Mendime
Berisha akuzoi Nanon dhe Gjinushin për vrasjen e Azemit por nuk tha as 1% të atyre që dinte
E marte, 27.05.2008, 07:23 PM
Nga Përparim HALILI
Heroi i Demokracise Azem Hajdari
Në numrin e kaluar, ju deklaruat disa momente rreth dosjes së vrasësve të Azem Hajdarit? A përbëjnë këto deklarime, prova ligjore?
Çështja "Hajdari", nga ana proceduriale është gjykuar dhe janë dënuar një grup individësh me akuzën e vrasjes së tij. Në parimin e përgjithshëm, kjo quhet një çështje e gjykuar dhe rihapet vetëm me një vendim të Gjykatës së Lartë, nëpërmjet kërkesës së prokurorisë së Përgjithëshme, për rishikim të çështjes kur dalin prova të reja,për të cilat nuk është dhënë vlerësim në gjykimin e parë të çështjes, që përveç të dënuarve mund të fajësohen edhe persona të tjerë, të cilët kanë dijeni ose pjesëmarrje në ngjarje, por që nga hetimi i cekët ose qëllimisht nuk figurojnë të trajtuar në dosjen e gjykuar. Prokuroria, mund të nis hetime të reja, qoftë edhe me një informacion të thjeshtë, të botuar në gazetë si në rastin e gazetës "SOT"për çështjen "Hajdari", por unë jam çuditur se si prokuroria nuk ka investiguar fare për këtë dosje të mangët, mbas dëshmive të bëra në komisionin Hetimor Parlamentar "Klosi", të ngritur posaçërisht për këtë çështje.
A duhej të ndalej prokuroria pas hetimit të komisionit Parlamentar dhe sipas jush, përse nuk u bë kjo nga prokuroria?
Patjetër që duhej të ndalej, për arsye sepse në këtë komision u paraqitën fakte dhe rrethana të tjera, të cilat duhej të hetoheshin nga e para duke u futur në përbërje të dosjes së gjykimit, mbasi mund të dilnin prova të reja të pakundërshtueshme që do të hidhnin dritë mbi organizatorët e vërtetë të këtij krimi, që rezultoi me vrasjen e deputetit Azem Hajdari.
A është në kohë vlerësimi ligjor i materialit të komisionit Hetimor Parlamentar, për t'u hapur kjo dosje nga prokuroria?
Ligjërisht kjo bëhet në çdo kohë që konstatohet se del një provë e re, ose konstatohet një rrethanë e re, qoftë edhe kur kjo ka të bëjë me një dëshmitar që di diçka, që në dosje nuk është deklaruar zyrtarisht në hetime ose në proces gjyqësor. Këtë, prokuroria duhet ta bëjë, mbasi është i vetmi autoritet që ushtron ndjekje penale për hapje dhe rihapje dosjesh, të cilat mund të konsiderohen edhe të mbyllura. Më qartë, procesi nis nga e para, kur del një provë apo dëshmi e re.
A ka çuar komisioni Hetimor Parlamentar informacion në prokurori?
Nuk e di nëse kjo është realizuar ose jo, por di që duhet ta bënte ligjërisht. Por nëse këtë raport e ka çuar dhe prokuroria nuk e ka trajtuar, pra nëse e ka bllokuar, ky konsiderohet skandal i rëndë në drejtësi. Por gjersa nuk u trajtua nga prokuroria, kjo dëshmon faktin skandaloz që dikush është i interesuar që dosja "Hajdari" të mbetet atje ku e mbylli gjykata.
Pse e thoni këtë?
Sepse kjo heshtje, si në rastin nëse materiali hetimor Parlamentar nuk është paraqitur në prokurori por edhe nëse ky është paraqitur atje dhe nuk është trajtuar, këtu kemi të bëjmë me një skemë për të mos zbardhur dosjen, pra për të mos nxjerr në dritë vrasësit e vërtetë të tij. Unë kam bindje që ka prova të reja brenda asaj dosjeje dhe këto duhen zbardhur e duhen hetuar. Unë, nga hetimet e bëra kam rezultuar se grupi i vrasësve të Azem Hajdarit janë 17 persona, nga të cilët 6 janë vrarë. Nëse dosja hetohet nga e para do të dalin të gjithë emrat e vërtetë të këtij krimi. Këto unë i kam deklaruar edhe në komisionin Hetimor Parlamentar.
Ju i keni deklaruar këto në komision, cili ka qenë qëndrimi i tyre?
Unë e thashë që gjithçka di e kam deklaruar në atë komision. Por kam thënë, që në komision duhet të thirret Thimjo Kondi, liruesi i tyre real, sepse ai ka ndërhyrë deri në gjykatë për të shpejtuar datën e gjyqit dhe për t'i liruar ata. Pra, u kërkova me këmbëngulje anëtarëve të komisionit, që të thirret patjetër Thimjo Kondi dhe aty nis zbardhja e vrasjes së Azem Hajdasrit. Pas këmbënguljes time, anëtarët e komisionit heshtën dhe e mbyllën procesin me pyetjet ndaj meje për dosjen "Hajdari".
Po tek Berisha, i keni deklaruar këto gjatë bisedave me të?
Ato çfarë kam deklaruar në komision i kam deklaruar edhe tek Berisha pa asnjë ndryshim. Dhe këto ia kam thënë me bindjen se sapo PD të vinte në pushtet do të bënte denoncimin për vrasësit e vërtetë dhe për gjithçka i kam deklaruar atij. Por ai nuk po shkon në drejtësi dhe nuk e di se përse! Por unë Berishës i kam thënë shumë gjëra të tjera që nuk i kam thënë në komision, sepse komisioni e ndërpreu pyetjen time pa më dhënë asnjë shpjegim. Madje i kam thënë edhe gjëra, që komisioni nuk m'i kërkoi fare edhe pse nisa t'i dëshmoja. Tashmë, i vetmi person që i di të gjitha detajet, emrat dhe faktet, që nuk janë as në dosjen gjyqësore është Sali Berisha. Ky duhet ta bëjë këtë gjë, ose më saktë, duhet ta bëjë prokuroria këtë rihapje të dosjes, për të marrë faktet tek dëshmitari i "kompletuar" me provat e dosjes 'Hajdari" që nga pikënisja e kësaj vrasjeje, pra personi i informuar prej meje dhe prej shumë të tjerëve, Sali Berisha.
Përveç Fatos Klosit, a duhej thirrur në komision, ose në prokurori, Thimjo Kondi?
Patjetër që duhej të thirrej, sidomos pas deklarimeve të mia dhe këmbënguljes që bëra duke i kërkuar komisionit që të thirrej edhe Thimjo Kondi, në atë kohë me detyrë ministër Drejtësie. Por nuk u bë. Sepse siç e thashë, ai i ka liruar Haxhiajn dhe Haklajn përpara kohe. Kjo nuk u bë dhe nuk po bëhet, ndërkohë që dosja nuk po hapet, por që duhet të hapet dhe të ketë si pjesë të saj hetimore e gjykuese, si Fatos Klosin edhe Thimjo Kondin, secili sipas pozicionit që kanë patur dhe kanë mbajtur përpara dhe pas vrasjes së Azem Hajdarit.
Po Sali Berisha, ligjërisht a duhej thirrur si dëshmitar, ose më saktë, si shtetasi që dinte vrasësit e Azemit?
Berisha është thirrur disa herë për këtë dosje, për të dëshmuar pas deklarimeve të tij publike që "i dinte vrasësit" dhe këta sipas tij ishin " Fatos Nano dhe Skënder Gjinushi". Por nuk është paraqitur, ndërkohë që edhe drejtësia nuk e kanë marrë atë forcërisht. Atëherë, ai e justifikonte mos paraqitjen në prokurori, duke thënë se "drejtësia është drejtësi në dorë të kapos së krimit Fatos Nano e Skënder Gjinushi". Berisha disponon mijëra prova dhe kjo është e papranueshme dhe antiligjore, që nuk shkon në prokurori të kërkojë hapjen e dosjes "Hajdari". Ne ia dhamë provat të plota, por ai i ka bllokuar ato. Sikur Berisha të çojë në prokurori vetëm 1% të atyre provave dhe fakteve që unë i kam dhënë për këtë vrasje, brenda ditës duhet të hapet dosja e çështjes "Hajdari" dhe të nis nga e para hetimi i vrasjes. Në dëshmitë e mia, dhënë atij në takimet që kam patur, ka shumë fakte, pseudonime, vende veprimi dhe emra pjesëtarësh në krim, ka skema dhe detaje që nuk janë paraqitur prej tij në drejtësi dhe më habit fakti, që ai heziton t'i çojë në drejtësi prej afro 10 vjetësh.
Gjatë bisedave që keni bërë me Berishën, cili ka qenë qëndrimi i tij në lidhje Isamedin Haxhinë dhe Halil Haklajn?
Këtë e di Berisha, por unë di faktin, që ai kërkonte informacion rreth shumë personave, ku natyrisht brenda "hetimeve të tij" janë edhe këta persona. Unë di ato që i kam dhënë si prova për ta dhe për takimet që kam bërë me këta të dy privatisht gjatë kohës së paraburgimit. Por komunikimi im dhe i të gjithë atyre që janë takuar me Berishën për këtë dosje, ka patur një "kod komunikimi special" dhe natyrisht të frikshëm për atë kohë.
Cili ka qënë ky "kod"?
Kur unë kam shkuar në zyrën e Berishës, më kanë thënë që "zyra e doktorit përgjohet", ndaj dhe gjatë takimit nuk flisnim me zë, por i shkruanim me letër dhe "doktori" i merrte, i lexonte dhe i fuste në një dosje. Nuk e di nëse i ka apo jo këto dëshmi, por di që ato kanë 10 vjet që nuk zihen fare në gojë, as kanë shkuar në hetim dhe gjykim të çështjes.
Cili ishte motivi i saktë i thirrjes tuaj në komisionin parlamentar, cilët ju thirrën dhe pse pikërisht juve?
Më kanë thirrur për shkak të një informacioni që ishte dërguar nga SHISH në prokurorinë e Përgjithshme, sipas të cilit unë akuzohesha, se "kisha zbatuar një porosi të Azem Hajdarit për arrestimin e Haklajt dhe Haxhiajt, të cilët merreshin me trafik armësh", por që nuk ishte e vërtetë. Më tej, gjatë pyetjeve u interesuan dhe për probleme të tjera, por që rezultoi se nuk u morën në konsideratë edhe pse unë i dëshmova të plota, ashtu siç ishin realisht. Më pas e mbyllën procesin me mua. Me sa kuptova, letra informative e SHISH ishte një sajim nga SHISH, me qëllim që të përligjnin "vrasjen për hakmarrje" të deputetit Azem Hajdari dhe për të evituar motivin dhe autorët e vërtetë të vrasjes së Azemit, duke tentuar kështu, të mos zbardhej e vërteta dhe autorët real të këtij krimi. Për thirrjen time, ata shfrytëzuan njohjen dhe miqësinë e hershme që kam patur me Azem Hajdarin që në vitet 1990-1991.
Po ata që bënë shpejtimin e datës së gjyqit dhe lirimin e Haklajt dhe Haxhiajt në Gramsh, përse nuk u thirrën?
Kjo dihet, madje nuk u zunë fare në gojë as në komisionin parlamentar dhe as në gjykim. Motivet e heshtjes ndaj tyre dihen dhe kjo heshtje, ose më saktë shmangie e qëllimshme, ka lidhje me të tjera gjëra e me të tjerë persona. Thimjo Kondi nuk u thirr, e po kështu prokurori, ndërsa gjyqtarja e lirimit të tyre u thirr, por ajo deklaroi se "nuk mbante mend asgjë" dhe nuk u këmbëngul për të vazhduar më tej pyetjet ndaj saj. Aktualisht, kjo gjyqtare punon këshilltare e Thimjo Kondit dhe këtë detyrë e ka marrë fill pas lirimit të Haxhiajt dhe Haklajt.
Në intervistën e numrit të kaluar, ju keni përmendur dosjen Nr.106. Ç’është kjo dosje?
Dosja Nr.106 është fashikulli i hetimeve paraprake ndaj personave të arrestuar në flagrancë "për posedim armësh". Aty janë gjithë deklarimet e tyre gjatë pyetjes së Haxhiajt dhe Haklajt. Ishte një dosje e kompletuar dhe me detaje e prova paraprake, të cilat nëse trajtohen me korrektesë dhe vlerësim të plotë gjykimi edhe sot, mendoj se të çojnë në vrasjen e Azem Hajdarit.
Ju keni përmendur faktin, se ka dyshime që kjo dosje mungon në arkivat e prokurorisë, Gramsh, si është e vërteta lidhje me të?
Kur jam thirrur në komisionin parlamentar, por edhe më parë se sa të shkoja në komision, kam kërkuar të kem në përdorim dosjen si material parapërgatitor, kujtese për procesin e pyetjeve. Këtë dosje nuk ma dhanë, mbasi sipas deklarimit të zyrës së prokurorit të Gramshit, "kjo dosje nuk ekzistonte aty" dhe më thanë se "ishte tërhequr nga prokuroria e Përgjithshme (që është skandal), pastaj më thanë se "e kishte SHISH", pastaj më thanë se " e kishte komisioni parlamentar Hetimor", por që unë nuk e gjeta askund dhe nuk ma tregoi askush. Edhe sot jam kurioz të di, nëse kjo dosje ekziston, ose jo. Kujtoj, që kjo dosje kishte lidhje me periudhën hetimore të përpara vrasjes së Azem Hajdarit dhe siç e thashë, tani e kuptoj qartë që kjo zhdukje ka lidhje me dosjen e vrasjes së Azemit.
Cili ishte më pas, qëndrimi i Komisionit Hetimor Parlamentar, në lidhje me dosjen Nr.106?
Pasi unë kërkova dhe deklarova, se procesi i pyetjes time duhet të niste nga hapja e kësaj dosjeje, ata më thanë "e dimë ne, e kemi studiuar dhe nuk është nevoja ta shohësh". Por që në tavolinë nuk e kishin as si fashikull, sipas ligjit. Pozicioni im përballë tyre ishte i tillë, që nuk mund të kërkoja shpjegime prej komisionit dhe me kaq procesi i pyetjes time u mbyll dhe kjo dosje nuk u zu më në gojë, madje nuk dihet fati i saj. Më pas, u vra Halil Haklaj ndërsa Isamedin Haxhia, u akuzua për vrasjen e Azem Hajdarit, por që u lirua vetëm "për armëmbajtje pa leje" duke dalë i pafajshëm për vrasjen e deputetit Azem Hajdari. Tek fati i këtyre të dyve dhe tek dosja Nr. 106 qëndron pikënisja e vrasjes së Azemit dhe mbyllja e dosjes së vrasjes së tij.
Kur është realizuar takimi juaj me Berishën, i iniciuar nga Vili Minarolli?
Ka qenë data 5 gusht 1999. Ky takim është bërë në Tiranë dhe është bërë 1 ditë pas atentatit të bërë në Tropojë, ku mbeti i vrarë Halil Haklaj. Këtë takim, ma kërkoi Vili Minarolli, të cilin e takova paraprakisht. Ai më kërkoi të takoja Sali Berishën dhe kjo kërkesë e tij, erdhi pas bisedës me të, të cilit po i përmendja disa fakte mbi vrasjen e Azem Hajdarit. Pasi më dëgjoi pak, Vili Minarolli më ndërpreu, duke më thënë, se "këto duhet t'i di vetëm doktori, mbasi kështu është porosia". Unë shkova në takim dhe i dëshmova Berishës gjithçka kam ditur dhe këto ia kam dëshmuar në emër të miqësisë që kisha me Azem Hajdarin. Kam bërë dhe takime të tjera me Berishën dhe përherë i kam paraqitur prova të reja për këtë krim. Ai i merrte këto dëshmi. Por deri tani, që kanë kaluar afro 9 vjet nga këto takime nuk është paraqitur asnjë provë në drejtësi. Sidomos çudia, qëndron gjatë këtyre tre vjetëve që Berisha është në pushtet dhe në këtë drejtim, deklaroj se qëndrimi i tij heshtës po na shtang të gjithëve.
E mendoni se Berisha do të shkojë në prokurori, tani pas 10 vjetësh?
E di vetëm ai. Berisha duhet të shkojë. Ne presim, që ai të përligjë jo vetëm lidhjet me Azem Hajdarin, por edhe detyrimin si kreu i PD, si deputet, politikan dhe qytetar, për të shkuar të dëshmojë. Dhe madje, të kërkojë me këmbëngulje hapjen e kësaj dosjeje, mbasi deri tani për vrasjen e Azem Hajdarit janë dënuar vetëm ekzekutorët, ndërsa organizatorët e vërtetë nuk janë dënuar. Po kështu përpara drejtësisë duhet të vihen edhe ata që kanë mbyllur këtë dosje.