E enjte, 26.12.2024, 01:52 PM (GMT)

Faleminderit

Vitore Stefa Leka: Në “Giardino pubblico”, përpara bustit të Aleksandër Moisiut

E marte, 27.05.2008, 06:44 PM


Në “Giardino pubblico”, përpara bustit të Aleksandër Moisiut

Nga Vitore Stefa Leka*

Pasi, së bashku me grupin e miqve italianë u kthyem në Trieste nga qyteti turistik slloven, Porto Roz, para se të ndaheshim u kthyem te lulishtja e madhe e qytetit të Triestes, të cilën masivisht e thërrasin “Giardino pubblico”. Aty ndihet më mirë zgjimi i pranverës, me pemët e mbushura me sythe, me lulet shumëngjyrëshe që kanë shpërthyer duke e zbukuruar lulishten. Ne filluam të sodisnim bustet e njerëzve të shquar që e rrethojnë dhe i japin kësaj lulishteje një hije të rëndë dhe dinjitoze, të denjë për të qenë lulishtja më e rëndësishme e këtij qyteti të vjetër, të mbushur me art dhe kulturë. Midis të tjerave, më tërhoqi vëmendjen busti i Aleksandër Moisiut dhe shënimi përkatës: “Aktor i madh”, ditëlindja dhe dita e vdekjes.

Isha shkëputur pak nga grupi, duke ndenjur më shumë para bustit, kur dëgjoj që më thërrasin. “Ej! - iu thashë, - Ejani të shikoni bustin e një aktori tonë të famshëm.”

“Jo, - u hodh Daniela, një aktore e teatrit “Giuseppe Verdi”, duke shtuar, - Aleksandër Moisiu është austriak. Edhe këtë shqiptar do të na e nxjerrësh ti?”

Me Danielën debatojmë shpesh për këto gjëra. Të dyja jemi nacionaliste me sens pozitiv dhe asaj i vjen inat kur unë i përmend figura të shquara të kombit tim që kanë kontribuar për kombin e saj, si Skënderbeu, Karlo Gega etj.

“Moisiu është puro shqiptar. Më vjen keq se merresh edhe me art skenik”, - po i thosha Danilës, duke shpejtuar ta pyes: “Pse, si e keni mësuar në shkollë ju, për italian?”

“Jo, nuk e kemi bërë në mësim, po di që është austriak dhe ka debutuar shumë në skenat tona italiane. Ka qenë mik i ngushtë me dramaturgun tonë të njohur, Luiggi Pirandelo.”

Me Danielën u bashkuan edhe dy miqtë tanë. Në shtëpi kisha revistën “Doruntina”, të cilën ma dërgon rregullisht kryetari i LSHB-së për Suedinë, z. Ibrahim Egriu. Në atë numër ishte një shkrim i z. Mikel Prendushi, i cili fliste pikërisht për jetën e aktorit të madh shqiptar Aleksandër Moisiu. Me të në dorë iu drejtova italianëve të mi. “Ejani t’iu mbush mendjen që aktori është puro shqiptar”, - iu thashë pak e nxehur. U habitën nga ato që ju përktheva. Shkrimi ishte shumë interesant. Bënte fjalë për jetën dhe veprën e këtij princi shqiptar të skenave botërore dhe ja çfarë shkruante z. Mikel Prendushi.

*****

Aktori i madh shqiptar me famë botërore, Aleksandër Moisiu, turneun e fundit e bëri në Itali. Ai kishte ikur nga Gjermania si i përndjekur dhe po kështu, më 1934-ën u largua edhe nga Austria, i thirrur nga sipërmarrësit teatrorë italianë për një turne. Në qytete të ndryshme të Italisë, ai interpretoi pjesët më të bukura të repertorit të tij. Për suksesin e tij të merituar shkruajnë gjerësisht gazetat italiane, por dhe ato europiane. Në kohën kur fama e Moisiut tonë kishte arritur kulmin, Musolini kërkoi t’i jepte shtetësinë italiane dhe ta aktivizonte nëpër podiumet kryesore për propagandën e tij, por aktori i madh, i cili ishte kundër diktaturave dhe kundër luftës, e refuzoi këtë propozim.

