E merkure, 30.10.2024, 06:39 AM (GMT)

Kulturë

Hamit Taka: E papritura

E shtune, 19.10.2013, 03:33 PM


E PAPRITURA

-tregim-

Nga Hamit Taka

Në familjen Gurollari ra zilja e portës. Marsela u nis me përtesë, me ngurim dhe me një farë ndroje për ta hapur.

-Lere derën ti, se e hap unë! –u hodh Teuta, e ëma e vet. Sa herë trokiste dera e gurollarëve pas fillimit të lëvizjes studentore, në familje ndihej ankth e panik. Më tepër te kreu i familjes dhe djali i madh. Femrat dhe djali i vogël ndiheshin më kurajozë. Teuta, nëna e familjes, nuk lejonte asnjë ta hapte derën. Atë punë e kryente vet. Kjo ishte bërë pothuajse normë. Ishte një kujdes amësor, por edhe i trashëguar nga familja e saj që në fëmininë e herëshme.

-Uaa! Teto Olimbia!-ia bëri ajo dhe u puth me motrën e saj. Emri “teto”, Olimbisë i  kishte mbetur që pas shfaqjes së një filmi me temë nga fshati, që bëri shumë bujë, ku personazhi kryesor ishte një grua nga qyteti, të cilën gjithë fshatarët e thërrisnin “teto” Ollga. Mirëpo teto Olimbia, sa i përshëndeti shkaraz të pranishmit, filloi një monolog, që u ngjalli të gjithëve kureshtjen. Ndonëse teto Olimbia ishte gjithmonë e mirëpritur, si e vetmja nga fisi i gruas së Sami Gurollarit në Tiranë, ato ditë ata ishin të etur për çdo gjë që mund të tregohej për sa bëhej e thuhej jashtë mureve të shtëpisë dhe zyrave të shtetit, ku gati kishte rënë kolera.

-I ziu Kristaq ç’e zuri! E turpëruan të shkretin tani në pleqëri. Më mirë të kishte mbyllur sytë e të mos e kishte gjetur kjo ditë. Ia ka bërë ditët perëndisë, është plot 85 vjeç. Do t’i prehej shpirti në paqe. Tani s’ka për të gjetur prehje as në varr, as në qiell. Ç’e gjeti të ziun, ç’e gjeti!

-Për cilin Kristaq e ke fjalën, moj Olimbi?-e pyeti Sami Gurollari, i pari i shtëpisë. Të tjerët prisnin gojëhapur, për të mësuar se në çfarë shtegu do të dilte teto Olimbia.

-Për shokun Kristaq Shtëmbari e për cilin Kristaq tjetër, more kunat! Nuk di gjë ti? Për atë që e ke patur ministër, kur ishe vetë zëvendësministër. Se edhe ai zëvendësministër ishte para se të bëhej ministër,-u përgjigj teto Olimbia.Mund të ishte hera e parë që i thoshte kunat me plot gojën Sami Gurollarit, se më parë do të gjente ndonjë rast të veçantë, për shembull ndonjë dasmë, për t’ia mërmëritur atë emër.

Sami Gurollari u vërenjt. Duroi një grimëherë dhe s’iu durua më:

-E pastaj, ç’e gjeti shokun Kristaq?-tha tepër i shqetësuar, duke menduar ndonjë diskreditim publik nga alabakët, që hazdiseshin rrugëve të Tiranës ditën e natën. Se në atë kohë mëndja i shkonte direkt tek vetja, duke e përfytyruar atë në situata të ngjashme. Dhe i thahej goja nga ankthi.

-Ç’do ta gjënte më, more shoku Sami, që bën sikur s'e di! Turpi i botës e gjeti. Ku të futet tani? Të hapet dheu e ta përpijë.

-Ç’thotë kjo?! Eshtë në vete apo mos i ka rënë në kokë?, -i pëshpëriti në vesh të bijës Teuta,

- Do të thuash, mos i ka rënë dambllaja,-ia ktheu e bija me zë të ulët te veshi, por shpërtheu në një gaz të papritur, që i bëri të gjithë të kthenin kokën prej saj. Teuta u skuq dhe u pendua për fjalët që i tha të bijës për motrën e vet. Edhe Gramozi, burri i Marseles, domethënë, dhëndërri i Sami Gurollarit, nuk u ndie mirë nga e qeshura kumbuese e të shoqes.

