E merkure, 13.11.2024, 06:20 AM (GMT)

Mendime

Arbana Xharra: Jo patriotizëm odash!

E hene, 13.01.2014, 07:03 PM


Treg të përbashkët – jo patriotizëm odash!

Nga Arbana Xharra

Mbledhja e përbashkët e qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës përfundoi në Prizren me synimin për “rrugëtim të përbashkët”, derisa dy protagonistët kryesorë, kryeministrat Edi Rama dhe Hashim Thaçi, nënshkruan një krah  marrëveshjesh në emër të zhvillimit ndërshtetëror. Duke e ditur efektin euforik që përçon vendi i ngjarjes në raste të tilla, me shumë mjeshtri u përzgjodh Shtëpia e Lidhjes së Prizrenit.

Thaçi ishte pjesëmarrës që lozte me laps dhe kruante hundët para kamerave televizive të televizioneve të Prishtinës dhe të Tiranës. Ai kishte mbledhur pas vetes ministra me biografi të ndryshme politike, të cilët sikur të kishim sistem të mirë të drejtësisë transmetimin e mbledhjes në Prizren do ta shikonin nga burgu i Dubravës.

Ndërkohë që bënte përpjekje për t’i bërë të harruara dështimet e njëpasnjëshme në marrëdhëniet dypalëshe Berisha - Thaçi. Ja disa shembuj: Patatet nga Kosova që kalbeshin në kufirin me Shqipërinë, të bllokuara nga shteti “mëmë”, i cili brenda natës vendosi taksë doganore që dëmtoi prodhuesit kosovarë. Ishin të nevojshme takime ndërministrore e lutje pas lutjesh që të lehtësohej qarkullimi i prodhimeve bujqësore nga Kosova për në Shqipëri; Çimentoja e Shqipërisë, e cila mbeti disa muaj më vonë andej kufirit, sepse Qeveria e Kosovës kishte vendosur që importuesit të paguajnë tarifën prej 35 për qind.

Ky vendim preku më së shumti prodhuesin nga Fushë-Kruja, i cili ka dominuar në tregun e Kosovës derisa favorizohej prodhimi i kompanisë greke “Titan”; Bllokimi i ndërtimit të interkonjeksionit, i cili i dërgoi miliona e miliona euro e dollarë Serbisë; Asnjë biznes i suksesshëm kosovar në Shqipëri, derisa firma kryesisht me organizim oligarkik të Tiranës janë të pranishme në Kosovë në sektorin bankar, medial, të sigurimeve, kompani ajrore etj.; Porti i Shëngjinit sot e asaj dite mbeti vetëm propagandë politike që u shënua nga mediet.

Kosovës nuk i duhen kompani piramida që e shohin vetëm interesin e tyre në këtë treg, por i duhet partneritet i përbashkët me kompani serioze që kanë synim tregun e përbashkët evropian.

Tirana refuzoi propozimin e Prishtinës për ligën e përbashkët të futbollit, madje ka refuzuar edhe pjesëmarrjen e dy klubeve kosovare “Prishtina” dhe “Trepça 89” në superligën shqiptare. I vetmi organizim që i bashkon dy shtetet janë ndeshjet miqësore të klubeve dhe disa kupave mbarëkombëtare, ku të pranishëm janë edhe ato nga Maqedonia dhe Mali i Zi.

Kosova bashkë me Shqipërinë nuk kanë nevojë për mbledhje të stilit të odave, e as demonstrim të patriotizmit, por më shumë se kurrë u duhet frymë politike e pakorruptuar, ministra e kryeministra që mbajnë në dorë flamurin e vlerave evropiane dhe perëndimore. Rama ka ardhur me flamur të Evropës në duar, dhe punën e parë që e bëri në raport me Kosovën zhbllokoi linjën e interkonjeksionit që e kishte frenuar me vite të tëra Berisha. Shqiptarët e lodhur nga degradimi i çdo koncepti denigrues politik, sot presin të instalohet një qeverisje e emancipuar dhe me etikë. Të tillë politikanët tanë nuk bëhen vetëm pse bartin kravata të blera në Vjenë, as me këpucët e blera në Nju-Jork në shtator gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, kur delegacionet për nga numri ia kalojnë edhe delegacionit të Kinës, Iranit e Turqisë.

Pasojë e këtij orientimi të çoroditur, jostrategjik, të dëmshëm për të ardhmen e Kosovës janë investimet shpeshherë të dyshimta të ndërmarrjeve turke dhe mungesa e investitorëve seriozë perëndimorë, edhe pse nuk mund të thuhet se Kosova është vend i varfër kur të kemi parasysh pasuritë nëntokësore, fuqinë e lirë punonjëse, mundësitë për investime në bujqësi e blegtori, në industrinë përpunuese etj.

Ndërkohë që edhe përtej kufirit tonë, qeveria e Berishës kishte orientim të çoroditur, e cila favorizonte biznesmenë të dyshimtë të proveniencës ballkanike dhe anadollake. Sot shqiptarëve u duhet një frymë e re që qeveris me parime që ka synim integrimin e përbashkët e me këtë gjuhë ka ardhur në pushtet Rama. Por, përtej llafeve e  premtimeve, na mbetet të shohim se çfarë do të jenë rezultatet e tij konkrete në terren.



(Vota: 2 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora