Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: A është ky brezi i ndryshimeve?
E diele, 17.11.2013, 06:59 PM
A ËSHTË KY BREZI I NDRYSHIMEVE?
Nga Frank Shkreli
Në një prej shkrimeve të mia nja një javë më parë duke shprehur mendimin tim ndaj
planeve ndërkombëtare për të shkatërruar armët kimike të Sirisë në Shqipëri,
u shpreha se është për tu admiruar fakti se grupe të rinisë,
organizatash civile dhe jo qeveritare kishin filluar të protestonin
kundër këtij propozimi, dhe njëkohësisht kërkuan diskutim të hapur dhe transparencë te
plotë në lidhje me kapacitetet që ka Shqipëria për shkatërrimin e armëve
kimike të Sirisë, si dhe për një debat të hapur mbi pasojat e rënda që mund të rrjedhnin
nga një operacion i tillë. Kryeministri i vendit, Z. Edi Rama, pas
një heshtjeje të gjatë dhe hesitimesh --
nën presionin e protestave të mbrendshme nga dhjetëra mijëra qytetarë shqiptarë
të grupeve të ndryshme të shoqërisë civile, kryesisht të rinjë e të reja
universitarë, i tha më në fund Jo propozimit të ndërkombëtarëve, të kryesuar
nga Shtetet e Bashkuara, për shkatërrimin e armëve kimike siriane në territorin
shqiptar. Analistë, komentues dhe
politikanë të të gjitha ngjyrave po shkruajnë dhe komentojnë se kush "fitoi"
dhe kush “humbi” nga ngjarjet e javës së kaluar. Është e qartë se duke gjykuar për nga mënyra
se si u morën me këtë çështje autoritetet shqiptare, ''humbëse" ishte kryesisht politika shqiptare, si
pozita ashtu edhe opozita, por dhe institucionet shtetërore në përgjithësi,
pasi nuk kishte asnjë koordinim midis tyre për miratimin e një qendrimi të përbashkët,
pro ose kundër -- për një çështje kaq të rëndësishme -- siç ishte
tranferimi i armëve kimike siriane për tu shkatërruar në Shqipëri. Por,
aty ku dështoi politika shqiptare, fatbardhësisht, besoj se doli fituese Shqipëria
dhe shqiptarët. Doli fituese e ardhmja e Shqipërisë dhe veçanërisht
shoqëria civile shqiptare, e cila deri me ketë rast ndoshta ekzistonte vetëm
në emër. Në mungesë të një bashkrendimi politik zyrtar dhe në një boshllëk
të plotë transparence nga zyrtarët shqiptarë, organizimi i protestave
dhe i demonstratave paqësore kundër shkatërrimit të armëve kimike siriane
në Shqipëri, ishte roli më i mirë që mund të luanin këto organizata
civile në këtë rast. Ndonëse si të tilla, javën që kaloi, ato ndoshta
fillimisht pa ditur, ushtruan një rol tepër të rëndësishëm për zhvillimin dhe përforcimin
e mëtejshëm të demokracisë së vërtetë në Shqipëri.
Gjithashtu,
ditët e fundit është folur e përfolur aq shumë edhe për rolin e Shteteve të Bashkuara
në këtë mes dhe për ndikimin që vendimi i Kryeministrit shqiptar Z. Edi
Rama, për të mos lejuar dërgimin e armëve kimike siriane në Shqipëri, mund të ketë
në marrëdhënjet shqiptaro-amerikane, tani dhe në të ardhmen. Duhet
theksuar se Departmenti Amerikan i Shtetit, nepërmjet zëdhënses së tij,
u prononcua të premtën se JO-ja e Kryeministrit Rama nuk do të ketë asnjë
ndikim në marrëdhënjet e shkëlqyeshme midis dy vendeve. Nuk mund të ishte
ndryshe! Për më tepër, Shtetet e
Bashkuara të Amerikës, nuk kishin se si të jenë as të zhgënjyera nga
vendimi i vonuar kundër që mori
Kryeministri Rama nën presionin e protestave paqësore dhe spontane të mijëra
shqiptarëve kundër transportimit dhe shkatërrimit të armëve kimike siriane në tokën
shqiptare. Sepse dihet botërisht se Amerika është ''nëna'' e të gjitha demonstratave dhe
protestave civile për kauza të llojlojshme, të mbrendshme dhe të jashtëme.
Për më tepër, janë Shtetet e Bashkuara ato që me dekada tani kanë financuar
me fondet e taksa-paguesve amerikanë shoqëri civile anë e mbanë botës, e
sidomos kanë mbështetur krijimin e
organizatave jo-qeveritare në vendet ish-komuniste gjatë 20-vjetëve të fundit,
përfshirë edhe Shqipërinë dhe Kosovën, me besimin se në asnjë vend, e sidomos në
vendet e pas diktaturës komuniste, nuk mund të ketë demokraci vërtetë funksionale, pa një shoqëri
civile efektive. Si të tilla,
bëhet fjalë për organizata vërtetë të shoqërisë civile, që veprojnë një demokraci
funksionale, ku ato respektojnë ligjin dhe të drejtat e të tjerëve, tolerantë ndaj
pikpamjeve të kundërta dhe të cilat punojnë në mbrojtje të interesave të përbashkëta
të shoqërisë civile dhe të shtetit. Si të tilla, dhe për nga natyra,
ato duhet pa tjetër të jenë të pavarura nga politika dhe nga qeveria. Ka
ndodhur që në disa vende, përfshirë edhe Shqipërinë, grupe që e kanë quajtur
veten të shoqërisë civile kanë vepruar për llogari të njërës ose tjetrës palë politike.
Grupe të tilla nuk mund të konsiderohen organizata të shoqërisë civile, të pakën
në kuptimin e fjalës siç kuptohet këtu në Amerikë, por vegla të partive. Roli kryesor i organizatave të vërteta
të shoqërisë civile, është që nepërmjet veprimtarisë së tyre, të kufizojnë
dhe të kontrollojnë pushtetin qeveritar, të udhëheqsve dhe të zyrtarëve
politikë, dhe njëkohësisht të kërkojnë informacion dhe transparencë nga organet
qeveritare për çështje madhore të interesit publik, ashtuqë këto ente jo-qeveritare
të jenë të afta të kryejnë misionin e tyre të caktuar, për të ndihmuar në zgjidhjen
e problemeve të përbashkëta, dhe njëkohësisht për të inkurajuar dhe për të lehtësuar debatin publik mbi çështjet
jetike të vendit duke shprehur mendimin e tyre lirisht dhe pa frikë ndëshkimi.
Gjatë karjerës time kam marrë pjesë në disa
trajnime të anëtarve të shoqërive civile
nga Europa lindore dhe më kujtohet se ekspertët flisnin për organizatat e shoqërisë
civile edhe si ente për trajnimin e udhëheqësve të ardhëshëm politikë,
pasi ata si anëtarë të shoqërive civile nën rrethana normale veprimtarie dhe të
pavarur nga influencat politike, merren me zgjidhjen e çështjeve të rëndësishme në interes të publikut, në një atmosferë tolerance
e mirëkuptimi, ndryshe nga politikanët e karjerës.
Protestat
paqësore të grupeve jo-qeveritare të shoqërisë civile dhe të rinisë që u
zhvilluan javën e kaluar anë e mbanë Shqipërisë, e që filluan si
rrjedhim i mungesës së informacionit zyrtar, ndihmuan në informimin e publikut
shqiptar dhe botëror mbi një çështje tepër me rëndësi për shoqërinë shqiptare,
por edhe për botën, dmth., të transportimit dhe të shkatërrimit të mundshëm të armëve
kimike siriane në territorin shqiptar. Ky brez i ri i shqiptarëve,
kryesisht të lindur pas rënjes së komunizmit pak më shumë se 20-vjetë më parë, me
protestat e javës që kaloi, tregoi se është i gatëshëm të luaj rolin
e tij efektiv dhe legjitim si një katalist udhëheqës për ndryshim, ndoshta
epokal, si dhe për zhvillimin e marrëdhënjeve më të mira midis
shtetit dhe qytetarëve, për një të ardhme më të mirë dhe më të sigurt për të gjithë.
Protestat
paqësore të organizatave jo-qeveritare të javës së kaluar anë e mbanë Shqipërisë,
ka mundësi nëqoftse me të vërtetë mbeten të pavarura nga politika, të kenë shënuar një këthesë historike për
vendin, që do të mbahet mend si mbarimi i diçkaje të vjetër dhe
fillimi i diçkaje të re. Ishte ky
një triumf i papritur por i mirëseardhur.
Siç ka thënë edhe ish-Presidenti
amerikan Xhon Kenedi, "Në historinë e gjatë të botës, vetëm
disa gjeneratave u është dhënë mundësia të luajnë rolin e tyre në mbrojtje të lirisë, në momentin e kanosjes së rrezikut më
të madh ndaj saj." A është ky brezi i ri i shqiptarëve ai që do të luaj
këtë rol historik për kombin e vet?
Ky
brez i ri shqiptarësh, përsëri sipas fjalëve të arta të Xhon Kenedi,
me protestat e organizuara javën e kaluar, tregoi se kur e lypi nevoja, ata nuk
kërkuan se çfarë mund të bëjë vendi i tyre për ta, por çfarë mund të bëjnë ata për
Atdheun e vet dhe për të ardhmen e kombit shqiptar, në një moment
kur vendi kishte nevojën e intervenimit të këtij brezi për mbrojtjen e
interesave të përbashkëta. Le të shpresojmë se kësaj
gjenerate të re shqiptare, siç ka thënë Xhon Kenedi, i është dorëzuar
stafeta e lirisë dhe e demokracisë së vërtetë -- këtij brezi të rinjsh dhe të rejash shqiptare,
të lindur pas rënjës së komunizmit, krenarë të prejardhjes së tyre ilire,
të gatshëm për të mbrojtur interesat e Atdheut dhe të kombit, mbështetës të lirive
dhe të drejtave të njeriut, për veten dhe për bashkombasit e vet -- të drejta këto
që historikisht u janë mohuar të parëve të tyre ndër shekuj.
Qartë, ndihet nevoja e një përtërirjeje rrënjësore, pas
shumë zhgënjimesh dhe mjerimesh. Ndihet nevoja edhe për një xhveshje njëherë e
mirë nga tradita dhe kultura politike e një ideologjie të huaj e cila ka lënë aq
shumë plagë në trup të kombit gjatë 50-viteve të fundit. A është këjo kryengritja e të rinjve ndaj kësaj
kulture politike? A është ky brezi i ri
i lindur pas rrëximit të komunizmit, ai i cili do të shpërvjelë mëngët dhe i
cili do të ndërtojë shtetin e ri modern, duke i dëshmuar botës dinjitetin e
pashoqtë kombëtar të shqiptarëve?