Mendime
Jetlir Duraj: Gjeopolitika e Shekullit të Ri
E diele, 27.10.2013, 11:04 AM
Atdheu ka nevojë per mendimin bashk-kohorë
Gjeopolitika e Shekullit të Ri
Nga Jetlir Duraj
Ky
artikull është rrjedhojë e analizës së përmbajtur në librat “The next hundred
years”, “The next decade” të George Friedman dhe “Strategic Vision” të Zbignew
Brzezinski-t. I pari, profesor për disa dekada i marrëdhënieve ndërkombëtare
dhe këshilltar i Pentagonit për gjeostrategji prej shumë vitesh është themeluesi
dhe drejtuesi kryesor i STRATFOR, një firme private inteligjence, pendanti
privat informacionmbledhës i CIA-s shtetërore në ShBA. Kurse i dyti, po me një background
akademik, është tashmë prej dekadash këshilltar (minimalisht informal) i cdo
presidenti të rradhës të ShBA-ve nga L.B. Johnson e tutje. Artikulli nuk ka
asnjë qëllim personal, meqë autori nuk ka interesa në Shqipëri. Qëllimi i
artikullit është të shpjegojmë për një publik sa më të gjerë shqiptar
mekanizmat bazë realë të arkitekturës së pushtetit ndërkombëtar ashtu si janë paraqitur
në literaturën e mësipërme. Kjo gjë është parakusht për të kuptuar ato gjëra që
dëgjojmë shpesh nëpër lajme dhe që thjesht na mbeten më pas si anektoda
kafenesh nëpër mendje. Për më tepër, në rastin e shqiptarëve, një populli kaq të
vuajtur ndër shekuj nga arsye gjeopolitike, pra nga arsye totalisht jashtë kontrollit
të tyre, është e rëndësishme të transmetohet sa më shumë dije në publik për
gjeopolitikën botërore në përgjithësi dhe për implikimet e saj për Shqipërinë. E
shkuara, e tashmja dhe aq më shumë e ardhmja e një vendi të vogël si Shqipëria
janë të përcaktuara nga as më shumë dhe as më pak sesa ligjësitë që do
shpalosim në këtë artikull. Gjithashtu do të shpalosim edhe disa ide të autorëve
të mësipërm rreth të ardhmes së Gjermanisë. Në pjesën e fundit janë të përfshira
dhe mendime të artikullshkruesit.
Dy autorët
divergojnë goxha në disa nga parashikimet e analizës së tyre. Kjo sepse ata përdorin
dy teori të ndryshme të hegjemonisë globale. Njëra nga këto teori, e autorit anglez
klasik John MacKinder, pretendon se hegjemonia globale është e barazvlefshme me
kontrollin e kontinentit Euroaziatik, i cili shtrihet nga
Loja e
hegjemonisë ose si lindin dhe mbijetojnë superfuqitë
Skema
sesi një shtet apo entitet shtetëror arrin dhe bëhet hegjemon në rajonin në të cilin
ndërvepron është e njëjtë dhe konstante gjatë gjithë historisë njerëzore. E
shpjeguar fillimisht në një kontekst abstrakt, pa lidhje me emra të përvecëm
dhe epoka kohore: në një moment të caktuar në kohë, një shtet i pasur, jo
domosdoshmërisht me popullsinë më të madhe të rajonit, arrin të zotërojë njëkohësisht
dy tipare që e dallojnë nga të tjerët: së pari, zotëron një ambjent gjeografik
rrethues i cili e bën jashtëzakonisht të vështirë ose të pamundur që dikush
tjetër të tentojë ta pushtojë ushtarakisht ose edhe të ushtrojë influencë ose
diktat politik mbi të; së dyti, ky shtet arrin për një arsye apo tjetër një shkëputje
në supremaci ushtarake nga shtetet e tjera dhe ka mundësinë të arrijë të dërgojë
në misione ndëshkuese në mënyrë të shpejtë forca ushtarake nëpër rajonin ku do
vendosë hegjemoninë. Pjesa e dytë është e rëndësishme për fazën e menaxhimit të
hegjemonisë. Me këtë nuk kuptojmë diktat direkt ndaj “vasalëve” në rajon (kjo është
në shumicën e rasteve e pamundur), por mbajtjen e ekuilibrave rajonalë në favor
të hegjemonit. Kjo nënkupton pikë së pari shmangien e krijimit të aleancave
rajonale anti-hegjemon duke ndëshkuar shtete sfiduese, krijimin e situatave të tensionit
ndërmjet shteteve që përndryshe do tentonin të afroheshin e të krijonin aleanca
dhe mbajtjen medoemos të avantazhit ushtarak ndaj të tjerëve.