Kohët e fundit janë botuar në Itali disa dokumente e kujtime, në të cilat tregohet se si Musolini kërkonte ta afronte me çdo kusht Moisiun, duke i dhënë edhe rolin kryesor të dramës “Savonarola”, e cila do të shfaqej në ditët e “Majit Fiorentin”, më 1935-ën, aktivitet ky i manipuluar nga fashizmi. Vetë Musolini kishte parë talentin e mrekullueshëm të Moisiut, në disa interpretime të kryeroleve dhe megjithë dyshimet për të si pacifist kërkonte ta afronte. Aleksandër Moisiu e refuzoi edhe këtë herë, duke vazhduar turneun e tij sipas kontratës që kishte lidhur. Gruan e tij, Johana Terwin, e kishte lënë në Austri, me qëllim që të kthehej edhe vetë atje. Pas refuzimit që i bëri disa herë Musolinit, Moisiu mendonte një orë e më parë të ikte nga Italia. Në ato ditë, dramaturgu i njohur italian, Luiggi Pirandelo, kishte shkruar një komedi me titull “Nuk dihet se si”, ku rolin kryesor ia kishte caktuar aktorit famoz. Pirandelo e çmonte shumë aktorin, ashtu si ky Pirandelon. Vënia e kësaj drame do ta shtynte qëndrimin e Moisiut në Itali. Në letërkëmbimet e tyre në këtë kohë shihet një farë ftohtësie e deri kritikat e Moisiut ndaj komedisë së re. “Në këtë komedi nuk ka asgjë për të qeshur apo për të qarë”, - i shkruante Moisiu Pirandelos, për të justifikuar refuzimin e tij. Më vonë, mes tyre u arrit një kompromis. Komedia e rishikuar do të vihej në skenë si premierë jo në Itali, por në Austri (Vjenë). Vetë Stefan Cvajgu, shkrimtar i mirënjohur, mori përsipër përkthimin e kësaj komedie, siç tregojnë dokumentacionet e kohës. Është interesante të theksohet se këtë komedi ia kishte kërkuar Pirandelos Teatri Kombëtar i Parisit, por që Pirandelo preferonte ta vinte në skenë vetëm me Moisiun në rolin kryesor. Në ditët e para të marsit, Moisiu lexoi nëpër gazetat italiane rreth përgatitjeve për pushtimin e Abisinisë (Etiopisë). Sapo lexoi këto lajme ai tha: “U pa puna. Lamtumirë!” Vendosi një orë e më parë të largohej. Shfaqjen e fundit e dha në qytetin e njohur San Remo, më 12 mars 1935. Aktorja italiane, Maria Fabri, në artikullin “Debutimi i fundit i Moisiut” ka shkruar: “Atë mbrëmje u pamë për të fundit herë në debutimin tonë te “Kufoma e gjallë” e Leon Tolstoit, ku Moisiu kishte rolin kryesor, atë të Fedias.”

Atë natë kishte ethe dhe ashtu siç ishte një artiste e re, i propozoi të futeshin në det, në ujin e akullt të Tirrenit.

Të nesërmën, pa zbardhur dita, ai do të merrte trenin ekspres për në Vjenë. Gjatë rrugës ai u sëmur edhe më tepër. Mushkëritë e tij, të lodhura nga turberkulozi që kishte marrë gjatë Luftës së Parë Botërore në Francë, nuk duruan më dhe atij iu shfaq sëmundja e polmonitit akut. Sapo arriti në Vjenë e shoqja e shtroi menjëherë në spital, por gjendja e tij sa vinte dhe rëndohej. Vdiq më 22 mars 1935, në Vjenë. Varrimi i tij ishte vërtet madhështor.

*Vitore Stefa është një personalitet i spikatur i botës së emigracionit shqiptar. Si bijë e një familjeje beratase të persekutuar nga regjimi komunist, pas pushkatimit të të atit, të cilësuar “agjent i amerikanëve”, largohet nga Shqipëria në vitin 1990 dhe vendoset në qytetin e Triestes në Itali, ku jeton edhe sot. Është presidente nderi e Bashkimit të Shoqatave Shqiptare-Arbëreshe. Ka botuar disa vëllime me poezi, disa të përkthyer në rumanisht, frëngjisht dhe italisht, midis të cilëve “La liberta”, “Jetoj Ringjalljen”, “Vetmi e largësisë”, “Ne të dënuarit...”



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora