Kulturë
Poezi nga Tahir Bezhani
E hene, 03.03.2014, 06:02 PM
Tahir Bezhani
GURI I NDRYDHUR
Buzë rruge i skajuar
Ndrydhë nga çizme
Në kohë të kaluar
Mbështjellë në lëmashk
Me erë vuajtje,
Dërmuar,
Buzë lumi i etur
Në arën time i uritur
Me dhëmbë të rënë
Nga qeshje e mbytur
Shpirt ndrydhur pritjeve të gjata
Gozhdim fatesh
Në pazaret e huaja
Jetë të ikura nëpër shekuj
Një gur i zhurmuar
Në largim i lotuar..,
MEDITIME
Një lule që nuk jep erë,
Nuk ka arsye të hapet në pranverë
Atij që i mungon guximi,
E han fjala e vet nga brenda
Fjalët që zihen në kupën e heshtjes,
Janë vullkane që shpërthejnë me pasoja
Gjakovë, 06.02.2014
STINË E FTOFTË
Nuk di kur vjen vera
Të shkrijë ngricën time
Ngatërruar në zemrën e dimrit
Skutave të myktë,
Perdeve të mbyllura
Vetja në harresë,
Hutuar i tëri
Në këngë
Në vajë
E nuk di as kohen të shikoj,
As ditët t’i numëroj
Me përcëllon acari
Nën jorganin e arnuar
Sa e gjatë është nata
Sa herë kërcen gjeli tra në tra
Me zgjon rraptima
Ecjet trokasin damarëve
Plot ëndrra trishtimi
Sa ftoftë në shtratin tim
Akull,
E nuk di kurë do vijë vera
Të më ngrohë eshtrat e skuqur
Dikush më thërret në ëndërr
Vrapoj si fëmijë i gëzuar
I shkrirë në lot
Pas mashtrimit....
Gjakovë, 30.01.2014
VEGIM MALLI
Malli të vjen pas si hije
Kujtimet xixëllojnë
Shprushet zjarr i heshtur
Flakë ndizen lotët
Urëzave të oxhakut
Gurët lirojnë aromën
E bukës së rreshkur
Shputat e këmbëve miklohen
Gurëve të thepisur
Fërkohet fëmijëri e djegur
Dhimbjeve të dyzuara
Gjakimeve të përmalla
Ah vendlindja ime e dashur
Therrat tua janë trëndafilat e shpirtit
Nuk di pse nuk çaj
Pse nuk lotoj
Pa gjumë më lenë
Vegimet e mallit
Vendlindja ime
Gjakovë, 06.02.2014