Mendime
Kastriot Myftaraj: Kush qëndron pas shpërthimit
E shtune, 04.01.2014, 06:38 PM
Nga Kastriot Myftaraj
Katër ditë pasi ka ndodhur një akt terrorist ndaj linjës së interkonjeksionit Shqipëri-Mali i Zi, duke u kryer një shpërthimi në një nga shtyllat e tensionit të lartë të kësaj linje, reagimi i Qeverisë “Rama” nuk është ai që pritej nga kjo qeveri, nisur nga mënyra se si ka vepruar ajo në këta rreth katër muaj që është në fuqi. Kjo qeveri bën çdo përpjekje për të treguar forcë dhe se i ka gjërat nën kontroll. Duke ditur këtë obsesion politik të Kryeministrit dhe të kësaj qeverie, duhej pritur që ajo të reagonte krejt ndryshe nga c’ reagoi. Reagimi nuk është aspak ai i një qeverie e cila shemb pallate shumëkatëshe me eksploziv, i një qeverie e cila në një natë mbylli përkohësisht gjithë lokalet e lojërave të fatit në Shqipëri, i një qeverie Ministri i Punëve të Brendshme i së cilës merr pjesë vetë në aksionet policore. Një qeveri e tillë duhej pritur që ta shikonte shpërthimin në një nga shtyllat e linjës së interkonjeksionit, si një rast të artë për të treguar forcë, në mënyrë ligjore. Le të fillojmë që nga cilësimi juridik që iu bë ngjarjes. Ministria e Punëve të Brendshme foli për akt terrorist, por më tepër ky ishte një cilësim mediatik. Këtë e them duke u nisur nga mosreagimi i Ministrisë së Punëve të Brendshme kur Prokuroria e Kurbinit e përcaktoi ngjarjen si vepër penale të parashikuar nga Neni 152 i Kodit Penal që flet për shkatërrimin e pronës me lëndë plasëse. Me këtë dispozitë penale do të kishte përcaktuar Prokuroria e Kurbinit edhe një shpërthim që do të kishte ndodhur kur një fqinj do të kishte vënë tritol në qymezin apo kotecin e pulave të fqinjit me të cilin ka një grindje. Shpërthimi te shtylla e tensionit të lartë duhet të ishte cilësuar si vepër penale e parashikuar nga Neni 230 i Kodit Penal për veprat terroriste. Sipas këtij neni (gërma ki2) veprat me qëllime terroriste përfshijnë përhapjen, vendosjen, shkarkimin ose shpërthimin, e lëndëve plasëse ose të pajisjeve të tjera, në mjedise publike, në zyrat e një shteti ose qeverie, sistemin e transportit publik, ose në infrastrukturën publike…
Linja e interkonjeksionit është infrastrukturë publike, se infrastrukturë nuk janë vetëm rrugët dhe hekurudhat (siç me sa duket mendon Prokurori i Kurbinit), por edhe sistemi i kanalizimeve të ujësjellësit, energjisë elektrike, fibrave optike etj. Çdo nxënës i gjimnazit që do të pyetej në klasë se ç’ përfshin infrastruktura, do të qortohej nga mësuesi nëse nuk përmendte edhe linjat elektrike. Linja e interkonjeksionit është natyrisht infrastrukturë publike, madje e rëndësisë maksimale. Prandaj është e qartë se ajo që ndodhi në Kurbin duhej cilësuar si vepër penale e parashikuar nga Neni 230 dhe jo nga Neni 152, siç ka bërë Prokuroria. Edhe një student në çdo fakultet juridik të botës, të cilit i jepet një kazus në provim, me një ngjarje të tillë siç është shpërthimi në një shtyllë të tensionit të lartë, do të rrëzohej në provim nëse do ta përcaktonte këtë vepër penale thjesht si dëmtim prone. Unë e di se shumë nga ata që po lexojnë këto rreshta do të thonë se Prokurorin e Përgjithshëm e ka vënë Saliu dhe prandaj ndodhin këto gjëra. Në të vërtetë Prokuroria e Kurbinit ka vepruar sipas një praktike të vendosur që kur PS ishte herën e parë në pushtet, në vitet 1997-2005, dhe Prokurori i Përgjithshëm ishte emëruar nga kjo parti. Edhe atëherë shpërthimi në shtyllat e tensionit të lartë përcaktohej si vepër penale e parashikuar nga Neni 152.
Por kjo qeveri ka thënë se do t’ i japë fund rrumpallës në vend. Prandaj kjo qeveri e forcës së ligjit, siç e quan veten, ishte dashur që ta kishte kundërshtuar me anë të Ministrisë së Punëve të Brendshme cilësimin e veprës penale që bëri Prokuroria e Kurbinit. Kryeministri, ose së paku Ministri i Punëve të Brendshme duhet të kishte kërkuar takim urgjent me Prokurorin e Përgjithshëm për këtë çështje, duke marrë me vete dhe fjalorin e gjuhës shqipe, me fletën e përthyer te fjala “infrastrukturë”. Por kjo gjë nuk ndodhi. Qeveria foli zyrtarisht për akt terrorist, megjithatë duket e kënaqur që hetimet po bëhen thjesht për shkatërrim prone. Këtu del një “PSE?” e madhe.
Qeveria “Rama”, e cila ka obsesionin për të treguar forcë dhe vepron me akte normative, duhet që me një akt normativ të kishte dërguar në vendngjarje, jo thjesht forcat e RENEA-s, por forcat speciale të ushtrisë, regjimentin komando dhe brigadën e reagimit të shpejtë për të bërë kqyrjen e imtësishme të zonës. Ç’ kuptim ka që këto reparte të specializuar të ushtrisë sonë, kur veprojnë në kuadrin e misioneve paqeruajtëse ndërkombëtare, mbrojnë infrastrukturën në Irak dhe Afganistan, dhe të mos e bëjnë këtë gjë në Shqipëri. Dërgimi i këtyre forcave do të kishte qenë një kumt i qartë i vullnetit të shtetit për të reaguar fort. Unë nuk besoj se opozita do të kishte shprehur kundërshtimin e saj, dhe në rast se do ta kishte bërë, qeveria do të kishte të drejtë të drejtonte gishtin e fajësimit ndaj opozitës. Kryeministri duhet ta kishte ngritur në alarm SHISH-in natën e fundvitit dhe ta kishte dërguar gjysmën e tij në Kurbin. SHISH ka për detyrë të posaçme që të ndjekë çdo gjë që ka të bëjë me terrorizmin, dhe kjo nuk do të thotë vetëm që të rrijë rrotull xhamive dhe të numërojë djemtë me look arab që hynë e dalin atje. Dikush mund të thotë se Drejtori i SHISH është i Saliut. Por 90% e punonjësve të këtij institucioni janë ata që la drejtori i mëparshëm i zgjedhur nga PS. Se kjo parti e ka pasur nën kontroll SHISH nga viti 1997 në 2012. Një nga drejtuesit më të lartë të SHISH në këtë periudhë mburret hapur sot duke thënë se unë e munda pesë herë Saliun, dhe ky zotëri ka qenë në punë deri në 2012. Edhe Shërbimin Informativ të Ushtrisë duhet ta kishte dërguar Kryeministri në vendngjarje se shpërthimet e kryera ndaj shtyllave të tensionit të lartë cënojnë edhe atë aspekt të sigurisë kombëtare që ka të bëjë me Ushtrinë.
Qeveria duhet të kishte vënë një shpërblim të madh për të marrë informacione për terroristët. Nuk është e vështirë të shkohet te këta, se rrethi i njerëzve të aftë për të bërë vepra të tilla, nuk është shumë i gjerë. Aq më tepër në një zonë të tillë rurale, ata nuk mund të jenë të huaj (njerëz jo të zonës), se të huajt bien shumë në sy në zona të tilla, sado të rrallë që të jenë banorët. Të gjitha këto që po them unë i di shumë mirë, i ashtuquajturi asi i antiterrorizmit shqiptar, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi, i specializuar për antiterrorizëm në SHBA, dhe i lavdëruar si kampioni i antiterrorizmit në Shqipëri për shkak se në 1998 vrau një arab të akuzuar si terrorist, dhe që ishte fshehur brenda në një lavatriçe në shtëpinë e vjehrrit, në Tiranë. Logjika të thotë se Artan Didi duhet të ketë qenë këshilltari kryesor i Edi Ramës për mënyrën se si do të reagojë qeveria ndaj aktit terrorist në Kurbin. Zoti Didi le t’ i tregojë tani aftësitë e veta, se qytetarëve të Shqipërisë u intereson më shumë që të luftohen terroristët që na dëmtojnë ne, më tepër se njerëz si ai arabi që kërkonte të rrëzonte regjimin e Mubarakut në Egjipt.
Por natyrisht Didi nuk mund të bëjë gjë, kur Edi Rama nuk do që të bëjë gjë. Nga mënyra e pazakontë për të si po reagon qeveria në këtë çështjen e aktit terrorist, faji për atë që ka ndodhur bie mbi qeverinë. Pra kemi të bëjmë me një skenar të simulimit të një akti terrorist, për të shkurajuar qeveria protestat ndaj rritjes së taksave. Për këtë qëllim u vu tabela te shtylla se shpërthimi bëhej si protestë ndaj rritjes së taksave dhe çmimit të naftës. Kështu që nesër të gjithë ata që do të protestojnë për këto gjëra, do të quhen si të lidhur me terroristët. Qeveria “Rama” po kërkon një alibi për zhgënjimin që u shkaktoi së paku një milion shqiptarëve që e sollën në pushtet, prandaj u rikthehet skenarëve të vjetër që ka në traditën e saj partia, e cila është e vetmja parti në botë që mburrej në historinë e saj zyrtare, se e kishte luftuar fashizmin duke prerë shtyllat dhe telat e linjës telefonike dhe elektrike në kohën e Luftës së Dytë Botërore, a thua se këto nuk qenë pasuri kombëtare e shqiptarëve dhe në shërbim të tyre në radhë të parë, e pastaj edhe të ushtrisë pushtuese. Alibia se qeveria po punon, por çfarë të bëjë Edi Rama kur Saliu u ve tritol shtyllave të tensionit të lartë, është kartë e djegur dhe nuk vlen në 2014. Nëse nuk do të kishte pasur dorë Edi Rama në atë që ndodhi në Kurbin, atëherë që prej katër ditësh ai do të kishte ngritur më këmbë gjithë shtetin për të kapur terroristët, njëqind herë më fort se ç’ bëri ditën kur bllokoi lokalet e lojërave të fatit, apo kur shembi me eksploziv pallatet. Kur terroristët që bënë shpërthimin te shtylla e tensionit të lartë, kërkohen për veprën penale të shkatërrimit të pronës me eksploziv, të parashikuar nga Neni 152 i Kodit Penal, kjo do të thotë se Edi Rama, Saimir Tahiri dhe Artan Didi janë vetëakuzuar për veprën penale të akteve terroriste të parashikuar nga Neni 230 i Kodit Penal, dhe ata nuk kanë ndërmend që t’ i gjejnë ekzekutorët e aktit terrorist për arsye që kuptohen lehtë.
Kështu që kjo historia e terroristëve që minojnë shtylla të tensionit të lartë, do të përfundojë si ajo historia e dy anijeve luftarake gjermane në Mesdhe, në fillim të Luftës së Parë Botërore. Në atë kohë Winston Churchill, Lordi i Parë i Admiraliatit (Ministri i Flotës Ushtarake Detare) të Britanisë së Madhe i dha një urdhër të tillë flotës britanike në Mesdhe që më pas u quajt praktikisht si një urdhër i llojit “Të ndiqen, por të mos arrihen”. Luftanijet gjermane po shkonin në kryeqytetin e Perandorisë Otomane dhe Churchillit dhe një rrethi njerëzish në kryeqytetin britanik, u konvenonte kjo gjë, se donin ta tërhiqnin Perandorinë Otomane në luftë në anën e Gjermanisë, që të mund ta shpërbënin, ashtu siç edhe ndodhi. Edhe Qeveria “Rama” shtiret sikur do që t’ i kapë terroristët, por nuk e bën këtë gjë. Edi Rama, gjatë fushatës elektorale në Kurbin ka qenë i shoqëruar me njerëz të tillë nga Kurbini, që janë në gjendje të gjejnë për 48 orë edhe se kush e ka vjedhur një lopë në çdo skutë të Kurbinit, e jo më se kush ka vendosur eksploziv në një shtyllë të tensionit të lartë. Shpërthimi te shtylla e tensionit të lartë dhe (mos)reagimi qeveritar ndaj kësaj ngjarjeje, paralajmërojnë skenare shumë të këqinj.
Kastriot Myftaraj në Facebook: https://www.facebook.com/kastriot.myftaraj.7