| E premte, 20.09.2013, 06:50 PM |
NJË VEPËR E MBAMENDSHME
Remzi Limani "Etja e lumit", roman (Shtëpia Botuese ARSA, Prishtinë, 2013)
Nuk mund të këqyret si krijim i denjë një morì a tufë fletësh të mbyllura brenda dy mbulesash a kopertinash, që na servir në tavë në vend të ushqimit të shëndetshëm, të freskët e vitaminoz, një turli thartëtirash.
Nga Kopi Kyçyku
Nuk mund të quhet roman i mirëfilltë ai qindrafaqësh që stis ngjarje të paqena e të pabesueshme - pjella të dëshirës për të bërë efekte e sensacione.
Nuk mund të quhet vepër letrare-artistike ai grumbull
fletësh trishifrore (zakonisht) që derdhin jo ngjyra, por njolla gjatë vizatimit
të portreteve të personazheve anemikë dhe jashtënjerëzorë, për hir të manisë
për të qenë origjinalë ( me demek, do të thoshte turku).
Nuk mund të zerë vendth në raftin e librave që rrezatojnë
kulturë e dije një stok fletësh të shkruara me një shqipe (i thënçin!) që
huazon me vend e pa vend dhjetra fjalë, stilema, sintagma, madje edhe tema të
marra shabllon nga një gjuhë tjetër, të cilën "huamarrësi" zhvatës,
në shumicën dërrmuese të rasteve, i kumton tjetër për tjetër përderisa nuk
zotëron mekanizmat e gjuhës amtare - kusht i domosdoshëm për të përvehtësuar me
themel një gjuhë tjetër.
Nuk mund të këqyret si krijim i denjë një morì a tufë
fletësh të mbyllura brenda dy mbulesash a kopertinash, që na servir në tavë në
vend të ushqimit të shëndetshëm, të freskët e vitaminoz, një turli
thartëtirash.
Meqë, mjerisht, llojlloj sajesash të tilla na vrasin sytë
gjithnjë e më dendur e gjithnjë e më paturpësisht nga vitrinat e librarive, nga
interneti etj etj, është më se e kuptueshme kënaqësia që ndjejmë kur, më në
fund, gjejmë një vepër me vlera të mirëfillta, si në formë, ashtu edhe në
përmbajtje.
Një vepër e tillë është romani i Remzi Limanit "Etja e
lumit" (Shtëpia Botuese ARSA, Prishtinë, 2013).
I shkruar me stil të rrjedshëm e tërheqës, në një gjuhë të
pastër, të thjeshtë, të kuptueshme e komunikuese, romani i sapopërmendur
shtjellon një temë, e cila, - sa dendur e hasur në ditët e sotme, aq edhe
rrallë e trajtuar kaq mjeshtërisht, - na ngjall kënaqësi estetike të epërme.
Një dashuri, - midis Fisit dhe Hanës, artiste e njohur - që
dukej se nuk do të zbehej kurrë, u pa se mbahej në një fije peri. Në vend të
saj hyri natyrshëm lidhja e Fisit me Nitën, grua e ve, së cilës në udhën e
vështirë të jetës i bëhet krah e bija, një e re pa paragjykime.
Nuk dua të hyj më thellë në zbërthimin e subjektit ngaqë nuk
dëshiroj t'ia shuaj kurreshtjen lexuesit.
Urime të përzemërta dhe arritje të reja, Remzi! I ankorofsh anijet edhe në limane të tjera, po kaq me siguri sa në "Etjen e lumit"!