| E hene, 02.12.2013, 05:49 PM |
QERRJA E DIELLIT
IKU NË QIELL
NGA KALOSH ÇELIKU
Ikja e papritur nga mesi ynë letrar e poetit, shkrimtarit dhe studjeuesit të letërsisë Abdullah Konushevci (1958 - 2013), vërtetë është një humbje e madhe për familjen dhe Letërsinë Shqiptare. Poeti ishte një zë i lindur kryengritës në jetë dhe letërsi. Përçudi, edhe Zonja Vdekje siç duket i do këta burra të penës, që përditë na ikin në heshtje para syve.
Inati të vjen dhe do të plasësh nga pabesia, pse nuk i do burrat e reklamave para kamerave televizive, që gjithë jetën na ngatërrohen nëpër këmbë si popull. Pajtohem me thënjen e popullit, se: Edhe Zoti e bënë përzgjedhjen e miqve, nuk i do njerëzit e rrasur këmbekrye në mëkate, nuk do të ketë probleme në Mbretërinë e tij Qiellore.
Mirë, ta marrë deri diku se edhe unë pajtohem me këto ligje dhe veprime të Zotit ose Naryrës. Atëherë, pse kërkojnë përgjegjësi nga ne si besimtarë të poezisë deri në vdekje?! Tjetër punë është me politikanët, që siç duket më së tepërmi i kanë përqejfi: ua kanë dhënë pushtetin dhe pasurinë, por jo edhe trurin në kokë. Ende vazhdojnë të na kërcnohen përmes misionarëve të tyre politik e fetar me Xhehnet dhe Xhehnem (Parajsë dhe Ferr). Vallë, a nuk do të ishte më mirë, Zoti politikanëve le t’ua japë pushtetin dhe pasurinë! Edhe, Xhehnetin! Falë u qoftë, edhe në këtë jetë, edhe në atë jetë! Vetëm, kurrë le të mos e mashtrojnë veten të na trokasin nesër te dera e Xhehnemit për ndihmë, nuk do t’u japim zjarr për Dimër. E kemi amanet dhe porosi nga plaku i urtë Xha Deralla. Burrë, që e ka pritur krahapur në vendlindje me shokë edhe poetin e Qerres së diellit, Abdullah Konushevcin me vargjet parashikuese:
Jam lodhur duke pritur
Zonja Mëmë
T’i nisësh shërbëtorët e Tu
(Dhe unë shërbëtor Yti jam)
Të m’i këputin hekurat
Jam bërë një ashtlëkurënajë
E ka rëndë
Dhe toka të më mbajë
Ku ta këput kokën
Mbështetur për muri
Ti Zonja Mëmë
Mos resht të m’i ledhatosh shpresat
I bindur se është floku Yt i thinjur…
Miku i
penës nëpër shkrimet e tia e la këtë porosi: …
Gëzohu miku im poet, që të ka marrë në mbrojtje dora e Zotit, e jo Dora e zezë kriminele. Përmëtepër, që nuk të kanë gjetur si kërcu në makinë lukzose me ndonjë dashnore ose disa kartele bankare me shuma marramendëse, në banka komerciale. E as, në ndonjë post politik! Përmëtepër, anëtar i tre Akademive të Shkencave me tre pensione të shteteve jugosllave e shqiptare.
Amaneti im, o mik është i një tjetër natyre shqiptare: Edhe, unë e di se nesër do të “cofë” edhe më zi se ti, si qen pas porte. Askushin nuk e pres në varrim, të më sjellë kurora të luleve rrëzë Çukës. Telegrame ngushëllimi nga kryeministra, ministra e politikanë të arratisur nëpër kabinete të Qeverisë. Përveç, familjes sime të ngushtë dhe cucave kërçovare me dajre, këngë e valle shqiptare duke më përcjellur në varr, nuk dua të shoh me sy e dëgjoj me veshë, asnjë njeri tjetër të sojit të dudumëve mbi kokë duke derdhur lotë krokodili me fjalime të gjata patetike!
Aspak, nuk ka qenë dhe është e lehtë lufta me penë. E sidomos në kohën kur jetoi e veproi miku im, poeti Abdullah Konushevci. Autori i Qerres së Diellit. Vargut që na trokiste nateditë mbi kokë, Shtëpi e Bibliotekë. Nuk ishte varg i Zogut Keq, e as Qyqes që e kërkonte të Vëllain lis më lis, po Bilbili i Ndre Mjedës. Paralajmërusit të Ditës së Nesërme: A thue po kjan, se çerdhen/ Ta ka shkatrrue skyfteri?/ A thue po kjan, o i mjeri, Se me rrnue gjallë s’ke mel?
Atdheu është Shtëpia e përjetshme e burrave dhe grave të Shqipërisë. Përsëgjalli, nuk e shiti veten me poste politike e as me pasuri, po i hapi krahët e Shqiponjës, flututoi si burrat në Qiell, jo nga minarja e xhamisë si Azreti Isai, po si Abdullah Konushevci nga Biblioteka Universitare e Prishtinës. Shpirti tij, i pastër dhe kryengritës prej poeti ende do të vazhdojë të bëjë dritë në Qiell.
O burra: Është vetë, Qerrja e Diellit, që iku papritmas në Qiell…