Mendime
Artan Haraçia: Hoxhallarët e xhihadit kosovar
E hene, 07.04.2014, 06:48 PM
HOXHALLARËT E XHIHADIT KOSOVAR
NGA ARTAN HARAÇIA
Në qershor të 2013-s, Shefqet Krasniqi, imami i xhamisë së madhe të Prishtinës, u thoshte dhjetëra besimtarëve kosovarë brenda dhe jashtë xhamisë, se “fëmijët tuaj duhet të lidhen me hoxhën më shumë sesa me prindërit”.
Për habinë time më të madhe, asnjë nga ata që kishin shkuar të merrnin pjesë në lutjet e së premtes nuk u ngrit në këmbë të largohej.
“Vetëm hoxha mendohet për jetën tjetër, atë që nuk përfundon kurrë, ndërsa ju si prindër mendoni vetëm për këtë jetë”, e sqaronte qëndrimin e tij Shefqet Krasniqi.
Familja Heta nga qyteti i Ferizajt tani e kupton më së miri deklaratën e Krasniqit, pasi djali i tyre, Blerimi, hodhi veten në erë javën e kaluar duke vrarë 50 njerëz në Irak, i bindur nga ligjëratat e imamit të Prishtinës, se kështu i ka të sigurta “të mirat e jetës tjetër”.
E njëjta familje u ka konfirmuar disa mediave në Kosovë se Blerimi ishte një nga përcjellësit e rregullt të ligjëratave të Shefqet Krasniqit dhe së paku dy hoxhallarëve të tjerë në Maqedoni.
Në fakt kjo deklaratë e qartë e familjes Heta e ka zënë të habitur edhe Krasniqin dhe të gjithë “ushtarët” hiperaktivë të tij në të gjitha rrjetet sociale, pasi deri më tash ai dhe hoxhallarë të tjerë që përfolen si radikalizues të myslimanëve në Kosovë janë treguar tejet të kujdesshëm publikisht.
Kameramani me të cilin kisha shkuar në xhami atë ditë kur Krasniqi u thoshte besimtarëve që fëmijët e tyre duhet të dëgjojnë atë dhe jo ata që i bënë e i rritën, kërcënohet dhe detyrohet të ndalojë xhirimin.
Pavarësisht asaj që qindra video me ligjërata të Krasniqit postohen rregullisht në “YouTube”, kjo pjesë nuk është postuar asnjëherë.
Mirëpo, tani nuk ka më as dyshimin më të vogël që hoxhallarë kosovarë po rekrutojnë shqiptarë për t’i çuar në thye-qafje. Shefqet Krasniqi e plot të tjerë të këtij lloji në Kosovë po ndikojnë që shqiptarët e Kosovës dhe në përgjithësi shqiptarët në Ballkan të marrin pjesë në krime makabre nëpër botë, pak më shumë në Siri. Dhe këtu nuk është as qëllimi final i tyre.
Fakti që
i riu kosovar, Blerim Heta, hedh veten në erë “për të takuar Allahun” pas
pjesëmarrjes së rregullt në ligjëratat e hoxhës së Prishtinës, Shefqet
Krasniqi, nuk mund të mohohet më se në heshtje dhe larg syve të masës së gjerë,
në Kosovë po rekrutohet për xhihad.
Kjo është shpërfaqja më e qartë e ndikimit të hoxhallarëve në Kosovë për, thënë troç, krijimin e terroristëve, që hë për hë po marrin pak më shumë më qafë shoqëri të tjera, ndërsa më vonë do të mund t’i ktheheshin një lufte fetare të Ballkanit, pasi aty edhe është qëllimi.
Një nga ankesat kryesore të këtyre njerëzve në Kosovë është shpifja për një diskriminim të myslimanëve në Kosovë, ndonëse “argumentin” kryesor për kërkesat e tyre është që mbi 95% e popullatës kosovare janë myslimanë.
Fati ynë shumë i keq në Kosovë është se ata që po e udhëheqin shtetin kosovar janë personat që më së paku kanë të drejtën morale të merren me këta njerëz. Të zhytur në korrupsion dhe jo pak prej tyre edhe në krim të organizuar. Normalisht që si udhëheqës të shtetit, me apo pa të drejtë morale, e kanë për detyrë të merren me rreziqet e shtetit, sikur të mos jenë harruar pas pushtetit dhe pasurimit të shpejtë.