Kulturë
Mitrush Kuteli: Poetika e Lasgush Poradecit
E diele, 25.05.2008, 05:49 PM
Poetika e Lasgush Poradecit
Lasgush Poradeci
Nga Mitrush Kuteli
Në erarkinë e element eve që përbëjnë vleftën e një vepre poetike, forma ose trajta zë vendin e parë. Kuptimi ose përmbajtja nuk vinë përveç se në radhën e dytë. Kjo gjë shpjegohet e kuptohet lehtë. Sepse, sa e sa nuk mundin të kenë mendime të nalta e mbasse hyjnore, sa e sa nuk mundin të kenë ndjenja të thella e të këthjellta, sa e sa nuk mundin të ndjejnë e të shijojnë shpirtërisht bukuritë e jetës dhe të natyrës-gazin e ditës, magjinë e mbrëmjes ose misterin e natës-sa e sa nuk mundin të përmbushin vepra të nalta, po të gjithë këta dyke mos patur mundësinë e brëndëshme t’i shprehin këto ndjenja e mendime të veshura me veshjen e poezisë, pra të formës, nuk janë vjershëtorë. Janë e mbeten- ndofta-mendimtarë, shkencëtarë, shkrimtarë, e mbasse heroj, por jo vjershëtorë.
Kjo është arsyejë për të cilën në vëzhgimin e veprës poetike të Lasgushit, ne fillojmë me formë, dyke përmbledhur në këtë fjalë fjalorin, përfytyrimet, rimën, rithmin, fonologjinë e stilin përgjithërisht.
Fillojmë me fjalorin. Sgjedhja e fjalëve, kalitja dhe radhitja e tyre “sërë-sërë-e varg e varg”, pasqyrojnë shkallën e ndjesis artistike të një shkrimtari. Këtë ndjenjë Lasgush Poradeci e ka të shvilluar në një shkallë të naltë, ku nuk ka gjetur të tjera gjyrma përvec gjyrmave anonime të këngëtorëve popullorë që janë gjyrmat në histori të kolektivitetit shqiptar. Inspiratën poetike, e cila sbret si nji shkëndijë prej së nalti, nga bota transendentale Lasgushi e konsideron piksëpari si nji frymëzonjës të fjalës:
Sbret një yll prej lartësije,
Një të ndritur shkrepëtime
Posi flakë e posi hije
Ajo ryn në zemër t’i me.
E kuptoj me shpirt të sosur
Si kullon dale nga dale
E si fjalës së palosur
M’i hap kindën e një pale...
Naim-in e quan Lasgushi Fjalëtor i mallëngjyer dhe gjuhën vetë e quan Verb i Perëndisë-si pas vargut të Ungjillit të Shën Joanit “Që përpara herësë ishte Fjala”= dyke nënëvijuar kësilloj vëndin që ze fjala si element i parë poetik. Përmjet fjalorit Lasgushi shquhet haptazi nga gjithë poetët e tjerë të shqipes. Lasgushi ka një fjalor të tijnë, një fjalor të c ilit dal nga dal do stërvitemi t’i themi lasgushian. Elementet kryesore, tipike të këtij glosari janë fjalët e lashta e të rralla të papërdorura përpara tij në letraturën e kultivuar, fjalët e thurrura dy e tri bashkë si pas shpirtit të gjuhës shqipe dhe fjalët e reja të nxjera nga fjalët e vjetra pas harmonisë së shqipes. Përmjet kësaj trinije e përmjet mënyrës ose stilit të përdorimit të fjalëve në vargje, Lasgushi ka përtëritur shqipen dyke i dhënë gjyra të reja, ndricim të ri e gjallëri të re. Radhosim këtu më poshtë disa fjalë të lashta e të ralla të këputura nga vepra e Lasgush Poradecit.
Disa lule:
M’a cik qipallëzën e fjetur
Me gjishtërinj si prej zëmbaku.
Eja motër
Tungjatjeta! Tungjatjeta! Vënd o vënd ku cel junapi
Zog i qiejve
Disa sende të përdorura si përfytyrime poetike:
Në cetele të kujtimit që dhëmkoset pak nga pak
Naim Frashërit
Pikon si sumbull engjervi
Kjo fjala jote ti moj ti
Mbretërija jonë
Sesa nër pah shkëndijash...
Një yll përjetësije
Më vërtitet mëndj’ e shkretë
Posi shaqituar
Syr’ i fshehur
.,
Disa fjalë të tjera:
Esht agim tashi moj mike
Dhe ja se ku dolla
Nënë strehë venetike
Syri i fshehur
Dyke ngjitur për së nalti
Fërfëllon një flakë e himët
Rri mbështetem në tryezë
Që prej zallit të përbujshëm
Nisën lundrat levorashe
Zemra e liqerit
Sa i përket mburimit disa nga fjalët e lashta të më sipërme të përdorura në glosarin poetik të Lasgushit, janë marrë prej këngëve popullore dhe të tjerat prej shkrimeve të vjetra të shqipes (Kupitori, Kristoforidhi, etj). Kësilloj fjala pikëlore është marrë nga kënga “Moj nëpërka pikëlore”, fjala pah nga kënga poradecare “Plaku dhe djali”; fjala gjeratore është marrë nga Kupitori; fjala qëndresë (që do të thotë qjell me yj) është marrë nga Papa Kristo Negovani.
Përvec fjalëve të lashta të vecuara të përdorura në kuptimin e parë ose në një kuptim metaforik, glosari i Lasgushit përmban edhe disa vargje fjalësh të bashkuara ose të marra nga goja e popullit ose të thurrura si pas frymës organike të shqipes. Këto fjalë pasqyrojnë njëmësinë edhe mundësitë e shumta të shqipes si edhe artin e fellë të Poetit.
Disa shëmbëlla:
Vijnë vashat valle-valle
Gushë e gji stolisura
Një pëllumb, një sy-zorkalle
Vallja e luleve
Kur m’u rite vogëloshe
Vogëlo si flutura,
Mes – hollë-këputura
Kur m’u rite vogëloshe
M’u shti vashëza në gjumë
E-ëmbla –mi shoqe-shumë
Do t’a mar t’a kem për fare
Moj lesh-verdhën – lozonjare.
Vate prilli
Mbledhur shoqet në një qoshe
Dic m’ju flisnje, dic m’ju thoshe,
Gushë-e llërë e gji bardhoshe.
Kush të fali bukurinë
Asnjë nga këto fjalë të thurrura në mënyrë analitiko-sintetike nuk munt të përkthehet në një gjuhë të huaj. Ato pasqyrojnë ndjenja e koncepcione krejt shqipëtare, të cilat Lasgushi na i shqipëron me një mjeshtëri të pa kapërxyeshme.
Po, as sbulimi, përdorimi e vleftësimi i fjalëve të lashta të shqipes, as thurja quasi –sinthetike e disa prej tyre si pas shpirtit të gjuhës, nuk i mjaftonin Lasgush Poradecit për t’i dhënë veprës së vet harmoninë e tingëllimeve që e ndjente brenda në vetëveten e për të shprehur mendimet e ndjenjat e tij. I duheshin pra gjyra të reja, mjete-shprehje të reja, të cilat shqipja-gjuhë e njomë dhe e begatëshme, e po e palëruar- nuk i kishte. Dy rugë i mbeteshin Lasgushit për të mbushur këtë bosh orghanik të shqipes: hojtja nga gjuhët e tjera më të shvilluara, ose punimi i shqipes për të nxjerë sojesh mjete e fjalë të reja. Sicila prej këtyne dy rugëve ka reziket e saj sepse përzjerjen e shqipes me gjuhë të tjera për të bërë një gjuhë balashe, vecanërisht në artin e vjershërimit, nuk e pranon as shpirti, as veshi e sepse fjalët e reja të krijuara prej dikujt munt të rëndojnë kuptimin e shijimin e veprës me artificialismën e tyre. Me këtë mënyrë të dytë u pat përpjekur dikur Papa Kristo Negovani të shprehë mendimet e veta e të begatojë shqipen. E sepse, me disa përjashtime, dëshmori i Negovanit nuk pat ndjekur vragën e shpirtit të shqipes, fjalët e krijuara prej tij nënë robërinë filologjike të greqishtes, u shkundnë si shkunden fletët në vjeshtë. Kjo gjë nuk e ndaloj Lasgushin të zgjedhë edhe ay rugën e krijimit të fjalëve të reja si mjet të pasurimit të fjalorit shqiptar Ndryshimi nga të tjerët glosologë që patnë ndjekur po atë qëllim qëndron në fakti se Lasgushi nuk u largua fare nga shpirti i gjuhës shqipe: Fjalët e mij të reja janë ngjizur si pas alkimisë filologjike të shqipes, pa artificialismë intelektuale. Fundi i fundit fjalët e “krijuara” prej Lasgushit rjedhin prej rënje shqipe të njohur ose prej bashkimit të dy fjalëve të tjera edhe këto të njohura edhe të gjalla. Shumica e këtyre fjalëve kanë hyrë sot e përgjithmonë në gjuhën shqipe. Të radhosura në vargje vjershash, disa nga fjalët “lasgushiane” tingëllojnë kësilloj:
E kur pat humbur jet e dherit,
Kur syr’i lodhur m’u përgjum,
Në shkëndijim të kandilerit
M’i cfaq ylberin e një rruaze...
Fatlur, o shpirt, ti je nër gaze,
Dhe nër mjerime je fatlum!
Shpirtit
Tashi dh’agimi llambaritës
Po svagullon në fund liqeri.
Mëngjes
Po nga mërgimi zemërak
Të pres me mardhje të më vish,
Të më rrëfehesh si zëmbak
Nër mijë lule dhemshurish
Të ritë e viteve të mi
Ti det, brohori fshehtësire!
Kuptim i potershmë, ti det!
Dh’aspak nuk më tremb zhurmërija
Ndaj turret me hov e vërtik
Gjeniu i anijes
Mi zall të pyllit vjeshtarak
Dremit liqeri pa kufi,
Ay ndaj fundesh u përflak
Posi me zjarr e me flori.
Dremit liqeri
Gjith në këtë kaptinë të fjalorit është e udhës të shtojmë disa pak fjalë përmi përfytyrimet, përmbi metaforat ose përmi stolitë stilistike të Lasgushit. Një shënim të parë që lipqet të bëjmë me këtë cështje është konstatimi se Lasgushi është këtu-si edhe në shumë fusha të tjera të veprimit-një autarkist, i cili nxjerr të gjitha metaforat e simbollet vetëm e vetëm prej gjuhës shqipe, prej realiteteve e mundësive shqipëtare, prej ethikës shqipëtare. As mithologjia greke dhe as mithologjia romake – të cilat zotërojnë kaqe breza artistgësh të gjithë cipëve të botës- nuk e shtynë Lasgushin të përdorë ndonjë motiv ose simbol të huaj në vjershëri. Lasgushi është poeti shqiptar, i vetëmi poet shqiptar, që mendon, flet e shkruan vetëm shqip. Ay përpiqet tëvleftësojë e të shvillojë potencialin shqipëtar në art e që në art në gjithë fletët e jetës. I mbetur në brazdën e mundësive shqiptare, Lasgushi pat nxjerë prej saj, përmjet një punimi të rëndë e një imajginate krahlehtë, stoli e përfytyrime të panjohura para tij.
Lasgushi këndon në vjershë Vashën e Trimin, protagonistët e erotikës shqipëtar,e po kurrëkund heronjtë e Vedës, të Iliadhës ose të legjendave romake- monedha qarkullonjëse të banalizuara e të përhapura që nga lind e ku perëndon djelli. I falet burrërisë shqipëtare, prototipi i së cilës është Burri i vërtetë, Gjergj Kastrioti (Burrin e vërtetë e quan me emrin e tij të vërtetë Gjergj Kastrioti dhe jo me emrin barbar Skënderbe). “Zemrën e gurtë” të Kastriotit,
Edhe nga pikëmapja e rimës, vepra vjershëtore e Lasgushit çquhet haptazi nga e cdo tjatri poet shqipëtar përmjet shumicës të for
mave të përdorura e përmjet harmonisë së vecantë dhe inedite të tingujve në mbarimin e vargjeve. I pari është një argument teknik dhe i dyti një argument organik.
Gjejmë në Vallen e Yjve dhe në Yllin e Zemrës përvec formave rime të zakonëshme si a, a (kënga pleqërishte) a, a, a (lundra dhe flamuri; a, b, a (gjuha e zjartë) a, b, a, b (dremit liqeri) edhe a, b, b, a (Poradeci), disa forma të tjera të ralla si a, b, a, a, b (marshi i djalërisë); a, a, b, a, b (letrëkëmbim); a, b, c, b (b) (gjumi i shpirtit); a, a, b, b, b, a (e fundit mërzitje); dhe a, a, b, d, c, d, b, c (lënda dhe jeta). Të nëntë vargjet e parë, nga të cilët dy të përsëritur, të rapsodisë popullore “C’u mbush mali” kanë po atë rimë, gjë e cila shumëzon harmoninë e vjershës dhe brithmën e saj shpirtërore. Brënda saj gjënden edhe shumë varjge të tjera nga 4, nga 6 e nga 8 që kanë po atë rimë. Rapsodija “Bjenë telat” ka një arhitekturë e cila nga pikëpamja e rimës i afrohet së parës. Lasgushi ka përjashtuar nga regulla e rimës një pjesë të Balladës edhe një pjesë të Përjetësisë (varianta e Yllit të zemrës). E para fillon kësilloj:
Fryn veriu në mal të thatë
Thotë vasha lele ngriva.
Duro vashë, të durojmë,
Si duron mali dëborën.
Gjeneza e kësaj vjershe është një këngë popullore tepër e vjetër, e cila këndohet në Poradec. Dyke e stilizuar, Lasgushi i mbajti kësaj vjershe, në fillimin e të gjashtë pjesëve që e përbëjnë, fakturën e saj origjinale. Me përjashtimin e ëktyre dy vjershave të gjtiha vjershat e Lasgushit i shtrohen regullës së rimës. Këtu hyn edhe vjersha Përjetësia, (Vallja e Yjve), e cila më parë na bën përshtypjen e një vjershe të lirë- pa masë e pa rimë.
Në kulm,
Në thelb
Në fund të vetes s’ate
Më mban, njeri
Me tëmbëla nër duar
Kupto tashi, cfardo dyshim që pate!
Të flas me zë të fjalës së kulluar:
Kur ti shijon...
Kur ti përket...
Kur ti
Një lules s’heshtur erë- i merr në fletë:
Jam pemë...
Flutur...
Lule... o njeri:
Je lëng...
Je pluhur..
J’er e lules vetë....
Dyke vëzhguar me vërrejtje këtë vjershë tretet fare përshtypja e parë; sepse, me të vërtet gjendemi përpara një vjershe së cilës nuk i mungon as masa (10 edhe 11 rrokje), as rima. Forma si është radhosur i detyrohet sulmit shpirtëror të Poetit dhe cezurave të gjata – shkak mendimi ky- që ndajnë fjalët midis tyre. Vargjet e më sipërme mundet të shkruhesin në dy katrena kësilloj:
Në kulm, në thelb, në fund të vetes s’ate
Më mban njeri: Me tëmbëla në duar
Kupto tashi cfardo dyshim që pate!
Të flas me zë të fjalës së kulluar:
Kur ti shijon... kur ti përket... kur ti
Një lules s’heshtur erë i merr në fletë;
Jam pemë... flutur... lule... o njeri:
Je lëng... je pluhur... J’er e lules vetë...
Më me rëndësi për vleftën e një vjershe është argumenti organik i rimës. E begatëshme nga pikëpamja e fjalorit dhe e përfytyrimeve, vjersha e Lasgushit cquhet edhe me begatinë e rimës, në fjalën begati dyke kuptiar gjyrat e shuma e të pa pritura të mbarimit të vargjeve. Rima e Lasgushit nuk është një mjet mekanik pa nonjë lodhje të vërtetë me sulmin e brendshëm e me kuptimin e vjershës, i ngjitur në fund për të tingëlluar “sipas regullës së artit”. Përkundrazi ajo është një zgjatje organike e vargjeve. Këputem këtu më poshtë disa shëmbëlla:
Vijnë vashat valle valle
Gushë e gji stolisura,
Një pëllumbm një sy- zorkalle
Sec vjen m’e mbollisura.
Shoqe ju dëgjomë ni
Bëni moj një tog me lule
Dhe nër to mbulomëni.
Vallja e luleve
Që ngha tumb’ e përmivarshme ku do shihnje për m’at’ anë
Vallë a mos u ndreq të folët në Devoll e në Bujanë.
Naim Frashërit
... Kur po ja! Se po përtej
Ndriten erërat nga pakë;
Ylli i cdukur nëpër qjej
Vetëtiu e mori flakë.
Vallja e yjeve
Lasgushi përdor me mjeshtëri t ëmbaruar edhe asonancat nga të cilat radhosim këtu disa: tashi-Shqipëri; gji-kursesi; gji-qetësi; gji-përjetësi; gji-zili, gji-dhemshuri; ti-dashuri; të mi –stoli; dhe –re. Këto e madhojnë me gjyrat e reja që sjellin bukurinë e veprës lasgushiane.
Shumë nga lëcitësit më të vjetër të Lasgushit kanë vënë re prej kohe se vepra e tij ka një magji tingëllonjëse të vecantë, një magji të sajnë, se është muzikale- si thonë disa- e se troket bukur në vesh- si thonë të tjerët. Ky shënim intiutiv i lëcitësve pasqyron fillimin e kuptimit të veprës së Lasgush Poradecit.
Muzikaliteti ose plasticiteti i një vepre është pasqyra e sulmit të brendëshmë, e sulmit shpirtëror të poetit e shprehur përmjet fjalëve të thurrura “sërë-sërë-e varg-e varg”, të harmonziuara me përmbajtjen, me kuptimin e veprës. Hapet këtu një kaptinë e gjatë dhe e gjerë të cilën ne, nga shkaku i ngushtiucës së vëndit, nuk e kemi për të vëzhguar përvec se pjesërisht dhe vetëm në mënyrë demonstrative. Magjija e fjalës së Lasgushit i detyrohet artit të radhosjes në vargje e sidomos harmonizimit të saj me përmbajtjen. Të marrim, bje fjala, elegjinë “Ku qajnë motrat të vëllanë” (vajë në kadencë popullore) e shtypur më parë nën titullin “Logori”. Kjo vjershë, e cila është një distih endekasilab, fillon kësilloj:
Vajto, moj botë,
Vajto me ne:
Se ra zëmbaku
U shtri përdhe.
Ky tropar na jep në mënyrë intuitive efektin e një gjëme, e një dhembje të thellë, jo vetëm me përmbajtjen, me kuptimin e fjalëve, po edhe me tingëllimin e tyre, si kush vecan e të gjitha bashkë. Këtu zotërojnë zanoret e trasha o, a, u. Vargu:
Vajto moj botë,
I përbërë prej tri fjalësh ka tri o, nga të cilat njëra “vajto”, me tingëll të mbyllur dhe të dy të tjera me tingëll të hapur e të sgjatur si një udhëtimë. Shkronja gjysmë-zerore j e radhosur pas shkronjës o madhon efketin dyke i shtuar gjëmës së madhe edhe fellësirën e dhembjes. Presjet e vëna pas fjalës së tretë, madhojnë edhe ato, përmjet cesurës, efektin elegjiak të vjershës. Vazhdon vargu i dytë ku përsëritet fjala vajto (për të madhuar ndjesinë e gjmës) e ndjekur prej dy fjalësh të shkurtëra e simetrike, me ne, të cilat kanë një tingëll minor.
Tropari i parafundit:
Të qajnë motrat,
Të qan vëllaj,
E fshat i tërë
Të qan me vaj.
Të jep përmjet tingëllimevet të shkronjave a dhe j, që zotërojnë vargjet, përshtypjen e dhembjes së difuzuar-përhapja gradualisht gjer në “fshat i tërë”.
Dyke vazhduar në vëzhgimin e veprës së Lasgushit nga pikëpamja e fonologjisë, le të qëndrojmë pak në vjersha “Gjeniu i anijes” që simbolizon luftën, qëllimin dhe fatin e flamurtarëve të idealit në botën tokësore. Vjersha fillon kësilloj:
Vështroni si shket sipër valash
E tundet anija më nge?
... Me krismë e me prush prej stërkalash
Mi të shkrepëtu një rrufe!...
Ndjejmë këtu që në fillim, intuitivërisht, ushëtimën e gjëmën e detit si efekt i tingëjve sh dhe s që përmbajnë fjalët vështroni, shket, valash, prush, stërkalash, shkrepëton, si dhe sipër të harmonizuara me fondin e vjershës. “Gjeniu i aniejs” mbaron me këtë tropar:
Valimi i anijes së letë
Qetohet, ndalohet, mbaron:
Gjeniu i anijes përjetë
Hepohet...anohet... valon...
Shquajmë këtu dy grupe fjalësh që përbëjnë vargun e dytë dhe vargun e katërtë (qetohet, anohet, ndalohet, hepohet dhe mbaron, valon). Vargu i dytë dhe i katërtë kanë një tingëll të njëjtë e sidomos një tonalitet rithmik identik.
Qetohet, ndalohet, mbaron:
Hepohet... anohet... valon...
Por me gjith se efekti tingëllonjës brut është i njëjtë, Poeti na jep kuptime të ndryshme përmjet shenjave të pikësimit, dyke ndjerë të parat me presje dhe të dytat me nga tri pika suspensive kësilloj kurse vargu:
Qetohet, ndalohet, mbaron
Pasqyron një këputje, një sbritje tatëpjetë, vargu:
Hepohet... anohet... valon...
Tregon një ngjitje përpjetë. Vargu i parë tregon fatin e anijes të trupit prej baalte; kurse i dyti tregon rrugën e gjeniut, të shpirtit. E para është prej esence fizike e tokësore, e dyta prej esence hyjnore e qiellore. Gjendemi këtu përpara bipolaritetit të qënies në ndarje e sipër dyke hequr sikush në polin e vet origjinar.
Një vjershë tjatër, “Lundra dhe Flamuri” e ngrehur gjith mi themën e së parës, po me një tjatër formë, nxjerr në qenar harmoninë fonologjike të Lasgushit. Kujtojmë këtu vetëm të dy strofat e para:
Që larg po vi... që larg,
Më turren valët varg e varg,
Un’ ik dh’hepohem mund ti harg...
E sipër tyre shkas,
Valoj me sulmë e gas,
I le tallazet pas.
Sicili prej nesh mund të ndjejë ndryshimin tingëllonjës midis këtyre dy troparëve; i pari ka 22 rrokje dhe tregon lodhjem i dyti ka vetëm 18 rrokje dhe pasqyron dinamism. Energjitismi i të dytit nuk vjen vetëm nga shkurtësija e vargjeve, po edhe nga rima e mbaruar me shkronjën s (shkas, gas, pas) të cilat, me gjith se janë njërrokëse si edhe larg, varg, harg, kanë një tingull të hapur. Nëpërmjet akustikës ose muzikalitetit dhe përgjithësisht nëpërmjet formës, Lasgushi qëndron në ballin e poezisë shqiptare.
“Përpjekja Shqiptare”, nr.17, maj 1938