| E diele, 06.10.2013, 04:57 PM |
BLAGOJE NESHKOVIQI VENDOSI FATIN E KOSOVËS DHE TË LUGINËS SË PRESHEVËS
Propozimin e
Kreut partiak të ish-Jugosllavisë për Autonomi në kuadër të Jugosllavisë,
atëherë për Kosovë e Metohinë kategorikisht e refuzoi Blagoje Neshkoviqi,
sekretar i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Serbisë
Shkruan : Prof.
Xhemaledin Salihu
Hyrje
Librin :
Vencesllav Glishiq, Dosja e Blagoje Neshkoviqit, Shtesë për biografi, Beograd,
Fletorja zyrtare, 2011/Venceslav Glisic, Dosije o Blagoju Neskovicu, Prilozi za
biografiju, Beograd, Sluzbeni glasnik, 2011, e mora në Bibliotekë dhe e lexova
të tërën, me qëllim që të marrë informata lidhur me çështjen e Preshevës dhe
Bujanocit-Rrethi i Preshevës, sepse Neshkoviqi, më vitin 1945 ishte sekretar i
Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Serbisë dhe se në atë kohë ai me
Kolishevskin kanë vendosur për fatin e Preshevës, ndërsa Neshkoviqi edhe pë
fatin e Kosovës.
Biografi e
shkurtër
Blagoje
Neshkoviqi u lind më 1907 në Kragujevc. Kreu gjimnazin aty, Fakultetin e
Medicinës, më 1933 në Beograd. Pjesëmarrës vullnetar i Luftës së Spanjës.
Sekretar i Komitetit
Qendror të Partisë Komuniste të Serbisë /KQ PKS- më tutje në tekst/ prej vitit
1945 deri në vitin 1948. Neshkoviqi përjashtohet nga Partia dhe më 1982 kërkon
rehabiltim, por asnjeherë nuk i jipet mundësia e rehabilimit nga udhëheqësia e
Serbisë.
Per herë të parë
u takua me Titon në Beograd, më 28 mars
1941.
E njihte
Rankoviqin dhe e kishte pasur kumbar, takohet më vonë pas Plenumit të IV të
Brioneve të vitit 1966, kur të dytë e humbin
pushtetin partiak.
Vdiq më 1984 në
Beograd. U varros me nderime modeste.
Blagoje
Neshkoviqi, çështjet nacionale dhe Kosova
Më vitin 1975,
në intervistën me Vencesllav Glishiqin , Blagoje Neshkoviqi fol në një emision
të Radio Beogradit edhe për Serbinë federative dhe përkufizimet e kufijve apo
vijën e demarkacionit në mes të Serbisë me Kroacine, me Bosnjën e Hercegovinën,
Malin e Zi dhe Maqedoninë, për çështjet nacionale dhe çështje të tjera si dhe
për Kosovën./f.41/
Blagoje
Neshkoviqi , sekretar i KQ PK në Serbi, atëherë, nuk pajtohet me qëndrimet e Partisë së
Jugosllavisë për shumë cështje, sidomos me çështjet nacionale, sidomos të
pakicave kombëtare brenda Serbisë, sepse mendonte dhe e thonte ato haptas se
ato ndikojnë negativisht dhe janë në dëm të popullit serb. Pikëpamjet e tij
ishin kategorike dhe i mbeti besnik deri në fund të jetës partiake.
Neshkoviqi
me këto qëndrime ishte i pakompromis,
gjithmonë shprehte shovinizëm serbomadh.
Shovinizmi i tij shprehej edhe në kundërshtimet që mbishkrimet në Beograd të
jenë të shkruara me alfabetin latin./f.93,94/.
Sipas biografisë
së Neshkoviqit, pas LDB, në kreun partiak të Jugosllavisë ishte planifikuar
Federata në mes të Jugosllavisë, Bullgarisë dhe Shqipërisë.Këtë ide e
kundështoi shumë ashpër dhe kjo Federatë nuk u realizua.