-Po thuaje të shkretën se na plase, moj Olimbi. Thuaj, çfarë e ka gjetur shokun Kristaq, ta dimë edhe ne, se s’të marrim vesh,-iu kthye së motrës Teuta, me gjithë se njihej si një grua serioze, që nuk i pëlqenin thashethemet.

-More, me të vërtetë s’dini gjë ju apo talleni me mua? Në Bllok ajo ngjarje u përjetua si një krismë revolveri në mes të kishës!- shprehu habinë teto Olimbia.

-Po hë edhe ti të shkretën, teto Olimbi, se na lodhe me ato spërdredhjet e tua të zakonshme! E fillon me shokun Kristaq dhe pastaj hidhej te Blloku. Ç’lidhje ka Blloku me shokun Kristaq dhe ç’mund t’i ketë ndodhur Bllokut?-bënte sikur e ngacmonte Marsela, por e paduruar nga kureshtja, pasi çdo ditë dëgjonin çudira për Bllokun e bllokmenët.

-Bllokut? Ç’nuk i ka ndodhur Bllokut! Të gjitha i kanë ndodhur. I luan toka nën këmbë. Prit kur ta përfshijë ndonjë ditë përpara vala e protestave të minatorëve e studentëve. Edhe turpi i kishte mbetur akoma. Lere, ç’themë unë? Turpi e ka mbuluar me llumë që kur u gjetën ato që u gjetën nëpër kasafortat e zyrave të komiteteve të partisë, që këta gazetarët e demokratikes i quajnë simbole sensuale të degjenerimit.

-Bravo teto Olimbi! Kur i mësove gjithë këto shprehje moderne, moj t’u bëfsha?!-deshi ta ironizonte e  Marsela dhe qeshi me të madhe. Por teto Olimbia nuk ua vuri veshin fare atyre fjalëve dhe vazhdoi.

-Po ç’janë këto, more shoku Sami? Kurvat e kurvarët kishit mbledhur nëpër komitete për të na drejtuar? U gjetën nëpër kasafortat e zyrave pisllëqe me thesë, nga ato këllëfet…, se s’ua di as emrin. Turp për faqe të zezë! -tha pothuajse e qetë Olimbia, ndërkohë e motra uli kokën e turpëruar. Sami Gurollarit i hipi tensioni dhe ashtu i zymtë e vetullkreshpëruar, dukej sikur do ta kapte për flokësh e ta nxirrte pas derës së shtëpisë si një qëne. Por ai e dinte se përmbajtja në këto situata ishte çelësi i artë. Pas një heshtjeje të rënduar, si ajo kur përpiqej të mbash një të qeshur mbytëse, për të shmangur të qeshurën e zhurmëshme, u hodh Marsela e tha:

-Moj teze, bjeri shkurt të shkretës, se po na vërtit rreth vetes! Apo na tall hapur.

-Ç’janë këto marrëzira që flet sot? –ndërhyri edhe e motra dhe vështroi me bisht të syrit të shoqin. Samiu e humbi durimin. Ashtu i nervozuar e sterr i zi, siç bëhej sa herë nxehej gjer në humbjen e kontrollit të vetvetes, s'dinte si të vepronte me atë ish-borgjeze. Duke u ngritur në këmbë, ai bëri një rrotullim 180 gradësh dhe u drejtua nga dhoma e tij, që dikur kishte shërbyer si studio hijerëndë e anëtarit të Komitetit Qëndror dhe zvendësministrit të Bujqësisë. Të gjithë ishin zemëruar me Olimbinë, sa për fjalët e saj aq edhe nga brerja e kureshtjes. Por asnjëri nuk donte ta irritonte tezen, pasi e dinin se ajo kishte një djalë student, pjesëmarrës në grevën e urisë, një burim shumë i besuar për informacione të rëndësishme. Të qe kohë tjetër dinte Samiu si të sillej me të. Dukej se edhe teto Olimbia ishte e vetëdijshme për këtë dhe provokonte hapur nervat e tij.

-Bëji një kafe teto Olimbisë, se s’di ç’thotë. Degë më degë hidhet e ne s’marrim vesh ku do të dalë, -i tha Teuta të bijës.

-Na e bëj nga një kafe, Sela, të keqen tezja, se na është ftohur e dobësuar zemra. Akull na është bërë me këto që dëgjojmë e shikojmë. Të skërmoqet kështu partia e qeveria sikur të ishte qereste e kalbur. Nuk mjafton kjo, por na duhen edhe turpet e bllokmenëve tani. Edhe ti, shoku Sami, mos u nxeh, se ia hoqët fare petët lakrorit. Nuk na mungonte gjë tjetër tani, por të mësonim edhe degjenerimin e bllokmenëve,-e përfundoi ligjëratën aq befasuese për të gjithë nga mënyra e të folurit, ndryshe nga herët e tjera, kur rrinte sus para Sami Durollarit. E përcolli me sy kunatin dhe e ndjeu sa i nervozuar ishte, teksa ishte nisur për në dhomën e tij dhe ndërroi mëndje apo mëndjehmbur, hyri në kuzhinë.

Marsela nisi kafen, kurse në sallonin e Sami Gurollarit ra një heshtje varri, sikur gjithëkush prej tyre donte të mbushej me frymë. Samiut i erdhi inat që e kishte dhënë veten para teto Olimbisë. “E nuhati shtriga që jam shumë i nervozuar dhe më provokon”, tha me vete. Ishte gati të shpërthente si bishë dhe, po të kishte ndodhur ajo, e zeza Olimbi ku do të futej. Edhe ajo i duhej tani, t’i tregonte Olimbia degjenerimin e Bllokut. Ajo, borgjezja, e bija e një tregtari, të cilën ai e shpëtoi nga bataku, se do të kishte përfunduar në vendin e qenit. Por ai dinte të vetëpërmbahej, cilësi që e kishte fituar gjatë një jete të tërë në drejtimin e punës me njerëzit. Dhe me atë shprehi të kultivuar punët i kishin ecur mirë, si rrota në graso.

Teuta e njihte mirë sa i dobësohej zemra dhe i ngrihej tensioni në ato çaste. Bëri t’i shkonte prapa, por mendoi se ishte më mirë ta linte vetëm dhe t’i priste gjuhën së motrës, sepse e kishte zgjatur shumë. Më mirë se ajo nuk i dinte askush ato që thoshte e motra, pavarësisht se nuk e kishte hapur gojën kurrë me tjetërkënd, veçse me të, por nuk ishte momenti i duhur për histori të tilla. E teproi shumë Olimbia sot, tha me vete. Nryshuan kohët, pa le të fliste dikur kështu para Sami Gurollarit. Pastaj u kthye nga e motra e qetë, se mos ia shkulte atë fjalën që asaj i mbetej në fyt si molla e Adamit.

Marsela mbante bishtin e xhezves dhe e përhumbur meditonte: Bota po shkrihet nga ngrohja globale, por zemrat tona janë shndërruar në male prej akulli, hapësirat brenda nesh po mbushen me urrejtje, egoizëm, zili. Askush nuk dëshiron që të kujtojë se dashuria fiton mbi gjithçka, se bashkimi i shpirtrave mund të përballet me çdo stuhi, se një buzëqeshje ka më shumë vlerë se çdo thesar...Dhe nuk ishte fort e sigurtë, i kishte lexuar diku këto mendime apo ishin produkt i ndërgjegjes së vet në ato situata të rënduara për familjen e fisin e vet.

-Hajde tani, motër, mos na lodh më,-tha Teuta dhe i vuri dorën mbi gju, pikërisht në atë vend, ku Olimbia e ndiente më shumë reumatizmën, i cili i shërbente si një barometër meteorologjik.

-Po çuditem, moj motër, si s’e keni marrë vesh këtë marrëzi, që e mbaj këtu përbrënda dhe nuk e nxjerr dot, sikur do t’më dalë shpirti. Ajo ka bërë aq bujë sa atëherë kur u prishën marrdhëniet me Bashkimin Sovjetik, por ju të Bllokut e mbajtët fshehur nga ne me ditë të tëra. Ishit zymtuar sikur ju ishin mbytur gjemitë, por s’guxonit të na thonit një majë fjale, se ju prisnin gjuhën.

-Ç’janë këto marrëzira që na thua sot, moj motër?! Ç’lidhje kishim ne me Bllokun? Aq më tëpër fëmijët tanë, para të cilëve na thua broçkulla. Ne bënim punën tonë të ndershme dhe i shërbenim popullit, -iu hodh tërë nerva Teuta, e cila nuk kishte emocione të tilla, sidomos me motrën. Atë e kishte si sytë e ballit. Pas martesës me shokun Sami Gurollari, Olimbia ishte e vetmja urë lidhjeje me fisin e saj. Vetëm asaj i hapej dhe derdhte marazin e shpirtit deri sa u përshtat me jetën ndryshe të udhëheqësve të rinj.

Marsela u serviri kafetë në një servis argjëndi të vjetër nga qyteti i teto Olimbisë, si për t’i treguar jo vetëm se ata ishin akoma bllokmenë, por edhe të mos harronte lidhjet e fshehta me të motrën, shumë prej të cilave i dinin edhe vajzat e saj.

-Duket që në aromë se e ke bërë të mirë. Nga e keni prurë këtë kafe? –tha teto Olimbia, pa e gjerbur akoma lëngun, që nxirrte avuj aromatikë të papërballueshëm.

-Ti e di më mirë se unë, teto Olimbi. Nga qyteti juaj, -iu përgjigj Marsela dhe vështroi të ëmën.

-Nuk të pyeta për filxhanët. Të pyeta për kafenë. Nga Italia e keni prurë? Se ju s’keni pirë kurrë nga ajo palo kafja jonë, -ia ktheu Teto Olimbia. Fjalët e saj të gjithë i more si një ironi provokuese.

-Po ti, teto Olimbi, s’ke pirë gjithë kohën nga kjo kafe? Nuk të jepte mamaja pakot e paprekura sa herë na vinin nga jashtë?-tha me irritim Marsela, sido që përpiqej t’u jepte fjalëve ngjyrime humori.

-Për atë të thashë. Doja të dija a vazhdoni të pini akoma nga ajo kafe, -qesëndisi teto Ollga, gjë që i irritoi edhe më tepër të pranishmit, bile edhe më indeferntin e asaj shtëpie, dhëndërrin e Sami Gurollarit. Pas një heshtjeje shqetësuese, Teuta ia vuri përsëri dorën te gjuri me reumatizmë dhe teto Olimbia e mori mesazhin:

-Ore ju, talleni me mua sot, që bëni sikur s’keni marrë vesh gjë për marrëzinë e Bllokut?  -Iu kthye ndodhisë teto Olimbia, që e dinte mirë se po i torturonte me stërzgjatjen e tregimit të saj, por që edhe vetë po digjej nga dëshira për t’i befasuar me atë që mbante me zor trari i postabllokut të gjuhës.

-Gjërat kureshtare tregohen me lezet, duke pirë kafen, -tha me djallëzi Marsela, që teto Olimbia t’ua tregonte shtruar-shtruar.

-Po çuditem, moj motër, si s’e keni marrë vesh marrëzinë e Zanës, të bijës së shokut Kristaq, që bëri aq bujë atëherë për fejesën me atë gazetarin, i cili i përkthente fjalimet Udhëheqësit në atë mbledhjen e partive në Moskë. Dhe më pas dihet si përfundoi. Emrin ia harrova tani, por e mbaj mend mirë fytyrën e tij nga televizioni.

-Besnik Struga, po hë vazhdo,-ndërhyri Teuta.

- Po ç’t’ju mollois moj femra! Janë gjëra që nuk t’i nxë goja t’i thuash. –ajo e dinte se kështu ua ndizte edhe më tepër zjarrminë e kureshtjes.

-Tamam ai, dora vetë. Më pas, kur iu bë babai ministër, u martua me një sekretar të komitetit qëndror të rinisë. Më pas ai u bë kandidat i Komitetit Qëndror të partisë. Edhe shumë përpara nuk bëri se s’ishte aq i zgjuar sa e bënin.

-Kushedi mbase kishte dhe arsye të tjera,-ndërhyri Teuta.

-Nejse, punë për ata,-vazhdoi Olimbia. -Pse Samiu ynë pak i zgjuar qe, por nuk u bë dot ministër, deri në zëvendësministër arriti.

-Samiu ndoqi karrierën politike,punoi në krahun e partisë, pa po të donte bëhej ministër. Karriera partiake ishte më e rëndësishme. Mjaft arriti edhe ai. S’kishte ku shkonte më tej. Me shkollë unike ishte fillimisht,-s’iu durua Teutës.

-Hë moj, se nuk ta shava. Të gjitha të mirat i kishit edhe ju. Ishit bllokmenë, s’ishit pak. Po çudia është që s’keni marrë vesh gjë për Zanën,-tha Olimbia pak e fyer në sedër, që e motra kishte akoma kurajo e i kapardisej asaj me pozitën e saj shoqërore.

-Nuk jemi marrë kurrë me punët e të tjerëve. Kemi parë gjithmonë punën tonë dhe atë të shoqërisë,-iu përgjigj motra sikur të shiheshin për herë të parë.

-Po ç’është kështu me ty sot? Nuk të flitet me gojë, sikur jemi fshat e jo sikur jemi motra. Ne deri sot i kemi thënë të gjitha. Edhe ato që nuk thuheshin.Dhe më thua se nuk keni parë punët e të tjerëve, kur ju gjithmonë jeni marrë me punët e të tjerëve. Se në fakt ju bënit detyrën, -iu përgjigj ashpër Teto Olimbia. Teuta u përskuq. Nën lëkurën e saj të fishkur u duk nënshtresa e pigmentit që i bën njerëzit të ndihen të turpëruar, fajtorë, të ndrojtur apo të përunjur. Ajo vuri re nga kuzhina, ku rrinte ndenjur në një divan të porositur enkas për kuzhinën e tij shoku Sami . Mos ai vallë e dëgjoi atë shprehje “edhe ato që nuk thuheshin”. Në të vërtetë ajo s’kishte mbajtur asnjë rezervë ndaj motrës. Atë e kishte si një kishë ku rrëfehej dhe motra ishte komb, pus i thellë. Asgjë s’lëshonte nga goja e saj, pasi e dinte sa me përgjegjësi e me  zarar ishte çdo shprehje e pa kontrolluar për motrën e saj e më pas për gjithë fisin e tyre.

-Ku e lamë fjalën, motër? -rifilloi Teuta, duke i mëshuar në mënyrë përkëdhelëse asaj fjalës “motër”.

-Te Zana e ku tjetër. Unë çuditem si s’e keni marrë vesh ju. Pse shtireni sikur nuk dini asgjë dhe doni t’jua tregoj unë çdo gjë sikur të jemë orakulli i familjes Gurollari! Pse s’e keni marrë vesh ju se Zana e shokut Kristaq e la dje burrin me dy fëmijë dhe shkoi tek ai…Ata të tre luajtën vendit, shikuan njëri-tjetrin të habitur, pastaj i fokusunan përsëri vështrimet tek teto Olimbia. Sami Gurollari u ngrit në këmbë dhe rregulloi aparatin te veshi. Edhe dhëndërri u bë sy e vesh. Vetëm Frida qëndroi pak më indiferente, por jo se nuk e priste me kureshtje rrëfenjën e teto Olimbisë.

-Ku shkoi, moj motër? –e pyeti Teuta, sikur dëgjonte se një i vdekur po ngrihej nga varri.

-Ku shkoi, teto Olimbi? –pyeti Marsela.

Edhe Gramozit nuk iu durua:

-Po hë pra, teto Olimbi, ku shkoi, -pyeti ai me shumë diplomaci e delikatesë, për t’ia rrëmbyer përgjigjen teto Ollgës.

-Te Marku, -u çlirua teto Ollga.

-Te Marku?! Te cili Mark? –u hodh kësaj radhe Marsela, e cila deri në ato çaste e përcillte bisedën me nuanca humori.

-Te Marku, ju thash. Te cili Mark? Një Mark është ai që pati fatin të përjetësohet në romanet e Kadaresë. Te Marku i hankos Nurihan, që i binte violinçelës. Në shtëpinë e të cilit banon familja e saj që prej dyzetë e ca vjetësh. Domethënë u martua me Markun. Gojët e liga thonë se ajo flirtonte me të qëkur ishte e fejuar me atë gazetarin.

Për famil;jen e gurallarëve u rrotullua shtëpia sikur do të shëmbej. U duk se bota po dilte nga boshti, ashtu siç po dilte nga boshti i paluajtshëm ideologjik shteti dhe partia. Ishte si një tërmet shumëballësh në atë kohë të trazuar.

-Thirri mëndjes! Je në vete ç’po thua apo ke parë ëndërra, se ke fjetur keq dhe vjen këtu të na i tregosh në mbarim të ditës,-e ndërpreu e motra, Teuta.

-Jo, motër, kam fjetur shumë mirë dhe as kam parë ëndërra, as ju tregoj ëndërra. Zana u martua dje me Markun dhe bëri celebrimet në gjëndjen civile të lagjes. Bile thotë se djalin e parë e ka me Markun,që para martesës ligjore,-tha shkoqur teto Olimbia.

-Oh, ajo e pacipë, tani mund të thotë ç’të dojë,- brofi Teuta në këmbë.

-Vërtetë e bëri atë martesë ajo bushtra?-pyeti Samiu në një ekstazë zemërimi, duke u rishfaqur te dera e kuzhinës, që, me sa dukej, e kishte dëgjuar mirë rrëfimin e kunatës Olimbi.

-Vërtetë, ore kunat, vërtetë, -i ktheu përgjigje Olimbia. Të gjithë kthyen kokën nga Samiu dhe panë si e gëlltiti atë fjalën “kunat”. Kur ishte në qejf Samiu, gjë që ndodhte rrallë ato ditë, ato lëshime i quante “reflekse demokratike”.

-Zana e Kristaqit u martua me Markun? Po shoku Kristaq çfarë bëri?!- filloi ta hetonte akoma kunatën.

- Pranoi atë që bëri vajza, ç’do të bënte! U pajtua. Murit me kokë nuk i bihet, -iu përgjigj teto Olimbia.

-Zana është femër e kohës, gjithmonë ka ecur me kohën. Ajo është femër e të gjitha kohëve,-tha papritur Marsela dhe hodhi vështrimin nga Frida. Me ato që tha e habiti edhe të shoqin. Gramozi kishte qëndruar indiferent deri në atë çast, duke diskutuar me Fridën për punën e një dokumentari të shfaqur kohët e fundit në televizionin shtetëror për zhvillimin e socializmit në Suedi. Frida ishte e fejuara e Çlirim Gurollarit, djalit të vogë të Sami Gurollarit, e cila kishte gati dy orë që e priste të fejuarin. Ajo e pa si iu frynë venat bashkëbiseduesit të saj dhe se ai diçka deshi të thoshte në zemërim e sipër, por prania e vjehrrit të sterrosur te dera e kuzhinës, e bëri ta qepte gojën. Frida i ndjeu të dy efektet, nën të cilat u gjendën gjithë pjestarët e familjes Gurollari, për shkak të ndodhisë së papritur dhe për shkak të fjalëve provokuese të Marselës. Ajo e pa edhe atë vështrimin tinzar të saj mbi fytyrën e vet. Këtë lloj provokimi nga të dy motrat e Çlirim Gurollarit ajo kishte kohë që e ndjente, por mendonte se ishin ndjenja të çastit, që buronin nga gjëndja psikologjike e rrënimit të tyre.

-Bushtra,-skrofëtiu Samiu papritur,-me një gurë vret dy zogj. -Lidhet me shtresën e re sunduese dhe fiton vilën e Nurihanit. Kështu prindërit e saj mbeten në vilën e bejlereshës. Ishte hera e parë që Sami Gurollari përmëndëte ose pranonte një shtresë të re sunduese dhe pikërisht atë klasë që ai e konsideronte të eleminuar një herë e përgjithmonë.

-E thashë, baba, që Zana është grua moderne. Këtij i thonë pragmatizëm i vërtetë kapitalist dhe ne duhet ta pranojmë,- theksoi përsëri Marsela dhe përsëri i hodhi një vështrim të shpejtë Fridës, e cila rrinte si mbi gjëmba në atë mjedis të bezdisur dhe vëzhgonte mimikën e secilit, që ndërronin pas çdo fjale të teto Olimbisë, Samiut, Teutës apo Marselës.

-Mos më çaj kokën ti me gjithë atë pragmatizmin tënd,-i skrofëtiu Sami Gurollari në fytyrë të bijës. Veshi pallton e trashë, vuri shallin e borselinën ngjyrë okër dhe i tha të shoqes se do të dilte për pak ajër të freskët.

-Kujdes, Sami, bëj shumë kujdes! Mos bëj biseda politike dhe mos u nxeh me provokatorët,-e porositi Teuta. Në shtëpinë e tyre ishte bërë shprehi që çdokush, kur dilte nga shtëpia, të porositej për të patur kujdes nga alabakët dhe provokimet.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora