E merkure, 05.02.2025, 10:59 AM (GMT)

Mendime

Mero Baze: Rreziku real i laicitetit në Shqipëri

E merkure, 12.03.2014, 07:13 PM


Mbi rrezikun real të laicitetit në Shqipëri

Nga Mero Baze

Ka reagime të përziera dhe keqkuptime rreth idesë së kontrollit të financimit të komuniteteve fetare përmes një kontributi që mund të japë vet shteti shqiptar. Reagimet janë të grupuara në dy çështje kryesor. Çështja e  parë është frika se financimi prek laicitetin dhe e dyta se rëndon buxhetin e shtetit.

Në të vërtetë, debati që dua të hap në këtë çështje nuk ka të bëjë as me laicitetin dhe cënimin e tij, dhe as me peshën që ka ky financim në buxhetin e shtetit, por me frenimin e financimit të veprimtarive fetare nga qarqe antishqiptare që mund të cënojnë sigurinë tonë kombëtare.

Laiciteti në Shqipëri nuk cenohet nga të qenurit shteti kontributor financiar në mbajtjen në këmbë të objekteve të kulteve të feve tona kryesore. Përkundrazi, laiciteti është i rrezikuar nga indiferenca e shtetit ndaj mënyrës se si këto objekte kulti financohen dhe mbajnë në këmbë veprimtarinë e tyre.

Faktet e publikuara nga media gjatë ditës së djeshme, që dëshmojnë me qindra xhami të palegalizuara dhe jashtë kontrollit të Komunitetit Myslyman, dhe frymëzimi i tyre për një shtet të drejtuar nga Sherihati, janë jo vetëm cenim i laicitetit, por degradim i sigurisë kombëtare në Shqipëri.

Një prej të intervistuarve nga Top Channel në Xhaminë që rekrutonte ushtarë për në Siri, ca nga sinqeriteti dhe ca nga bindja e tij, e tha qartë se të arrestuarit nuk kanë bërë asnjë faj, se ata po u thonë njerëzve të bëjnë atë që thotë Sherihati dhe i dërguari i Allahut. E kontekstualizuar me frymëzimet që këto qendra rekrutimi bëjnë për luftë fetare dhe krijimin e një shteti të drejtuar nga ligjet e Sherihatit, jemi para një fakti të rëndë, që dëshmon se Shqipëria ëshët praktikisht një  oaz i lulëzimit jo të fesë myslymane, por të një prirje politike për të radikalizuar Islamin në Shqipëri jo në funksion të laicitetit, por në funksion të një shteti myslyman, ku nuk ka rëndëis identiteti ynë kombëtar. Në këtë pikë edhe Komuniteti Myslyman shqiptar nuk mund të lajë duart, duke thënë se ato xhami nuk janë nën autoritetin tonë. Ky Komunitet dhe drejtuesit e tij, ose kanë qenë nën presionin e këtyre grupeve dhe të frikësuara prej tyre, ose kanë parë se pushteti u ka shkelur syrin këtyre prirjeve, meqë dhe dhe Familja falej pesë herë në ditë, para se të vidhte ndonjë gjë nga lekët tona.

Pra, laiciteti nuk preket nga fakti që shteti shqiptar mund të ndajë ca para për funksionimin normal të komuniteteve fetare, por nga indiferenca dhe më pas hapja rrugë e depërtimit në Shqipëri të finacimeve të dyshimta që vijnë nga qarqe dhe grupe interesi që nuk kanë lidhje me Shqipërinë dhe fatin e saj.

Debati i dytë paksa më banal është pesha e këtyre financimeve në buxhetin e shtetit. Unë nuk jam financier apo hartues buxheti të jap rekomandime për këtë, por unë e shikoj çështjen e kontributit të buxhetiti në financim si parim, dhe jo si bordero nga e cila mund të fitojë gjithkush. Qeveria e ka në dorë të vendosë standarte për finacimin, të përfshijë grupet fetare me ndikim dhe objekte kulti që kanë peshë të provueshme në opinion publik. Kjo është një çështje teknike.

Çështja politike është se shteti nuk mund të rrijë të bëj sehir si financohen lëvizje radikale fetare në Shqipëri, dhe ta justifkojë këtë me ruajtjen e laicitetit. Ajo që po ndodh me frymën radikale të islamit në Shqipëri nuk është çështje feje, por është lëvizje politike. Islami radikal nuk është frymëzim hyjnor, por frymëzim politik, që motivon njerëzit për të ndërtuar një shtet fetar. Ky është cenim flagrant i kushtetutës sonë dhe bazës së egzistencës sonë kombëtare. Ky është mbi të gjitha një rrezik që prek identitetin tonë evropian, dhe rrugëtimin tonë drejt një kombi të lirë, të hapur, tolerant ndaj feve të të tjerëve, dhe pakicave etnike.

Shërbimi ynë informativ dhe institucionet e sigurisë kombëtare, para se të harxhojnë lekët tona për të dëgjuar me kë flet Saimir Tahiri apo ku ha drekë Arben Ahmetaj, është mirë të na kishin informuar për këtë anarshi të rreguluar me kujdes, për të mos u kuptuar si e tillë në Komunitetin Myslyman të Shqipërisë, i cili nuk paska nën kontroll ata që po na nxijnë faqen në botë. Biles këtu kam një frikë më të madhe se kaq, frikën që në SHISH kanë filluar po ashtu të falen pesë herë në ditë.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora