Shqipëria
në mes korrupsionit dhe BE-së
Nga
Blerim RAMADANI
Gjatë takimit
të fundit të ministrave të Jashtëm të BE, disa shtete si Holanda, Gjermania,
Britania e Madhe, Franca dhe Danimarka, u pozicionuan kundër, duke mos dhënë votën
pro dhënies së statusit kandidat për Shqipërinë, për arsye se Shqipëria nuk
ishte gati, përshkak të egzistimit të nivelit të lartë të korrupsionit në këtë shtet.
Shpresat ishin për një vendim pozitiv, që për habi të të gjithë analistëve dhe
opinionit publik në Shqipëri, nuk ndodhi. Më e zëshme në lobimin kundër shtetit
shqiptar ishte Holanda, edhe pse personalisht mendova se do të luante blofin. Megjithatë,
disa qarqe euroskeptike tash kanë vendosur vija paralele në mes Shqipërisë dhe
vendeve anëtare, si Bullgaria dhe Rumania, si vende me nivelin më të lartë të korrupsionit
dhe krimit të organizuar në Europë. Megjithatë, krahasuar me Greqinë ajo
rezulton në nivelin më të keq në të gjithë Evropën. Duke parë gabimet e së kaluarës
dhe përvojës së hidhur me këto dy shtete, Unioni sheh veten si të rrezikuar nga
vende si Shqipëria, përshkak të natyrës së korrupsionit që është prezente në institucionet
e këtij vendi. Po
a egziston me të vërtetë fenomeni i korrupsionit në Shqipëri? Nëse bazohemi në statistikat
zyrtare të organizatave me relevancë ndërkombëtare si “Transparency
International” dhe Grupi i Shteteve kundër Korrupsionit “GRECO”, që funksionon
në kuadër të Këshillit të Europës,
gjithmonë sipas tyre, Shqipëria renditet kështu, e fundit në rajon. Madje, si për
ironi të fatit, korrupsioni shënon rritje të vazhdueshme, veçanërisht, në sektorin
publik. Çështja e korrupsionit përmendet në të gjithë raportet ndërkombëtare për
Shqipërinë dhe ky fenomen është gjerësisht i përhapur dhe lufta ndaj tij mbetet
një ndër kërkesat e vazhdueshme ndaj autoriteteve shqiptare dhe një prej
sfidave në përparimin drejt integrimit europian të vendit. Ky fakt ka detyruar që disa vende anëtare të Bashkësisë
Europiane të rreshtohen kundër rrugëtimit të Shqipërisë në këtë strukturë. Megjithatë,
jo të gjitha shtetet europiane ndanin të njejtin mendim me Holandën edhe pse në
parim nuk kundërshtonin egzistimin e korrupsionit, por ishin të mendimit se
Shqipërisë dhe qeverisë së re, i nevojitej një stimulim i vogël dhe dhënia e
statusit të vendit kandidat do të inkurajonte pa masë edhe klasën politike. Ne nisemi nga e drejta që të kritikojmë vendimin
që doli nga ky samit, pasi që ishte vetë
Unioni Europian ai i cili dha premtimin për dhënien e statusit të vendit
kandidat si shpërblim në rast se Shqipëria do të votonte tre ligjet e kërkuara
dhe zvarritja e çështjes deri në qershor të 2014-s fatkeqësisht befasoi edhe
optimistët më të mëdhenj. Kuvendi i
Shqipërisë pas kërkesave të Komisionit Europian dhe debateve të lodhëshme, miratoi ligjin “Për organizimin dhe
funksionimin e Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë”, ligjin “Për nëpunësin
civil” dhe ligjin “Për ndryshime në Rregulloren e Kuvendit”. Pikërisht për këtë,
shtyrja e dhënies së statusit nuk ishte e drejtë. Ishte po eurokomisioneri për
zgjerim, Stefan Fyle që bëri premtimin në emër të Unionit, në rast se do të votoheshin
3 ligjet e kërkuara. Mirëpo, pas refuzimit të statusit, askush nuk mund të garantoj
se Shqipërisë nuk do ti jepen kushte tjera. Duke i’u përgjigjur pyetjeve të gazetarëve,
Fyle theksoi se: “Për Shqipërinë nuk do të ketë kushte të reja, por statusi nuk
do të jepet automatikisht.” Por nëse ai kishte zhgënjyer tash Shqipërinë për
statusit, atëherë kush do të ishte garant se Bashkësia nuk do të shpaloste kërkesa
të reja për Shqipërinë dhe zhgënjimi mund të përsëritej!? Për shtetet e
Ballkanit Perëndimor është bërë shumë vështirë që të arrihet deri te statusi i
vendit kandidat, atëherë shtohen dilemat
se sa kohë do duhet që të arrihet deri te marrja e datës për fillimin e
negociatave?! Apo sa do duhet të presim që të bëhemi anëtar me të drejta të plota?!
Procesi i përafrimit me projektin europian akoma po bëhet edhe më i vështirë. Megjithatë, në mungesë të politikës së jashtme të parrumbullaksuar
të BE-së, brengosës është fakti që disa vende anëtare akoma edhe më shumë shfrytëzojnë
këtë dobësi të Bashkësisë, duke përforcuar vazhdimisht kërkesa specifike për vendet aspirante dhe ky variant “injorimi”
i bënë edhe më të paqarta principet dhe qëllimet e Bashkësisë dhe praktika e
tillë mund të ndikojë rëndë te forcat politike në të gjithë Ballkanit. Do kisha
cituar dëshirën e famshme të ish sekretarit amerikan të shtetit, Henry
Kissinger, për të patur një numër telefoni për të biseduar me Europën-“Cilin të
thërras në rast se do të dëshiroja të bisedoja me Europën?”. Në rastin e Shqipërisë, Bashkësia Europiane
nuk zgjodhi që ta motivonte atë, por mbeti peng i sjelljes së disa shteteve anëtare, aq më shumë
kur bisedohet për statusin e vendit kandidat dhe jo për marrjen e datës për
fillimin e bisedimeve me BE-në.