Kulturë
Myzafere Mustafa: Poetika dhe elemente mitike të përrallës arbëreshe
E marte, 22.10.2013, 09:07 PM
Poetika dhe elemente mitike të përrallës arbëreshe
Nga Dr. Myzafere Mustafa
Dihet
se përralla[1]
është njëra ndër format më të
rëndësishme dhe më komplekse të prozës gojore, këtë e kushtëzon universi i saj, pasuria tematike dhe
motivore, struktura e konsoliduar
kompozicionale, figurat e botës reale dhe mitike, aksionet e shumta dhe të
papritura të heroit, gjuha simbolike, motivet e sublimuara etj. Të gjithë këta
përbërës realizohen në një botën të
pasur që është unike për përrallën e cila ka një kronotopi specifike, nëpërmjet
të së cilës rënohen kufijtë hapësinorë dhe kohorë.
Duke
qenë fryt i imagjinatës, përralla e zhvendos veprimin nga bota tokësore në
botën qiellore dhe në atë nëntokësore. Në universin e saj mrekullitë janë të
natyrshme, ndërsa magjitë janë rregull. Elementi mbinatyror si përbërës qenësor
përfaqëson substancën, ligjshmëritë dhe frymën e saj. E mrekullishmja është
element i veprimit dhe pranohet si e vetëkuptueshme dhe është shprehje e stilit
abstrakt[2], e ideve të përrallës dhe
modeleve përkatëse të universit të saj.
Në përrallë veprojnë një sërë personazhesh, qeniesh mitike dhe mjetesh
mitike të cilat atë e pasurojnë në planin sintagmatik dhe paradigmatik.
Personazhe të përrallës janë njerëzit e rëndomtë apo edhe njerëzit me veti të trashëguara mitike, por
edhe kafshët dhe qeniet e ndryshme mitike.
Heroi
i përrallës vepron dhe është në marrëdhënie me antagonistët. Marrëdhëniet në
përrallë ndërtohen sipas sistemit të
opozitave (i mirë - keq, i veti -
huaji, kjo botë- ajo botë ) , i cili sistem përbën botën e saj. Përveç heroit, në përrallë aktivizohen dhe
veprojnë edhe qeniet apo figurat mitike, e që në përrallën arbëreshe kryesisht i takojnë arealit mitik kombëtar.
Ndër
figurat mitike më të njohura të përrallës arbëreshe janë: fatazit, orku,
brigandtë, e Bukura e jets, dragoi, burri i egër etj.
E Bukura e jets, është sinonim
i të Bukurës
së Dheut të përrallës shqiptare dhe të përrallës arbëreshe, pra nënkupton
të njëjtën figurë. Ajo është simbol i të
bukurës dhe i të përkryerës. Synimi i
heroit për arritjen e saj shënjon
realizimin e dëshirave dhe të idealit
jetësor të tij, ndërsa kërkimi i saj shënjon
hyrjen në peripeci, vështirësi, vetëmohim, formim të identitetit etj. Arritja
te e Bukura e jets, përvetësimi i saj dhe martesa me të është simbolikë e
integrimit të personalitetit të heroit dhe e ndërrimit të statusit të tij
familjar dhe shoqëror.
Fatëzat janë figura
mitike që në planin sintagmatik janë në funksion të ndihmësve, apo
këshilldhënësve apo thënë me terminologji të Klod Bremonit, në funksion të
aleatit.
Brigandtë,
orku, dragoi
janë në funksion të figurave antagoniste me të cilat ballafaqohet heroi. Në
sistemin e opozitave i veti – i
huaji; i mirë – i keq ; kjo botë - ajo botë, këto figura i takojnë
pjesës së dytë. Këto qenie mitike
jetojnë në botën tjetër, zakonisht në pyll, në botën nëntokësore por edhe në
botën qiellore.
Bota tjetër ka konotim negativ meqë
konsiderohet se në të jetojnë fuqitë e panjohura dhe forcat e papastra.
Vetëm shtëpia për heroin e përrallës
konsiderohet vend që konoton sigurinë, hapësirën e mbrojtur, ku nuk mund të
depërtojnë forcat e panjohura.
Shtëpia është arketip universal i
sigurisë së njeriut, pra edhe i heroit të përrallës. Takimi i heroit me qeniet
mitike provokon dhe nxit ambiciet e
tij për ta njohur botën e panjohur dhe
për t’u ballafaquar me qeniet mitike, në mënyrë që ta zotërojë atë botë por
edhe të ballafaqohet me problemet botës së vet të brendshme, në mënyrë që
pas tejkalimit të peripecive të dalë i
ndryshuar dhe i transformuar si në aspektin psikologjik ashtu edhe në aspektin
e statusit social.
Në një sërë përrallash arbëreshe
personazhe janë Vajza e Hënës
apo e Diellit, Djali gjarpër apo Vajza
gjarpër, apo Vajza me diellin apo
hënëzën në ballë. Të gjitha këto figura kanë veti mitike. Mirëpo, figura të
shpeshta të përrallës arbëreshe janë edhe
Shën Pjetri, Shën Mëria, Shën Mikel Arkangjulli. Këto
figura arketipe biblike në planin sintagmatik janë në funksion të aleatit, që ndihmon kryerjen e detyrave
dhe të veprimeve të heroit të përrallës,
ndërsa në planin paradigmatik dhe semantik janë pjesë e universit botëkuptimor
të njeriut.
Tematika dhe syzheu i përrallës
arbëreshe është pjesë
e fondit të lashtë indoeuropian,
prandaj edhe pjesa më e madhe e këtyre
përrallave gjejnë vendin në
indeksin e tipeve të syzheve të Aarne-Thompsonit. Por një gjë është me rëndësi
të theksohet, se përkundër faktit se syzhetë e tyre i takojnë fondit
ndërkombëtar të përrallës, ato në strukturën tekstore dhe kuptimore përmbajnë specifika të botës dhe të
mendësisë të etnisë arbëreshe, të filozofisë, të etikës dhe urtisë popullore. Përkundër faktit se
përralla nuk e preferon përcaktimin e vendeve dhe të personazheve, në
përrallën arbëreshe hasen shpesh mbiemrat përcaktorë dhe pronorë,
vashëz arbëreshe, katundth arbëresh, Kuvendi Frasnits, Sheshi Pulinit. Heroi
emërtohet Kostandin, ndërsa heroina Rina etj., që në përrallë marrin kuptim
përgjithësues, por të arbëreshët këta emra kanë edhe kuptim identifikues.
Rrëfimtari arbëresh i përrallës bën përpjekje që
gjatë rrëfimit të brumosë edhe ndonjë detal që është specifik për
arbëreshët, apo që shpreh veçori te jetesës apo të etikës arbëreshe dhe të botëkuptimeve dhe të filozofisë popullore. Kështu bie fjala në përrallën “Vajza e bukur e i biri i regjit “, pas takimit të vajzës
(heroinës së përrallës) me të birin e
regjit(mbretit MM) rrëfimtari bën këtë koment:
“ Nderi i
nji vajzeje isht si nji pasqyre; edhe ahti e vren” Këtu rrëfimtari jo
vetëm që është bartës i një tradite letrare gojore shumë të rëndësishme, por
edhe komenton normat morale popullore.
Në përrallën “ Binoshet “
rrëfimtari e thotë këtë mendim nëpërmjet
të heroit të përrallës kur ai rrezikon jetën e vet :
” - Ka rreziqe më te keqe se vdekja
! Ndo herë, njeriu fiton jetë të pasosme tue vdekur ; si te luftat për të
mirë të vëndit, a për të mpruar të drejten, grat të grymosurit…Po këtu, bashk
me jetën, humbet edhe nderi” .