Për të kaluar
në shembuj historikë, Roma e Lashtë arriti hegjemoninë në Mesdhe vetëm pasi
siguroi së pari zotërim absolut mbi gadishullin apenin (kujtoni Luftrat Punike
me Kartagjenën dhe rënien e Sirakuzës) në mënyrë të tillë që asnjë fuqi tjetër
mesdhetare të mos arrinte të ishte kërcënim direkt për Romën; së dyti, pasi ndërtoi
sistemin ushtarak më të avancuar të kohës si nga ana teknologjike, ashtu dhe
nga ana taktike (kujtoni legjionet romake, një zhvillim i mëtejshëm i ideve të Aleksandrit
të Madh) dhe së fundmi, pasi arriti të ndërtojë një sistem rrugësh (pjesë e së cilës
ishte dhe rruga Egnatia) që niseshin nga Roma dhe kapilarizoheshin nëpër të gjithë
perandorinë. Këto rrugë kishin përvec dobisë tregtare, pikësëpari synim
ushtarak: dërgimin me shpejtësi të legjioneve romake për të ndëshkuar
devijuesit nga politika e ekuilibrit e diktuar nga qendra e perandorisë.
Perandoria
Angleze e shekullit të XIX funksiononte po prapë mbi të njëjtat parime. Kanali
ndarës i Britanisë së Madhe me Europën kontinentale e kthente Anglinë në një fortesë
natyrale ndaj sulmeve të ndonjë prej fuqive kontinentale europiane. Ndërkohë që
kësaj rradhe sistemin e rrugëve të Romës së lashtë e zëvendësonin rrugët detare
dhe flota ushtarake angleze që kontrollonte sidomos në shek. XIX oqeanin
Atlantik dhe Indian.
Ngritja
drejt hegjemonisë botërore e Shteteve e Bashkuara të Amerikës
Ngjitja e
ShBA-ve drejt hegjemonisë botërore ka ndodhur për një periudhë relativisht të gjatë
kohore, që përfshin të paktën dy shekuj. Rruga ka qënë e njëjta si në shembujt
e përmendur më lart. Në shek. XIX me përplasjet
e suksesshme me Spanjën dhe Meksikën dhe blerjen e disa rajoneve që më pas u bënë
shtete të federatës të ShBA-ve ose baza ushtarake në oqeanin Paqësor, ShBA-të konsoliduan
pozicionin gjeopolitik në Amerikën Veriore. Ky konsolidim është avantazhi më i
madh gjeopolitik i ShBA-së. E rrethuar nga një fqinj relativisht i pafuqishëm
si Meksika dhe një tjetër me popullsi dhe ekonomi shumë herë më të vogël si
Kanadaja dhe e pakërcënuar nga një hegjemon i Amerikës latine (i cili është i
pamundur të lindë si pasojë e fragmentarizimit të madh kombëtar dhe gjeografik),
me dalje të konsiderueshme në Oqeanin Paqësor dhe Atlantik, ShBA-të kanë situatën
e duhur gjeopolitike për tu projektuar njëkohësisht në të dyja anët e Euroazisë.
Me pamundësinë e luftrave në kontinentin amerikano-verior, ShBA-të arrijnë të përfitojnë
kryesisht vetëm anët pozitive të luftrave të zhvilluara gjetkë. Lexuesit të cuditur
mund ti kujtohet se luftrat zakonisht kanë përfitime të mëdha për shoqërinë në terma
afatgjatë si pasojë e zhvillimit teknologjik që nxisin. Në periudha lufte,
shteti është i detyruar të investojë shumë në shkencë dhe teknikë dhe nga ky
investim, në terma afatgjatë krijohen industri të tëra që sjellin dhe zhvillim
ekonomik në kohë paqe. Shembull paradë është interneti dhe paraardhësit e tij,
të cilët filluan të zhvillohen pikë së pari si projekte ushtarake gjatë Luftës
së Ftohtë. Ky argument nuk vlen nqs lufta zhvillohet në vendin tënd.
Projektimi global i ShBA-ve filloi në fillim të shek. XX dhe një nga aktet e para të tij ishte edhe garantimi i Pavarësisë së Shqipërisë në konferencën e ambasadorëve në Londër. Akoma më e rëndësishme qe ndërhyrja në Luftën e I-rë Botërore si kundërpeshë ndaj dominimit iminent të kontinentit europian nga Gjermania pas kolapsit të Rusisë cariste dhe ndërhyrja në Luftën e II-të botërore për të shmangur dominimin e Europës nga Bashkimi Sovjetik pasi u bë e qartë që Gjermania do të humbiste luftën. Me shkatërrimin e flotës japoneze dhe dhurimin e kontrollit të oqeanit Atlantik nga Britania (në shkëmbim të ndihmës ushtarake ndaj Gjermanisë naziste) në fund të Luftës së II-të botërore ShBA-të u bënë zotëruesi absolut i oqeaneve dhe bashkë me të, si pasojë e teknologjisë së aeroplanmbajtëseve, edhe i hapësirës ajrore mbi oqeane. Duke shfrytëzuar madhësinë gjigande të tregut amerikan si mjet presioni dhe joshjeje ndaj vendeve me tregti eksportuese dhe duke aplikuar një strategji rrethimi dhe “mbytjeje” të avashtë ndaj Bashkimit Sovjetik, e cila do të nxirrte me kalimin e kohës në pah dobësitë inherente gjeografike dhe politiko- ekonomike të Bashkimit Sovjetik deri në shembje totale, ShBA-të arritën të mbeteshin në fillim të viteve '90 të shekullit të kaluar e vetmja superfuqi globale. Pas këtij momenti, fillon faza e menaxhimit të ekuilibrave rajonalë për të cilët u fol më lart. ShBA-të thjesht duhet të shmangin lindjen e një ose disa hegjemonëve rajonalë të fuqishëm në Euroazi, të cilët do ishin në gjendje të kontrollonin Euroazinë. Për këtë nuk është e nevojshme të fitohen luftërat e nisura, por të krijohet tensioni i nevojshëm dhe sistemi i kundërpeshave rajonale në mënyrë të tillë që askush të mos arrijë pozicionin e hegjemonit rajonal. I vetmi kërcënim real për pozicionin e hegjemonit global mund të vijë tashmë vetëm nqs një vend tjetër do të merrte nën kontroll të paktën një nga oqeanet ose hapësirën ajrore. Kjo është aktualisht e pamundur si pasojë e shkëputjes së madhe që ka në harxhimet për kontrollin e tyre ShBA-ja dhe kohës së gjatë që kërkon ndërtimi i një flote detare ose ajrore në përmasat e nevojshme për të qënë në gjendje të sfidojë atë amerikane. Cdo përpjekje për të arritur dicka të ngjashme do të haste në kundërshtim të ashpër të menjëhershëm.
Ruajtja e
hegjemonisë botërore në shek. XXI
Në rrjedhën
kronologjike kohore të shekullit ku ndodhemi, Friedman parashikon disa përplasje
gjeopolitike midis ShBA-ve dhe fuqive të ndryshme rajonale gjatë shek. XXI . Përpara
se të kalojmë te vendet “sfiduese” sqarojmë se cili vend, ndoshta për cudi të lexuesit,
nuk përbën rrezik gjeopolitik afatgjatë për hegjemoninë e ShBA-së.
Kina është
e rrethuar nga
Përplasja
më e afërt e ShBA-së është përsëri me Rusinë. Nën trysninë e rënies së shpejtë demografike
dhe me paaftësinë/pamundësinë për tu modernizuar si shtet, Rusia gjendet në udhëkryq
në terma afatgjatë. Me një sistem të pasigurt kufijsh në të gjithë pjesën jugore
të populluar me myslimanë dhe në pjesën perëndimore përballë vendeve me dinamizëm
të lartë si Polonia, Cekia apo vendet balltike, Rusia është në trysni të madhe
kohore për të lëvizur shpejt, pasi kriza demografike do e bëjë akoma më të pamundur
një reagim ndaj sfidave në kufi në të ardhmen. Agresiviteti i treguar vitet e
fundit në politikën e jashtëme është simptomë e këtij pozicioni të dobët
afatgjatë.
Përplasja me ShBA-në do të vijë sidomos në frontin perëndimor ku ndodhen vende
anëtare të NATO-s dhe ku ShBA-ja do të investohet për të penguar ekspansionin
rus duke forcuar shtetet e Evropës Qendrore si Polonia, Cekia, Sllovakia,
Hungaria dhe vendet Baltike. Në fund, Rusia nuk do të jetë në gjendje të përballojë
afrontin nga këto vende dhe ShBA-ve. Si pasojë e dobësive inherente të pozicionit
rus të përmendura më lart, Rusia prapë do të shkojë drejt gjunjëzimit.
Rënia e
dytë e Rusisë do të ketë tre pasoja të mëdha gjeopolitike: ekspansionin e
Turqisë drejt Kaukazit, të vendeve të Evropës Qendrore drejt lindjes dhe të Japonisë
drejt pjesës lindore të Euroazisë. Në Europë dinamizmi do të kalojë drejt
vendeve të reja të BE-së si Polonia, Cekia etj dhe vendet e vjetra tradicionale
si Gjermania dhe
Implikime
për Gjermaninë dhe Shqipërinë
Gjermania
ka dhe ajo një dinamikë negative demografike dhe është e detyruar të hapet në të
ardhmen për të kompensuar mungesat në popullsi. Kjo do të shtojë fragmentarizimin
në shoqërinë gjermane dhe do të sjellë ose një ndryshim rrënjësor të kulturës
gjermane ndaj të huajve (pra afrim me konceptin amerikan të emigracionit) ose
konflikte të lehta sociale. Për më tepër zgjedhja e vetme që ka Gjermania për të
mbijetuar disi gjeopolitikisht në rang global në të ardhmen, duke
pasur
parasysh faktorët e tjerë gjeopolitikë, është krijimi i një supershteti
europian. Për këtë ka tre pengesa të mëdha. Së pari, kjo do të implikonte që gjermanët
të dhuronin frytet e shfrytëzimit të strukturës ekonomike të ndërtuar tashmë prej
tyre në BE. Duhet rikujtuar se mënyra sesi është ndërtuar në këtë moment BE-ja është
në favor të interesave të ekonomisë gjermane, megjithëse shumica dërrmuese e
gjermanëve notojnë në një padituri naive vetëpëlqimi rreth këtij fakti. Tu
shpjegosh votuesve gjermanë në detaje sesi duhet të sakrifikojnë interesat
afatshkurtër për një të ardhme më të sigurt gjeopolitike duket aktualisht
fatkeqësisht jashtë mundësive të kapacitetit të politikës gjermane. Së dyti,
ShBA-të, megjithë retorikën, duke u bazuar në lojën e hegjemonisë të shpalosur
më lart, nuk janë të interesuara që ky supershtet të krijohet. Pozicioni
amerikan me të gjitha gjasat do të mbetet për një konfederatë të pakonsoliduar
europiane, e cila do të jetë e fuqishme mjaftueshëm për të qënë aleate por jo
aq sa për tu shndërruar në sfiduese. Ditët kur fuqitë evropiane diktonin
gjeopolitikën botërore kanë marrë fund me përfundimin e Luftës së II-të botërore.
Së treti, Britania e Madhe, vetë e parëndësishme në rang global, por me dy
opsione të hapura, një atlantik me ShBA-në dhe një europian me BE-në do të jetë
gjithmonë në mënyrë natyrale në pozicion minues ndaj idesë së një supershteti
europian. Kjo sepse opsioni amerikan është më pak kërcënues sesa opsioni
europian që do të kërkonte një farë kapitullimi ndaj ekonomisë gjermane, ashtu
sic ka ndodhur me vende të tjera të BE-së që kanë pranuar konstruktin gjerman të
BE-së. Një supershtet europian pa Britaninë e integruar është një projekt i
pasigurtë gjeopolitik.
Për të ardhur
në fund te shqiptarët. Rëndësia gjeostrategjike e shqiptarëve është e përmbledhur
te gjiri i ngushtë i Otrantos, i cili kontrollon hyrjen në detin Adriatik. Gjiri
i Otrantos është celës për të arritur portet e Italisë verilindore, Sllovenisë dhe
Kroacisë dhe portin e Barit, të tëra këto porta drejt tregjeve të Evropës
Qendrore. Për këtë gjë, vendet që duan ti kontrollojnë ato porte e kanë Shqipërinë
në radarin e tyre gjeostrategjik. Kjo implikon gjithashtu një farë mallkimi për
shqiptarët në kuptimin që askush nuk është i interesuar që shqiptarët të kenë një
shtet shumë të fortë dhe kështu të kenë në dorën e tyre këtë celës. Kjo është një
arsye më shumë se pse është logjike që askujt nuk i leverdis një Shqipëri e
Madhe, por që njëkohësisht shumë vendeve u leverdis një Shqipëri që është gjithsesi
aq e fortë sa mjafton, që dikush tjetër, qoftë një fuqi e largët e huaj ose një
e vogël rajonale, të mos arrijë të kontrollojë këtë ngushticë. Aktualisht, si
pasojë e harmonizimit të interesave globale të ShBA-së dhe Turqisë, pritet dhe është
tashmë i dukshëm ekspansioni ekonomik i Turqisë në trojet shqiptare, po ashtu
si dhe një farë stabiliteti politik në Ballkan si pasojë e angazhimit amerikan.
Kjo për momentin u shërben të gjithëve. Problemet do rishfaqen nëqoftëse në një
moment të dytë, më të largët në kohë, Turqia dhe ShBA-ja vijnë në përplasje si
pasojë e fuqizimit natyral të Turqisë në Euroazi. Ballkani do të vuante
domosdoshmërisht. Në atë rast, shqiptarët do ishin një nga zonat e përplasjes (por
natyrisht jo e vetmja) për kontrollin e Otrantos dhe porteve të detit Adriatik.
Nëqoftëse në një moment të tillë ShBA-të do të ishin tërhequr nga Shqipëria dhe
vakuumi do mbushej (medoemos) nga Turqia, shqiptarët mund ta gjejnë veten përsëri
(po ashtu si në shek. XIX) në anën e humbësve në fund, pa patur asnjë faj për
rreshtimin e tyre. Megjithatë sesa rezistent ndaj kohës do të jetë angazhimi
amerikan ndaj shqiptarëve është e vështirë të parashikohet tashti meqë detajet
e lojës gjeopolitike në një përplasje të mëvonshme Turqi-ShBA në arenën
ballkanike do të varen nga situata të së ardhmes. Gjithsesi është racionale të presësh
që angazhimi turk të jetë më i madh meqë është jo vetëm gjeopolitik por edhe i
pastër ekonomik, ndërkohë që angazhimi amerikan ka vetëm komponente
gjeopolitike. Paradoksalisht mund të ndodhë që po ashtu si në kohën e Lidhjes së
Prizrenit në fund të shek. XIX ku Porta e Lartë pranoi fillimisht kërkesën për
bashkimin e trojeve shqiptare në një vilajet të vetëm, në të ardhmen të jetë në
interesin e Turqisë të mbështesë përsëri krijimin e një farë Shqipërie të Madhe.
Dhe si atëherë në kohën e Abdyl Frashërit kur kjo gjë dështoi nga ndërhyrja e
fuqive më të mëdha, e njëjta gjë të ndodhë përsëri.
Si përfundim mund të themi se vetë Friedman-i e pranon se do ishte i kënaqur sikur projektimet e tij për të ardhmen të ishin më shumë se gjysma të sakta. Ai pret që kjo të ndodhë por pa garanci. Prandaj këto që janë shkruar më lart, sidomos pjesa e parashikimeve nuk është e thënë të realizohen. Megjithatë, sido që të shpaloset e ardhmja, si gjithmonë realiteti do ketë karakteristikën e të qenurit konsistent dhe logjik në rrjedhën e ngjarjeve. Parashikimet e mësipërme e kalojnë këtë test.