| E shtune, 28.09.2013, 07:56 PM |
KAPITUJ TË SHQETSIMEVE TË BUKURA
Mendime pas leximit të vëllimit poetik “Mendime në kornizë” të Migena Arllatit
NGA PËLLUMB GORICA
Migena
Arllati në krijimtarinë e saj shpalos një botë interesante poetike. Në 100
poezi të bukura plot elokuencë e ndjenjë
shpirtërore, të titulluara simbolikisht në librin “Mendime në kornizë” poetja
Migena Arllati, i ka ndarë në katër kapituj me tituj domethënës: 1- Orët e
jetës 2- Më trembin orët kur jam me ty
3-Koha që s’ecën 4-Vdekje indifferences,
të cilët kanë si bosht kohën që i ushqen me besimin dhe shqetsimin e ditëve që
jetojmë, me dashurinë njerëzore që kërkon në çdo sekond të orës të vrasë
indiferencën dhe ti hapë udhë sinqeritetit e mirësisë. Mendimi poetik nuk është
i mbyllur në kornizë, përkundrazi i hapur, qiellor i cili rrok që nga grimcat e
vogla të shpirtit e deri tek përjetimet brenda kufijve të gjendjes shpirtërore
me impresionime të thella të ndijimeve e frymës me copëza të prekshme, të
shthurjes së ëndrrave, në gjurmët e kujtimeve vizive të kendshme, për të
determinuar në hapësirën e përditshmrisë, motivuar nga dritëhijet njerëzore.
Po
ta shkosh me syrin e një kritiku letrar apo të një studiuesi dashamirës të poezisë, të 100 poezitë e
Migena Allratit, kanë dy motive bosht : 1- Dëshirë njerëzore për të ndryshuar realitetin
eksistues dhe 2-dashurinë si mision për të ngushtuar çdo orë e çdo çast
mospërputhjen midis këtij ndryshimi. Në themel të këtij boshti poetik është
finesa poetike dhe dinjiteti femëror. Është kjo arsye që poetja nuk i shpëton
kurthit të botës femërore, duke e tërhequr në “kthetrat “ e një vargu plot
inteligjencë e delikatesë feministe. Vështrimi, krahasimi, interpretimi, vënia
përballë e dy botëve, mashkullore dhe femërore, e së mirës me të keqen, bëhet
nga pozita e filozofisë feministe, ndaj pemët me gjethe ngjajë si “të veshura me minifunde”. “Gjethet ngjajnë si lozanjare/ si lozanjare që joshin djemtë tu vijnë pas”,
edhe fjalët “thurin gërsheta”. Edhe
puthjet janë gjithashtu femërore,njerëzore, që kërkojnë hapsira të reja për
jetë plotmeritueshme.
Në
kapitullin e parë “Orët e jetës”, poetja “lëviz” me ndjenjën dhe mendimin e saj
“akrepat e orëve” që ata kapin gjithçka
që ka mbetur pa realizuar, sidomos në dashuri. Brenda ecjes së akrepave të
orës, poetja e ka metaforizuar si koncept i lëvizjes së materies në kohë dhe në
hapsirë, në përjetim të gjithçkaje të mirë dhe urrejtje të justifikuar çdo absurditet
dhe abstragim të papranueshëm nga shoqëria ndaj shprehet : “Abstraktja/Më pëlqen
vetëm/Kur është abstrakte/Aspak e abstraguar”
Në qarkullimin 360 gradë të akrepave
nëpër sekonda dhe minuta të orës, lëviz ikja dhe pritja, rastësia dhe inversi,
ecja para dhe kthimi prapa, dashuria dhe urrejtja, ndjehet ngrohtësia dhe
ftohtësia, ka lot e këngë, ëndrra e shpresë. “Ndodh që ditët/Të më duken vite/Ndodh
që çastet të më bëhen të
palëvizshme/Ndodh që jetën /ta ndërroj me një orë”
Poetja, duke e konceptuar jetën si pjesë e kohës dhe hapsirës, kërkon të ketë kohën e saj, ta jetojë atë siç ia ka dhënë perendia, ta shfrytzojë atë në çdo qelizë e grimcë për të mirën e njerëzimit, kërkon sigurinë e saj dhe ta plotmeritojë atë pjesë kohe që i takon. “S’di se ç’kordinatë të atyshme/Do të zë unë”. Kur nuk realizon ëndrrën dhe shpresën e saj, poetja prap fajëson kohën dhe bie në një farë pesimizmi: “Orët e jetës sime/nisin atje ku mbarojnë/Orë të zgjatura tërkuzë/Orë të shtyra me zor /Orë që prishen e ndreqen sërish/për tu prishur e mos u ndrequr më kurrë.” Ky pesimizëm është i justifikueshëm për çdo njeri, e jo më për një poete të ndjeshme si Migena Arllati, që preket për gjithçka njerëzore e nuk ecën sipas parametrave të zhvillimt. Ndaj ajo shpejt del nga kjo plogështi e çastit dhe vrapon në kërkim të një një kohe plot dashuri njerëzore e sidomos për dashurinë që lidh dy njerëz për tu bërë bashkëshortë të mirë në shërbim të një familje të shëndoshë e metë ardhme. Gjë që shpaloset qartë në kapitullin e dytë: “Më trembin orët kur jam me ty”, i cili përshkruhet kryesisht nga ndjenja e thellë e dashurisë bashkëshortore, duke e konceptuar lidhjen e çiftit si themeli i gjithë dashurive, nga ku nis familja e ripërtëritja e jetës. E këtë lidhje pavdeksie midis çiftit ajo e shpreh bukur në poezinë “Nëse…” :“Nesë bëhem yll /Ti mos u tremb/ Se nuk iki /po u bëra thëngjill /shtrëngomë se nuk të djeg/nëse bëhem zanë/ ngjitmë të jap pavdekësi…”
Pra
kjo dashuri ka lindur nga një njohje e thellë, e kalitur në vështrësi e
sprovuar në dallgët e jetës ndaj s’ka forcë që ta shkëpusë çiftin nga njëri-
tjetri. Mesazhi që jep poetja është i qartë: kush fal dashuri, fal jetë, dhe
këtë me një sinqeritet femëror, nëpërmjet një konçiziteti që merr formën e
aforizmës, të shprehura me elokuencë e
filozofi gjithëpërfshirse tek këto vargje : “Kur të më takosh/Mos harro të
më puthësh/Kur të më puthësh/harro gjithçka!” Duke e konsideruar lidhjen
dashurore, krijimin e familjes, harmoninë bashkëshortore, si themel që lind
përtëritje vazhdimësi jete, poetja nuk pranon për asnjë çast vetminë, ndaj atë e trembin orët kur është pa të dashurin.
Sepse ajo e ka aq sinqerisht, saqë mund të duket edhe si naivitet fëminor kur
shprehet : “Më beso/pa ty jam një hiç/që pret të rikthehet në gjithçka.
Edhe në dy kapitujt e tjerë, “koha që s’ecën “ dhe “ vdekje indiferencës” poetja me finesë artistike në çdo varg e poezi e vë dashurinë dhe kohën në funksion të njera tjetrës. Koha sjell dashurinë dhe dashuria i shtytje kohës. Dhe kur koha nuk ka si motor dashurinë ajo e mërzitur shkruan: “Sa ditë të poshtra/ditë topalle/që zvarriten me gjuhë jashtë ” dhe pastaj pak e trishtuar ajo çuditet që e sheh veten të zgjuar nga gjumi “me një lule të vdekur në dorë”
Ajo
që s’duron dot poetja Migena Arllati është
indiferenca. Indiferenti është më
i rrezikshëm se ai që e kryen një veprim të keq. Ajo indiferencën e vret me
dashuri, me sinqeritet poetik… Siç deklaron “s’jam manekin/Indiferencës t’i bëj
strehë.”
Poetja, një vend të veçantë ka rezervuar për nënën me një gjetje të bukur e përcjellë edhe me një mesazh të qensishëm të mallit pashuar për të, të mbushur plot me nostalgji e madhështi shpirti në meditimin që tingëllon shumë ndjeshëm. Vargje që përcjellin akoma ngrohtë kujdesin, porositë,që as dhimbja mbështjellëse e mallit dhe as pluhuri i viteve mbi shpinë, nuk ka arritur t’i mbuloj përjetimit të bukur ku mbartet brenda vargjeve kjo dashuri e thurur me ndjesi e cila të jep një emocion të veçantë kur e lexon. Duke përdorur krahasimin, ketë figurë për kujtimet që, vetëm poetikisht mund të vijnë kaq bukur jeton disa çaste me kohën dhe kujtimet e kaluara, ku psherëtima e tyre shëndërrohet në gur të vlefshëm lirikë dhe duam apo nuk duam ne,ato na shoqërojnë në ekzistencën tonë: “Si nata kredhur në qetësi/ më vijnë fjalët e tua, nënë/ e jastëku i bardhë, i butë si bora/ janë duart e tua që më ledhatojnë/ kur flas me rrudhat e tyre.” Duke gërmuar me realizëm në damarët e jetës, poetja e koncepton atë si luftë e përpjekje, vështirësi e dhëmbje, sfidë e triumf mbi të. Ndaj ajo është e sigurtë se do të jetë sfidante për një të ardhme të gurtë: “Jeta ime qe gdhendur dhëmbjesh mbijeton/duhet të jetojë.”