E diele, 22.12.2024, 06:02 AM (GMT)

Mendime

Petrit Haliti: Serbizimi i diplomacisë spanjolle

E diele, 15.06.2008, 10:14 AM


Serbizimi i diplomacisë spanjolle

Nga Petrit Haliti

Kemi hezituar deri tani të analizojmë qëndrimin e habitshëm të Spanjës për të veçuar veten nga shtetet më të mëdha europiane, për t’u shkëputur nga gjithë shtetet e G-7, për t’u shkëputur nga shtetet më të mëdha të NATO-s, të cilat kanë njohur shtetin e Kosovës, dhe për të ndjekur linjën e Serbisë dhe të Rusisë për të mos njohur shtetin e Kosovës. Kemi hezituar deri në momentin, kur mosnjohja e shtetit të ri të Kosovës nga qeveria e kryeministrit Rodriguez Zapatero konsiderohej një qëndrim thjesht dhe brendaspanjoll, dhe si e drejtë e një qeverie për të vendosur në marrjen e këtij apo atij hapi në marrëdhëniet me një shtet tjetër si Kosova. Por kur nga shumica e kryeqyteteve të Amerikës Latine burimet diplomatike njoftojnë se ata i ka habitur intensiteti dhe emocioni i ndërhyrjes së Spanjës pranë qeverive të atyre vendeve me kërkesën dhe presionin që të mos njohin Kosovën, kjo është e re dhe e rëndë. Këtë të vërtetë, jo të këndshme për imazhin dhe angazhimet e diplomacisë spanjolle, ia ngriti si shqetësim opinionit publik ndërkombëtar ish-ministri për Çështjet Europiane në qeverinë e Toni Blerit dhe një nga njohësit më të mirë si të situatës në Ballkan, ashtu dhe të diplomacisë europiane, Denis Makshejn. Në një artikull të botuar në revistën prestigjioze amerikane “Njuzuik” më 9 qershor, ai shkruan : “Duke dëmtuar rëndë perspektivën e arritjes së paqes shumë të pritur në rajon, Spanja tani po ndihmon nacionalistët serbë, duke ndërmarrë fushatë diplomatike në Amerikën Latine për t’ua ndërruar mendjen liderëve të rajonit, që të mos njohin shtetin e Kosovës”.
Ky realitet diplomatik, ku Spanja ka ndërmarrë një fushatë diplomatike në Amerikën Latine kundër njohjes së shtetit të ri të Kosovës , është pak të quhet çudi diplomatike. Ai dëshmon se në formulimin e qëndrimit të qeverise spanjolle për të mos njohur shtetin e Kosovës, nuk ka një analizë të ftohtë shtetërore, por ka një emocion që tejkalon dimensionin e një çështjeje mes Spanjës dhe Kosovës. I vetmi shtet që ka ndërmarrë fushata të tilla ndërkombëtare në rajonet dhe kontinentet e tjera kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës, është Rusia. Burimet diplomatike nuk janë në gjendje deri tani të konfirmojnë ose jo, nëse ka një koordinim mes Spanjës dhe Rusisë në Amerikën Latine kundër Kosovës.
Fushata diplomatike spanjolle në Amerikën Latine kundër njohjes së shtetit të Kosovës përgënjeshtron të gjitha argumentet, tezat dhe justifikimet, që qeveria e kryeministrit Zapaterro dhe diplomacia spanjolle ka dhënë deri tani për arsyet e vendimit të saj për të mos njohur Kosovën. Fakti që ajo merr nismën të organizojë një fushatë diplomatike ndërkombëtare të posaçme në Amerikën Latine kundër njohjes së shtetit të Kosovës, nuk ka të bëjë më me interesat spanjolle në Ballkan apo në Europë, e as me politikën ballkanike apo europiane të Madridit. Madje nuk krijon bindje se ka të bëjë as me interesat e Spanjës në Amerikën Latine.
Argumenti i stërkonsumuar që hedh diplomacia spanjolle prapa dyerve të mbyllura në tryezat diplomatike nëpër kryeqytetet europiane, është ai i problemeve që mund të krijojë pavarësia e Kosovës për aspirata dhe tendenca nacionaliste në rajonet baske dhe katalane në Spanjë. Ajo që harrohet është fakti se problemi bask apo katalan në Spanjë ka lindur shumë e shumë vite para se të hapej çështja e statusit të Kosovës dhe Kosova të shpallte pavarësinë. Ai problem do të vazhdojë, pavarësisht nga pavarësimi apo mospavarësimi i Kosovës. Rajone autonome brenda një shteti ka në disa shtete të Bashkimit Europian, siç është p.sh. Belgjika, e cila e ka njohur Kosovën. Britania e Madhe ka problemin e Skocisë, por ajo e ka njohur shtetin e Kosovës. Baskë ka edhe në Francë, e cila e ka njohur Kosovën. Konfondimi juridik, që përdoret nga diplomatë të ndryshëm spanjollë, është ai se pavarësia e Kosovës përbën një shkëputje të territorit të një shteti, gjë që nuk është aspak e vërtetë. Të gjitha shtetet e reja të pavarura, që dolën nga ish-Jugosllavia, që nga Sllovenia e Kroacia e deri tek Kosova, ishin pjesë të një federate artificiale, dhe ato u pavarësuan se u shkatërrua federata, siç u shkatërrua federata çekosllovake dhe federata sovjetike dhe që rezultuan me shtete te pavarura.
