Kulturë
Ryzhdi Baloku: Fliste heshtja për trajtimet mizore
E hene, 04.11.2013, 07:38 PM
FLISTE HESHTJA PËR TRAJTIMET MIZORE...!
Nga Ryzhdi Baloku
Për të siguruar
sa më shumë prova materiale rreth veprimtarisë së pjesëtarëve të ilegales, që kohë
më parë ishin arrestuar dhe tashmë gjendeshin në paraburgim, milicia, sigurimi
i shtetit, gjyqtari hetues dhe prokuroria publike e qarkut zhvilluan hetime
intensive për disa muaj resht. Mbështetur në provat e grumbulluara të hetuesisë,
me 6 gusht të vitit 1964 prokurori i këtij institucioni shtetëror Miro Matoviç ngriti
aktakuzën e përbashkët për të dy organizatat ilegale, në të cilën mes tjerash
shkruan: Të akuzuarit gjatë veprimtarisë së tyre ilegale ishin angazhuar me tërë
potencialin posedues për ta rrënuar rendin kushtetues, me pretendim që Kosovën
dhe trojet tjera në Jugosllavi që janë të banuara me shumicë shqiptare t’ia
bashkëngjisin Shqipërisë.
Meqë sipas
procedurave paraprake tanimë kishin përfunduar të gjitha përgatitjet përkatëse
për mbajtjen e këtij gjykimi, kryetari i trupit gjykues e caktoi datën për nismën
e seancës gjyqësore. Lidhur me këtë, edhe avokatët e palëve në procedurë u
njoftuan me kohë, përmes ftesave që i morën brenda afatit të paraparë ligjor.
Kur deshi
të nisë shqyrtimi kryesor i këtij gjykimi, korridoret e gjykatës u mbushen me
milicë e udbashë. Nga numri i madh i njerëzve që ishte brenda dhe vapa e madhe
që mbretëronte jashtë, në gjykatore ndjehej një zagushi prej të cilës zihej
fryma. Ndërkaq te hyrja e kësaj ndërtese dhe rrugëve përreth vërehej një përqendrim
i shtuar i milicëve të armatosur me pushkë e automatikë, e që një tendosje e
tillë hetohej edhe në qytet.
Nga burgu
në gjykatë, të akuzuarit u sollën të lidhur me pranga, nën përcjelljen e
dyfishuar të milicëve. Ata ngarendnin njëri pas tjetrit në resht shkallëve përpjetë.
Kur arritën në katin e epërm, kolona e tyre dukej e pafund në korridorin e gjatë
që çonte kah salla e gjykimeve. Ndonëse të drobitur, të pandehurit përpiqeshin
për të ecur pa u përkulur, edhe pse
paraprakisht iu kishin thënë nën kërcënim se do të ndëshkohej secili prej tyre
që nuk do ta mbajë kokën ulur me shikim teposhtë.
Nga përvoja
e përjetuar më herët, dihej se të pandehurit trajtoheshin me fasha të lagëta e
medikamente mjekuese disa ditë para se t’iu fillonte gjykimi, ngase nëpër
procedura të tilla kishin kaluar edhe shumë tjerë s’i këta. Një gjë e tillë bëhej
me qëllim që nga opinioni publik t’i fshihnin pasojat e torturave, megjithëkëtë
nga fytyrat e vrenjtura të të arrestuarve që iu përshkonte një tis i ndritur së
bashku me shoqërimin e ndonjë prej hijeve çivit të mbetura në mollëzat e disave
prej tyre, fliste heshtja që tregonte se nëpër çfarë trajtimesh mizore kishin
kaluar ata, gjatë periudhës së marrjes në pyetje.
Në sallën
e madhe të gjykatores, të pandehurit i rreshtuan me nga një milic në mes, në rendin
e parë të ulëseve. Përball tyre ishte renditur trupi gjykues i përbërë prej pesë
anëtarësh, në krye të të cilit qëndronte Zhivojin Cvejiçi në mes, që ishte njëherësh
edhe kryetarë i kësaj gjykate qarku në Pejë, ndërkaq përkrah tij rrinte ulur
Ngazëllim Sarhoshi, i cili gjithashtu e mbante postin e kryetarit të gjykatës
komunale në këtë qytet. Anash tyre nëpër karrige kapardiseshin me azgani
gjyqtarët porotë: Shebek Boshkoka, Trajka Angjelkoviç e Serasqer Batakçiu si anëtarë
të trupit gjykues dhe po ashtu procesmbajtësja Zorica Malikoviç, që ishte nëpunëse
e kësaj gjykate.
Pasi që kryetari
i këtij trupi gjykues e hapi seancën gjyqësore me një qëndrim prej vojvode,
prokurori publik i qarkut Bozhidar Babiç si një serdar nisi ta shpalosë aktakuzën
e ngritur nga kolegu i tij Miro Matoviç, e cila kryesisht mbështetej në procesverbalet
e të pandehurve dhe dëshmitarëve të marrë në pyetje nga organet e sigurimit
shtetëror, gjyqtarit hetues Novak Tajiç dhe vetë atij, për çfarë pastaj në përmbyllje
të këtij leximi iu drejtua trupit gjykues me kërkesë që këto akte të të akuzuarve
t’i kualifikojë si vepra të rënda penale.
Në parim,
provat e paraqitura në këtë aktakuzë, nuk i mohuan as të pandehurit e pranishëm,
por gjatë marrjes në pyetje, secili prej tyre që fliste, në përgjigje shtonin: Për ta stimuluar shpërnguljen
e shqiptarëve në Turqi, ky regjim po ua mohon atyre të gjitha drejtat njerëzore,
me qëllim që pastaj këto treva t’i kolonizojë me serbë e malazezë. Pos kësaj,
secili i pandehur po ashtu sqaronte pa e fshehur synimin që e kishte pasur për çlirimin
e të gjitha trojeve të okupuara nga Jugosllavia dhe bashkimin e tyre me Shqipërinë,
duke konsideruar këtë si një të drejtë universale që i takon çdo populli për të
jetuar i lirë në shtetin e vet. Mirëpo të këto komente, ndërhynte kryetari i
trupit gjykues me fjalë kërcënuese, se nuk do t’i tolerojë e as t’i lejojë që të
flasin jashtë pyetjeve të parashtruara.
Meqë numri
i të akuzuarve dhe dëshmitarëve ishte bukur i madh, gjykimi zgjati për disa ditë
rresht.
Në ditën
e përmbylljes së kësaj maratone gjyqësore, mbretëroi një qetësi varri. Të gjithë
që ishin në sallë u ngritën në këmbë kur fjalën e mori Zhivojin Cvejiçi,
kryetar i këtij trupi gjykues, i cili po ashtu ishte edhe violina e parë e
orkestrës së koncertit të muzikës funebër që ekzekutohej nga UDB-ja jugosllave
në krye me ministrin e brendshëm Aleksandër Rankoviç dhe xhelatët tjerë të udhëhequr
nga partia komuniste. Të gjithë nga publiku u bënë sy e vesh për ta dëgjuar me
kujdes shpalljen e këtij aktgjykimi, që nisi ta lexojë ai. Në gjykatore,
fytyrat e familjarëve dukeshin të mpira, sikur të ishin para pushkatimit. Të pandehurit
u shpallen fajtorë. Të gjithëve me radhë iu shqiptuan dënimet, që kryesisht
silleshin në kohëzgjatje prej katër e deri në katërmbëdhjetë vite burg të rëndë,
duke e llogaritur aty edhe kohën nga dita e arrestimit.
Kur trupi
gjykues u tërhoq, familjarët nisen me dalë të kalamendur nga salla. Me fytyra të
ngrysura, kolona e tyre ecte korridorit si një kortezh i përmortshëm. Me kokë të
ngritur e çehre të vrenjtur Sokol Malësori ecte në mesin e njerëzve duke i lëvizur
hapat ngadalë, ndërsa menjëherë mbrapa tij i shkonte mbas e reja Tringa në një gjendje
kujtese krah përkrah me vjehrrën e saj Zojën, që në pamje shihej se nga pikëllimi
zemra po i pikonte gjak. Përgjatë kësaj kolone, diku pak më tanë shihej edhe e
shoqja Zekës - Nifa, e cila mezi mbahej në këmbë, e që e reja e saj Hana ia
kishte vënë dorën nën krah me qëllim që ta ndihmonte për të ecur me lehtë, ndërkaq
Petriti i cili ishte sugari i kësaj shtëpie, ecte avash para tyre me një pamje
zemërimi.
Të nesërmen,
sipas të dhënave nga agjencia e lajmeve “Tanjug”, mediumet shtetërore e bënë publike
përfundimin e këtij gjykimi. Në tekstet e publikuara, radioja dhe gazetat
kryesisht parafrazuan fjalët: “Grupet terroriste që vepruan kundër Jugosllavisë,
i morën dënimet e merituara”.
Menjëherë
pas këtyre publikimeve, si një lukuni ujqish që lëshohet mbi pre, strukturat e
caktuara të Partisë komuniste dhe Lidhjes socialiste kaluan në ofensivë për t’i
dhënë përkrahje pushtetit lidhur me këto dënime.
Kësaj
lufte speciale psikologjike, e cila në Kosovë u përhap si epidemi, iu bashkëngjiten
edhe organizatat tjera politiko-shoqërore.
Pos
mbledhjeve të shpeshta që ato filluan t’i mbanin me strukturat e veta në çdo
nivel, nëpër organizatat e Lidhjes socialiste
të lagjeve, iniciohej izolimi dhe “leçitja” e të gjitha familjeve të të burgosurve
politikë.
Me këtë rast, anëtarët e partisë komuniste u bënë vasalët më aktivë të UDB-ës, ndërsa e ashtuquajtura “milicia popullore”, intensifikoi patrullimet nëpër fshatra e lagje të qyteteve, sa që me veprimet e veta u ngjanin langonjve kur lëshohen në gjah.