Mendime
Alma Lama: Pa skenarë apokaliptikë
E marte, 19.11.2013, 08:32 PM
Pa skenarë
apokaliptikë
Nga Alma Lama
Dy ishin
momentet më të rëndësishme të ngjarjes së këtyre ditëve, kërkesa për shkatërrim
të armëve kimike në Shqipëri si dhe protesta qytetare që shënoi apogjenë e saj,
të munguar prej shumë vitesh. Që në fillim e them se jam kundër shpjegimit të situatës
me skenarë apokaliptikë, siç nuk munguan përgjatë javës së tensionuar që lamë pas,
sepse kjo thjesht është shumë larg realitetit.
Prandaj
dhe e kam pak të vështirë të kuptoj të gjitha ata që u munduan dhe po mundohen
të justifikojnë sjelljen e armëve kimike të Sirisë në Shqipëri. Për ta qartësuar
këtë pikë, të gjithëve do t’iu shtoja një pyetje: cila do të kishte qenë përgjigja
juaj nëse në këtë mes nuk do të ishte Amerika? Unë për vete nuk kam asnjë dyshim
se cila do të ishte. Për të gjitha arsyet e mundshme: janë të dëmshme; të rrezikshme;
nuk i kemi ndonjë borxh Sirisë; ato do të na kthenin në një kosh plehrash; do të
hapej rruga edhe për operacione të tjera përveç 1300 tonëshit të agjentëve
kimike dhe prekursorëve + 1200 tonëshit të municioneve të pambushura të Sirisë;
nuk jemi shquar ndonjëherë për standarde të larta as në operacione më të thjeshta;
nuk e kemi luksin e sipërfaqeve të mëdha të pabanuara; e kështu me radhë.
Pyetja
pra u pastrua dhe erdhi u reduktua në: a duhet t’i thuhej JO SHBA-së, partnerit
tonë më të rëndësishëm në botë? Frikë, dëshpërim, pasiguri, reflektoi shumëkush
në këtë dilemë të vështirë, ku zgjedhja u duk se ishte mes JO-së ndaj armëve
kimike, dhe JO-së ndaj SHBA-së. Dhe problemi për mendimin tim fillonte pikërisht
këtu, tek interpretimi apo perceptimi bardhezi i këtij realiteti, dileme apo
zgjedhjeje.
Personalisht
e kam mbështetur JO-në ndaj armëve kimike që prej momentit të parë që u
publikua në disa media ndërkombëtare, me bindjen e thellë se kjo nuk ka si të jetë
një JO ndaj SHBA-së. Nuk është JO ndaj SHBA-së pasi miqësia apo partneriteti ynë
me këtë shtet nuk kalon përmes Sirisë, as helmeve të saj të blera nga Rusia, e
as nuk mund të jetë kushtëzues e përjashtues. Partneriteti është i mbështetur në
parime dhe interesa më të mëdha dhe kjo na është dëshmuar gjithë këto vite.
SHBA është
përfshirë në zgjidhjen e krizës siriane por pas kundërshtimit të Rusisë dhe pas
paqartësive të mëdha në terren brenda Sirisë, ku organizatat terroriste kanë marrë
primatin në luftën ndaj regjimit të Asadit, shkatërrimi i armëve kimike u gjet
si rruga dalëse. Por padyshim që asgjësimi është një objektiv prej kohësh i
fuqisë numër një në botë, SHBA-së. Nga ana tjetër shkatërrimi i armëve kimike është
interes i çdo shteti demokratik, që aspiron për paqe dhe siguri.
Kundërshtimi
nga ana e Shqipërisë nuk do të thotë se Shqipëria nuk dëshiron të japë kontribut
në paqen e sigurinë ndërkombëtare, e as që nuk dëshiron t’i gjendet në krah
SHBA-së. Kundërshtimi i saj lidhet me kapacitetet e saj. Zgjidhja duhet të gjendet
diku tjetër.
Nga ana
tjetër Shqipëria nuk është ndonjë lojtar i rëndësishëm në arenën ndërkombëtare,
dhe as PO-ja nuk do ta bënte të tillë. Përkundrazi, do të kryente një shërbim
me rreziqe të mëdha për veten. Fakti se asnjë vend shumë më i përparuar në aspektin
teknologjik nuk pranoi të marrë përsipër një barrë kaq të madhe, flet qartë.
Për
mendimin tim, ka dhe një komponent të rëndësishëm në këtë mes. Siria është nga
ato vende që nuk ka shfaqur asnjëlloj ndjeshmërie ndaj shqiptarëve, as atëherë kur
ata digjeshin e vriteshin, në fund të shekullit e XX, nga regjimi i
Milloshviqit, dhe as më pas kur nuk lëvizi as gishtin më të vogël për sa i përket
pavarësisë së Kosovës. Siria është partner i ngushtë i Rusisë dhe kjo madje po
e siguron vazhdimësinë e regjimit të Assadit që nuk i kurseu as armët e shkatërrimit
në masë kundër popullit të vet. Prandaj, sado të vështirë ta ketë pasur
kryeministri i Shqipërisë, z. Edi Rama marrjen e vendimit, duke i menduar të gjitha
këto, por natyrshëm edhe karrigen e tij, ai bëri atë që duhet.
Çështja e
dytë, pa të cilën kurrsesi nuk mund të kuptohet vendimi i kryeministrit
shqiptar është protesta. E organizuar në mënyrë spontane, nëpërmjet rrjeteve
sociale, këtij fenomeni të ri që asnjë qeveri s’mund ta ndalë më, shqiptarët u
bënë bashkë pasi nervi i tyre ishte prekur fort. Të gjithë e kuptuan se nuk
ishte kjo një çështje thjesht ambientalistësh…
Kishte
kohë që protesta popullore manipuloheshin nga partitë politike, por këtë herë qytetarët
e lirë të këtij vendi nuk pranuan mbivendosje të politikës mbi kërkesat e tyre.
Padyshim kryeministri Rama, nëpërmjet vendimit të tij, lexoi vetëm vullnetin e
protestuesve, njohu dashje pa dashje triumfin e tyre.
Protesta
qytetare shënon një kthesë shumë të rëndësishme që unë do ta quaja pranvera
Shqiptare. Protestuesit ia dolën të imponojnë zërin e tyre; ata vetëqeverisën këtë
herë. Kjo është një fitore e madhe pas vitesh të tëra të dëshpërimit dhe mungesës
së vetëbesimit. Vetëm para pak ditësh, t’i propozoje dikujt protestat si mjet për
të ngritur zërin kundër padrejtësive institucionale, do të merrje përgjigjen e
tipit “çfarë pastaj,” apo “kush na dëgjon ne” .
Tani
qytetarët shqiptarë, pas aktivizimit që u përmbyll me fitoren e tyre, janë më të
vetëdijshëm se kurrë, se vullneti i tyre nuk mund të anashkalohet e as tjetërsohet.
Tani ata të gjithë, duhet të protestojnë për njëmijë problemet e tjera, kundër
korrupsionit, gjendjes së rëndë ekonomike, papunësisë, pushtimet të tregut nga
prodhimet e huaja, duke paralizuar kështu prodhuesit vendor, mungesës së sigurisë,
dhunës së shfrenuar ndaj grave, etj. Sepse protesta e tyre është presion mbi
institucionet, presion i cili kur mungon, pason keqqeverisja.
Ata që dolën
në bulevardin e Tiranës duhet ta kenë që qartë se politikanët nuk janë mirë vetvetiu,
ata bëhen të mirë e qeverisin në mënyrë të përgjegjshme, vetëm nëse janë nën
lupën e qytetarëve.
Ata që dolën
në bulevard dhe gjithë të tjerët që i mbështetën janë përgjegjës për drejtimin
që merr e ardhmja e Shqipërisë po aq sa politikanët që i drejtojnë. Sepse siç ka
thënë ish-presidenti amerikan Abraham Linkohln: “Ju nuk mund t'i shpëtoni përgjegjësisë
së të nesërmes, duke e shmangur atë sot”.
(Autorja është deputete e LDK-së në Kuvendin e Kosovës. Qëndrimet janë personale)