E enjte, 14.11.2024, 11:04 PM (GMT)

Faleminderit

Xhevahir Cirongu: Dragua në pavdekësinë e historisë

E diele, 27.04.2014, 07:15 PM


Djali i Zhepovës Agron Dragoj, mbeti një dragua në pavdekësinë e historisë

(Me rastin e 40 vjetorit të lindjes të dëshmorit të atdheut A. Dragoj, si dhe 15 vjetori i rënies në krye të detyrës)

Nga Xhevahir Cirongu

Sa herë që vijnë muajët prill, dhe pikërisht kur data shënon 20- të,për fisin Dragoj nënkupton shumë ngjarje e gëzime. Prill 2014! Sa bukur është kur vijnë të tilla stinë me aromën e luleve dhe këngën e bilbilave!? Natyra ripërtëritet e të jep kënaqësi. Por, muaj prill i vitit 1974 atëherë kur data shënonte 20-të e po këtij muaji;vjen në jetë njëri nga djemtë e fisit Dragoj në Zhepovë të Përmetit. Buzëqeshte natyra. Gëzoheshin të afërmit e djalit të sapo lindur. Edhe gurët e ndjenin atë gëzim të asaj dite pranvere, e jo më njerëzit! Urimet shkuan gojë më gojë atë ditë prilli të vitit 1974, jo vetëm te banorët e fshatit Zhepovë, por madje lajmi shkoi deri në fshatrat Radenj e Pavar. Djalin e Zhepovës, fshatarët e zonës jo më kotë e pagëzuan para kohe ‘’Dragoj i Dëshnicës’’.

Nënë Medine përkëdhelte foshnjen, dhe e vështronte me kureshtje në dritë të syrit. Atje, te ata sy të foshnjes së djalit të sapo lindur, pa diçka dhe mori frymë thellë. E vështroi edhe një herë. Mos më bëjnë sytë! –Ndoshta e kam nga gëzimi, tha me vete Medinea dhe e puthi në ballë djalin. E vështroi edhe një herë tjetër. Por… prapë diçka vërejti te sytë e djalit! Ishte e vërtetë, se në brendësi të syve të foshnjes së djalit ishte shkruar diçka. E lexoi me kujdes. Atje te ata dy sy ishte shkruar fjala Atdhe! Vetëm syri i nënës mund ta dallonte e lexonte atë fjalë! Ajo e mori foshnjen e vogël, e afroi pranë gjoksit, i dha qumshtë nga sisa e saj, prapë e puthi te balli dhe e vendosi mbi supin e majtë. Kush e pa këtë veprim të nënë Medine thanë me vete:’’Po kjo ç’pati! Apo e ka nga gëzimi?!’’ Sytë e foshnjes lëshonin dritë dhe buzëqeshte si lulet e pranverës.   Edhe Zaimi, i ati i foshnjes dukej sikur fluturonte nga gëzimi i lindjes së djalit. Ai e mbante brenda vetes dhe s’e shprente hapur lindjen e djalit të sapo ardhur në jetë. Në kodrën shkëmbore që ndodhej afër lagjes, shkoi aty dhe mori një copë gur. Pranë një shkëmbi kishin mbirë lule . Këputi një gonxhe luleje, dhe s’bashku me copën e gurit u kthye në shtëpi. U afrua te djepi ku djali po flinte gjumë, aty vendosi  gurin e gonxhen e lules. Një simbolikë e trashëguar në shekuj kur lind një fëmijë për ne shqiptarët!

Nuk kaloj shumë kohë, e shtëpia e Zaim Dragoj u mbush plotë me miq, të afërm e bashkëfshatarë. Këndohej e hidhej valle! Sipas traditës ngrihej dolli për djalin e vogël të fisit Dragoj. Ishin thirrur në këtë gëzim familjar për pagëzimin e foshnjes. Me gotën në dorë Zaimi iu drejtua të pranishmëme duke u thënë:                                                                                                      -Mirë se erdhët miq! Foshnjen e pagëzojmë sot me emrin Agron! Ta gëzojë, uruan në një gojë të gjithë të pranishmit. Oda e miqëve oshëtinte e nuk rreshte për asnjë çast atë ditë mirësie në familjen e Zaimit e të Medines. Deri në mëngjes kur dielli po ‘’puthte’’ vesën e mëngjesit të prillit pranveror, kënga e vallja nuk pushoi. Edhe djali i vogël i pagëzuar Agron i buzëqeshte diellit të pranverës.

Dragojt e Zhepovës,-shkëmbfortesët  nëpër stuhitë e historisë…

Të shkruah për fisin dragoj nuk është e lehtë, sepse  veprimtaria patriotike e atdhetare e tyre  është e mbushur me ngjarje sa të dhimbshme aq edhe me ndjenjën e krenarisë.

Nëpër rrugëtimin historik ata kanë lënë gjurmë atdhetarie të pashlyeshme. Kurrë s’u mposhtën para vështirësive e armiqëve të atdheut i dolën  ballë për ballë. Kohëve tinzare e gjithë armiqëve të kombit, iu qëndruan burrërisht deri edhe me jetën e tyre. Ndoshta, prandaj duhet të ketë marrë edhe mbiemrin ‘’Dragoj’’ fisi i fshatit Zhepovë të Dëshnicës së Përmetit, që do të thotë sipas mitologjisë shqipe shpend i fuqishëm që mposht stuhitë.  Gjyshi i Agronit, një burrë fisnik që e kishte emrin Asllan Dragoj, lë punët e fshatit e shkon për punë në Kuçovë. Aty filloi punë punëtor krahu në puset e naftës. Qysh në fillim u bashkua me lëvizjen patriotike kundër pushtimit fashist të vendit tonë. Shtëpia e Asllanit u kthye një bazë e fuqishme e LANÇ.Vëllai i Asllanit, Bektash Dragoj ishte kryetar  i Këshillit  të LANÇ të fshatit Zhepovë.

Në vitin 1944 Asllani internohet në kampin famkeq të Mosburgut në Gjermani. Për veprimtari patriotike e atdhetare për çlirimin e atdheut nga pushtuesit,edhe nipi i Asllanit,Teki Cicollari që atëherë ishte vetëm 20 vjeç, në vitin 1943 internohet në kampin e Mosburgut të gjermanisë. Shtëpia e Bektash Dragoj  në vitet 1941-1944, u  bë një çerdhe e vërtetë patriotike në gjithë krahinën e Dëshnicës. Kjo familje ka pritur e përcjellë edhe figura të LANÇ si: Jaho Gjoleku, Mustafa Matohiti,Fato Berberi(Heroinë e popullit) ,Rustem Çepani etj. Gjyshja e Agronit, Mine Dragoj është nderuar nga Këshilli i Qarkut Gjirokastër me motivacionin:’’Për kontributin e dhënë në LANÇ’’. Po kështu edhe gjyshi Asllan Dragoj, pas vdekjes me çertifikatë për  kontributin e dhënë në LANÇ, me rastin e 50 vjetorit të çlirimit të Atdheut.    Sot Zaim e Medinea, familjarisht janë pasardhës të LANÇ, e bëjnë pjesë në Organizatën e Veteranëve të LANÇ të qytetit Durrës, ku edhe banojnë prej disa vitesh. Ata japin ndihmën e tyre për të mbajtur gjallë vlerat patriotike e historike duke përcjellë brezave  të rinjë. Me ndjenjën e flaktë të patriotizmit e dashurisë së atdheut u rrit edhe Agron Zaim Dragoj.

Lulja e prillit vajton, ndërsa bilbili këngën trimit i këndon!...

Takojmë  Zaimin, babain e Dëshmorit të Atdheut Agron Dragoj. Ai sytë i kishte ende  me lotdhimbje  edhe pas kaq vitesh për djalin e vrarë nga një dorë ogurzezë në lulen e rinisë. Pikërisht, atëherë ishte korrik i vitit1997, një  vit i mbrapsht për gjithë shqiptarët. Agron Dragoj  ka lindur më 20 prill të vitit 1974. Atëherë  sapo kishin çelur lulet e bardha të prillit. Edhe gurët u gëzuan me ardhjen në jetë të djalit të prindrëve Zaim e Medine. Agroni kishte shumë ëndrra për t’i realizuar në jetë. Mbaron arsimin e mesëm  në Zhepovë . Ai kishte një dashuri të madhe për njerëzit e vendlindjen. Në vitin 1993-1994 shkon ushtar pranë repartit nr. 6620 në rrethin Fier. Sjellja dhe guximi i tij që kishte fituar nga familja, edhe me vyrtytin më të lartë, patriotizmin e atdhedashurinë për atdheun; mbas mbarimit të ushtrisë caktohet në radhët e Flotës  Luftarake  Detare me detyrën e nënoficerit të Karrierës. Fillimisht në Durrës, më pas në Pashaliman të Vlorës. Por, mbas një kohe, ai rikthehet përsëri në Bisht-Pallë të Durrësit. Ishte korriku i vitit 1997. Kohë trazirash    Shqipëri. Shteti ishte shkërmoqur si rëra e detit. Në repart i shkojnë disa të rinjë të armatosur dhe i kërkuan atij t’ lejonte për të hyrë në depot e armatimit. Ata donin që të plaçkisnin depot ushtarake dhe sidomos armët. Me zgjuarsi  e gjak ftohtë,Agroni ju përgjigjet të rinjëve  duke u thënë se armatimet janë transferuar diku gjetkë. As vetë ne s’dimë se ku ndodhen ato!

-Po armën tënde do na japësh neve!? Agroni i zënë ngusht me këtë pyetje u thotë me guxim:

- Nga kjo dorë s’lëshohet lehtë kjo armë! Me këtë përgjigje të rinjtë   e armatosur u larguan nga reparti ushtarak i Bisht-Pallës.  Ishte data 22 korrik, i vitit 1997 kur Agroni merr detyrën nga Komanda e Repartit për të shkuar me detyrë në Përmet . E mirëpriti këtë urdhër, sepse malli për njerëzit e vendlindjen po i brente shpirtin. U gëzuan të afrmit e bashkëfshatarët kur u takuan me djalin e tyre Agron.  Kënga e valllja në familjen e fisit dragoj s’pushoi deri sa ra agu i ditës së re. Me disa shokë e bashkëfshatarë u nisën drejt Ballabanit. Duke zbritur rrugës poshtë për në Ballaban nga Radenji për në Pavër, bjenë në pritë nga një bandë e armatosur që ishte bërë tmerri për zonën e Dëshnicës. Kriminelët e armatosur qëndronin të pozicionuar në pyllin e dendur matanë një përroi. Për në pazarin e tregëtisë nga zona e Dëshnicës për në Ballaban zbrisnin edhe fshatarët e fshatrave Shelq e Kajcë.

-Ndal! Duart lartë. Hidhni sendet e lekët në tokë!,- bërtisnin fortë banditët.

- Kush jeni juve, mor burra!- foli Agroni. Ejani të bisedojmë si burrat këtu mes sheshit! Ne s’kemi as lekë e as armë si juve!? Banditët nuk ju bindën fjalëve të Agronit, dhe  qëlluan drejt e në shenjë mbi trupin e tij. Vendosi dorën te brezi ku ishte pistoleta,por ai ra si lis i  monçëm me trupin e gjakosur mbi lëndinën e barit e të luleve. Toka po thithte gjakun e djaloshit nga Zhepova. Banda që ishte liruar nga burgu i Vlorës, e që masakronte popullin e zanës së Dëshnicës ishte larguar.  Më 20 prill 2014 Agroni do të festonte 40 vjetorin e lindje po të ishte gjallë. Kurse më 22 korrik do përkujtohet 15 vjetori i rënjes në krye të detyrës. Atëherë ishte vetëm 23 vjeç. Sot lulja e prillit vajton Agronin, ndërsa bilbilat i këndojnë  trimit këngën e pavdekësisë.

Zaimi e Medineja kanë lindur,rritur edhe edukuar 7 fëmijë: 4 djem e 3 vajza. Djemtë:Besnik,Dëfrim,Asllan(ka emrin e gjyshit), Agron-Dëshmor i Atdheut. Vajzat:Lavdie, Flamure, Anisa. Ata kanë edhe 9 mbesa e 3 nipa. Të gjithë si yje.

Njëri nga fëmijët e Zaimit që mban emrin e gjyshit Asllan,djalit të vet i ka thirrur emrin e Agronit. Agroni i vogël  këtë vit 2014  mbushi 4 vjeç. Një koinçidencë kjo me 40 vjetorin e lindjes të Agronit dëshmor. Zaimi na rrëfen ngjarje e episode për Agronin me zemër të zhuritur e me lotin e ngrirë mbi faqe. Prill 2014! 20prill i vitit 1974! 22 korrik 1997! Korrik  2014-ta po afron. Njëra datë kujton 40 vjetrorin e lindjes, ndërsa tjetra 15 vjetorin e pavdeksisë në altarin e lirisë së atdheut. Dëshnica në zi! Njerëzit, gurët e pemët, zogjtë s’po këndonin…Lumi  Vjosë ndalon për një çast rrjedhën e vajton trimin e Zhepovës! Heshtje! Vetëm heshtje atë ditë korriku në gjithë Dëshnicën heroike!

Këshilli i Ministrave, Komisioni Qëndror për Statusin e Dëshmorit të Atdheut, me vendim nr.572datë 07.03.2012 e shpall ‘’Dëshmor të Atdheut’’Agron Zaim Dragoj .

Dëshmorët e atdheut janë të pavdekshëm!

Lot e lulegjaku në shtëpinë e Drita Alia!...

…Krisma, krisma armësh mbi fshatin Ballaban! Çfarë kishte ndodhur atje ?! Askush s’e dinte të vërtetën. ..! E para që doli rrugëve të Ballabanit, e që pyeste s’e çfarë kishte ndodhur  atje mbi Ballaban, ishte nëna e Kajcës Drita Alia.  Ajo la fshatin Kajcë e  banonte  familjarisht në Ballaban. Ju ngjit kodrës si një shqiponjë mali për te vendngjarja tragjike. Ju drodh zemra kur pa të shtrirë si një lis vigan atë djalë që u vra në pritë nga një dorë mizore. I ngrinë lotët në sy. Afrohet për t’i dhënë ndihmë  së bashku me shokët që e shoqëronin në atë rrugëtim për në Ballaban. E vetmja fjalë që tha ishte:’’Ju thaftë dora atij që qëlloi djalin tim!’’  Heshtja e kobshme! I dridhej shpirti asaj nëne! Ju thanë buzët, ashtu si gjaku i djalit që ujiti tokën e barin e zhuritur . U ul në gjunjë, e ledhatoi me duar trupin e flokët, e puthi në ballë…! Pastaj, e rroku pas gjirit fortë, e mori rrugën s’bashku me djalin drejtë shtëpisë së saj. Edhe shumë të tjerë, si një lumë i vërtet njerëzish e shoqëruan nënën Drita Alia. Dielli e Vjosa vajtonin djalin e vrarë nga kriminelët pabesisht.

Shtëpia e Qamil e Drita Alia, hapën derën e mortit. Ajo vajtonte me këngën e ligjërimeve sipas traditës së zonës. Pas disa orësh u mor vesh se djali i vrarë në pritë  ishte nga fshati Zhepovë. Shtëpia e nënë Drita Alia u mbulua e gjitha në lot e lulegjaku që mbuluan arkivolin e  Agronit.  Lajmin te prindërit Zaim e Medine Dragoj në Zhepovë, e çoj Qamil Alia. Në çdo përvjetor, atje në vendgjarjen e kobshme mbi Ballaban, Dëshnicarët vendosin kurora lule . Edhe nënë Drita, shkon nga Durrësi në çdo përvjetor e vendos lule te ‘’Djali’’ i saj, që sot është Dëshmor i Atdheut.  Agron Zaim Dragoj do kujtohet gjithmonë në breza.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora