E enjte, 26.12.2024, 03:03 PM (GMT)

Mendime

Alma Lama: Kosova vs Krimea

E marte, 25.03.2014, 07:55 PM


Kosova vs Krimea dhe implikimi ndërkombëtar

Nga Alma Lama

Kur Rusia e aneksoi Krimenë, vetëm pak ditë më parë, në një lëvizje të paprecedentë në raport me të drejtën ndërkombëtare, ishin të shumtë zërat e qytetarëve, kryesisht në rrjetet sociale, që u shprehën se tashmë u hap rruga për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë.

Gabimi i parë që shoh në këtë logjikë lidhet me një fakt të thjeshtë. E drejta e bashkimit tonë nuk buron kurrsesi nga një lëvizje e tillë. Ajo ka një bazë të fortë historike që lidhet me vitin e mbrapshtë 1913 kur territoret shqiptare u gllabëruan nga fqinjët agresorë. Serbia aneksoi me dhunë Kosovën, krejtësisht kundër vullnetit të saj. E drejta historike pra lidhet me një pushtim të padëshiruar, i cili ndau një komb më dysh.

E duke qenë se e drejta jonë është historike, nuk kemi pse të presim se çfarë lëvizjesh të drejta apo të padrejta do të ndodhin në hartën e botës. Për më tepër pas lëvizjeve tipike hegjemoniste siç ishte kjo në rastin e Krimesë.

Varianti që na përshtatet ne më së shumti, si argument diplomatik, sepse ka shumë ngjashmëri historike, është rasti i dy Gjermanive, një komb që u nda për 45 vjet, ku njëra gjysmë mbeti e pushtuar. Kur hegjemonia ideologjike ruse mori fund në Gjermaninë Lindore, dy pjesët në mënyrë të natyrshme u bashkuan edhe politikisht. Normalisht, kur hegjemonia serbe mori fund në Kosovë, duhej të ndodhte e njëjta gjë, mirëpo në rastin e Kosovës, miqtë tanë ndërkombëtarë kanë shkruar në një variant tjetër, atë të krijimit të një shteti të pavarur, ku pas dhunës se organizuar shtetërore që mori fund me 12 qershor 1999, do të mund të krijohej një vend ku të gjithë banorët e tij të ndiheshin komodë për të jetuar, pavarësisht nga e shkuara.

Lëvizjet e sotme të presidentit rus, në atë kohë shef i këshillit të sigurisë kombëtare të Rusisë, na dëshmon se ndërhyrja në Kosovë, nuk është kapërdirë ende nga ky vend dhe se hakmarrja ndaj vendeve të perëndimit do vazhdojë edhe për ca kohë. Jam e sigurt se studiuesit një ditë do të merren me tezën se a do të kishte qenë më mirë një lëvizje e shpejtë në lidhje me statusin e Kosovës dhe menjëherë bashkimi me Shqipërinë, një shtet i njohur ndërkombëtarisht; apo kështu si jemi, një rrugë më vete me një mijë barrierë përpara.

Personalisht mendoj se kjo nyje gordiane që quhet Kosovë, është dashur të pritet me shpatë sa kohë që Rusia ishte e dobët ekonomikisht dhe ushtarakisht. Koha po na tregon se është e pamundur të zgjidhet me negociata, mirëkuptim, diplomaci e stërzgjatur.

Sot gjërat kanë ndryshuar. Lëvizjet e Putinit, ish-agjentit te KGB-së, i cili tashmë s’ka kurrfarë problemi në sigurimin e pushtetit të tij personal, por që si duket i ka vënë qëllim vetes të mbërrijë lavdinë e carëve rusë, jo vetëm që e vështirëson edhe më shumë pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, por ia jep edhe një goditje ëndrrës sonë.

T’i marrim me radhë. Rusia bëri një shkelje flagrante të të drejtës ndërkombëtare, shkeli sovranitetin e një shteti tjetër, duke dërguar trupat e saj atje dhe madje ia mori një pjesë të territorit Ukrainës. Ky veprim i ka futur ethet rendit ndërkombëtar dhe rrjedhimisht çdo shteti të vogël që nuk mund të përballet me superfuqitë e sotme, njëjtë si dikur kur perandoritë e mëdha që zgjeroheshin në kurrizin e popujve të vegjël. Me një fjalë është ngjallur frika për një rikthim tek forca, ku shtetet e mëdha mund t’i gllabërojnë ato të voglat.

SHBA dhe Evropa, pas kësaj gjendje të krijuar nuk kanë ndonjë zgjidhje tjetër veçse të pranojnë në heshtje vendimet e fuqisë bërthamore, të cilat nuk dihet se deri ku do të shkojnë. Natyrisht vatra të tjera konfliktesh në botë dhe interesa shumë më të mëdha se ky i Krimesë, do të determinojnë raportet SHBA-Rusi.

Për sa i përket Kosovës ato do të këmbëngulin me forcë, siç kanë bërë shpesh këto ditë se rasti i Kosovës, që po keqpërdoret qëllimshëm nga Putin, nuk ka asgjë të përbashkët me Krimenë. Me një fjalë një pozicion edhe më rigid në qëndrimin “rast sui generis” qëndrim të cilin e ka konfirmuar edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Por vështirë të pritet më shumë prej SHBA-së dhe BE-së që të ndërmarrin ndonjë qëndrim më radikal në mbrojtje të Kosovës, e që do t’ia acaronte nervat Rusisë.

Papajtueshmëria e cila do të zgjasë me vite, gjithnjë e më shumë është e qartë se do ta lërë Kosovën me një subjektivitet të papërcaktuar ndërkombëtar. Edhe në rast se do të mbërrijmë 2/3 e njohjeve të shteteve anëtare, sërish fjalën e fundit për anëtarësim në OKB e thotë Këshilli i Sigurimit, ku Rusia ka të drejtën e vetos. Rasti i Palestinës para dy vitesh është i freskët dhe na heq çdo dilemë.

Prandaj këtu në fakt do të duhej të ishte pika e kthesës sonë si komb. Të rimendojmë pozicionin tonë dhe të hartojmë një strategji kombëtare. Të vendosim piketat se ku duam të shkojmë, cila është e ardhmja jonë, e ardhmja e raporteve Shqipëri - Kosovë.

Është e vërtetë se Kosova po funksionon pa qenë anëtare e OKB-së, por këtë me shpresën se situata do të ndryshojë. Frustrimi është i lartë në fakt, sepse në një botë që graviton nga një qendër, nuk është e lehtë të funksionosh jashtë orbitës së saj.

E nëse nga kësaj qendre po i pamundësohet futja në orbitë si subjektivitet i pavarur, zgjidhja duhet parë bashkimi me ndonjë shtet tjetër, por kurrsesi me Serbinë. Kjo do të ishte e vetmja zgjidhje realiste për mendimin tim.



(Vota: 3 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora