| E diele, 29.12.2013, 06:54 PM |
Sejdi BERISHA:
BIRO, EDHE NË BRONZ QËNDRO KRENAR...!
(Kushtuar Sali Çekajt)
1.
Posa kishe parë dritën e kësaj bote
Në sy kishe zjarr
Për ta ngrohur tokën
E zemra ta rrihte kraharorin
Këngës për t’i dhënë kuptim
E lirisë për t’ia përkëdhelur ballin
Kështu u rrite si çun
Me rrudha hidhërake në ballë
E ushqeje etjen me ninullat e nënës
Edhe kur fëmijët qanin
Për kafshatën e gojës
E prindërit druanin për fatin e tyre
2.
I tillë u kalite
U bëre djalë si me gojë të mbyllur
Se ëndrrat i ruaje me amanetin e babait
I bëje edhe histori
Botës për t’ia treguar
Madhështinë e kësaj toke
Bujarinë e njeriut të këtij nënqielli
Që, të gjitha bashkë
Ndrydheshin e shtrydheshin
Në krahët e shqiponjës
Në ngjyrën e kuqe të pëlhurës
Në palët e flamurit kuq e zi
Në arkat e nënave
Në të cilat
Më shumë palonin dhe ruanin
Ëndrrat e të rinjve për liri
E kallëzimet për tmerrin e historinë
3.
Të gjitha këto rrugëtime
Nëpër libra e shkronja i palose
Dhe të erdhi dita
Kur ato
Edhe me pushkë i begatove
Ky ishte ai dufi
Kjo ishte ajo etja
Që përherë e ruajte diku brenda
Nuk e di
A në tokë a në zemër
Në diell
Që krismë pushke të bënë
Edhe rrugëtim lirie
4.
Dhe, i dashur luftëtar
Idhull i drejtësisë
Ti, ende atje lartë
Tash në bronz
I fsheh ëndrrat dhe mallin tënd
Sikur je betuar
Asgjë të mos tregosh
Pos fytyrës sate
Me peshën e njerëzores
Me mallin për diellin
Dhe rrezet e tij
Që gjithnjë i more me vete
Gjithandej për t’i shpërndarë
Në tokën dhe atdheun
Që e deshe e përqafove
Dhe asnjëherë me te
Deri në fund nuk u gëzove
5.
Një ditë
Tek varri yt
Sikur diçka kumbonte
Por mos u merakos
Se mirë je duke pushuar
Edhe aty edhe në lapidar
Tërë atdheun je duke vështruar
Pse je i shqetësuar
O, njeri i lirisë
Pse çdo ditë shëtitë
Nëpër fusha e male
Atje ku betejat kishin emër
Ku shqiponjat
Lartë mbi madhështinë e bjeshkëve
Shpërndanin amanetin e porosinë
Por edhe shkrumbin
Që për njëri-tjetrin
Në zemër ta kemi dashurinë
6.
Rri...
Rri krenar në bronz
Se po shkruhet historia
Për dritën dhe altarin e lirisë
Nënës ia ke dëshmuar
Fuqinë e gjirit të saj
Tash shqiponja as flamuri
Nuk rrinë palë në arka nusesh
Por valojnë e valojnë
Gati gjithandej ku ti ke ëndërruar
E kufiri mes tokës së shqipeve
Nuk është më
Ti vetë ishe dëshmitarë
Ti vetë e ke përjetuar e parë
Si në Dukagjin, Tropojë e në Kosharë
Në Deçan, Malësi të Gjakovës
E në Pepaj
O, hero i kësaj toke
Ti, Sali Çekaj
7.
Tash
Sikur të bekon nëna e toka
Gjaku e flamuri:
Biro
Edhe në bronz qëndro krenar...