E shtune, 21.12.2024, 11:53 AM (GMT)

Editorial » Entela

Entela Binjaku: Dy fjalë për një profil gruaje…

E merkure, 16.10.2013, 08:09 PM


Dy fjalë për një profil gruaje…

Nga Entela Binjaku

“Ajo i ka dalë burrave përballë, asnjë deri tani nuk ka arritur t’i dalë gruas në mbrojtje si ajo”, ky ishte një përfundim që më dha një gazetare me përvojë e ekraneve tona mbi një personazh tonin politik dhe mediatik. Pavarësisht idesë sime për të nxjerrë në dukje të tjera vlera të këtij personazhi, rezistenca për të çmuar agresivitetin e saj ishte shumë  e fortë, ndaj preferova të tërhiqem,  të ulem e të shkruaj. Kultura verbale tek ne është shumë superiore asaj të shkruarës, si tipari zhvillimit shoqëror aktual tonit, ku “çfarë shkruhet nuk ka vlerë, ose shkruaje se vlerë nuk ka”.

Megjithatë, në një vështrim të përgjithshëm,  në ka ndonjë temë që gratë e kanë më për zemër  mendoj se është ajo për pabarazitë mes tyre dhe burrave. Për ta ilustruar këtë mund të them se në shumë mjedise ku janë dy o më shumë gra, patjetër që pjesë e diskutimeve do të jenë edhe sesa burrat nuk i kuptojnë, sa të lëna pas dore janë dhe sesa shumë “vuan” një grua krahasuar me një burrë. Ky nuk është një vëzhgim vetëm në radhët e grave shqiptare, por është një mendim që mbërthen edhe të tjera raporte burrash e grash, në kultura të tjera, sigurisht me specifikat e veta.

Si  vështrim i përgjithshëm sfondin social ku jetojmë e lë tërësisht mënjanë.  Duke mbetur në po këto nivele përgjithësimi, përgjigja në këtë rast është se burrat shqiptarë i duan gratë; për këtë mjaft të sjell në vëmendje sesa shumë përkushtohen ata për njerëzit e gruas.  Por edhe ky pohim e përjashton jetën shoqërore dhe mbështetet mbi një lloj qëndrimi tradicionalist  antropologjik që sërish ka nevojë të analizohet.

Raporti i gruas me burrin në thelb është një raport që flet për pabarazi si në të ardhura, ashtu edhe në status ekonomik e shoqëror.

I tillë ka qenë historikisht, dhe jo në vetëm në Shqipëri.  Ndërkohë që bota e emancipuar i ka vendosur këto çështje në qendër të vëmendjes së saj, tek ne diskutimet mbi çështjet dhe raportet gjinore kanë nisur  relativisht vonë. Zbutja e pabarazive gjinore gjatë regjimit të kaluar është zhvilluar më së shumti si pjesë e propagandës së kohës sesa si një domosdoshmëri dhe ndërgjegjësim shoqëror yni.  Ndërsa pas ndërrimit të sistemit, më së shumti ato kanë qenë objekt trajtimi ose aktiviteti i disa shoqatave që kanë meritën se nisën ta artikulojnë këtë temë, në kuptimin që vërtetë ajo ka, duke sjellë një risi në fjalorin tonë.  Por, përtej aktivitetit të tyre, dhe ndonjë termi të shkëputur tek-tuk si artikulim juridik, këto çështje nuk diskutohen në rrafshe të tjera, ose dhe kur ndodh, marrin formën e një mënyre  pak a shumë si hakërrim app viktimizim  nga ana e grave apo si me humor e qesëndi nga ana e burrave.

Megjithatë, në këto dy dekada  shoqëria shqiptare e ndrydhur në trajtimin e shkaqeve të kësaj pabarazie, duke mos u thelluar në arsyetimet sociale mbi burimet e tyre  dhe mbi nevojën për minimizim, për çudi ka treguar një nivel të lartë të emancipimit bashkëkohor duke vendosur në pozicione shumë të rëndësishme figura femërore. Shembujt për këtë nuk mungojnë, madje vazhdojnë të rifreskohen çdo ditë. Si rrallë ndonjë vend (në dijeninë time), në Shqipëri gratë i gjen në pozicione me përgjegjësi të lartë shtetëore e shoqërore si shenjë vlerësimi dhe nevoje për kontributin e tyre dhe si shenjë imponimi nga partnerët ndërkombëtarë.

Por ajo që po  vihet re bashkë më këtë “emancipim” është dhe të pranuarit nga ana e shoqërisë, burra e gra,  të një lloj profili të gruas shqiptare (publike) shumë agresiv, larg feminilitetit që e ka karakterizuar në kohë, madje duke e proklamuar si “zotësi” për t’ju dalë burrave përballë”.

Historia bashkëkohore botërore njeh disa personalitete të rëndësishme, figura që frymëzojnë shumë gra të tjera në botë, që nuk shfaqin as më të voglën shenjë të agresivitetit apo hakërrimit në daljet e tyre publike, kujtoj këtu fqinjen tonë Dora Bakojanis, Christine Lagarde e FMN, Angela Merkel në Gjermani, apo dhe Hillari Clintonin  që patëm dhe nderin ta kishim në Kuvendin tonë etj., figura që nderojnë çdo grua  me aspektin e tyre  performues tërësisht larg agresivitetit.

