E merkure, 05.02.2025, 07:44 AM (GMT)

Mendime

Alma Lama: Ligj antimafia apo ligj promafia?!

E hene, 17.03.2014, 07:55 PM


Ligj antimafia apo ligj promafia?!

Nga Alma Lama

Nëse ke dëshirë të mos e luftosh një fenomen, zgjeroje sa më shumë fushëveprimin e ligjit për të. Ky rregull i pashkruar duket se ka funksionuar edhe në rastin për ligjin shumë të përfolur antimafia, i cili në Kosovë mban një emër tjetër, gati si eufemizëm “ligji për zgjerimin e kompetencave për konfiskimin e pasurisë së fituar me vepër penale.”

Por nëse ky emër u mendua në fillim si eufemizëm, tre vite pasi është miratuar ligji, duket se është bërë realitet. Ky ligj aktualisht nuk është duke e luftuar mafien, e për më tepër nuk është duke korrur ndonjë sukses as në luftën ndaj korrupsionit. Kjo për shkak se së pari fushëveprimi i tij është zgjeruar aq shumë saqë e bën të pamundur një luftë efikase që do të justifikonte qëllimin e ekzistencës së një ligji, si ky, që presupozon se shkon përtej Kodit Penal të Kosovës dhe Kodit të Procedurës Penale. Përfshirja në këtë e shumë veprave penale, përfshirë edhe vrasjet, do të thotë ta bësh të pamundur një luftë të përqendruar dhe të thellë ndaj bosëve të krimit.

Fatkeqësisht apo qëllimisht legjislacioni i Kosovës që e mbulon këtë fushë është ngatërruar aq shumë, saqë prokurorët dhe gjykatësit, ndihen komodë për ta zbatuar sipas qejfit, në formën më të lehtë ose për të mos e zbatuar fare. A ka qenë ky qëllimi fillestar I Ministrisë së Drejtësisë, si propozuese e këtij ligji? Nuk mund ta them, por rezultati është ky.

Ligji “antimafia” ka qenë një kërkesë eksplicite e Komisionit Evropian për të gjitha vendet e rajonit. Edhe Kosova, e cila zë vend qendror në raportet që flasin për krim të organizuar, për narkotikë dhe për trafiqe, kontrabandë, etj. Lëkura e shumëkujt është trashur nga pasuria që e ka vënë nga këto krime. Në mesin e tyre ka edhe politikanë lëkurëtrashë të cilëve deri tani asnjë gjemb në këmbë nuk u ka hyrë.

Përkundrazi njerëzit që janë pasuruar nga krimi, po shijojnë pasurinë milionëshe të shpërndarë nëpër hotele me emra miqsh e të afërmish, nëpër lokale e shtëpi, nëpër prona jashtë Kosova, vila në bregdet, e nëpër biznese që tani e kanë përzier pasurinë e fituar në të zezë, me para të fituara në mënyrë të rregullt, duke e përjetësuar kështu ekonominë gri në Kosovë.

Ligji për konfiskimin e pasurisë, i cili u kritikua shumë edhe nga shoqëria civile gjatë kohës kur u miratua, nuk ka gjetur zbatim në praktikë. Një nga problemet numër një të tij është se duke e lënë barrën e provës për prokurorët dhe jo për të akuzuarit, e ka pamundësuar punën e tyre. Kjo është si t’i hysh detit me këmbë. Asnjë prokuror që po heton një person që ka kryer vepra penale nuk ka kapacitetet e nevojshme për të zbuluar prejardhjen e pasurisë së dikujt. Kjo kërkon shume persona në dispozicion, shumë ekspertize dhe shumë kohë. Në vend të kësaj, barra e provës duhej të ishte tek i pandehuri. Ai i cili dyshohet për krim duhet të sjellë dëshmi se si e ka fituar atë pasuri. Nëse të ardhurat e tij të deklaruara janë në mospërputhje me pasurinë dhe ai nuk ka mundësi të justifikojë këtë pasuri, atëherë pasuria e tij duhet të konfiskohet nga shteti menjëherë, pa pritur përfundimin e procesit penal.

Aktualisht ligji e pamundëson këtë gjë, por duhet të presë derisa të marrë vendim përfundimtar gjykata. Nga ana tjetër vetë Kodi i Procedurës penale krijon mundësi të reja sekuestrimin. Gjatë punës në terren të grupit punues të krijuar nga komisioni parlamentar për Integrime evropiane kemi parë se janë fare të pakta rastet kur pasuritë e patundshme të blera mbi të ardhurat kriminale janë konfiskuar. Jo vetëm që s’bëhet fjalë për pasuri milionëshe, por vlera e pasurive të konfiskuara është qesharake, disa vetura tre-katër hotele që janë sekuestruar kur janë kapur duke ushtruar aktivitete të paligjshme.

Vetë ligji ka mangësi dhe gjuha e tij krijon paqartësi. Mua personalisht nuk më ka tingëlluar shqip ky ligj duke filluar nga emri. Pasurisë së fituar “me vepër penale” apo pasurisë së përfituar në mënyrë të paligjshme, apo pasurisë së përfituar nëpërmjet kryerjes së veprës penale?  Varianti i parë nuk tingëllon shqip. Por kjo është çështja më e vogël krahasuar me gabimet konceptuale.

Prokurorët ende nuk e kanë të qartë se çfarë është sekuestrimi, dhe çfarë konfiskimi, kur bëhet njëri e kur tjetri. Që janë të paqartë e dëshmon edhe një udhëzim që ka nxjerrë prokurori i shtetit, me qëllim për të qartësuar situatën, por që e ka bërë lëmsh atë. Ai flet për pasuri të sekuestruar në mënyrë të përhershme e për pasuri të konfiskuar në mënyrë të përkohshme. Kjo prokurori madje ka shkruar deri aty se ka nxjerrë udhëzim në mospërputhje me ligjin.

Kjo është pengesë në punë e secilit prokuror, i cili nuk di si të veprojë në praktikë, t’ia marrë apo jo pronën e përfituar me anë të veprave penale një personi. Po kështu ligj herë duket se ja mundëson prokurorit ta konfiskojë pasurinë e dikujt që është nën hetime, pa marrë formë të prerë vendimi, e diku tjetër ia mundëson. Ligjit i mungon zhvillimi i një procesi civil brenda atij penal. Ta zëmë nëse dikush arrestohet për shkak se është pjesë e një organizate kriminale, pasi ka kryer një vrasje, ndërsa procesi penal për këtë vepër vazhdon, një tjetër proces civil duhet të vazhdojë në lidhje me pasurinë përfituar nga krimi. Vendet që kanë miratuar ligj anti-mafia e mundësojnë hetimin e pasurisë së këtij personi që po hetohet, ndaras nga procesi penal. Dhe pavarësisht se si përfundon procesi penal, nëse dyshohet se pasuria është e pajustifikueshme dhe vjen nga paratë e krimit, ajo konfiskohet.

Ligjit nuk ka mundësuar as kompensimin e viktimave të krimit nga e cila është përfituar pasuria e paligjshme. Vende të tjera pasurinë e sekuestruar nga krimi, e menaxhojnë ndryshe. Një pjesë iu kthehet viktimave të krimit, një pjesë përdoret për aktivitete humanitare ose për qëllime të komunitetit. Aktualisht në bazë të ligjit për menaxhimin e pasurisë së konfiskuar, paratë kalojnë në llogarinë bankare të shtetit.

Në fakt sa më shumë thellohesh në këtë çështje, aq më shumë të krijohet bindja se kemi miratuar një ligj që nuk i tremb aspak bosët e krimit, një ligj pro-mafia.

Lufta ndaj krimit të organizuar i cili i ka shtrirë rrënjët thellë, është kusht themelor për tu bërë pjesë e Bashkimit Evropian. Sundimi i ligjit është një nga parimet bazë, pa të cilin asnjë shtet nuk mund të bëhet pjesë e klubit të përbashkët. Por për Kosovën e cila është mjaft larg klubit, lufta ndaj krimit është jetësore për ta vënë në funksion shtetin, i cili për momentin është mjaft i brishtë, e që ka ende probleme territoriale me fqinjët. Po kështu shoqëritë e pasluftës në bazë të të gjitha studimeve janë mjedise të përshtatshme për infiltrimin e parave të terrorizmit, për pastrimin e këtyre parave etj. Ja pse qeveria dhe parlamenti duhet ta marrin seriozisht këtë punë, të miratojnë ligje funksionale, e jo të bëjnë fushatë, si me ligjin për konfiskimin e pasurisë, i cili nuk ka prodhuar asnjë rezultat të dukshëm në terren.

(Autorja është kryesuese e Grupit Punues të themeluar nga Komisioni për Integrime Evropiane i Kuvendit të Kosovës, për monitorimin e Ligjit për kompetencat e zgjeruara për Konfiskimin e pasurisë së fituar me vepër penale. Qëndrimet janë personale)



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora