Shtesë » Lajme
Bedri Islami: Letra e fundit e Adem Jasharit
E enjte, 19.12.2013, 06:13 PM
Letra e fundit e Adem Jasharit
Dëshmia historike e një letre, dërguar nga Drenica
Nga Bedri Islami
Në arkivin e Lëvizjes Popullore të Kosovës dhe të UÇK-së ruhen mjaft dëshmi që kanë lidhje me figura të jashtëzakonshme të luftës dhe ngjarje madhore të saj. Mes tyre, si një pasuri e vyer e kombit, ruhen edhe letra të shkruara nga personalitetet drejtuese të saj, në kohë dhe në vende të ndryshme, e për probleme që kishin lidhje me luftën, përgatitjen e zhvillimin e saj.
Ndër më të vyerat janë kasetat me inçizime të ardhura nga Adem Jashari dhe grupi i Drenicës, filimime, por edhe letra, njëra nga të cilat, mjerisht e fundit dërguar prej tyre, tani, në dhjetor, bën 15 vite. Ajo ka vlerat e saj historike, si një nga dëshmitë e luftës, por edhe vlerat njerëzore, sepse pas rrjeshtave të saj fshihen njerëz me ideale të mëdha, të cilët e kanë dashur Shqipërinë më shumë se sa dritën e syve.
Këtë letër, në 15 përvjetorin e saj, mendova të bëj të njohur për lexuesit e gazetës DITA, e cila edhe me herët ka bërë vend në faqet e saj për një periudhë të ndritur të Rilindjes së Kombit.
Kjo letër, e dërguar nga Adem Jashari dhe e shkruar nga i vëllai, Hamza, dhe e nënshkruar nga një grup luftëtarësh të Drenicës është njëri ndër mesazhet e luftës. Natyrisht, ajo nuk është shkruar me mendimin se do të botohet ndonjëherë; ajo është një letër mes shokëve të luftës, flet për realizimin e një aksioni dhe për probleme të tjera. Por, në gjithësecilin rrjesht të saj, tepër dukshëm, mund të shikosh atë që do të vinte më pas. E shkruar thjeshtë, si gjithçka që është madhërisht e bukur, pa fjalë të mëdha dhe pa mburrje, ajo mbart në vete dëshminë historike, jo vetëm të një beteje.
Kjo letër është shkruar në fundin e vitit 1997, më saktësisht në dhjetor të këtij viti. Fillimisht ajo është faksuar, nga jashtë Kosovës, sipas të dhënave nga një faks në aeroportin e Shkupit, e më pas ka ardhur edhe origjinali, pas disa ditësh, përmes kanaleve ilegale. Letra ruhet sot në arkivën e Lëvizjes Popullore të Kosovës, ku edhe është adresuar, ndërsa një kopje e saj ruhet në Kosovë.
Ja edhe letra, thuajse e plotë:
“Të dashur shokë e vëllezër,
Disa të dhëna rreth ngjarjes në fshatin Vojnik, të ndodhur me 25 nëntor 1997 në mes forcave tona dhe të policisë sekrete të okupatorit serb. Ngjarja fillon me lajmërimin e një automjeti civil të tipit “niva” me katër përsona civilë, i cili bënte lëvizje të dyshimta në fshat, nga lagjja në lagje. Atë e vërejtëm dhe e përcollëm deri sa erdhi tek lagjjja e Binakajve dhe pikërisht afër shtëpisë ku gjendet veprimtari ynë. Sipas rrëfimit të shokut, ky tentoi t’i identifikojë, por ata tentuan ta tradhtojnë duke u paraqitrur njëri prej tyre se “jemi shqiptarë” dhe porsa ai e mbaron fjalën, njeri prej tyre shtien disa herë me revolver, në drejtim të veprimtarit tonë. Shkathtësia e tij e shpëtoi nga plumbat dhe me shpejtësi të madhe ky ia kthen automatikun dhe e qëllon automjetin dhe dihet se i ka qëlluar disa nga të ndodhurit brenda. Të dyshimtit largohen me shpejtësi të madhe nga vendi i ngjarjes, duke lënë në vend shenjat e xhamave të thyer dhe shenja gjaku.
Kjo ka ndodhur rreth orës 14.00. Pasi largohen të dyshimtit, ky thehet në shtëpi dhe bashkohet edhe me tre shokët e tjerë, të cilët ishin të gatshëm për ndihmë, por rreziku mendohej se kaloi. Vendosën të mos largohen nga fshati se mos ndodh ndonjë intervenim i mundshëm policor.Ashtu edhe ndodhi.
Pas dy orësh, pra rreth orës 16.00, në fshat hyjnë dy autoblinda, të shoqëruar edhe nga një “NIVË” dhe mësyejnë lagjen e Binakajve. Këta, shokët tanë, zënë pozicionet në malin e afërt dhe në gardhiqet e afërta. Porsa mbërrim ekspedita ndëshkuese e forcave speciale, zbresin nga blindat dhe fillojnë të shtiejnë në drejtimesh të ndryshme, për të përhapur panik. por, në atë kohë, forcat tona, të përbëra, si e thamë edhe më lart, nga katër përsona, hapin zjarr dhe e kthejnë konfliktin mes tyre dhe ekspeditës ndëshkuese serbe. Të pabarabartë në numër e në teknikë, bëhet tërheqja në drejtim të pyllit. Forcat speciale serbe shtinin pa ndërprerje dhe filluan të afrohen, çka u detyruam të përdorim bombat, edhe pse të pakta. Atëherë, me përdorimin e bombave, serbët u tërhoqën në autoblinda dhe lufta bëhej vetëm nga autoblindat. Kjo zgjati deri rreth orës 18, por nuk mundën të na shtyejnë nga pozicioni që e zumë në pyll. Kjo i shtyri të largohen me shpejtësi të madhe nga lagjja dhe fshati.
Nga ana jonë nuk patëm viktima ose të plagosur: Kurse nga ana e armikut ka patur shenja gjaku në vendin e ngjarjes, sidomos të shumta ishin ku janë përdorë bombat.
Sa i përket organizimit të mëvonshëm dhe informimit të anëtarëve, ngjarja zhvillohet kështu: Në organizimin tonë ekzistojnë edhe vëzhguesit e terrenit. Njëri prej tyre vëren autoblindat duke shkuar në drejtim të Klinës apo Turiqevcit, deri sa për rastin që biseduam më lart, kishim informata. Bëhet lajmërimi i disa prej punkteve tona dhe ata bënë lajmërimin e antarëve, por vetëm të jemi të gatshëm, që porsa të marrim lajmin se çfarë po ndodh në terren, të jemi të gatshëm për ndihmë. Nata e bëri të veten dhe me vonesë u bë e ditur se ishte fshati Vojnik ku shkuan forcat policore. Edhe pse ne shpejtuam drejt Vojnikut, tërheqja e policisë bëri që të mos konfrontohemi atë mbrëmje. U tubuam dhe konstatuam se nga forcat tona nuk kishte humbje. Vendosëm që të jemi në vëzhgim të terrenit, në të gjitha rrugët që të shpien drejt vendit të ngjarjes. Dërguam vëzhguesit, pra edhe të tjerët, vendosëm, pasi e morëm edhe pëlqimin e shokut në ngjarje të drejtpërdrejtë që: nëse policia do të ndërmarrë ndonjë operacion ndëshkues, të bëjmë rezistencë. U vendos që para mëngjezit të zihen pikat më strategjike në rrugët që shpien drejt rajonit të rrezikuar, duke e patur parasysh se forcat mund të ndërhyjnë nga Mitrovica, Peja, por edhe nga prishtina. U caktuan grupet që do të zënë pritat, por edhe vëzhguesit për lajmërim. Çdo gjë në Drenicë dhe rreth saj ishte nën kontroll. Dëshira jonë ishte dhe luteshim, që bash në vendin ku edhe ndodhi konfrontimi, të jetë ashtu.
Pra aty e parashikonim se do të korrnim fitore. Kemi pasë mundësi edhe më heret, pra në vend tjetër t´i ” shkurtojmë”, por bash aty, ku edhe e dëshironim, na erdhën, ishim disa grupe, në disa prita. Kolona ishte e gjatë. Kishim lajmin nga vëzhguesit se janë të shoqëruar edhe me helikopterë. I pritëm deri sa hynë në mesin e të gjithë grupeve nga 3 – 4 e deri në 5 veta në grup, ku numri i përgjithshëm nga ne ishte prej 23 vetash ( kuptohet prej fshatit Lludeviq deri tek vendi i quajtur “kryqat e popit”). Të tjerët ishin në vende të tjera, për të mos i përshkruar tash të gjitha.
Kolona hyri ku dëshironim. Së pari sulmuam me minahedhës, e pastaj disa me bomba e disa me armë zjarri të ndryshme, si automatikë, snajperë e mitralozë. Konfrontimi filloi rreth orës 10 ku zgjati deri rreth orës 13 -14.
Operacioni ishte shumë i vështirë, luftë e ashpër, e pandërperë, harxhuam shumë municione, sidomos në helikopterët. Disponimi në forcat tona ishte në nivel, edhe pse disa ishin të parët, përveç harxhimeve në municion, nga forcat tona nuk pati humbje e as të plagosur. Çka është më e rëndësishmja, edhe fshatarët e këtyre anëve u përgjigjen dhe u mbushen malet me luftëtarë të gatshëm, ku gjatë tërheqjes policia u sulmua nga të gjitha anët, e ku policia në panik shtiu kah mundi, në objekte civile, shkolla e xhami.
Pasi i shtymë të tërhiqen forcat speciale serbe shkuam në vendin e ngjarjes ku ishin forcat armike. Ata kishin lënë në vend shumë dëshmi që të tregojnë se kanë pasur humbje dhe se kanë qenë të hendikepuar nga paniku. Gjetëm municion të ndryshëm të kalibrit të madh e deri tek revolverët, veshje antiplumb të përgjakura, shlema, karikatorë të ndryshëm, maska kundër gazrave, patrona lotësjellës e shumë e shumë të tjera. E gjithë rruga që nga fshati Lludeviq e deri në vendin “Kryqat e popit” ishte e mbuluar nga gëzhonjat. Damet e pësuara nga armiku, çka na i kemi parë, janë një autoblind i kallur, një i prishur, mitralozin e shkatrruar, njërin nga ” pizgauerët” e djegur e disa blinde të damtuar pjesërisht. Helikopteri dyshojmë se ka qenë i goditur, se shumë shpejt u largua dhe më nuk u duk, duke i lënë forcat e veta të vetmuara, gjysëm ore para se të tërhiqeshin.
Kemi kërkesa të mëdha për anëtarësim, por mungon armatimi. Shumë pak keni punuar në këtë drejtim. Prandaj shokët që veprojnë në këtë trevë të Drenicës, kërkojnë që të përfaqsohemi me nji nga shokët tonë të mëhershëm që tani e disa kohë gjendet jashtë, nën emrin e tij konspirativ “VESHI”.
Në fund të këtij rrëfimi ju përshendesim përzemërsisht nga Drenica.
Lavdi të rënve për liri.
Nga një grup shokësh,
Të nënshkruar: Rafeta, Gipa, Zena, Dili, Nura, Dyli, Gafurri.''
Një sqarim për lexuesit: Kush janë të nënshkruarit e kush është “Veshi”
- “Rafeta” ishte pseudonimi i Adem Jasharit,
- “Gipa” ishte Iliaz Kodra (komandant i brigadës “Fehmi Lladrovci”- vrarë në luftë),
- “Zena” ishte Zenun Kodra,
- “Dili” ishte Fadil Kodra,
- “Nura” ishte Nuredin Lushtaku,
- “Dyli” ishte Hamëz Jashari,
- “Gafurri” ishte Abedin Rexha, i njohur më vonë si “Sandakani”, komandant brigade, i vrarë në luftë.
Nga shtatë të nënshkruarit, katër janë vrarë në luftë, tre të tjerët janë sot në TMK, me gradat superiore, gjeneral major e më tej. Ndërsa “Veshi” ishte emri konspirativ i Ramiz Ladrovcit – gjatë luftës i caktuar me detyra të një rëndësie të veçantë pranë Lëvizjes Popullore të Kosovës, si përfaqsues i saj në Shqipëri dhe pranë Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.
Jam mrekulluar gjithnjë prej kësaj letre, që kur e kam pasur në duar për herë të parë, mrekullohem edhe tani. Përgjithsisht aksionet e ndryshme të UÇK-së janë informuar në Shtabin e Përgjithshëm ose në Kryesinë e Organizatës. Disa prej tyre ruhen ende. Por kjo letër, e shkruar thjeshtë, nga njëherë duke i rënë shkurt disa ngjarjeve, ajo ka në vete edhe një vlerë të madhe: Asnjëherë e askund nuk mund të gjesh mburrje, rrahje gjoksi, askund nuk gjen emra të përveçëm, se ishte ai apo isha unë, por gjithçka mbeti në emërin e shokëve dhe të luftëtarëve të lirisë.
Rreth tre muaj pas kësaj letra Adem Jashari u vra në luftë. Mirëpo kushdo që ka rastin të lexojë këto rradhë mund të kuptojë fare mirë se asgjë nuk ka qenë e rastësishme.