Në një terren pak  më të gjerë,  shoqëria kur i ka besuar  grave pozicione të rëndësishme drejtuese apo detyra me përgjegjësi të lartë,  ka nënkuptuar  edhe marrjen  përsipër prej tyre të disa roleve të  caktuara. Në sociologji thuhet shpesh se qëndrimet e miratimit apo mosmiratimit nga të tjerët janë ato që drejtojnë dhe përcaktojnë marrjen e roleve shoqërore.   I njëjti person mund të zgjedhë dhe mund të ketë njëkohësisht një tërësi rolesh, të cilat herë pas here dalin në pah dhe shfaqen sipas situatave të ndryshme, në mënyra të ndryshme. Një grua me pozitë të privilegjuar shoqerore dhe ekonomike,  ndryshe sillet në familje, ndryshe me fëmijën, dhe ndryshe në publik.  Në këto kushte lind pyetja: Përse (në disa situata)  rolet që luajnë gratë tona dhe që gëzojnë status të rëndësishëm,  janë më pranë agresivitetit? Përse një grua shqiptare e gjendur në këto pozicione duhet të sillet sa më  agresive për të qenë e pëlqyer? Nëse jeta shoqërore shqiptare qenka e atillë që krijon preferenca për këto tipare, pra që e oriention sjelljen e gruas sipas kësaj kërkese, atëherë mos ndoshta jemi ne vetë një shoqëri që stimulojmë dhe vlerësojmë agresivitetin? Por nëse një grua nuk shfaq këto tipare a nuk duket se shoqëria e quan të dobët dhe se nuk e përfaqëson siç duhet?  Në fund të fundit, që një grua shqiptare të luajë rolin siç i takon statusit të saj, a duhet të jetë patjetër agresive? Këto pyetje kane nevoje per me shume artikulim te shkaqeve.

Pabarazia gjinore, që flet për pabarazinë mes burrave dhe grave në mirëqënie, në të ardhura dhe në status social është më së shumti tregues dhe panormaë e vetë jetës shoqërore.  Këto sigurisht janë çështje që prej shekujsh e kanë karakterizuar shoqërinë njerëzore, por sot  ato marrin një vëmendje më të madhe sepse shoqëria ka kuptuar se është vetë ajo që i krijon dhe i konservon me kërkesat e saj.

Por,  ndërkohë që bota e emancipuar i trajton dhe i vendos në kujdesin e saj, merr masa për t’i minimizuar ne, jo vetëm që nuk i diskutojmë, por  edhe kur i vlerësojmë gratë i orentojmë në atë mënyrë që, për të qenë sa më pranë pëlqimit tonë, ato  të sillen sipas tipareve larg atyre femërore, të cilat kemi spikatur dhe çmuar në momentin e evidentimit të vlerës së tyre.

Kjo situatë ndodh  përherë kur flasim për mjediset publike, sepse në ato familjare gruan e kërkojmë të jetë  tërësisht ndryshe. Në rolin e nënës dhe të bashkëshortes kërkesat ndaj saj  i kemi të ndryshme.

Shoqërizimi gjinor është një proces i cili mësohet përmes disa faktorëve socialë siç janë familja dhe media, librat, televizioni etj. dhe dallimet gjinore në shoqërinë tonç ne i jetojmë çdo ditë.  Pra, mesa duket mjedisi ynë publik është i atillë që stimulon këto tipare dhe shoqëria jonë ka një ngritje të  të atillë që i orienton vetë gratë sipas këtyre kërkesave, përndryshe një grua nuk quan të zonjën,  ose  se “nuk i del dot në mbrojtje të tjerave”. Atëherë në vend të këtij glorifikimi të gjuhës agresive, të folur e të trupit,  a nuk do të ishte më e udhës të orientonim diskutimin shoqëror në nivele më të gjera ku njerëzve t’u mësoheshin konceptet që lidhen me maskulinitetin, feminilitetin, dallimin gjinor, rolet gjinore dhe pabarazitë gjinore, burimet dhe shkaqet, pasojat e tyre.

A nuk do të ishte më e udhës që shoqëria të kontribuonte në evidentimin e disa vlerave shumë paqësore dhe larg agresivitetit, më pranë profesionalizmit dhe larg absolutizmave të tipit dominues që në fund të fundit nuk tregojnë gjë tjetër veçse mendjengushtësi?

Çdo raport burrë dhe grua, kudo në botë,  asociohet me pabarazinë, por ka shoqëri që kanë njohur një emancipim të atillë saqë këto modele agresive, në gjuhën e trupit dhe atë të folur, i studiojnë, ju gjejnë shkaqet, i trajtojnë si dukuri të lidhura me natyrën e ndikimit shoqëror… dhe çdo herë në një dritë të re.



(Vota: 7 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora