E shtune, 21.12.2024, 01:12 PM (GMT)

Kulturë

Vera Istrefi: Nënqeshja e ëmbël

E diele, 06.10.2013, 04:08 PM


Libri ”Nënqeshja e ëmbël” 2001

Vera Istrefi

* * *

Në vend të parathënies

“E fshehta përvëluese”e një poezie

Nga Besim R Cengu

Gjithmonë më ka ngacmuar ideja se krijimi poetik vjen në

ndërgjegjen e krijuesit befas, pa ndonjë imponim. Kur ndodh

kështu, poezia gjithëherë është emocionale, e thellë, shpirtërore.

Zakonisht poezia vjen vetë. Poezia e vërtetë nuk njeh korniza,

ndryshe ajo sëmuret nga skematimi. Kur çlirohet krijimi,

vlerat e tij janë krejt të veçanta. Në këto kushte poezia i këput

vargojt dhe del ashtu siç është, e përkryer, pa patur nevojë të

lëmohet.

E kësaj natyre është edhe poezia e Vera Istrefit. Ajo pas

vëllimit të parë ”Shiu i fundit”, del si profil artistik më vete.

Poezinë Vera e shkruan për vete. Ky është parimi i saj. E

ngacmuar nga realiteti, kundrejt të cilit ajo është shumë e

vëemendshme, mbledh gjithçka i bën përshtypje dhe pastaj

gjykon në mënyrën e saj, në stilin e saj, me mjetet e saj

artistike. Në poezi ajo pasqyron veten, shqetësimet, emocionin,

trishtimin, krenarinë, ngritjen e gëzimet e shpirtit, vetminë,

përçmimin, dashurinë, rrjedhjen e kohës etj.

Ndjen trokëllimën e takave të veta në trotuar dhe i bën

përshtypje, por vëren edhe shikimin e një të panjohuri, sytë e të

cilit nuk dinë se ç’kërkojnë. Në darkë shtrëngon në gji djalin

dhe ndjehet e lumtur, siç e ndjen veten të trishtuar pse kaloi

një çerek shekulli i jetës se saj kaq shpejt dhe ka droje se mos po

e flakin ”ndane rrugës si mollë e kafshuar”. Poezia e Verës

është mister, për nga ideja, solide për nga ndërtimi dhe koncize

strukturalisht. Kjo është teknika poetike e saj. Krijimeve nuk u

ve titull. Kështu e ka zgjedhur ajo. Por kjo praktikë i ka dhënë

mundësinë për të ndërtuar vëllimin si një lëndë e vetme.

Poezitë pasojnë njëra tjetrën dhe idetë duket sikur lihen

përgjysëm në njerin krijim, e vazhdojnë në tjetrin, e kështu

deri në fund. Unë gjykoj se ideja e saj i ka rritur vlerat

artistike.

Vëllimi ”Nënqeshje e embël”është pa dyshim arritje e Vera

Istrefit. Ajo në ndryshim nga vëllimi i parë poezinë e ka më të

plotë, si nga idetë, ashtu edhe nga mjetet artistike që përdor.

Kjo dëshmon për pjekurinë e saj dhe përpjekjet për të qenë

individualitet artistik. Shpesh poetja shprehet “nëse dikujt i

pëlqen poezia ime le ta lexojë”. Thënie modeste, por realisht

kjo poezi jo vetëm lexohet, por edhe lë mbresa, veçmas në botën

femrore.

 

 

* * *

1

Thana

Epara çel,

E fundit piqet.

Gjatë i gëzohet lulëzimit,

Për t’ju shmangur vjeljes.

Vetë,

U poqa pa lulëzuar,

Askush s’kujtohet,

thanën ta shartojë.

Bryma ma zë frymën,

Ndërsa thana,

ende në pjekje.

2

E nis udhëtimin

Për në fund të vetes time,

Duke mbartur edhe mendimin

e të tjerëve

Gjatë udhëtimit,

Marr shumë vendime

Për falje,

Miqësira

Dashuri

Asnjë për ligësi…

S’dua të dal nga vetvetja.

3

Sodis me nge,

Trajtat e hijeve të njerëzve,

Pa patur frikë se më urrejnë,

Vetëm pse i shoh.

U vesh atyre tipare paqësore,

Deri në lodhje.

Nuk i sodis dot,

Zotërit e tyre.

4

Copëra akujsh,

Notojnë në sytë tuaj.

Detërat tradhëtie,

Ç’duan të bëjnë me mua?!!

Ngrohtësia e shqetësimit tim

Mundohet ti shkrijë.

Tym e pafajësi

Më kanë pushtuar.

Përpiqem të gjej një mënyrë

Akujt t’i shkrij.

5

Kam zënë përkrahu

Trishtimin,

Të shkoj të takoj harresën.

E në vend që të arrij qëllimin tim,

Kur bëhemi tre,

Zihemi.

Largohem…

Sakaq sherri pushon,

E ata më ndjekin pas.

6

Eci

Po, po, eci.

Më është mpiksur truri

në një mendim.

Por fryn erë,

që, ndonëse s’më ndryshon drejtim,

më shtyn.

Eci

Kam një mall të pasosur,

S’di për çfarë,

Që zgjat duart

E më shtrëngon

Trurin ma shtrydh

7

Nënqeshja e ëmbël

E pranverës,

Fatkeqësi për mua,

Që shetit nga zërat e njerëzve,

Në ajrin që thithin

Mushkëritë e mia.

Natyral më fal

Endje e ngazëllim.

E dielli, vetëm përcëllim.

8

Në mbrëmje shihja

Njerëz,

Hije.

Gjithçka më dukej

Se në tokë ishte konturuar

Me të njejtën formë!!

Ç’përfytyrim!!

Ndoshta pse njerëzit,

E hijet e tyre,

S’bëjnë dot paqe.

9

Bisedoj me miq e armiq,

të njohur e të panjohur.

Ndjej shikimin e tyre,

që synon

zbulimin e sekretit tim.

Duke respektuar

Të gjithë në dukje,

mendoj veç për veten

10

Mbi tiparet e bukura

të fytyrës time

shoh lodhjen e kohës,

Me lapsat e trashë,

konturoj tiparet.

Njerëez,

ka diçka të thjeshtë,

pa zbukurime,

Mbi çdo llustër e lavdërim,

përbri artit tim,

qëndron shpirti

i destinuar për flijim.

11

Eci në rrugë lirshëm,

me barkun sa një kosh,

dhe e ndjej se jeta,

me lodron në gjoks.

Era më përkëdhel

dhe vështrimet e kalimtarëve

i përlan.

Nën fustanin e lehtë,

hidhet e lëvrin,

e s’do tia dijë për asgjë

bebi im.

12

Ti, i panjohur

që ec në trotuar,

krah meje,

duhet të jesh i shurdhër,

ose shtiran,

në shpirtin tim prej femre.

13

Më ka ikur qetësia

e jetës

si gruaja tradhëtare

bashkëshortit shtratit.

Nuk lodhem ta qas përsëri

Ajo s’do të më vijë...

14

Më pret,

më pret papushim,

edhe kur jeta

fytyrën ma mbulon me trishtim.

Kur mbi mua shkëlqen pranvera,

më prêt.

Zhytem në gjirin e tij,

Dhe hesht.

Kështu ndjell gjumin,

e zgjohem të nesërmen,

pa i dhënë shpjegim.

Ai më buzëqesh,

sikur me thotë,

“tërë jeten të pres”.

15

Shumë e trazoj veten.

Asgjë nuk shpresoj prej ndokujt,

tek shëtis në rrugën time.

Nuk hedh shikime me pahir,

as përfytyroj.

E shtengoj vetminë,

jo si grua,

por si njeri.

16

Po me ikin ëndërrimet

e lindura në kaq vite,

të reja,

të bukura si më parë.

Nuk zgjas dorën t’i ndaloj.

Nga ato,

Ç’munda në jetë,

kam marrë

17

Mbi tavolinën që lëkundet,

nën mbulesë të vjetër,

ku njolla të çuditshme duken,

gota e krisur tundet,

nën një valle të panjohur.

Mbi të, asgjë tjetër.

Për inat të kësaj tavoline,

sot mbi te , veç gotës,

që në vend të ujit,

formë u ka dhënë

mendimeve të mia…

Krisur zemra ime

18

Një lumë rrjedh,

brenda e jashtë meje.

Lumi rrjedh,

e më imponon ritmin e tij

19

Heshtje,

vetëm heshtje.

tek thur trikon e djalit,

e shtizat nëpër duar

kryqëzohen

Thur trikon

me vija të bardha,

jeshile.

Njëkohësisht,

thur jetën time.

20

Çdo ditë e më tepër

mendimet më turbullohen.

Kam lindur mes dhimbjesh

si të gjithë.

Turbullimet e reja

do të qetësohen,

Ndërsa përpiqem të largoj,

frikën e tradhëtisë.

21

Hapa

të lehtë

të rëndë

në shetitoren tonë.

S’po mundem t’i duroj dot.

Jeta po më shkon,

nën trokëllimat

e ritmin e këtyre hapave

jo të sigurtë

22

Është ftohtë në dhomë,

sidomos tani,

që u shuan dritat.

Tërheq tim bir

drejt kraharorit,

dhe hesht.

Pak ngrohtësi,

shkëmbejmë me njëri-tjetrin.

E zhys thesarin brenda vetes

dhe ndjehem e lumtur,

ndonëse kam të ngjethura.

23

Natyrshëm,

kam hedhur mbi trup

pallton e vjetër.

E ndjej veten mirë.

Gjithsesi,

s’jam e zhveshur…

24

Ligësitë,

në këtë çoshkë të gjithësisë,

ndihem mbretereshat e mia.

Unë mbetem

e stërlodhur pamëshirshëm,

duke iu bindur urdhërave të tyre.

Në çoshkun e zemrave njerëzore,

ndihem mbretëreshë e vetme

vetëm unë.

Jam dafinë

zhveshur nga gjethet.

Mbi kokë,

kurorë mekatesh mbart.

25

Jam Doruntinë zemërplasur,

e vetme pranë portës,

në anë të së cilës,

janë engjejt e djajtë.

Pres një Kostandin,

me vete të më marrë.

26

Viktime e mblesërve,

Hedh këmbën zvarrë në rrugë,

Në dukje pa zhurmë.

Por…

Mua më shurdhon,

Kjo zvarritje dhimbjeje,

Tek përfytyroj,

Gjestet e saj prej maturanteje.

27

Rrethuar jemi

Me pritje…

Një muaj.

Ca më shumë,

E ca më pak.

Nuk i dihet…

Ti përkedhel djalin

E unë ndjej lëvizjet e tjetrit

në trupin tim.

Presim një mori hallesh më shumë.

28

Tetori po vjen,

Si çdo vit

Me erëra,

Re,

Vaktësi.

Jo, jo,

Si ndër vite,

Por disi më ndryshe.

Koha rrjedh…

Rreshqet,

Përmbi te,

Mendimet e mia,

Nën këmbë,

Vitet e jetes shkilen,

Në pritje të bëhen

Njëzet e pesë.

29

E sjell unazën e florinjtë,

Rreth gishtit tim delikat,

Shpejt,

Ngadalë.

Asgjë tjetër,

S’mund të bej,

Tek dëgjoj biseda monotone,

E gjykime pa vlerë,

Të grave të papuna.

30

Më vuan shpirti

Për një buzëqeshje,

Për një fjalë të sertë.

Shpirti im

S’njeh përulje për mbret.

Vrapon,

E vrapin se ndal,

Gjer një pafundësi,

Dikujt një buzëqeshje,

A një fjalë të sertë

T’i fale…

31

Nuk me ikin netët,

Pa marrë me vete,

Pjesë të nervozizmit tim,

E mbresat e ditës së djeshme.

Përnatë

Lakoj dëshpërimin,

Duke e kaluar,

Nga unë

Tek ti,

E në fund,

Tek ai.

Të nesërmen,

Përsëri zgjohem me dëshpërim…

U bëj vend shqetësimeve të reja

32

Kokëfortësia

E flokëve të mi atë pabindura,

I bën balle forcës trishtuese,

Të krehërit e vajit të bajames.

Nga koka ime e gjelbërt,

Me pak se njëçerekshekullore,

Asnjë mendim s’pasqyrohet,

Veç atyre,

Nga të cilat kam frikë.

Nesër,

Në treg do të blej një rrjetë,

T’i mbledh mirë,

Flokët e pa bindura.

33

Instiktivisht,

Kruaj dhëmbët kur flet ti,

E mendimet përqëndrohen,

Në një pikë të errët,

Të bisedës tënde që vetëm nxin.

Ndërsa mundohesh,

Të fshehësh me fjalë të bukura,

E buzëqeshje pa shkak.

Ndjeva

Se nga mishi i dhëmbëve,

Po rridhte gjak.

Ç’ti bësh!

Përsëri mbeti pika e errët,

E ti qetësisht heshtje,

Duke menduar,

Se ia dole mbanë.

34

Një vjeshtë jo e zakontë,

Ka ardhur brenda meje,

Jo nga zbehtësia,

A nga vyshkja,

Por nga trishtimi.

I shkel gjethet e blirit,

Dhe vetëm hesht.

35

Prapë nuk po vjen!

Më kot kam pritur,

Kaq vite.

S’di në ç’portë të trokas.

Sikur të takohemi,

Qoftë edhe një herë,

Mbase nata për mua,

Terr s’do të kishte,

As dielli perëndim.

Mos ma kurse këtë ndjesi,

Torturuesja-poezi

36

Po ngryset vetmia ime,

ka pushtuar kodrën.

Rrafshtësia e liqenit,

Shkëmbinjtë,

Shkurret,

Zaptojnë shikimin.

Horizont i murrmë,

Monoton.

Yjet shpojnë qiellin,

Në rrugë

flenë ndjenjat,

E udhëtarëve të lodhur.

37

Me fijen e hequr të qorapit,

Veten kam ndjerë pështirosur.

Më është çiflosur shpirti.

Në të vetmin rast,

Zvarrë tërhoqa kohën.

Për të mos më ikur,

Qoftë një fije tjetër,

Me sapun kam ngrirë,

Pjesë të qorapit të vjetër.

38

Më lini,

Të digjem në hallet e mia.

Kam zjarrë brenda vetes,

Për të shkrirë akujt

Mes nesh.

Ma lini jetën me halle

Veç mua,

S’po kërkoj gjë hua.

Mos ma shkelmoni shpirtin,

Se vetëm ai më ka mbetur.

Lermani lotin,

Të më rrjedhë hijshëm,

Poshtë syve.

39

Me thuaj diçka…

E pakuptueshme,

E ftohtë.

Mendova me vete;

“Statujë ngurtësuar

më ka djallëzia jote…”.

40

E di

Se edhe këtë dimër,

Debora do të bjerë,

Mbi dhembjet e mia.

E unë,

Gjithnjë e më tepër,

Do të ndjej të ftohtë.

Por buzëqeshjen,

Do te ma shikoni në buzë,

Si përherë,

Të ngrohtë.

41

Dy sy të hirtë,

Më ndjekin papushim,

ndanë xhamit të kafenesë.

Dy sy të ftohtë,

Të shkëputur,

Jetime…

42

Pikojnë strehet e pallateve,

Mu në dhimbjen time.

Heq këmbët zvarrë,

Nën heshta shikimesh.

43

I ndjek nxënësit e mi,

Kap ngazëllimin e tyre

Prej fëmije,

Çiltërsinë e shikimeve.

Mendoj…

Bota e tyre nuk ka prapaskena.

44

Në parkun e harruar,

Mbi kartona mallrash,

Veç kolles torturuese,

Koka e tij,

Mbart thinjat e jetës.

Dhe rri aty tërë kohës,

Skllav e mbret i lojës.

45

Një mollë e kafshuar,

Hedhur në rrugë,

Ndanë trotuarit,

Më trishton së tepërmi.

Kam frikë,

Mos një ditë e tillë mbetem,

Hedhur në vetmine time.

46

Kjo pranverë,

Po vjen ndryshe,

Dhe sjell me vete,

Veç ngrohtësi diellore,

Çukat për mua.

E duket se më qesëndis

‘Edhe sivjet,

Fytyren s’do të ta shëndris”

E sfidoj me vete.

Çukat s’janë luftëra e tërmete.

47

Laj

Çdo ditë pasdite,

Pas bisedimeve,

Tavlla plot funde cigaresh.

Se shtyjmë dot vrerin,

Ndaj thithim vrer.

48

Mundet

Që të dashurohemi,

Ti djall,

E unë engjell.

Por s’do të kishim kurrë fëmijë,

E di se do me harroni,

Se e vetmja sfidë,

Që i bën bukurisë,

Është jetëgjatësia.

49

Ajri mbrëmjes,

Përzier me erën e mirë të blirëve

Ndanë rrugës,

Më ndjellin një ndjesi të vakët

Paqeje e lehtësimi të harruar.

Rruga e zbrazur,

Ku dëgjohen takot në trotuar,

Shpon tej e mbanë,

Timpanet e veshëve të mi.

Pak metra më tutje,

Qeshin e piskatin,

Mbeturinat e djegura

Nga fshesaret.

50

Në mbeturina mbrëmjesh,

Shfrytëzoj pasqyrën për buzët

E pomaden e kuqe.

Më tej gjithçka mbetet e hedhur,

Si fundet e cigareve në tavëll.

Copëra mendimesh,

Përshkojn trurin, ndërsa unë,

Kërkoj të bëj paqe me gjumin.

51

Jam esull për gjithçka,

Në dhembje e gëzim.

E vetmja gjë që më deh,

E folura e paplotë

E djalit tim

52

Në rrugën e pafund,

Përkundem.

Mendimet më përzihen.

Shpejt e kam ndjerë veten

Vjeshtë.

Ndoshta askush s’do të pyese për

mua…

Diç ka interes.

Sidoqoftë, në shpirt

Poete do të mbes.

* * *

Nga reçensioni

Krijuesja Kuksiane Vera Istrefi, pas trokitjes se suksesshme

në dyert e kështjellës poetike shqipe me vëllimin poetik ”Shiu i

fundit” me këtë liber (të dytë me rradhë brenda një periudhe të

shkurtër kohore) po hyn në botën e poezisë shqiptare me një

individualitet pothuajse tërësisht të formuar. Subjekti lirik,

botën shqiptare e vështron dhe e përjeton nga pikëvështrimi i

femrës, e cila ndodhet në një positë gjithsesi më të rëndë brenda

shoqërisë shqiptare të ndertuar mbi baza të forta patriarkale

(veçmas në zonën e veriut) Poezia e kësaj poeteshe, në qenësinë

e saj, është një dialog poetik me koordinatat e ekzistences. Ky

dialog bëhet me një ndjeshmëri të thellë dhe mjaft të sinqertë.

Spektri tematik zgjerohet apo ngushtohet në varshmëri nga

zgjerimi apo ngushtimi i hapësirës individuale e kolektive.

Duke qenë pjesmarrëse aktive në jetën shqiptare, në

dhembjet dhe tragjeditë e saj po edhe në gezimet dhe

adhurimet për gjerat e saj të shenjta, kjo poeteshë nuk është

vrojtuese pasive, por përkundrazi ajo pozicionohet ndaj

”objektit” të këngëtimit herë-herë deri në mallkim, e herë-herë

deri në adhurim.Në të dya rastet motivimi është i plotë.

Poetesha, nëpërmjet një ligjërimi të figurshëm artistik, i qaset

botës komplekse me tërë imagjinatën krijuese e përceptuese, me

përjetimin e vacantë të botës fisnike e të pasur intime, me

rrugën, rrjedhat dhe me peripecitë e shqetesimet që sjell kjo

temë në jetë.

Poezitë e këtij vellimi janë realizuar me tingëellimin, ritmin

dhe fuqinë e ndjenjës së dashurisë, që ndihet e artikuluar me

tërë bukurinë dhe me shqetësimet e saj; /Jam doruntinë zemër

plasur /e vetme pranë portës /Në anën e së cilës janë engjëjt e

djajtë /Pres një Konstadin /Me vete të më marrë/…(faqe32).

Në vargjet e këtij libri, autorja paraqet një gjendje reale

emocionale, një shqetësim të përjetuar që rrjedh mbase edhe si

mesazh poetik, por që lidhet fort me jetën, me emocionin më të

fuqishëm e më të sinqertë që mund të përjetohet. Poetesha

depërton thellë në psikologjinë e femrës, kurse specifikat e

përjetimit i jep natyrshëm me gjithë ngjyrimet komplekse që ka

bota femërore, por edhe vetë dashuria.

17 mars 2001, Demir Reshiti



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora