjëve e paionëve, se ia ka marr’ kangës së Eposit Shqiptar të
Kreshnikëve: “Fort po shndrit ky Diell e pak po nxeh”.
O Ali Ahmeti, pashë gurët e kullës tande në Zajazin rrënjas; pashë Skënderbeun që luftoi edhe në malet e tua e Nanë Terezën që lindi në anët e tua vardare dhe ua çove e lartove te dyve shtatoret në Shkup; pashë gjakun e idealeve e pushkëve të bashkëluftëtarëve tuaj të UÇK-së që i çuat dy anët e Vardarit e të Atlantikut në Marrëveshjen Kornizë të Ohrit; pashë germat e Shqipes të Kongresit të Manastirit, kallxo/na: Kur e kie Ditëlindjen...?! Do të jetë Ditë e Madhe, Festë e Madhe.