Kulturë
Kastriot Myftaraj: 10 librat më të mirë?
E marte, 18.02.2014, 06:16 PM
10 librat më të mirë?
Nga Kastriot Myftaraj
Një mikesha ime më dërgon këtë listë me dhjetë librat më të mire, të dalë nga opinionet e 125 shkrimtarëve të mëdhenj (The 10 Greatest Books Ever According to 125 Top Authors), dhe kërkon nga unë një vlerësim. I thashë si me shaka se nëse do të lodhem për të shkruar diçka, atëherë së paku të kem të drejtë ta postoj. U dakorduam dhe ja dhjetë librat e vlerësimet e mia për ta:
1)Anna Karenina, by Leo Tolstoy
2) Madame Bovary, by Gustave Flaubert
Emma Bovary qartësisht është Anna Karenina në version francez, ose më saktë Anna Karenina është Emma Bovary në version rus. Këtë e them për faktin se libri i Flaubert u bë i famshëm shtatë vite para se Tolstoy të niste të shkruante “Anna Karenina”. Nëse Tolstoy nuk do të kishte qenë shkrimtari i madh që njihet, me siguri që do ta kishin akuzuar se Anna Karenina e tij është një plagjiat i librit Flaubert. Të dy karakteret, ai i Emma Bovary dhe ai i Anna Karenina ndryshojnë vetëm në mënyrën e përzgjedhur për të vrarë veten. Anna, si ruse i bie shkurt dhe hidhet në rrotat e trenit. Emma, si franceze, përdor helmin, pas një meditimi të gjatë, ashtu siç e kërkonte publiku sentimental francez. Dy librat e parë të listës kanë si personazhe kryesore femra që vrasin veten! Madje vdesin edhe të dy burrat me të cilët ato janë martuar. Burri i Annës para saj, dhe burri i Emma-s pas vdekjes së kësaj të fundit, nga dëshpërimi, një vdekje tipike për mashkullin latin të kohës.
3)War and Peace, by Leo Tolstoy
Përsëri Leo Tolstoy. Nëse nuk e keni lexuar këtë libër, bëni mirë të mos e lexoni fare, nëqoftëse nuk u duhet ta bëni këtë gjë për ndonjë arsye tjetër veç asaj që ka lexuesi që e bën këtë gjë për kënaqësi. Unë e kam lexuar dy herë, një herë një adoleshencë dhe një herë tjetër shumë vite më vonë. Gjithsesi, në fund do të zhgënjeheni nga ky libër. Në katër vëllimet e këtij libri autori lodhet shumë për të vërtetuar se Napoleon Bonaparti nuk ishte një gjeni, por një njeri i vogël, arritjet e të cilit qenë vetëm rezultat i kombinimeve rastësore. Libri në fakt është lufta personale e Tolstoyt kundër Napoleonit. Ironia është se Tolstoy, ndërsa e trajton kështu Napoleonin, na e nxjerr një njeri të madh Carin mediokër rus, Aleksandrin I. Në pjesën tjetër të librit autori shkruan kryesisht një lloj hagiografie (jetëshkrim lavdërues për shenjtorë)për Bezuhovin, trashëgimtari ilegal i një aristokrati të pasur rus, të cilin pasi e kalon në disa sprova shpirtërore dhe fizike, si frankmasoneria, robëria franceze, e bën një lloj kandidati për shenjtor të Kishës Ortodokse Ruse. Libri ka disa qindra faqe në dy vëllimet e fundit, që përbëjnë një traktat të lodhshëm të filozofisë së historisë, për të cilin, e tepërt të thuhet, nuk ia vlen koha e harxhuar për ta lexuar.
Një nga kureshtitë e librit është se Tolstoy ka zhvilluar atje edhe fabulën e romanit “Anna Karenina”, para se ta shkruante këtë. Princesha Lise Bolkonska, gruaja e Princit Andrei Bolkonsky është “Anna Karenina” që kërkon të shpëtojë martesën e saj. Por ajo në mënyrë domethënëse vdes, dhe pas saj vdes edhe burri i saj, nga plagët e marra në luftë.
4)”Lolita”, by Vladimir Nabokov
Tre autorë rusë në katër librat e parë? Nejse. “Lolita” është Anna Karenina apo Emma Bovary e shekullit XX. Nëse Lolita do të kishte jetuar në shekullin XIX do të kishte qenë Anna Karenina. Lolita është simotra në tragjedi e Anna Karenina dhe Madame Bovary. Ashtu si ato edhe Lolita vdes, madje që në moshën 17 vjeç. Në katër librat e parë të listës tre personazhet kryesore femra vdesin?!
5) “The Adventures of Huckleberry Fin”, by Mark Twain
6)Hamlet, by William Shakespeare
“Hamleti” është natyrisht një libër që meriton të jetë ndër dhjetë librat më të mirë, pork am përshtypjen se në këtë listë gjendet që Ofelia vetëvrasëse t’ u bëjë shoqëri simotrave të saj Anna Karenina dhe Emma Bovary.
7)The Great Gatsby, by F. Scot Fitzgerald
Në këtë libër është historia e Anna Karenina në version amerikan, e cila quhet Daisy Buchanan. Anna Karenina amerikane e viteve njëzet, kohës së xhazit vret me veturën e dashnorit të saj dashnoren e burrit të saj. Në libër nuk kuptohet se përse Gatsby, dashnori i Daisy-t është i madh, ndoshta se mori përsipër fajin e së dashurës. Gjithsesi “Anna Karenina” amerikane doli bukur nga ngatërresa që krijoi. Gatsby, i dashuri i saj u vra nga burri i së dashurës së burrit të saj, i cili mendoi gabimisht se Gatsby ishte i dashuri i gruas së tij. Meqënëse autori e kuptoi se në libra të tilla duhet edhe një vetëvrasje, ai bëri që të vrasë veten vrasësi i Gatsby-t. Për amerikanët kjo ishte drejtësi. Katër bashkëshortë të vdekur në shtatë libra, jo pak. Ndonëse në Amerikën e kohës së Daisy-t kishte shumë më tepër trena se në Rusinë e kohës së Anës, Daisy-t as që i shkoi mendja të hidhej para ndonjërit prej tyre.
8)In search of lost time, by Marcel Proust
Ky është nga ata lloj librash për të cilët të gjithë ata që nuk i kanë lexuar e quajnë si një humbje të madhe këtë gjë, por të gjithë ata që i kanë lexuar i pohojnë vetes se ishte kohë e humbur kjo gjë. Shtatë vëllime, mbi 4200 faqe, të mbushura me një narrativë mbi të cilën meriton të zbatohet ligji marcial i dhjetimit, domethënë lexo një faqe, kapërce nëntë pastaj lexo të dhjetën. Shumë e bëjnë këtë, shumë pak e pohojnë. Sa për përmbajtjen në këtë libër do të gjeni nga të gjitha, por pjesa më e madhe e ngjarjeve zhvillohen në imagjinatën e personazheve, madje edhe në ëndrra, në gjumë.
9)The stories, of Anton Cekhov
Ky është një libër që mund të lexohet i gjithi pa mundim. Megjithatë është si një akullore me kripë që mund të tretet lehtë, por e ka shijen të vështirë. Ngjarjet e tregimeve të Cekhovit janë brenga të rrëfyera bukur.
10)Middlemarch, by George Eliot
Ky libër
është “Madame Bovary” dhe “Anna Karenina” në versionin e Anglisë së pragut të
epokës viktoriane. Vetë autori është një femër që shkruan me pseudonim. Libri
përmban shtatë novela por nuk do të keni humbur shumë nëse lexoni vetëm të
parën. Personazhi i Dorothea Brooke është Madame Bovary, Anna Karenina, Daisy
në versionin anglez të gjysmës së parë të shekullit XIX. Dorothea, e cila ka
ambicje të mëdha, është akomoduar me idenë se ajo është një karakter i
jashtëzakonshëm që ka aftësinë të frymëzojë një burrë gjeni për arritje të
mëdha. Por burri i saj
Përfundimisht mund të thuhet se kjo listë librash ka dalë nga një votim i femrave të frustruara rëndshëm, të zhgënjyera nga vetvetja. I sugjerova mikeshës sime që të mos humbte kohën me to, dhe nëse donte të lexonte patjetër ndonjë prej tyre, mund të lexonte e shumta tregimet e Cekhovit. Madje i thashë se nëse nuk do të isha i sigurt se ajo nuk ka lexuar asnjë prej tyre, atëherë do të dyshoja seriozisht se ajo po mendonte për të vrarë veten.
Nëse dikush dëshiron të dijë se cilët janë për mua dhjetë librat më të mirë, duhet të më pyesë një herë tjetër.