E shtune, 21.12.2024, 12:31 PM (GMT)

Mendime

Edgar Frashëri: Shteti i ligjit nuk fillon me polici

E merkure, 30.04.2014, 06:57 PM


Shteti i ligjit nuk fillon me polici, por mbaron me të.

Nga Edgar Frashëri, Tiranë

Eshtë për të ardhur keq sepse duket se, që prej vitit 1912 e deri më sot, ne si popull nuk bëjmë gjë tjetër veçse përpëlitemi për të bërë një shtet tonin për të cilin, me thënë të drejtën, në këtë hark kohor kemi  eksperimentuar pa sukses me forma nga më kontradiktoret dhe të papara për të habitur botën që na rrethon.

E nisëm me një model turk të ngjizur me zor nga  Perëndimi me Ismail Bej Qemalin; e pasuam me një model katundaro-sovjetiko-liberal afatshkurtër nga Noli, që u zëvëndësua me dhunë nga një shtet autokratiko-konservator të drejtuar nga A. Zogu i cili vetëshpallet mbret dhe ne bëhemi monarki pa pasur asnjë lloj trashëgimie mbretërore; duke vazhduar të pushtuar paqësisht nga cilido që deshi (italianë apo gjermanë) duke prodhur edhe ndonjë qeveri kuislinge komode për popullin e  pastaj,  sipas kokës festen,  me një diktaturë të proletariatit pa proletariat që u vetëquajt republikë socialiste e cila vetëm socialiste nuk ishte dhe që zgjati goxha kohë, aq sa deformimet mbetëse që ajo la ne psiken sociale të popullit, garantojnë këtë lloj rrumpalle demokratike që po përjetojmë në këto dy dekadat e fundit.

E bëra këtë hyrje, sepse nëpërmjet kësaj kronologjie tentativash shtetformuese, mendoj se një tipar i përbashkët i përshkon ato si fill i kuq, i cili në këto dy dekada, kompromenton ku më shumë e ku më pak aspiratat  e dështuara për formimin dhe vendosjen e Shtetit të Ligjit (Rule of Law). Dhe këtu kuptoj shtetin e ligjit të vendosur nga populli me zgjedhjen e tij të lirë, pra si një demokraci vepruese. Dhe për sa kohë që populli ynë nuk ka forcë dhe vetëdije sociale se kjo zgjedhje do të ishte më e mira  e mundëshme për të hedhur bazat e një jetese më të mirë në këtë truall, ai gjithmonë do të jetë viktimë dhe do të tërhiqet për hunde.

Ky fill i kuq nuk është gjë tjetër vecse rreshqitja tek ose vendosja e shtetit të diktatit ose të dhunës verbale apo fizike i cili që nga dita e shpalljes së shtetit të pavaruar, nuk ka munguar deri në ditët e sotme që tani vishet edhe me petkun demokratik. Fatkeqësisht gjatë këtyre dy dekadave, sejcila kastë politike e cila ka marrë në dorë frenat e shtetit, ka punuar në mënyrë sistematike që në Shqipëri të mos vendoset shteti i ligjit duke e kthyer atë në instrument për qëllimet e veta politike. Për ne shqiptaret ende tingëllon aktuale dhe profetike thënja e të mirënjohurës shkrimtare Tina Rosenberg në librin “TOKE E MAKTHEVE: Ballafaqim me fantazmat e Europes mbas Komunizmit” botuar në vitin 1995 kur në fund thote se:...“Rreziku që kërcënon sot ish vëndet e Kampit socialist nuk është komunizmi por pushteti i pakantrolluar i shtetit. Kjo është arësyeja pse shumë nga përpjekjet për të korrigjuar të kaluarën në vëndet e Lindjes nuk kanë dhënë rezultat. Kur Shteti nuk u garanton shtetasve të vet të drejtën të mbrohen nga forca e pushtetit, kur i privon ata nga informacioni që është jetik për ta, kur e vetëshpall vehten Zot dhe Mjeshtër të së Vërtetës, kur e përdredh sistemin gjyqësor në përshtatje me synimet e veta politike, atehere kërcenohet demokracia...”

Ne mënyrë fare specifike, në vëndet ku prapambetja ka qënë më e madhe, dhuna ndaj institucioneve demokratike është ushtruar më me lehtësi e me rezultat të menjëhershëm. Në një vënd si Shqipëria, me strukturë demografike, tërësisht rurale, në fillimet e viteve nëntëdhjetë, vëmëndja e kastave politike u përqëndrua tek institucionet e detyrimit të ligjit, kryesisht policia, e cila para viteve 90 realisht nuk ekzistonte. Kjo forcë u krijua rishtas, ndonëse nën udhëzimet e specjalistëve e me paratë e Perëndimit, me qëllimin e mbrapshtë jo për ti shërbyer popullit, por kastës politike që merrte pushtetin. Pra nën kujdesin e shtetit ajo u formatua në mënyrë të tillë që verbërisht ti bindej urdhërave që nuk kishin asgjë të përbashkët me rolin e ketij institucioni në një shtet demokratik. Megjithë milionat e harxhuara nga shteti dhe Evropa për kualifikimin e saj, ajo përsëri mbetet “arma e dashur” në duart e NJESHIT, pra të atij që është në majë të shtetit autokratiko-demokratik. Herë pas here kanë ardhur ne Shqipëri ekspertë nga Komuniteti Evropian për të kontrolluar ecurinë e programeve të financuara prej saj për kualifikimin e administratës publike dhe rezultatet me dëshpëruese të raportuara kane qënë ato të misioneve PAMECA nga vitit 2001 për policinë e shtetit ku megjithëse jane derdhur dhjetra miliona euro, efektet nuk kanë arritur tek polici i thjeshtë por kanë mbetur tek zyrat e shefave dhe eprorëve. Polici mbetet figura më e deskriminuar, e dhunuar dhe e prapambetur e admnistratës publike sot, dhe jo pa qëllim.

Dhe sa herë që ndodh rotacion politik qe sjell dhe zëvëndësimin e NJESHIT, është pikërisht policia ajo që e pëson traumën më të madhe, jo për vënde të reja pune por, për të zëvëndësuar besnikët e atij që ikën ma ata të atij që vjen. Duke qënë se ky institucion në masën më të gjërë nuk e ka kualifikimin e duhur profesionalo-ligjor, atëhere është edhe më lehtësisht i manipulueshëm për të zbatuar urdhëra të cilat mund të mos mbështeten në ligje. Si të tillë atë sot e gjen kudo në jetën e përditëshme të qytetarëve duke marrë përsipër edhe funksione ose atribute që ose nuk i takojnë ose nuk janë të”qepura“ me ligj. Kështu që shpesh në një administratë të mefshtë e të mbushur me militantë të pakualifikuar dhe të pamotivuar e cila nuk kryen detyrat për të cilat paguhet, në një shtet që nuk është në gjëndje të harmonizojë funksionet e gjymtyrëve të veta, futet policia për të mbushur boshllëqet  e cila pa dashje merr prioritet duke dhënë imazhe të një shteti policor.

Për një popull që është mësuar për gjysëm shëkulli me dhunë, ndonëse kanë kaluar dy dekada në liri xhungle, duket se nuk përbën ndonjë shkak për shqetësim. Përkundrazi, në kushtet e një kaosi pa rrugëdalje, të një korrupsioni në nivele rekord dhe krimi të organizuar apo spontan që ja kanë marre frymën ekonomisë, në një shoqëri me konflikte sociale duke u ashpërsuar, policia pranohet si e vetmja alternativë për ti rregulluar gjerat. Bile te krijohet përshtypja sikur do të jetë pikërisht ajo që do të na bëhet garante për të hyrë në Evropë. Eshtë e vërtetë se policia bën punë të mira por kur mungon transparenca populli nuk e di se çfarë dhe sa punë të tjera duhet të bëjë ajo që nuk i bën mirë ose nuk i bën fare. Në këto kushte kur shtetasit në pjesën më të madhe e nxjerrin jetesën ose me punëra të zezë ose me evazion fiskal kurse pjesa tjetër gojë mbyllur të punësuar në shtet, punonjësi i shtetit behet arrogant e i dhunshëm, sepse e di që qytetari e ka humbur davanë e ankimit. Shtetasi tashma e ka të mësuar nga përvoja se me këtë sistem gjyqësor që kemi, me shtetin ai nuk fiton asnjëherë. Aq shumë është budallallepsur saqë i kërkon NJESHIT ose Kryeujkut të bëjë drejtësi në kopenë e vet, gjë që nuk ndodh edhe në natyrë. Kjo në botën e civilizuar as që mund të mendohet si rrugëzgjidhje. Prandaj shpesh policia merr rolin e prokurorit, gjykatesit ose ekzekutorit dhe kështu më shumë bëhet e frikëshme sesa e dashur apo e besueshme. Dhe kur merr ngjyrim politik, ky institucion nuk vepron më në emër të ligjit. Tashme janë bërë realitet konfliktet e hapura apo të heshtura të administratës qëndrore me atë lokalë kur ngjyrimet politike janë të kunderta, dhe kur perfshihet edhe policitë përkatëse atëhere këto konflikte bëhen të shëmtuara edhe të dhunëshme, por gjithmonë në kurriz të shtetasit. Kjo tabllo është e pranishme në të gjithë territorin e vendit ku ka dypushtet politik.

Pra mendoj se duhet theksuar që policia nuk mund te jetë e pranishme në rolin e saj si shtrënguese e ligjit atje ku sektorë të caktuar të administratës publikë nuk e kanë vendosur ligjin në kushte për tu zbatuar. Policia nuk mund te beje sikur nuk sheh ose nuk merr vesh kur gjen boshlleqe të tilla. Ajo nuk mund të vijë pra e para si furtunë për hesap të vet dhe tja shkarkojë qytetarit të zakonshëm furinë ndaj mangësive të punës së sektorëve të tjerë të shtetit. Për ta ilustruar do të përmënd vetëm një aspekt krahas shumë të tjerave kur policia rrugore që i takon shtetit qëndror e ka bërë ritual ndërhyrjen në zona rrugësh dytësore urbane që janë në juridiksjon të pushtetit lokal duke bërë kërrdinë me gjoba, kur këto rrugë krejtësisht janë jashtë parametrave që përcakton ligji përkatës në lidhje me normat e lëvizjes, të sigurisë, sinjalistikës, etj. Policia në këtë rast duhet të unifikojë dhe harmonizojë punën e saj me institucionet e tjera të administratës publike për ti vënë pikërisht ato në lëvizje me qëllim që shtetasit ti garantohet jeta e qetësia jo me anë të një gjobe  që shpesh e vendos fshehtas në mes të natës, në kundershtim flagrant me ligjin, Pra ajo duhet të bëjë detyrën me konceptin se është vërtet shërbëtore  e popullit dhe paguhet për ti shërbyer dhe dhënë llogari atij, por jo ta dhunojë atë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora