Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Masakër dhe krim kundër njerëzimit
E enjte, 16.01.2014, 07:53 PM
“MASAKËR DHE KRIM KUNDËR NJERËZIMIT"
Nga Frank Shkreli
Kështu e ka cilësuar ish-Ambasadori amerikan Uilliam Uoker ngjarjen tragjike të 15 Janarit, 1999 në Reçak të komunës së Shtimës në Kosovë, ku 15 vjetë më pare kur forcat serbe të kasapit të Ballkanit, Millosheviq masakruan në mënyrën më brutale 45 shqiptarë të pafajshëm të këtij fshati, përfshirë edhe 8 pjesëtarë të UÇK-ës. Të mërkurën, Kosova shënoi 15-vjetorin e kësaj ngjarjeje tragjike, e cila konsiderohet si pikëkëthesa kryesore e ngjarjeve të më mëvonshme në Kosovë, përfshirë edhe sulmet ushtarake të NATO-s, kundër objektivave ushtarake dhe industriale serbe, përfshirë edhe kryeqytetin e Beogradit - ndërhyrhje kjo që më në fund detyroi largimin e forcave ushtarake dhe policore serbe nga Kosova, duke i dhënë kështu fund luftës në Kosovë.
Ishte ambasadori amerikan Uilliam Uoker, në atë kohë Shef i Misjonit Verifikues i Organizatës për Bashkpunim dhe Siguri në Europë, ai i cili zgjoi nga gjumi letargjik ndërgjegjen e botës mbi barbarizmat që makineria ushtarako-policore dhe paramilitare e Serbisë po bënte në Kosovë, ashtu si të donte dhe kur të donte. Ambasadori Uoker ka thënë se ato që ai ka parë me sytë e tij në Reçak, janë ato që ai i konsideron si prova dërmuese të së vërtetës, që ai i deklaroi botës në atë kohë, e që është se forcat ushtarake, policore dhe paramilitare të Serbisë kanë kryer masakra dhe krime të rënda kundër njerëzimit, ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës. Pasi kishte parë kufomat e shqiptarëve të vrarë në Reçak, ai e dënoi masakrën si një "barbarizëm të pabesueshëm'' dhe i quajti vrasjet në fshatin Reçak si, "një krim kundër njerëzimit'', duke i thënë në atë kohë gazetës amerikane Nju Jork Tajms, se ''nuk dëshironte të hesitonte asnjë minutë që të akuzonte, drejtë për drejtë, forcat qeveritare serbe si përgjegjëse të kësaj masakre." Deklarata e Ambasadorit Uolker bëri jehonë anë e mbanë botës, por shkaktoi reagime të ashpëra sidomos në Shtetet e Bashkuara dhe në Europë. Ish-presidenti amerikan Bill Klinton reagoi atëherë ndaj deklaratës së ambasdorit Uolker duke thënë se masakra e Reçakut, "Ishte një akt vrasës i qëllimshëm dhe pa dallim, që synonte të frikësonte popullin e Kosovës."
Ndërsa Ministri i jashtëm i Gjermanisë gjatë krizës në Kosovë, Joschka Fischer duke folur në emër të Bashkimit Europian ka thënë pas zbulimit të masakrës në Reçak nga ambasadori Uoker se, "Ata që janë përgjegjës për këtë akt, duhet ta dinë se komuniteti ndërkombëtar nuk do të pranojë kurrë masakrimin brutal dhe vrasjen e popullësisë civile."
Masakra e shqiptarëve civilë nga forcat serbe në Reçak ishte vetëm një nga sulmet e forcave serbe kundër popullësisë shqiptare të Kosovës gjatë atyre viteve, për të cilat bota nuk ishte e informuar. Por, më në fund qe deklarata e Ambasadorit Uilliam Uoker, si dëshmitar i masakrës në Reçak, ajo që më në fund bëri jehonë në median botërore dhe si rrjedhim shkaktoi një ndryshim të dukshëm të politikës së vendeve përendimore karshi gjëndjes në Kosovë dhe njëkohësisht shërbeu si një katalist për ndërhyrjen eventuale të NATO-s, për të dëbuar forcat serbe nga Kosova. Gazeta e kryeqytetit amerikan, Uashington Post, sugjeronte në prill të vitit 1999 se pas një shqyrtimi të vendim-marrjeve në Shtëpinë e Bardhë dhe në kryeqendrën e NATO-s në Bruksel, masakra e Reçakut transformoi politikën e Perëndimit ndaj Ballkanit si asnjë ngjarje tjetër më parë. Masakra e Reçakut, sipas gazetës Uashington Post, bindi qeverinë amerikane dhe aleatët e saj në NATO se politika e tyre e ndjekur deri atëherë duhej të ndryshohej fund e maje.
Politika amerikane ndaj Kosovës deri atëherë bazohej në atë që njihet si "Paralajmërimi i Krishtlindjeve'', një telegram prej një fjalie që administrata e Presidentit Bush të parë i kishte dërguar Millosheviqit më 24 Dhjetor, 1992 - vija e kuqe - e që ishte një telegram shumë i shkurtë dhe pa stërhollime, por tekstualisht përmbajtja e tij u citua nga Uashington Post të ketë qenë fjalia që vijon: "Në rast të një konflikti në Kosovë, që shkaktohet nga ndërhyrja e Serbisë, Shtetet e Bashkuara do të jenë të gatëshme të përdorin forcën ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe brenda Serbisë." Ky kërcënim u përsërit disa herë edhe nga ish-Sekretari i Deaprtmentit të Shtetit Uorren Kristofer, në mandatin e parë të Presidentit Klinton, por deri në masakrën e Reçakut mbeti vetëm një kërcnim në letër.
Por ishte masakra e Reçakut dhe dëshmia e një ambasadori amerikan mbi këtë tragjedi, mbi tragjedinë që kishte pa në atë fshat ambasadori Uoker, që zgjoi ndërgjegjen e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj në NATO, por edhe të botës mbarë, e cila bëri që paralajmërimi kërcnues i administratës së Xhorxh Bushit të parë me rastin e Krishtlindjeve të vitit 1992, më fund të zbatohej. Si përfundim, më 13 tetor, 1999, për herë të parë në historinë e saj, organizata e Atlantikut Verior, NATO autorizon komisionin ushtarak të saj që të fillonte planifikimimin për ndërhyrje ushtarake në Kosovë.
Shpesh mendoj me vete, po të kishte qenë në atë kohë në Kosovë ndonjë përfaqsues tjetër nga ndonjë vend europian e jo Uilliam Uoker si Shef i Misjonit Verifikues i Organizatës për Bashkpunim dhe Siguri në Europë, çfarë do të kishte ndodhur me rrjedhat historike të Kosovës? A do kishte pasur një përfaqsues tjetër, fuqinë dhe ndërgjegjen morale që të shkonte e të vërtetonte vet se çka kishte ndodhur në Reçak. Ose çfarë do të kishte ndodhur nëqoftse Ambasadori Uoker mos të kishte shkuar për të parë vetë me sytë e tij tragjedinë në Reçak. Unë besosj se do të kishte pasur masakra si të Reçakut anë e mbanë Kosovës dhe askush nuk do të dinte gjë për to. Ambasadori Uoker kollaj mund të kishte shkruar raportin nga një zyrë e ngrohtë në Prishtinë e ta dërgonte në Vjenë, duke informuar OSBE-në se ‘sipas raporteve thuhet se ka ndodhur një tragjedi në Reçak, por rrethanat dhe hollësitë nuk dihen’. Dhe me aq ai e kishte kryer detyrën e vet. Por jo! Ai si diplomat i regjur e me pëvojë, e ka ditur se një raport i tillë nuk do të kishte pasur kurrë efektin që do të kishte dëshmia e tij e gjallë, duke vajtur vet në vendin e ngjarjes tragjike në Reçak duke e bërë më të besueshme deklaratën mbi masakrën që kishte pare në atë fshat.
Andaj në këtë 15-vjetor të këtij krimi të shëmtuar nga forcat kriminele serbe, të kujtojmë, natyrisht me respekt dëshmorët dhe martirët e rënë të Reçakut dhe familjet e tyre, por njëkohsisht të mos harrojmë as diplomatin amerikan, ambasadorin Uilliam Uoker, i cili me guximin dhe kurajon e tij zgjoi ndërgjegjen morale të botës, e cila falë dëshmisë së tij, u njoh për së afërmi me mizoritë që po bënte Serbia me dekada në Kosovë kundër shqiptarëve dhe më në fund bëri që NATO të vendoste që të bënte diçka për t'i ndaluar masakrat serbe kundër shqiptarëve, duke ndërmarrë një sulm ajror kundër Serbisë dhe forcave të saja në Kosovë. Të rënve Zoti u faltë paqën dhe mikut tonë, ambasadorit Uilliam Uoker Zoti i faltë jetë dhe shëndet!
Masakra e Reçakut
Presidentja Jahjaga bëri të Mërkurën homazhe në Kompleksin Memorial në Reçak