Kulturë
Ibrahim Hajdarmetaj: Kur di të nderosh të tjerët
E diele, 20.10.2013, 09:48 AM
KUR DI TË NDEROSH TË TJERËT, JE DHE VETË I NDERUAR…
(…dhe një
mesazh, dërguar prof. Murat Gecaj, nga krijuesi
Fatmir Gjestila)
Nga:
IBRAHIM HAJDARMATAJ
Nga e
djathta: Fatmiri, Murati e Ibrahimi (Tiranë, 9 tetor 2013)
Ju kërkoj
ndjesë lexuesve, që nuk do të shkruaj një artikull të mirfilltë. Pra, qëllimi
im është vetëm t’u paraqes një mesazh, të cilin ia ka dërguar prof. Murat Gecajt-publicist e
studiues- poeti e shkrimtari, autor i disa librave, Fatmir Gjestila. Që të jem
i çiltër me ju, para pak ditëve edhe unë isha bashkë me mjaft të ftuar të tjerë,
në bibliotekën e Muzeut Historik Kombëtar në kryeqytet, kur ky autor përuroi
librin e tij më të ri për fëmijë, “E
fshehta e kështjellës së zezë”.
Për këtë
ngjarje të shënuar e mbresëlënëse, jo vetëm për F.Gjestilën, por dhe për ne,
pjesëmarrësit e tjerë në atë veprimtari mbresëlënëse, që atë ditë, pra
menjëherë dhe pa u “ftohur” ajo në kujtesën tonë, M.Gecaj shkroi një artikull
dashamirës, të cilin e dërgoi në disa gazeta e faqe Interneti.
Me të
drejtë, dikush mund të shprehet se: “Këtu
nuk ka asgjë për t’u theksuar, se shpesh
herë mësojmë për njoftime të tilla?!”. Kjo është më se e vërtetë. Por, në
rastin për të cilin po shkruaj, ka diçka të veçantë. Unë nuk e dija, por e
mësova në atë përurim, se prof. Gecaj e z.Gjestila nuk e njihnin nga afër
njëri-tjetrin. Megjithatë, vërejta se ata u përqafuan ngrohtësisht, si të
kishin patur miqësi të kahershme. Sigurisht, secili prej tyre kishte dijeni për
krijimtariunë dhe botimet e ndërsjellta, kjo gjë e arritur përmes faqeve të
shtypit të shkruar dhe Internetit.
Pasi
autori F.Gjestila u njoh me shkrimin e publikuar nga M.Gecaj dhe, sigurisht,
kjo gjë i bëri përshtypje të posaçme, ai i nisi atij një përshëndetje e
falenderim të bukur e domethënës, përmes e-mailit të tij. Pra, ky është edhe
qëllimi kryesor i këtyre radhëve, duke e vendosur edhe këtë mesazh, më poshtë.
Pastaj, natyrshëm, secili nga lexuesit është në gjendje të gjykojë vetë. Por,
në këtë rast, desha të theksoj edhe mendimin e njohur, që: “Kur di të nderosh e vlerësosh të tjerët, je dhe vetë i nderuar e i
vlerësuar…”.
2.
“Përshëndetje, prof. Murati! Prania juaj, në veprimtarinë për paraqitjen e librit tim,
ishte aq e mirëpritur dhe ju erdhët…Mirënjohje dhe falenderime për ju!
Më befasuat dhe njëkohësisht ma
bëtë edhe më të çlirshme sjelljen time, mes miqësh, kur vëreja dhe ndjeja se,
një personalitet si ju, ishte aq i thjeshtë, dashamirës
dhe i qetë, me një buzëqeshje që buronte edhe nga sytë e ta lehtësonte aq shumë
komunikimin. Ju lutem, mos m’i merrni për komplimente këto fjalë, asesi si “ledhe”,
pasi njerëz si ju s’kanë nevojë për to; janë thjeshtë fjalë respekti për ju dhe
punën tuaj.
Çka më ka
befasuar më shumë, ka qenë dhe reagimi juaj i shpejtë dhe dashamirës, në lidhje
me veprimtarinë: pra, publikimi përmes postës elektronike i rrjedhës së saj dhe
i mendimeve të para për librin tim, që u
paraqit para atij auditori të nderuar, me poetë e shkrimtarë, publicistë dhe
njerëz të kulturës e artit.
S’di se
ç’keni bërë për njerëzit tjerë, në përgjithësi, në këtë rast për njerëzit e
penës, që botojnë disi të tulatur edhe për arsye të pamundësisë për t’u
përshfaqur gjërësisht. Por, fakti që ne të dy s’kemi patur më parë asnjë lidhje
të drejpërdrejtë, më bën të mendoj dhe të them, se jeni i përkushtuar shumë për
njerëzit dhe ata, me siguri, të janë mirënjohës, ashtu si edhe unë. Mbase, s’them ndonjë gjë të re,
por rasti juaj tregon se njerëzit e mirë e të mençur i kërkon edhe çasti, për
t’u dhënë dorën të tjerëve.
Edhe një
herë: Ju faleminderit! Me respekt:
Fatmir Gjestila”.
Tiranë, 14 tetor 2013