| E marte, 04.02.2014, 07:16 PM |
Cikël poezish
Sejdi BERISHA:
SHIH DEFTERIN ATDHE
(Rrugëtim apo elegji e vargut tim)
1.
Sa herë atdhe
Rinia të tha lamtumirë
Larg teje ngelën
Me shkrumbin e lirisë
Me etjen për bukurinë
E me vuajtjet tuaja barrë
2.
Sa herë atdhe
Lamtumirë të thanë
Sytë e djemve që i rrite
Sa herë me emër të azilit
U ngujuan nëpër depo
Me emrin e rrejshëm
Qendër azili
Ku edhe aty i rrëfenin
Ëndrrat e tyre rinore
3.
Sa herë atdhe
Për Ty gjaku u përcëllua
Pas grilave e bodrumeve
Një copë bukë për ta fituar
4.
Sa herë atdhe
Nga malli për Ty
Mërgimtarët u bën poetë
Edhe këngëtarë elegjish
Për t’i kënduar këngët
Me plagë loti
Për ta ledhatuar
Ballin e lodhur Ty atdhe
5.
Pse gjithnjë kështu
O, atdheu im
Nëpër mote e shekuj
Edhe nëpër histori
6.
Sa herë atdhe
Të rinjtë e tu
Me zemër të thyer
Nënave
Lamtumirë u thanë
Duke të bartur Ty
Në shpirt e në mendje
7.
Pse po tretën të rinjtë
Prapë refren i mallkuar
Sërish prapa grilave
Të shkapërderdhjes së qenies
8.
Azil...
Si të shlyhet kjo dhembje
Se gjiri i nënës
Se aroma e tokës
Edhe freskia e ujit
E gjuha e ajrit
Në Ty atdhe
Sertshëm rrisin shtatin
Rrugët janë plotë kujtime
Kujtime kujtimesh
9.
Sa herë atdhe
Edhe unë kam vendosur
Të të them lamtumirë
Por dot nuk hapej asnjë rrugë
Se Ti atdhe
Pa ne je si nëna që nuk lind
Si ara pa bimë
Si ora pa tik-takun e vetë
10.
Sa herë atdhe
Fëmijët t’u janë daktisur
Shih defterin
Nëpër botë shpërndarë
Kudo që zënë rrënjë
Të gjithë për Ty i kanë këto fjalë:
Ti atdhe, shkrumbi im
Dashuria ime që nuk falet
Andaj atdhe
Këtu më ke
11.
Këtu...
Edhe nëse më sheh
Me buzë shkrumb
Edhe me sy të ënjtur
Edhe me shikim të tharbur
12.
Eh, moj toka ime
Legjendë e trembur
Nga pëllumbat në fluturim
Histori që je
Kurrë e pa ndritur deri në fund
13.
Ty toka ime
Të dua më shumë
Se në Ty
Brenda e jashtë
Është madhështia e jetës sime
Që askush tjetër nuk mund ta ketë
14.
Qeshu e krenohu atdheu im
Se tek e fundit
Loti dhe urata ime
Ka për të rritur
Ka për të forcuar
Ashtu siç dua unë
Krejt ashtu siç ke qenë dikur...
NËN URËN E QYTETIT
E tash...
Çfarë tash
As sot nuk ka kafshatë buke
Nën urën e qytetit bëhet gjumi më i ëmbël
Sepse gurgullima e ujit të merr me vete
Por edhe duhma e plehrave të lë zgjuar
Rrotullohesh në krahun tjetër
Ndeshesh me faqen akull të fëmijës
Që ngritë zjarrmi çmendurie
Por në mëngjes qetësohem
Kur dielli na drejton shikimin
Matanë kah godinat
Ku gjumi është gjumë
Ëndrra ëndërr
E shikimi shkrihet në buzëqeshje...
Pastaj
Një grimë gëzim bën dritë
Unë me fëmijët
Fiks në orën dymbëdhjetë
Në kuzhinën e popullit
E përlajmë nga një pjatë supë
Pastaj tërë ditën hareshëm rri stomaku
Deri
atëherë kur
Kur duhet menduar për gjumin
Nën urën e qytetit
Si në hotelet me shumë yje...
E tash...
Çfarë tjetër
Njëri cull më ka thënë se do bëhet
Jo kryetar por engjëll
Për ta pëlcitur botën me lumturi
E tash rri gëzuar
Me gjithë përcëllimin që kam...
...
Athua a është kjo e vërtetë
Por
Nuk është kështu çfarë thotë vargu im
Nuk e besoj...
E tash
Çfarë tjetër...
Përveç se simfoni mëngjesi...
NGANJËHERË...
Nganjëherë...
Kur diku lartë në qiellin blu
Më mbërthen kujtimi
Njeriun e kërkoj
Shumëçka për t’i shpjeguar
Së pari do t’i rrëfej
Për plasjen e tokës sime
Për dritën në bjezgë pishe
Për krahët e përgjakur të shqiponjës