Në një takim më
Millovan Gjillasin, i cili e paska pyetur në emër të Titos, se a do të pranojë
që Metohia t’i bashkangjitet Shqipërisë, ndërsa Mal i Zi t’i bashkangjitet
Serbisë. Neshkoviqi këto propozime të Gjillasit kategorisht i refuzoi. Ashtu
edhe ndodhi, as Kosova nuk iu bashkangjit Shqipërisë, e as Mal i Zi nuk iu
bashkangjit Serbisë. Kështu e vendosi fatin e Kosovës Blagoje Neshkoviqi,
sekretar i KQ PKS.
Neshkoviqi
kishte fuqi partiake në Serbi dhe ai vendoste për shumë çështje jetike të
Serbisë, por në dëm të Shqiptarëve,
Rumunëve, Hungarezëve.
Neshkoviqi
deklarohet, në këtë intervistë se në pyetjen e Titos për këtë çështje, ai
reagoi shumë rreptë dhe me këtë u mbyll çështja e Rumunëve si dhe Serbia
Lindore t’i bashkangjitet Rumunisë.
Poashtu
Neshkoviqi reagoi ashpër në çështjen që i përmendi Tito lidhur me mos
shpërnguljen e Hungarezëve nga Vojvodina. Neshkoviqi me udhëheqjen serbe
qëndroi në pozitat se duhet të
shpërngulen Hungarezët nga Vojvodina, sikur Gjermanët dhe në vend të tyre të
sillen Serbët e Hungarisë në Vojvodinë.
Shovinizmin e madh
e shprehu sidomos atëherë kur shokët e Komitetit krahinor të Kosovë e Metohisë
diskutuan me Neshkoviqin lidhur me te që Krahina e Kosovë dhe Metohisë të fitojë Autonominë, përshkak të shumicës së
popullatës shqiptare.
Neshkoviqi
kishte reaguar ashpër dhe kishte thënë se Krahina e Kosovë dhe Metohisë duhet
të jetë vetëm rreth i rëndomtë në kuadër
të Serbisë. Pra ai vendosi fatin e Kosovës dhe të popullit shqiptar, sipas
fjalëve të tij dhënë në intervistën e përmendur.
Gjatë vitit
1945, thuhet në libër, se në popullatën e Kosovë dhe Metohisë, Kreut të saj
partiak ekzistone vullneti për zgjidhjen
e çështjes së kësaj Krahine dhe bashkangjitjen e saj ndonjë shteti tjetër,
gjegjësisht Shqipërisë/ autori/. Neshkoviqi përshkak të pikëpamjeve shoviniste
ndaj Shqiptarëve, i tha shokëve të Komitetit krahinor, se Kosovë e Metohija do
të jetë rreth në kuadër të Serbisë, bile kategorisht e hodhi poshtë idenë e
kreut partiak të ish Jugosllavisë për Autonomi, duke i akuzuar Shqiptarët si
fajtorë të luftës dhe se boll e kanë këtë rreth, bile edhe ajo është tepër dhe
se çdo shprehje e pakënaqësisë së Shqiptarëve, të sankcionohet me shpërngulje
të tyre për një shtet tjetër, thoshte Neshkoviqi. Sigurisht për
Shqipëri./autori/
Poasht, atëherë
Neshkoviqi, me çdo kusht, insistonte që Shqiptarëve mos t’i kthehej toka e
konfiskuar dhe e dhënë kolonistëve serbë e malezezë në Kosovë, edhepse u patë
marrë qëndrimi në Konferencën partiake krahinore, për kthimin e tokave..
Shtrohet pyetja: athua aq i fortë partiakisht ishte Neshkoviqi dhe të vendoste
për të gjitha cështjet jetike të ish-Jugosllavisë. Bindja ime është se edhe
disa kuadro partiake serbe e dëshironin dhe e përkrahën një gjë të tillë. Po e
përmendim Rankoviqin e ndonjë tjetër./autori/
Poashtu ishin të
njohura qëndrimet e tij centraliste, për te Jugosllavia duhet të ishte
Republikë Federative e jo Federatë e Republikave. Decentralizimi i Jugosllavisë
ndodhi pas vitit 1966, me Kushtetutën e vitit 1974, Kosova fitoi Autominë, për
të cilin Shqiptarët nuk ishin të kënaqur, por kërkonin Pavarësi.
Në përkufizimet
kufitare me Malin e Zi, sipas Neshkoviqit nuk pati probleme, sepse dy rrethet,
të Plavës dhe Bijello Pollës i takuan Malit të Zi, ndërsa 6 rrethe të tjera i
mbeten Serbisë së atëhershme dhe të sotme./f.42/
Poashtu me Bosnën
nuk pati probleme, mbeti kufiri i vjetër nga periudha e Austro-Hungarisë./f.42/
Probleme më të
mëdha kufitare dolën me Kroacinë rreth Sremit dhe Maqedoninë rreth Manastirit
Prohor Pcinjski. Bisedimet kufitare me Kroacinë atëherë i udhëhoqi Millovan
Gjillasi, ndërsa me Maqedoninë, Lepa Peroviq. Komisionet morën parasysh kushtet
e ndryshme, duke filluar nga përbërja etnikë e popullatës, kur ishte vullneti i
shprehur i populltës shqiptare nuk u përfill na Neshkoviqi,deri te kushtet
historike, ekonomike dhe gjeografike në hapësirat kontestuese. Maqedonia,
përshkak se në Prohor Pcnjski mbajti më 1943, Mbledhjen e Parë të ASNOM-it,
kërkonte që Manastiri dhe territori rreth tij t’i takonte Maqedonisë.
Neshkoviqi nuk u pajtua me këtë ide dhe organizoi deklarimin e popullatës
lokale, të cilët u deklaruan Serbë. Edhe në mbështetje të këtij deklarimi dhe
punës së Komisionit, Neshkoviqi e informoi Lazar Kolishevskin se ky territor
nuk mund t’i takojë Maqedonisë. Kështu Prohor Pçinjski iu bashkangjit Serbisë,
në komunën e Bujanocit së sotme. Këtë
kohë ndodhi edhe bashkangjitja e Preshevës Republikës së Serbisë.
Blagoje
Neshkoviqi, Rrethi i Preshevës dhe vullneti i popullatës shqiptare
Përkah
organizimi administrativo-territorial e politik në Mbretërine e Serbëve,
Kroatëve dhe Sllovenëve të vitit 1925, Rrethi i Preshevës i takonte Qarkut të
Kumanovës, Banovinës së Vardarit me qendër në Shkup.
Kjo ndarje
administrative, territoriale e politike e Rrethit të Preshevës vazhdoi edhe në
Mbretërinë Jugosllave të vitit 1931 deri më vitin 1947, atëherë kur Rrethi i
Preshevë në mënyrë arbitrare iu bashkangjitë Republikës Popullore të Serbisë,
duke u sanksionuar me Kushtetutën e vitit 1947, në qeverisje herë nga Rrethi i
Bujanocit, Vranjës e herë nga ai i Leskocit.
Aspiratat
kombëtare të Shqiptarëve të Luginës së Preshevës u shuan në janar të vitit
1945, atëherë kur në sallën e kinemasë së Preshevës i mblodhën qindra qytetarë
në te, me përfaqsuesit e të gjitha vendbanimeve të saja dhe aty këta, me
insistimin e udhëheqësve partiakë serbë dhe disa shqiptarë u deklaruan që
Presheva t’i bashkangjitet Serbisë.
Pra, ky ishte ai
“plebishiti gjithëpopullor” i Preshevës, ndërsa nuk u organizua referendum i
vërtetë për deklarim të lirë dhe vullnet politik të Shqiptarëve të Luginës. Në
qarqet më të larta partiake të ish-Jugosllavisë apo të Serbisë u kurdis fati i
Preshevës,që të mbetet në Serbi, për ta vënë në lidhje kontrolli nga lartë, nga
rrethi i Vranjës apo herë herë edhe nga ai i Leskocit.
Skënder latifi,
Rrugëtimi nëpër Luginë të Preshevës, Preshevë, 2006, f. 90, shkruan :
“Neshkoviqi dhe Kolishevski vendosën për fatin e Preshevës dhe Bujanocit të
mbeten në Serbi”.
Kështu Presheva,
në mënyrë arbitrare dhe pa vullnetin e popullit shqiptar si dhe me qëllim të
ngushtimit të trollit shqiptar u nda nga Shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë.
Në mbështetje të disa rrëfimeve të individëve të asaj kohe shihet qartë se edhe
atëherë klasa politke shqiptare ishte e ndarë dhe e përçarë. Disa nga
komunistët e atëhershëm donin mbetjen me Serbinë, ndërsa disa të tjerë të
vazhdohet me Maqedoninë, ndër ta ishte Abdullah Krashnica.
Më 1946, organet
partike të ish-Jugosllavisë e detyruan Komitetin e Preshevës, që të shkruajë
kërkesë zyrtare dhe t’ i drejtohet KQ të PK të Jugosllavisë, se Presheva është
deklaruar më 1945 për bashkangjitje Serbisë. Këtë vit, KQ i PKJ formon
komisionin në përbërje : Andrea Hembrang, Stevan Doronjski dhe Radosavleviq, të
cilët nuk zbresin në Preshevë, për ta diskutuar dhe pyetur udhëheqsinë partiake
të Preshevës, por edhe popullatën shumicë shqiptare, por mbeten në Vranjë dhe
ku e morën raportimin e sekretarit të Komitetit të Preshevës, Selim Selimit, i
cili raporton se Presheva është deklaruar që t’i bashkangjitet Serbisë. Në emër
të Komisionit, Stevan Doronjski shkon në Shkup dhe në bisedë me Lazar
Kolishevskin, e njohton ate me vendimet e Komisionit dhe arrihet marrëveshja që
Presheva të shkëputet nga Banovina e Vardarit, Maqedonisë dhe t’i bashkangjitet
Serbisë. Kështu edhe ndodhi.
Selim Selimi në
librin e tij thotë: “Referendumi për t’u
shprehur vullneti i popullit nuk është mbajtur, por në një tubim më 1945, në
sallën e kinemasë u mblodhën përfaqsuesit e të gjitha vendbanimeve dhe u
deklaruan që Presheva t’i bashkangjitet Serbisë”. Edhepse nuk ishte ai që vendosi për fatin e
Preshevës, Selim Selimi e arsyeton këtë akt me zhvillueshmërinë më të madhe të
Serbisë dhe me atë se Shqiptarët e Preshevës gëzuan më shumë të drejta se
Shqiptarët e Maqedonisë.
Abdullah
Krashnica i mbeti besnik idesë që Presheva duhet të mbetet me Maqedoninë, bile
e përkrahu edhe idenë e atdhetarëve të Rezistencës shqiptare në Luginë të
Preshevës dhe Parisë së Preshevës, që Presheva t’i bashkohet Kosovës.
Ali Aliu në
librin e Skënder Latifit, Përtej ferrit, Preshevë, 2008, f. 14, thotë : “…
Abdullah Krashnica u përgjigj: Edhe unë e di mirë këtë çështje dhe jam i
informuar për të gjitha çka po ndodh në popull dhe çka mendon e dëshiron, por
tani kjo është e pamundur, sepse kjo gryka jonë e lidh Serbinë përmes Shkupit
me Selanikun. Për ne, do t’ishte më mirë të mbeteshim me Maqedonin, pasi
Shkupin e kemi më afër dhe lidhemi me popullsinë tonë”.
Abdullah
Krashnica e kishte me dije rëndësinë gjeopolitike dhe gjeostrategjike të
Luginës së Preshevës dhe Luginës së Vardarit për sferat e interesit dhe
globalizmit botëror. Andaj e pati shumë të qartë se këto dy Lugina/e Preshevës
dhe e Shkupit/ duhet të popullohen me
popullatë shqiptare, për të krijuar elementin dominues shqiptar. Këtë e mundësonte
vetëm mbetja e Luginës së Preshevës me Maqedoninën, gjegjësisht Presheva në
Banovinën e Vardarit, e cila do të krijonte mundësi për një shumicë shqiptare
përgjatë Luginës së Preshevës dhe Luginës së Vardarit.Është e njohur teza e
studiuesve serbë, se kush e mbizotëron Fushëgropën e Preshevës dhe të Shkupit,
e sundon Ballkanin.
Pas Luftës së
Dytë Botërore, në fillim të vitit 1945, Shqiptarët e Preshevës u ndan sërish
nga tërësia e popullatës shqiptare të Kosovës dhe nga ajo e Maqedonisë, për të
mbetur Presheva qendër rrethi në fillim, ndërsa më vonë qendër komunale në
kuadër të Serbisë. Në asnjë prej shteteve të deritashme, Shqiptarët e Preshevës
nuk kanë pasur mundësi të zgjedhin, në përbërjen e të cilit shtet apo njësi
administrative duan të jetojnë.
Me Ligjin mbi
ndarjen administrative të RP të Serbisë të 18 prillit 1947(Fletorja zyrtare
RPS, nr. 17/1947), u caktuan njësi administrative-territoriale: rrethet,
qytetet dhe rajonet e qyteteve. Me këtë
ligj Preshevës i merret e drejta të jetë rreth si përpara, kështu nga viti
1947, Presheva i takon herë rrethit të Bujanocit, herë rrethit të Vranjës, herë
bashkësisë ndërkomunale në Leskoc dhe në fund rrethit të Pçinjës. Kjo ndodhi,
sepse rrethet ishin drejtpërdrejte të lidhura me pushtetin qendror, ndërsa
komunat me rrethet. Preshevës ia morën të drejtën e rrethit që të mos ketë
lidhje me qendrën, por të qeveriset nga Bujanoci, Vranja, Leskoci.
Më 1947, komunës
së Preshevës i bashkangjiten edhe këto fshatra: Staneci, Seferi, Buhiçi,
Caravajka, Peçena, Buhiçi, Depca, Maxherja dhe Ranatoci, të cilat i takonin
komunës së Gjilanit, si dhe fshatrat Konçul dhe Dobrosin (sot brenda komunës së
Bujanocit) në vitet 1946-1948 ishin me Ranillug të Kosovës, sikundër që edhe
fshatrat Zarbincë dhe Pribovc (sot brenda komunës së Bujanocit) në vitet
1947-1949 ishin pjesë e Kosovës, vetëm e vetëm
për ta zvogëluar popullatën shqiptare në Kosovë.
Fshatrat German,
Nerav,Ogut dhe Metezhevo ishin të banuara me popullatë të pastër serbe në
komunën e Kriva Pallankës.. Ende është e paqartë dhe nuk mund të vërtetohet
cilët ishin shkaqet që pas LDB disa nga këto fshatra iu bashkangjitën Kriva
Pallankës dhe Maqedonisë.Banorët e këtyre fshatrave pas LDB-së disa herë
kërkuan t’i bashkaqngjiten Serbisë.Shumë prej nënshkruesve serbë të peticioneve
dhe kërkesave, pushteti maqedon i burgosi dhe i torturoi.
Me kërkesat e
banorëve të këtyre fshatrave në fjalë u mor edhe qeveria e atëhershme e
Jugosllavisë, e cila më 16 mars 1948 formoi Komision të posaçëm për zgjidhjen e
këtyre problemeve, në përbërje të Lepa Peroviq, Radovan Stijaçiq, Millovan
Batanoviq dhe Bora Pekevski. Ndërsa për kërkesat e Shqiptarëve, qeveria e
Jugosllavisë asnjëherë nuk i mori parasysh edhepse u formua Komisioni me
Hebrangun në krye, por për t’i shuar kërkesat e Shqiptarëve të rrethit të
Preshevës dhe për t’i bashkangjitur me Serbinë.
Komisioni i
përmendur aq larg e çoi punën dhe kërkesat e banorëve të këtyre fshatrave sa që
i pranoi edhe kërkesat e Mëhallave të disa fshatrave. Kështu fshatrat Nerav dhe
German, me popullatë shumicë serbe, i u
bashkangjitën Serbisë, ndërsa Mëhalla e Mesme e fshatit German, përshkak të
popullatës shumicë maqedonase mbeti në Maqedoni. Poashtu edhe fshatrat Ogut dhe
Metezhevo mbeten në Maqedoni, pos një Mëhallë e Ogutit, me popullatë shumicë
serbe t’i bashkangjitet Serbisë.
Kështu banorët e
fshatrave që mbeten në Maqedoni, për 50 vjet jetë në Maqedoni i ndërruan
mbiemrat prej viq në ski, ndërsa mbiemrat e paraardhësve mbetën me viq.
Poashtu më 12
shtator 1946, Qeveria e Maqedonisë
dërgoi letër Qeverisë së Jugosllavisë ku dha mendimin që 11 fshatra të
Këshillit Popullor të Gjeneral
Jankoviqit /Elez Hani-autori/ ti bashkangjiten Këshillit Popullor të Gjorgje
Petrovit, kërkesë që u realizua
“Nuk thuhet gjë
e re nëse themi se ndarjet e territorit etnodemografik të shqiptarëve deri në
ditët tona kanë qenë të imponuara e të dhunshme dhe të shoqëruara me tragjedi
të mëdha në rrafshin kombëtar, politik, ekonomik, social, familjar etj.
Hapësirat shqiptare të tri komunave Medvegjë, Bujanoc, Preshevë bëjnë pjesë në
tërësitë e mëdha etnogjeografike ku përfshihen dhe rajonet e Gallapit dhe të
Karadakut, e bashkë me to të tërë Kosovës të lidhur pashkëputshëm me Luginën e
Kumanovës- Shkupit dhe zonën e Karadakut që sot ndodhet në Maqedoni. Madhësia e
territorit të Kosovës prej 10.887 km² dhe kufijtë e sotëm të saj u kornizuan
herën e fundit jo në vitin 1956, po më 1958. Deri në këtë vit Kosova kishte një
territor prej 10.690 km², ndërsa në vitin 1958 sipërfaqja e saj u rrit për 197
km² dhe madhësia e sotme territoriale më nuk ndryshoi. Nga krahasimi i hartave
të viteve 1948-1958 shihet qartë se ndryshime ka pasur vetëm në pjesën veriore
të Kosovës Në vitin 1958 ka ndodhur ky ndryshim: Serbia ia marrë rrethit të
Rashkës 197 km² dhe bashkuar ato komunës së Leposaviqit në rrethin e
Mitrovicës, duke ia "dhënë" atë sipërfaqe Kosovës brenda Serbisë. Në
këtë mënyrë numri i vendbanimeve të Kosovës është rritur për 49 (nga 1.389 pas
Luftës në 1.438 më 1958). Nuk është këtu fjala për kurrfarë këmbimi territoresh
me Preshevën apo Bujanocin, siç flasin të painformuarit. "Dhurimi" i
tillë kishte për qëllim që Leposaviqi si komunë të zgjerohej territorialisht
dhe në pikëpamje etnodemografike, të rritej numri i serbëve edhe në këtë
komunë, edhe në Kosovë; përveç tri fshatrave shqiptare, në këtë komunë të
gjitha vendbanimet e tjera ishin serbe dhe sot e gjithë ditën janë serbe. Këto
ndryshime territorialeadministrative u përligjën edhe me akte përkatëse
juridike, të cilat mund të gjenden në dokumentacionin e ish-Këshillit Krahinor
të Kosovë-Metohisë.
E gjithë
historia e Luginës së Preshevës ka qenë pjesë e historisë së hapësirës së
Kosovës në vazhdimësi. Pjesëmarrja aktive në lëvizjet e dekadave të fundit
është zhvilluar në po atë horizont, përfshirë Referendumin e vitit 1992 për
bashkim me Kosovën, Luftën në Kosovë, vazhdimin në Maqedoni e në vetë Luginën e
Preshevës.” shkruan Akademik Hivzi
Islami në Diskutimet për Kosovën dhe Kosovën Lindore, Prishtinë, Koha ditore,
më 21.12.2011.
REFERENCAT
1. Vencesllav
Glishiq, Dosja e Blagoje Neshkoviqit, Shtesë për biografi, Beograd, Fletorja
zyrtare, 2011/Venceslav Glisic, Dosije o Blagoju Neskovicu, Prilozi za
biografiju, Beograd, Sluzbeni glasnik, 2011
2. Akademik
Hivzi Islami, Diskutimet për Kosovën dhe Kosovën Lindore, Prishtinë, Koha
ditore, më 21.12.2011/
3. Skënder
Latifit, Përtej ferrit /Bisedë me Ali Aliun/, Preshevë, 2008
4. Selim Selimi,
Kohë e sfidave historike, Preshevë, 1995
5. Xhemaledin
Salihu, Përfaqsimi i Shqiptarëve të rrethit të Preshevës në organet dhe
institucionet partiake e shtetërore në vitet 1945-1947, Presheva.com, gusht
2010
6.
Administrativno-teritorijalne promene u NR Srbiji od 1834-1954.godine, Beograd,
Zavod za statistiku, maj 1955. godine