Edhe pse përralla nuk i preferon
komentet, këtu jo vetëm që nuk bie intensiteti i rrëfimit, por përkundrazi
përralla fiton peshë si në rrafshin
artistik ashtu edhe në planin etik dhe
edukativ. Përralla këtu përçon mesazh të hapur se për arbëreshin mbrojtja e
atdheut dhe vdekja për atdhe është
barabartë me jetën e pasosme, përjetësinë .
Rrëfimtari i përrallës arbëreshe gjithnjë
bën përpjekje të vërë në pah atë që është specifikë e identitetit kombëtar,
meqë e ndien se po i rrezikohet ai identitet.
Edhe pse përralla si zhanër nuk i
preferon përshkrimet detale, qoftë të gjendjes shpirtërore të heroit, qoftë të ambientit që e rrethon atë,
megjithatë herë pas herë hasen edhe përshkrime shumë të qëlluara të bukurisë
së personazheve, të gjendjes së tyre shpirtërore dhe të ambientit që i rrethon
personazhet. Përshkrimet e tilla jo vetëm që nuk e lëndojnë strukturën e
kodifikuar të përrallës, por e ngritin në nivelin e veprave me vlerë artistike. Epitetet dhe
krahasimet e qëlluara ia rrisin bukurinë
e përrallës arbëreshe. Kështu bie fjala përralla “ Vajza e bukurë e i biri i regjit “
ka këtë situatë hyrëse :
“ Një herë e një herë ish një bujar, që
i kish tri bija . E madhja ish e zezë si
nata, e dyta ish e zeshkë si
mbrëma, e vogla e bukurë si mënata.
Si kishën faqën ashtu kishen edhe zembren.
E para ish e ligë si murtaja ; e mesmëja ish e keqe si uria ; e
treta ish e mire e e butë si një qëngjeze.
Në këtë situatë iniciale të përrallës
rrëfimtari arrin disa qëllime, së pari me epitete të zgjedhura bën tipizimin e
personazheve pjesëmarrëse në veprim,
pamja e tyre e jashtme determinon jo vetëm karakterin e tyre njerëzor por edhe
veprimet e mëtutjeshme.
Nga kjo situatë iniciale supozohet se motra më e vogël “ e mirë e e butë si një qëngjëze”, që në
fillim do të jetë viktimë e dy motrave më të mëdha, e për pasojë do të jetë bartëse e veprimit, pra heroinë e
përrallës. Dy motrat e mëdha do t’i shkaktojnë dëme motrës së vogël.
Evitimi i dëmit do të bëhet shkas për hyrjen e heroinës
në peripeci të shumta, të cilat do të ndikojnë në zhvillimin dinamik të
veprimit të mëtutjeshëm.
Vlen të theksohet edhe një gjë që ka
rëndësi për krijimtarinë letrare gojore e sidomos për përrallën, është kjo
lashtësia e saj, meqë dihet letërsia gojore ndër të gjithë popujt e botës i ka
paraprirë letërsisë së shkruar. Shumë nga popujt me kulturë dhe ekonomi të zhvilluar kanë arritur që krijimet letrare gojore t’i shënojnë apo edhe
t’i botojnë shumë herët. Te ne shqiptarët fatkeqësisht krijimtaria letrare
gojore është shënuar, dhe botuar vonë.
Një faktor që dëshmon lashtësinë
e një krijimi letrar gojor shqiptar apo të një motivi të njohur ndërkombëtar
është edhe elementi arbëresh i cili me
vete mori edhe kulturën shpirtërore materiale që nga shekulli i XV, të
cilën e ruajti me xhelozi deri në ditët
e sotme. Kështu bie fjala shumë nga
këngët për Skënderbeun dhe për
bashkëluftëtarët e tij janë ruajtur më të plota te arbëreshët sesa ndër
shqiptarët e viseve etnike, kështu ndodh edhe me disa përralla të cilat kanë
motive të njohura ndërkombëtare. Ndodh bie fjala që disa përralla në viset
etnike shqiptare të rrëfehen pak ose aspak e për pasojë të harrohen, ndërsa te
arbëreshet vazhdojnë të ruhen dhe të barten brez pas brezi. Në këtë kontekst
mund të flasim për përrallën me motivin e bukuroshes së fjetur e cila njihet
ndër shumë popuj të botës. Kjo përrallë
nuk haset të jetë shënuar në vëllimet e
prozës popullore shqiptare të Tiranës as në përrallat e mbledhura dhe të botuara
nga prof. Anton Çetta, mirëpo e hasim te Zef
Skiroi me titull “Boshti “ subjekti i së cilës është rënia e
bukuroshes në gjumë të thellë. Fatin e
saj, pra rënien në gjumë të thellë në
një periudhë njëqindvjeçare, e kishin
përcaktuar Fatëzat me rastin e pagëzimit. Gjumi i rëndë do të pasojë, në
moshën gjashtëmbëdhjetë vjeçare, (pra në moshën
e pas pubertetit) pas therjes së saj në boshtin e tjerrjes së leshit.
Rënia në gjumë të thellë simbolizon fazën
e kontemplacionit pas pubertetit e cila fazë shpie kah vënia e ekuilibrit
shpirtëror, pas të cilit do të pasojë formimi i personalitetit të pjekur
fizikisht dhe psiqikisht në nivelin më të lartë. Vajza bie në një gjumë të thellë dhe gjatë asaj
kohe rreth pallatit të saj rriten gjemba të shumta që e bëjnë të pamundshme
hyrjen në pallat. Gjatë tërë kohës shumë trima
provojnë të arrijnë deri te e Bukura
e fjetur, por nuk ia dalin dot. Pas kalimit të kohës të paracaktuar nga fatëzat vjen princi afër pallatit, gjembat
hiqen vetvetiu dhe ai shkon te e Bukura e fjetur, arrin ta puthë atë dhe pason
zgjimi dhe martesa e lumtur. Me atë rast zgjohen edhe të gjithë anëtarët e
familjes dhe pjesëtarët e pallatit mbretëror.
Është kjo një përrallë me një simbolikë të
pasur lidhur me formimin e personalitetit të fëmijës dhe kalimin nga faza e fëmijërisë në fazën e
pjekurisë. Falë mbledhësit Zef Skiroi dhe mbledhësit dhe studiuesit Luca Perone
kjo përrallë ruhet e shënuar dhe i bashkohet fondit të përbashkët ndërkombëtar
të përrallave me këtë syzhe.
Përrallat arbëreshe kanë një strukturë të konsoliduar kompozicionale e cila kryesisht përkon me strukturën e përrallës shqipe por edhe të asaj evropiane. Struktura e saj e kanonizuar shihet nëpërmjet të veprimeve të personazheve por edhe nëpërmjet të sistemit modelativ të konsoliduar. Përmbajtja e pasur, tematika e larmishme, personazhet, figurat mitologjike dhe ato të religjionit përfaqësojnë një thesar të kulturës së traditës sonë letrare gojore përkatësisht arbëreshe. Gjuha specifike arkaike shqipe edhe pse e përzier me barbarizma është po ashtu një dimension me vlerë i krijimtarisë së letërsisë folklorike të arbëreshëve.
[1] Për këtë punim kam përdorur veprat: Giusepe Schiro, Canti Tradicionali Ed Altri Saggi Delle Colonie Albanesi Di Sicilia,Napoli, Stab. Tip. Luigi Pierro & Figlio, MCMXXIII dhe Novellistica Italo – Albanese, Testi orali raccolti dal Prof. Luca Perrone, Firenze Leo S. Olschki Editore, MCMLXVII.
[2]Stilin abstrakt të përrallës, e trajton studiuesi i njohur zviceran Max Luthi në veprën e tij Përralla evropiane