Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Hyqmet Hasko: Poetika e hapësirës së shumëfishtë

| E hene, 28.10.2013, 07:26 PM |


Përsiatje rreth dy vëllimeve me poezi “Në krahët e mjellmës” dhe  “Atdheu brenda vetes” të poetit Ajet Shala

Poetika e hapësirës së shumëfishtë të procedimit estetik

Nga Hyqmet HASKO

Profili poetik i një autori ka të bëjë me shumë elemetë, të formës, të përmbajtjes, të risive që ai sjell në raport me sivëllezërit e tij, por ajo që është kryesore mbetet procedimi estetik, mënyra se si ai e vështron botën, realitetin, përditshmërinë, kujtesat që e rrethojnë, historinë dhe përditshmërinë, në raport me të tjerët, me ata që kanë lënë gjurmë para tij ose krijojnë në të njëjtën kohë e në të njëjtin vektor hapësinor dhe emocional estetik.

Duke lexuar vëllimet me poezi të poetit Ajet Shala të sendërtohet ideja se ky autor, më shumë se gjithçka sjell në letrat poetike kombëtare një vizion  konkret, përgjegjshmëri dhe realzëm në të thënat, të nënkuptuarat dhe të nënvizuarat si ide dhe mesazhe që bashkëshoqërojnë aktin e tij poetik.

Autor i dy përmbledhjeve poetike”Në krahët e mjellmës” dhe “Atdheu brenda vetes”, si dhe i një vëllimi tjetër me poezi në proces botimi, Ajet Shala ia ka dalë të sjellë në poezinë shqipe një zë të tij, një vektor poetik të përndezur nga tekste dhe nëntekste mbresëlënëse, që apelojnë për një shoqëri më të mirë, për një komb të ridimensionuar jo vetëm në hapësirat mbarëkombëtare por dhe në shpirtin dhe kujtesën kolektive kombëtare.

Poezia e Shalës është në gjurmët më të mira të traditës poetike shqiptare, në atë traditë ku lënë shenja në kohë dhe hapësirë poetë të shquar të botës shqiptare, në Shqipërinë amë, në Kosovë, ndër shqiptarët e Maqedonisë, në Mal të Zi, ndër arbëreshët e Italisë e të Greqisë,në diasporë e kudo gjetkë, ku gëlon me sharmin, elegancën, fuqinë kumtuese dhe kreativitetin mrekullor fjala e bukur e gjuhës sonë shqipe.

Duke qenë në dhe të huaj, emigrant, ky bir i Kosovës martire e ka mbartur Kosovën dhe kombin e tij në një hapësirë të dyfishtë të procedimit artistik, jo vetëm si kujtesë, jo vetëm si lëvizje mendimi e meditimi në kohë-hapësirën e lirisë, por dhe si mall, si përkujtesë mungese në një kohë kur mungesa është kryefjala e aktit të tij poetik.

Mungesa e atdheut, mungesa fizike kthehet në një mungesë shpirtërore, në një mesazh universal të kërkimit të rrënjëve dhe identitetit nacional, të cilin Shala e kërkon në çdo gur, në çdo lule, në çdo grimcë dheu të tokës së shqiponjave.

Në vëllimin poetik “Në krahët e mjellmës” Ajet Shala, siç thotë poeti dhe kritiku i njohur Namik Selmani është “sfidant i vetvetes dhe i moshës së tij”.

Poezitë e këtij libri kanë shumë ngjyra, shumë thyerje, mpleksen në vargje e strofa grimca kujtesash, përjetimesh, impresionesh, kontrapunte që e bashkëshoqërojnë poetin në rrugën e tij drejt realizmit të finales poetike.

Në thepat e një mali më ngriti dashuria

Më dha gurë, lule, gjethe, drurë,

Me stuhinë më tha që të rrokem grykaz një ditë…

(Poezia “Portreti im në mal”, fq. 31)

Epizmi dhe lirizmi bashkëjetojnë në poezië e Shalës, tablotë lirike mpleksen me fatet e personazheve epikë, pjesë e asaj kujtese ku përfshihet emocionalisht poeti, duke qenë se ai, përveç të tjerave, ka qenë dhe një luftëtar aktiv i UÇK-së, në luftën e shenjtë për liri e dinjitet shoqëror të popullit martir të Kosovës.

Atdheu, me brengat, vetminë, iluzionet, qëndresën, heroizmin e heshtur të njerëzve të thjeshtë, kurthet e puthadorëve, intrigat e politikanëve, martirizimin e heronjve, pra atdheu në kuptimin më të gjërë dhe më të thellë të kësaj fjale është kryefjala e poezive të Shalës. Atdheu për poetin ka fytyrën e nënës së tij, të bashkëluftëtarëve të UÇK-së, të shpresës së lotit që nuk duhet të shkojë dëm, por të kthehet në një devizë të lirisë e të vetë ardhmërisë.

Është kjo arsyeja që poeti e ka “Atdheun brenda vetes”, siç thuhet në poezitë vëllimit me të njëjtin titull. Është kjo arsyeja që poeti gjen tek pesha e fjalës, tek akti i Preshevës, tek “eksodi drejt lirisë”, marrshi i “çlirimtarëve martirë”, tek “kordha e dashurisë”, tek “masakra e Reçakut”, vetveten të pjesëtuar në mijëra grimca e të shumëzuar në miliona ëndrra që udhëtojnë drejt tokës së Kosovës, drejt shekullit të ri dhe horizonteve të reja të shpresës.

Në poezitë e përmbledhjes që ka në proces botimi kumti i atdheut bëhet një fiksacion poetk, përzihen notat lirike, epike e dramatike në një vekktor estetik plot kolorit gjuhësor dhe ndjesi të forta emocionale.

Kosovë o kështjella ime e dashur arbërore

Ngritur mbi themele të një kulture epokash

E ndërtuar nga mjeshtër me duar hyjnore

Me gurë të skalitur nga mbretër në kohëra.

Tek Ajet Shala akti poetik është një aventurë shkrimore përtej të zakonshmes, një endje e bukur në trajektoren e trillit dhe ëndrrës së poetit, në kohën e zgjimit të ndjesive dhe impresioneve, që i vijnë nga brenda, si një ftesë e papërballueshme për të reflektuar poetikisht. Shala duket se nuk ka pikë sforcimi e shtirje kur merr penën për të shkruar; ai thjeshtë ndjen ritmin e zemrës së tij, pjesëton e shumëzon çastin në kohën e përditshmërisë, duke na dhënë me një muzikalitet aq të ëmëbël e aq të dëlirë vizatime dhe gjendje sa reale e konkrete aq dehëse e trallisëse…

I vendosur në shtratin e tradicionalizmit poetik, në atë guvë burimore ku është folku, zërat e ngrohtë lirikë që vijnë nga etnopsikika poetike kolektive, Shala nuk mbetet rob i kësaj tradite, por me origjinalitetin e zërit të tij, me tonet aq të ndjeshme e kumbuese deri në dehje, me lirizimin, epizmin dhe spontanitetin e tij, e pasuron këtë traditë me imazhe dhe struktura të reja poetike.

Ajo që në të vërtetë përbën individualitetin e poetit është freskia e motiveve, marrja e “lëndës së parë” poetike  nga jeta e gjallë njerëzore, nga raportet e unit të tij me kohën dhe bashkëkohësin dhe jo nga skemat libreske, ndikimet dhe spostimet akrobatike, siç bëjnë një duzinë poetësh, që nuk shkruajnë veteveten, nuk janë vetvetja, por ndihen të kompleksuar nën hijen e të tjerëve.

Poezia e Ajet Shalës nuk vjen nga shtampat deklerative, nga agjustimet dhe ilustrimet rozë të realitetit, por nga një njohje e thellë e objektit poetik, nga fuqia e ndjenjës dhe intensiteti i emocionit, që vë në lëvizje turbinën e mendimit për të prodhuar energjinë poetike, që na vjen me anë të vargjeve të ndjerë e të ngrohtë, plot ritme e temporitme të brendshme.

Shala është një zë epik, por dhe një lirik i ngrohtë, plot ritme jete dhe ngjyra të përndezura, ku rrinë aq mirë dhe në simbiozë të plotë elemetët klasikë me pak spërkatje të lehtë, një si tis moderniteti. Ai vizaton shkujdesur, por me linja të qarta e të përvijuara ëmbël peizazhe të thyer të shpirtit njerëzor dhe të historisë, duke i zgjeruar rrathët e këndvështrimit poetik nga vargu në varg, nga strofa në strofë, nga poezia në poezi, me një pasuri trajtash, figurash dhe mjetesh shprehëse.

Poeti e tejshtrin botëvështrimin e tij në hullinj të njohur përjetimesh, por mënyra se si ai vështron në këta hullinj është befasuese; duke sjellë ritme dhe melodi të hazdisura e trillere, që të rrëmbejnë e të bëjnë për vete.

Pjalmi i folkut duket sikur e josh poetin të shkund frymëzimin e tij mbi vargjet aq të ndjera dhe fine, shkruar me një elegancë të admirueshme dhe me një lirizëm aq të ngrohtë dhe spontan, por ky folk thyhet e bëhet disi “agresiv”, për shkak të teknikave të ndërthurura të vjershërimit, për shkak të disa elementeve si ironia  e hollë e zhbiruese, që poeti i përdor si mekanizëm përforcues të aktit të tij mediativo-lirik.

Vargu i thjeshtë por elegant i Shalës nuk kërcet, nuk kërkon të duket, por është i vetëmjaftueshëm për atë çfarë kumton dhe si e kumton, me një natyrshmëri dhe sponanitet për t’u admiruar.

Tipopogjia poetike ku vendoset dhe përvijon shfaqjen e fytyrës së tij Shala është ajo e trevës së Kosovës, ku iu kanë ardhur letrave tona poetët më në zë si Azem Shkeli, Din Mehmeti, Ali Podrimja, Rrahman Dedja, për të vijuar me më të rinjtë, për të cilët nuk ka vend për lista e rreshtime.

Libra të tillë me poezi, si këto dy vëllime të Ajet Shalës dhe i treti në proces botimi, tregojnë për mundësitë e mëdha shprehëse dhe imazhinuese të poezisë së re shqipe, e cila tashmë e çliruar nga jashtësitë dhe dogmatizmi, në një tendencë të bukur për të kapur kohën e humbur, po sjell në rrugën e saj poetë të vërtetë, të rinj e të vjetër, të prirjeve e tendencave të ndryshme, tradicionalë, modernistë e postmodernistë, me përvojë ose fillestarë, që gjithësesi janë vetveteja dhe të gjithë së bashku i japin pulsin e duhur artit tonë poetik…