| E shtune, 02.11.2013, 06:59 PM |
Intermexo
Halloween-i, kolendrat dhe portat e mbyllura
Nga Vangjush SARO
Gjatë mbrëmjes
patëm vizita; fëmijë të veshur “frikshëm”, gjithnjë në shoqërinë e prindërve. Vajzat
dilnin dhe i gostitnin, kurse mua më ndërmendeshin kolendrat. Ishte festa jonë e
këtij lloji (diku afër Krishtlindjeve) në fëmininë e bekuar. Merrnim me vete një
dritë, nga një çomage dhe...mëhallës mbarë, portë më portë. Duke trokitur e
duke iu rënë dyerve. Këndonim edhe diçka që mbaronte pak a shumë: “Edhe të ketë
mirësi…” Njerëzit hapnin portën, na uronin dhe na jepnin: kush ndonjë kolendër (biskotë
e sajuar si shenjt a qenie tjetër e çuditshme) kush gështenja a ndonjë portokall;
kishte raste edhe lekë. I mbanim në një qese, për t’i ndarë barabar në fund të
“gjuetisë”.
...Ajo që
më bënte përshtypje më shumë, ishte se disa porta nuk hapeshin. Asnjëherë. Sadoqë
ne çfarë s’iu bënim me çomaget tona, bam e bum(!) Ja tek erdha në temë. Mbase
aty jetonin njerëz që nuk e kishin mbroth dhe vizita jonë iu dukej pa vend. Mbase
prapa atyre portave kishte kopracë. Pse jo, edhe të mjerë. Ne i lëndonim edhe më,
me britmat dhe çomaget tona. Portat janë bërë që të hapen dhe të mbyllen. Por
ka porta që nuk hapen. Ka gjithnjë njerëz që nuk të japin asnjëlloj “kolendre” e
fjale; nuk i japin askujt këso, asnjëherë; as ata vetë nuk e dinë çfarë janë dhe
cilat mund të quhen lidhjet e tyre në këtë botë. Ka porta (ar)miqsh që mbyllur
rrinë për njëqind arsye. Ka porta të pushtetit që nuk hapen asnjëherë; (sidomos
për ata që janë të pavarur dhe nuk dinë të përkulen). Ka edhe në Perëndimin e
trazuar porta që nuk hapen; duke pritur nga ti, nga vendi yt, një shfaqje edhe
më tërheqëse; ose që “kënga” të këndohet më bukur...
Prapa
shumicës së portave, nuk ka më kolendra. Ka punë. Karrierë. Miqësi. Flirte. Lavdi.
Ndonjëherë gremisje. Dhe ne vazhdojmë të trokasim.
Lexohemi.