Mendime
Alma Lama: Ligj për zgjedhje pa zgjidhje
E marte, 08.04.2014, 06:46 PM
Një ligj për zgjedhje por pa zgjidhje
Nga Alma Lama
Javën që shkoi Kuvendi i Kosovës votoi në parim ligjin e shumëpërfolur për zgjedhjet e përgjithshme. Pas gati tre vjetësh angazhimi të komisionit ad hoc të Kuvendit, se bashku me një numër të madh të ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë, përfshirë këtu edhe përfaqësuesit e Komisionit Zgjedhor Qendror, pa asnjë dilemë mund të thuhet se ligji ka pësuar vetëm ndryshime kozmetike.
Nëse qëllimi ishte eliminimi i parregullsive të zgjedhjeve të vitit 2010, pakkush mund të krenohet se me këtë ligj do të bëjë revolucion. Pothuajse asnjë parametër i tij nuk është ndryshuar.
Së pari Kosova do të vazhdojë të mbetet një zonë zgjedhore. Kjo do të thotë se deputetët do të zgjidhen nga votuesit e shpërndarë në të gjithë Kosovën. Kjo e bën garën shumë të hapur në terren, por ajo çfarë është problematike është mungesa e llogaridhënies tek votuesit, pasi përfaqësuesit e popullit t’i fitojnë mandatet.
Personalisht prej fillimit kam qenë për shumë zona zgjedhore, dhe për një sistem miks, maxhoritar dhe proporcional. Kjo për shkak se do të duhet të sigurohet edhe kuota gjinore.
Përfaqësuesit e popullit do të mund të komunikonin më afër me votuesit e tyre. Kjo është çfarë ndodh në të gjitha vendet demokratike.
Në fakt Kosova një zonë zgjedhore është më shumë në interes të partive të vogla, të cilat do të mund të ishin zhdukur nga skena politike nëse do të kishte një ndarje në shumë zona. Kjo ka qenë arsyeja se pse partitë e vogla e kanë ngritur më së larti zërin, gjoja në emër të argumentit se Kosova është e vogël. E vërteta që fshihet pas kësaj është frika e mbijetesës.
Por edhe partitë rajonale i ka frikësuar ndarja në shumë zona elektorale, pasi kufizimi i mandateve në një zonë do t’ua pamundësonte prodhimin në seri të mandateve siç ndodhi në zgjedhjet e kaluara.
Çështja tjetër që nuk e ka zgjidhur ligji në fjalë është rritja e transparencës në vendnumërime. Ligji do të duhej të përcaktonte në mënyrë specifike vendosjen e kamerave në vendvotime dhe skanimin e çdo vote; do të duhej të përcaktonte ndalimin e fotografimit të votës në vendvotim, duke qenë se kjo metodë u përdor për shitblerjen e votes (vepër penale); e po kështu shoqërimin me kamera të bartjes së kutive të votimit nga vendvotimet në vendnumërim.
Drafti që qëndroi pothuajse tre vjet në duart e deputetëve dhe ekspertëve gjithashtu ka dështuar të gjejë një zgjidhje në lidhje me partitë apo grupacionet radikale e ekstremiste, të cilat kur aplikojnë për t’u regjistruar apo certifikuar, i dërgojnë dokumentet në rregull në KQZ, mirëpo nga ana tjetër diskursi i tyre është i mbushur me urrejtje, me artikulime programatike për të anulluar disa nga të drejtat themelore të njeriut, të garantuara në Kushtetutën e Kosovës dhe me të gjitha konventat ndërkombëtare; apo artikulime programatike për sisteme antidemokratike e teokratike, që janë si nata me ditën me sistemin demokratik dhe sekularist të cilin e kemi zgjedhur ne.
Këto
grupime ekstreme shfrytëzojnë hapësira ligjore, siç kanë bërë në Kosovë apo në
Greqi Agimi i Artë dhe i sjellin shumë kokëçarje demokracisë, sistemit, dhe
shoqërisë. E kam thënë edhe në forltoren e Kuvendit se a duhet të presim edhe
ne një Agim të Artë për të reaguar?
Rasti më i mirë është Gjermania e cila e përballur me nazizmin, ka ligje mjaft të rrepta ndaj lindjes së kësaj ideologjie dhe pamundëson krijimin e çfarëdo grupi naziskin edhe në shoqëri,, jo më në jetën politike. Kjo ndjeshmëri, edhe pse po jetojmë në një shoqëri ku po na paraqiten ideologji nga më ekstremet dhe agresivet, ka munguar nga ana e anëtarëve të Kosmisionit ad hoc të Kuvendit.
Kjo mungesë vizioni mund të ketë pasoja në të ardhmen, dhe unë nuk po e kuptoj se si shumica e klasës politike po e fut kokën në lesh.
Demokracia është një vlerë që duhet të mbrohet me çdo kusht. Nuk mjafton që ta shpallësh një herë në dokumentin themeltar dhe më të mos merresh me të. Në fakt demokracia është sistemi më i brishtë nga të gjithë të tjerët, prandaj ka nevojë për mirëmbajtje të përditshme. E një ligj i cili parandalon që armiqtë e saj të bëhen pjesë e sistemit, është domosdoshmëri.
Por ligji për zgjedhjet e përgjithshme, i cili është tërësi e vullneteve të të gjitha subjekteve politike, tenton të bëhet edhe autoktrat, kur vjen puna tek çështja e pragut zgjedhor për kandidatët e pavaruar. Jo më pak se 2.5% është lënë për secilin person që dëshiron t’i futet garës elektorale jashtë petkut të ndonjë partie politike. Kjo shifër e dekurajon secilin personalitet i cili do të dëshironte ta jepte kontributin e tij jashtë skemave partiake.
Në të vërtetë kudo në EEvropë, modelet e vjetra konvencionale gjithenjë e më shumë po sfodohen nga modelet e reja. Personalitetet publike të pavaruara apo ekspertë të shquar në fushat e tyre janë bërë pjesë e parlamenteve pa pasur nevojë të rreshtohen politikisht. Kjo gjë i duhet edhe Kosovës, të mundësojë angazhimin e personaliteteve në jetën politike.
Pragu prej 2.5% është madje antikushtetues dhe është mirë që edhe Avokati i Popullit dhe disa OJQ e kanë ngritur zërin për këtë, edhe pse me shumë vonesë. Pragu natyror do të ishte më i drejti por unë po shpresoj se kjo çështje do të ndreqet gjatë kësaj kohe që ligji është në komisione parlamentare për shqyrtim.
E siç iu është pamundësuar kandidatëve të pavarur, po kështu iu është pamundësuar shqiptarëve që jetojnë jashtë Kosovës të votojnë edhe këtë herë. Kjo është një padrejtësi e madhe për më tepër që tani Kosova ka edhe ambasada nëpër shumë vende ku jetojnë shqiptarët dhe ato fare mirë mund të shndërrohen në qendra votimi.
Përfundimisht edhe nëse Kosova do të hynte në zgjedhje me ligjin e vjetër, nuk do të kishte ndonjë ndryshim. Por, ajo çfarë mbetet të shpresohet në mënyrë që të kemi zgjedhje të lira e të ndershme është efekti që kanë bërë dënimet me burg të komisionerëve që manipuluan zgjedhjet në vitin 2010.
E po kështu mbetet të shpresohet se partitë politike do të kthjellen e nuk do t’i mbushin listat me njerëz që kanë problem me ligjin. Pra, të vendoset përfundismisht parimi I duarve të pastra në këtë shoqëri.
(Autorja është deputete e LDK-së në Kuvendin e Kosovës. Qëndrimet janë personale)