| E shtune, 19.04.2014, 02:23 PM |
Nga Fritz RADOVANI:
AT ANTON HARAPI O.F.M.
DY LOT’ E NJI BETIM...
Mbi Eshtën të deshmorve t’ Atdheut Çerçiz Topulli e Mustafa Qulli
Ndalniu ! Ku véni, o burra ?!..
Çerçiz e Muço, dy fjalë ka me ju Shkodra kreshnike, këtu në log të kuvendit, para se të ndaheni.
Doni t’a leni Shkodren, të shkoni e të pushoni atje, ku së pari keni pa t’amblat rreze të diellit, ku, si filiza të shëndoshtë, gëzueshem e rritët shtatin, atje prej kah Shqipnia u qiti edhe u ndriti!
Lè të lavdohen, po, per ju Gjinokastra e Leskoviku, vendet ku ju u lindët per jetë, por grimë ma pak s’do të gëzohet me ju Shkodra, vendi, ku ju nuk vdiqët, por u lindët per Atdhé.
Njimênd se ato u dhanë tamblin e gjiut, e u janë nana të natyrshme,
por ju tashma, nuk jeni njerëz të zakonshem, nuk jeni çfardo Shqiptarësh,
ju jeni heroj, jeni burra Shqiptarë; e si të tillë u priti e ju mbajti, si të tillë
sot me gëzim u percjellë Shkodra, lama e nana e heroizmit t’uej.
Jo, nuk u lëshon ju Shkoder lokja, ambel pa u puthë në të dyja faqet, thekshem pa u lëmue të dy krahët, përmallshëm pa u derdhë dy pika lotësh, lotë gëzimi e pikllimi, mbi Eshtënt t’uej. Eshtën të pamort, u falem !
Të pavdekshëm, po, pse nder vême t’ueja rueni nji visar të çmueshem, njat ide e cila e patrandun do të jesë ndër né deri sa të jetë Shqipnia.
E udha e mbarë u kjoftë!
Veç, o burra, qi vdekun flitni ; të mbetun, ngjalleni; të hupun, sot ndritni, kah rreth e rrokull t’i bini Shqipnisë, deh, lëshonje nji za, at zanin t’uej kumbues si të luajve, diftoni djelmnisë Shqiptare shka u a ushqeu idealin, shka u a mbajti karakterin, shka u bani të pavdekshëm.
Diftoni, po, se ka e do të ketë Shqipni deri sa të kemi e të mbajmë nji Zot mbi vehte; ka, po, Shqipni deri sa të dalin Shqiptarë fatosa; ka dhe do të ketë Shqipni derisa gjaku i juej i kërthnestë e i gjallë të vlojë në kujtim e ndër ndjesi të Shqiptarvet, deri qi në Shqipni, pa ndryshim krahine e besimi, të çmohen e të madhnohen thëmeluesat e Atdheut.
Kemi pse të jemi e të mahemi Shqiptarë, der të shêjte të ruhen bes’e burrni.
Me të tanë fuqinë t’uej vigane m’i a bani nji urim Shqipnisë; m’i ndiellni të mbarë e perparim, paqë e ngadhnjim.
Por edhe nji nâmë si rrëfeja, m’ i a lëshoni kulshedres së ré, rrymvet dermuese, qi po e brejnë jeten Shqiptare: atyne po, të cilët thonë se po bashkojnë e na shkatrrojnë: levdohen per dashni, e na qesin mënin e fitmen, duen të na mësojnë e po na zhburrnojnë.
Hèu ! ata mos kjofshin, e Zoti i vraftë njata, të cilët duen t’i lanë Shqiptarët pa besë ndër veti, duen t’i qesin nga morali dhe karakteri, nga familjet e historia. Nuk po u pyes kush jeni e kah po véni. Kudo shkojshi, të bardhë kjofshi; ku ndejshi, flori ndritshi. Ideali i juej më tregon se kush jeni, vdekja e juej më dishmon se ku dueni. Nuk më duhet gja kush u vrau, por knaqem, kah marr me mend até per shka ju ratë preja e dorës mizore.
Nuk marr parasyshë ç’ krahinë kjet e ç’ besim patët, më mjafton të dij se besuet në nji Zot, e si kristal i kulluet rrodhi ndër dêjt t’uej gjaku Shqiptar.
Ju mësyt Shkodren per strehë Atdhetarije, per lamë veprimi, per strofull sigurie. Edhe Shkodra me kënaqë ju priti e iu dha nderimin që ju perkitte: pa ndryshim ju rreshtoi nder fatosat e vet, nder të vdekunit e pavdekshëm, krahas me nji Dedë Gjo’ Lul e tjerë sokola.
Eh, moj
Deri kur ma do të m’i a këndojsh kangen vdekjes e shemtimit?
Shka asht
në ty qi dukesh si të ngadhnojshe ma
Ti, mizore njimend, por fatose, pse sikurse në djep t’and perkunde burrat e maleve, ashtu në prêhën t’and mblodhe, në votren t’ande rreshtove kreshnikët e Kombit. Mizore, po, por trimneshë, pse kurdoherë në vdekje pave shpetimin; në therori, fitimin; në burrni, forcen.
Mizore po, por fisnike, pse nderë e burrni i pate gjithmonë per piri.
Zotnij të ndritshëm ! Nuk due t’u ndali mâ. Keni udhë të gjatë.
Merrni këto visare të çmueshme, e shkoni! Por para se të niseni, eni këtu, e mbi këta Eshtën, shëmblles ideali, force dhe bashkimi, t’ia shtrijmë doren shoqishojt, Toskë e Gegë, muhemdanë e kristjan e me besen e burravet,
me besen Shqiptare, të lidhemi per t’i a mbajt Shqiptarit të pa prekun nji Zot të vertetë, nji Atdhé të lumtun, per të bamë Shqipninë e ré, të fortë e të madhnueshme, të dêjë per Skenderbéun.
T’i diftojmë, po, Botës, se Shqiptarët janë njimênd burra; se mund të jemi Tosk’ e Gegë, muhamedanë e kristjan, e njiheri Shqiptarë të njimendët.
Zoti i vertetë e Atdhéu lè të na bashkojnë, Zoti e Atdhéu t’ na mbajnë;
Me Zot e me Atdhé të lumnojmë!
Shenim FR: Kopjue nga “Hylli i Dritës”, fq 462, viti XII, nr.9, Shkoder 1936.
Kjo fjalë u mbajt nga At A. Harapi, tek balkoni i Postës në Fushen e Çelës,
që ishte aty ku, tashti asht ndertue xhamija.