Editorial
Adnan Abrashi: Lëvizja ''Vetëvendosje'' zbardhi fytyrën e prizrenasve
E enjte, 12.06.2008, 08:12 PM
LËVIZJA “VETËVENDOSJE” ZBARDHI FYTYRËN E PRIZRENASVE
Adnan Abrashi
Nga Adnan Abrashi
Sikurse në shumë qytete tjera, më 17 shkurt të këtij viti, me rastin e euforisë së kremtimit të deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, këtë ditë edhe Prizreni e shënoj në mënyrën e vetë festive. Në mes të shumë aktiviteteve ceremoniale që atëbotë ishin në agjendën e kremtimit, përshtypje të madhe na kishte lënë një atraksion i organizuar me këtë rast nga ana e veteranëve të UÇK-së së Prizrenit. Një flamur kombëtar i gjatë disa kilometra u nisë prej varrezës së dëshmorëve (Landovica e Prizreni), dhe i bartur nga duart e mira të rinjve, defiloj deri në qendrën e qytetit. Caku i fundit i kësaj marshute atraktive ishte kompleksi memorial i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Aty, flamuri gjigant kombëtar u palos dhe iu dorëzua Muzeut të Lidhjes Shqiptare, kurse, më pas, në oborrin e saj, u ngrit triumfalisht flamuri i ri i shtetit të posa shpallur të Kosovës.
Çdo gjë vajti si është më së miri. Asgjë e jashtëzakonshme në shikim të parë!?
Por, çdo pjesëtarë i rastit i cili në atë moment ka qëlluar vrojtues apo pjesëmarrës e kësaj ceremonie, ka mjaftuar vetëm ta ngrehi kokën lartë dhe atu përballë, nga dritarja e hapur e ndërtesës muze të Lidhjes, ta vërej hartën e madhe murale në të cilën ishin të vizatuar kufijtë e trojeve etnike shqiptare, synim ky që edhe ishte qëllim bazë i mbajtjes së kësaj Lidhje historike politike-ushtarake të popullit tonë: të përcaktimit dhe rruajtjes si të pacenueshme kufijtë etik të trojeve shqiptare.
Fillova të kujtohem në vete: “Dikur, mu para 130 viteve, në oborrin e po kësaj hapësire, nga të gjitha trojeve etnike shqiptare, ishin mbledhur burrat trima të dheut dhe me nam shqiptar, për t’i treguar botës se deri ku janë kufijtë historik të trojeve shqiptare dhe ato gjithmonë do të mbrohen me gjak”.
Çfarë koincidencë paradoksale e rastit?! Kuptohet e paqëllimshme. Sot, në 17 shkurtin e vitit 2008, mu në oborrin e njëjtë, sikur para 130 vite, flamuri kombëtar me hapësirën e kuqe si gjaku dhe shkabën e zezë dykrenore, dorëzohet në muze, dhe në vend të saj, ngrihet një flamur tjetër që ka hapësirë të katërt si uji dhe disa yje që shndrisin në pikë të ditës.
Si e përjetova unë këtë? Simbolikisht, aty gjaku u bë ujë; copëtimi dhe ndarja u bënë legale nga vetë ne; mu duk se u ndryshua harta e cila në atë moment ndau përgjysmë edhe murrin e ndërtesës muze ku qe vizatuar përballë. Merrni me mend! Aty sot nga ne, pasardhësit e atyre burrave me nam të vitit 1987, po kremtohet copëtimi. Një ngjarje në dukje pavarësi, e në thelb shkëputje e motivuar ndryshe, pasojat e së cilës do t’ia ndjejmë tek dikur më vonë.
Jo! JO! Me këtë shembull, aspak nuk e kam qëllim ta stigmatizoj këtë ide të padjallëzuar dhe qëllimmirë të organizatorëve të kësaj performance tejet atraktive, por, kjo koincidencë intuitivisht më bri të ndjej në at moment një frikë dyshimi për të ardhmen e trungut tonë të përbashkët kombëtar. Një frikë, që fatkeqësisht, sot, më 10 Qershor të këtij viti, sikur filloi të realizohet?!!
Menjëherë posa e pash agjendën zyrtare të prezantuar nga strukturat komunale, e që kishte të bënte me itinerarin e shënimit të kësaj feste, menjëherë vërejta se ajo nuk dallonte aspak nga vitet e kaluara. Bile- bile, as nga kohërat e regjimit komunist. Vetëm RISI qe, merrni me mend, dreka solemne me specialitete të peshkut në Vërmicë, një fshat i bukur turistik afër Prizrenit, i njohur me restorante që përgatisin specialitete nga peshku.
Edhe pse ceremonia e kremtimit të këtij jubileu thuhej se mbahej nën patronatin e presidencës dhe presidentit të Kosovës, në solemnitetin e Akademisë qendrore, nuk u vërejt as një këshilltar i rangut më të ultë nga presidenca, e lere më Presidenti, të cilin, shpesh jemi mësuar që ta shohim në takimet kulturore folklorike regjionale alla “Hasi jehon”, apo të tjera përurime jo aq të rangut të lartë si ky jubile i 130 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
Ja edh shkaku i frikës sime paranoide! Prapavija e tendencës së shkombëtarizimit tonë gradual dhe imponimit të një fantom identitetit të ri “kosovar” po vazhdon edhe me mospërfillje sa duhet të këtij jubileu të rëndësishëm kombëtar.
Mbeta i zhgënjyer! Sinqerisht, tejet i zhgënjyer!
Pas shabllon akademie solemne oficiale të mbajtur atë ditë në oborrin e muzeut të Lidhjes shqiptare, për zyrtarët e lartë komunal dhe disa mysafirë të rastësishëm, më me rrëndësi dukej se ishte agjenda kur do shtrohet një drekë e begatshme festive. Nga shumica të të ftuarit si të përzgjedhurit special, vërejta se pak fytyra ishin meritore që me këtë ditë të jenë prezent aty. Për mjaftë ta që i mihja unë, pa kurrfarë ngurrimi mund të them se, kurrë në jetën e tyre nuk i kanë lexuar as katër rreshta të historisë për këtë ngjarje të madhe të ndodhur para 130 viteve. Sido qoftë, ana artistike dhe organizative e akademisë në fjalë mund të thuhet se qe në nivel solid.
E jashtë, përtej hapësirës zyrtare të shënimit të këtij përvjetori, ndodhte diçka. Diçka si rrëmujë që me të madhe i kishte trazuar organet përgjegjëse komunale për siguri. Në qytet kishte arritur Albin Kurti dhe qindra të rinj aktivist të lëvizjes “ Vetëvendosje” Shpejtë Prizreni kaltërosh u shndërrua në qytet kuqalosh të ngjyrës së gjakut. Asaj ngjyre që realisht i ka hije të dominoj për këtë festë.
Qindra fanela të kuqe me parullën “Lidhja është gjallë” dhe me shqiponjën e zezë në gjoks, ishin shpërndarë punëtorëve të kafeneve dhe dyqaneve të qytetit;
Mira balona të kuqe me shqiponjën e zezë dykrenore stolisnin këndet më të vizituara të qendrës së Prizrenit;
CD –et e shpërndara me muzikë shqipe jehonin kudo nëpër lokalet publike;
Mira flamuj të vegjël të shpërndarë kombëtar nga ta shiheshin në çdo skutë dhe ishin stolia më e preferuar në duart e kalimtarëve, e veçanërisht fëmijëve, ardhmërisë së këtij qyteti.
Albini sikur dikur Abdyli para 130 viteve, i shoqëruar nga anëtarët e vetë të devotshëm dhe besnik të idealit, zbriti në Prizrenin legjendar dhe në të gjeti qindra bijë, trashëgimtar të Ymer Prizrenit, që e pritë krahëhapur dhe zemërgjerësi.
Albini atë ditë nuk kishte ardhur në Priren që të merrte pjesë në akademinë solemne të burokratëve komunal dhe as të jetë ikonë e drekës së tyre të pasur festive, por, ai erdhi si gjithnjë modest dhe me një porosi shumë të madhe: LIDHJA ËSHTË GJALLË !
Derisa poshtë lexoheshin fjalime shabllone të akademisë solemne, në të njëjtën kohë, në Kalanë e lashtë ilire, atje lartë përballë kompleksit memorial të Lidhjes Shqiptare, nga duart e atyre që më së shumti i gëzohen kësaj dite, shpalosej krenar, flamuri gjigant i gjakut me shqiponjën e zezë dykrenore në mes.
Flamuri i lartësuar dhe madhështor kuq e zi nga poshtë, shihej larg dhe nga çdo shtëpi dhe lokal të qytetit.
Sa mallëngjyese dhe krenare për mua ishte, kur kudo që qëlloja afër në atë moment, nga qytetarët e mi të Prizrenit legjendar, dëgjoja uratën e shpesht: “JU LUMT DJEMA. NA E ZBARDHËT FYTYRËN”!
Vërtetë ata na e kishin zbardhur fytyrën, por, nga të gjitha ishte me rëndësia porosia e fuqishme domethënëse: LIDHJA ËSHTË GJALLË!