Për sa u përket argumenteve të tjera të qeverisë spanjolle se nuk e njeh Kosovën, sepse u shkel ligji ndërkombëtar apo parimet ndërkombëtare, nuk mund të mendohet me naivitet se Madridi e ka të bazuar në këtë rast sensivitetin për mbrojtjen e ligjit ndërkombëtar për Kosovën, dhe nuk e paskan 21 shtete të Bashkimit Europian, që e kanë njohur Kosovën. Sepse po të ishte se 21 shtete të BE, që e kanë njohur Kosovën, nuk zbatokan ligjin ndërkombëtar, do të lindte pyetja, si qëndron Spanja në një organizatë të tillë. Nuk kemi përshtypjen se në Madrid është arritur në atë pikë sa të mendohet se Rusia, që nuk e njeh Kosovën, e mbron parimin ndërkombëtar më shumë se Suedia dhe Finlanda, që e njohën Kosovën.
Dyshimet për korrektësinë e qëndrimit spanjoll davariten menjëherë kur ndeshesh para një fushate diplomatike ndërkombëtare të organizuar prej diplomacisë së saj në Amerikën Latine kundër njohjes së Kosovës. Atëherë duhen kërkuar motive të tjera dhe rrënjë më të thella, pas refuzimit jo bindes spanjoll për mosnjohjen e Kosovës.
Motivi kryesor duket se është antiamerikanizmi. Është e njohur se qeveria socialiste e Zapateros ka ndjekur një politike të theksuar antiatlantiste. Madje në programet e saj shpalli si në mandatin e parë, ashtu dhe në të dytin pas zgjedhjeve të 9 marsit, se në vend të atlantizmit do të lidhë Spanjën më shumë me Europën. Në fakt largimi nga atlantizmi ka qenë eufemizëm për forcimin e tonit dhe përmbajtjes antiamerikane të politikës. Sepse vështirë të quhet afrim më i madh me Europën, duke ecur kundër vijës së shteteve kryesore europiane dhe shumicës dërrmuese të BE-së, që njohën dhe mbështesin pavarësinë e Kosovës.
Amerika Latine, si rrjet i ish-kolonive të dikurshme të perandorisë spanjolle, padyshim është një zonë tradicionale dhe e rëndësishme e lidhjeve dhe e influencës së Spanjës. Këtë influencë ajo përpiqet ta forcojë me forma e mënyra të ndryshme dhe ky objektiv është në përplasje me tentativat për influencë të shteteve të tjera, siç janë SHBA. Madridi ka zgjedhur të përdorë kartën e Kosovës kundër SHBA-së, duke e paraqitur pavarësinë e Kosovës në kryeqytetet latino-amerikane si një produkt i politikës amerikane në Ballkan. Disa shtete si Venezuela, e kanë dëgjuar dhe madje mburren se po e bëjnë këtë për hir të Spanjës, disa të tjerë si Kosta Rika dhe Peruja nuk e kanë dëgjuar dhe e kanë njohur shtetin e Kosovës. Nëpërmjet kartës së Kosovës, Madridi kërkon të trembë qeveri të ndryshme në disa shtete të Amerikës Latine, ku ka kudo grupe të mëdha e të ndryshme etnike, të cilët janë ndarë keq administrativisht, që në kohën e kolonializmit spanjoll.
Padyshim kjo fushatë ndërkombëtare e Spanjës dëmton interesat e popullit të Kosovës, dëmton interesat e mbarë kombit shqiptar. Por në Madrid ky element duket nuk merret në konsideratë në tërësinë e elementeve që kanë ndikuar në formulimin e një qëndrimi kaq të hapur kundër shtetit të ri të Kosovës.
Në formulimin e qëndrimit të diplomacisë spanjolle dhe në fushatën e saj në Amerikën Latine kundër Kosovës, ka vërtet shumë emocion, tregues jo pozitiv për një diplomaci serioze. Është e njohur se zakonisht emocionet në një diplomaci shtetërore futen shpesh nga elemente personalë edhe curriculume personale të drejtuesve të diplomacisë. Ministri i Jashtëm spanjoll, Moratinos, ka një lidhje dhe afeksion të veçantë dhe intim për Serbinë, gjë të cilën duket se ia ka injektuar edhe politikës ballkanike të Spanjës. Në websajtin e MPJ të Spanjës lexon një deklarate të ministrit, i cili shkruan: “Për mua, sa herë të vizitoj Serbinë, ka shijen si të kthehem prapë në shtëpi”. Ministri nuk e ka shprehur këtë për Kroacinë, Slloveninë apo Bosnjën, pa le më për Shqipërinë apo Prishtinën. Dashuria personale e shefit të diplomacisë spanjolle për Serbinë është e drejtë e tij private, por serbizimi i ndjenjave personale nuk duhet të çojë tek serbizimi i diplomacisë spanjolle.
Spanja nuk ka interesa të veçanta strategjike në Ballkan, dhe nuk justifikohet të mbajë anën e Serbisë për hir të një emocioni personal apo partiak. Interesat strategjike të saj si shtet apo si anëtar i BE-së apo i NATO-s, sugjerojnë që t’i bashkohet shumicës europiane dhe atlantike për Kosovën, dhe jo me Rusinë dhe Serbinë, të cilat nuk kanë histori dashurie me Perëndimin. Ndaj nuk mund të mos i japësh të drejtë profesorëve Jose Ignacio Torreblanca, drejtor i Zyrës në Madrid i Këshillit Europian të Politikës së jashtme, dhe Jordi Vaquer i Fanes, koordinator i Programit Europian, të cilët në një artikull me titull “Spanja duhet të njohë Kosovën”, shkruajnë: “Njohja do të ndihmojë për të forcuar pozitën e Spanjës dhe udhëheqjen e saj brenda BE-së. Duke bërë këtë, qeveria jo vetëm do të kontribuojë ndjeshëm në stabilitetin e rajonit, por do të ndihmojë të rivendoset pozita e vendit tonë në zemër të udhëheqjes europiane në momente të rëndësishme”.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora