E diele, 22.12.2024, 03:31 AM (GMT)

Editorial » Sidheri

Elvi Sidheri: Telenovelat “3”!

E diele, 15.09.2013, 05:10 PM


Telenovelat “3”!

Nga Elvi Sidheri

E pranoj publikisht që nuk do jem i pari që do të merrem me këtë temë, sepse vetëm këtu tek ZemraShqiptare, jam i treti që do të përpiqem t’a prek së afërmi, sipas këndvështrimit tim këtë fenomen aq të pranishëm në shoqërinë tonë.

Telenovelat pra!

Çfarë janë së pari?

Një grumbull shumë-pjesësh historishë të ndryshme, në përgjithësi me një kryetemë dashurie në qendër të tërë ngjarjes dhe ku jo rrallë, protagonistja (telenovela e mirëfilltë kishte gjithmonë një të tillë, në versionin femëror pra, por tek turqit shpesh protagonisti është mashkull)...vuan, përçmohet, është e varfër (version modern Hirusheje që e urrejnë motrat e këqija, njerka dhe gjindja xheloze përreth saj)...por në fund mbas 100 vuajtjesh, ia del të martohet me lumturi me princin e saj të kaltërt dhe të dy bashkë bëjnë një qerre me kalamaj e trashëgohen të gëzuar.

Ja pra edhe thelbi i një telenovele në versionin më të thjeshtë.

Unë vetë, duke qenë mashkull, nuk mund të paraqitem si telenovelist, por jetesa në familje, të bën që edhe pa vëmendje, të dallosh atë që shfaqet në TV edhe kur ti nuk je vërtetë i interesuar për atë që efektivisht transmetohet.

Dhe ja, prandaj domosdo që do kujtoj modelin amerikan të “Soap Operave” (emër që thonë se vjen nga sponsorët Sapun-bërës të serialeve amerikane) që vinin në fillim të viteve 90-të nga përtej Atlantikut.

Tipa “Beautiful” apo “Santa Barbara” që në mos gaboj transmetoheshin nga RaiDue dhe që në Tiranën e pas ndryshimeve demokratike, ende ndiqeshin nga një pjesë e popullsisë, në televizorët tanë pangjyra, derisa cilësinë e tyre dhe të ngjarjeve dashurore që aty na tregoheshin, intrigave apo mërive të personazheve pjesëmarrës, nisëm t’a shihnim edhe në televizorët me ngjyra, që tashmë ishin bërë për fat pjesë e realitetit dhe të arritshmes sonë të përditshme si shqiptarë.

Ideja amerikane e telenovelave apo “soap-ve”, kishte lindur me siguri para këtyre që përmend unë, por si brez më i vonshëm që jam, nuk kam sesi të mbaj mend Love Boat, Dallas apo Dynasty!

Me kalimin e kohës, siç ndodh në përgjithësi me Hollywood-in e sotëm, fantazia dhe kreativiteti i regjizorëve amerikanë, degjeneroi në stadin minimal, kështu që zakonisht në një “soap opera” të mirëfilltë amerikane, protagonistët meshkuj e femra, nuk kishin sesi të mos merrnin pjesë bashkërisht-lumturisht në një lloj orgjie kolektive (para së cilës do të skuqeshin faqe e veshë...edhe romakët e lashtë, të njohur për qejfbërjen e famshme dhe të shthurur të klasës së tyre patrice), ku protagonistja kalonte dorë më dorë nga djali, tek babai, kunati, pale edhe nipi i burrit të parë, shoku i burrit të dytë (njëkohësisht ky...edhe ish vjehërri i saj)...dhe tek kushuriri i burrit të tretë e kështu me rradhë drejt një zinxhiri dashuror të pafund.

Normal që e njëjta gjë ndodh edhe me protagonistët meshkuj të të njëjtave telenovela!

Vetëm falë këtyre qindra shkëmbimeve dashurore brenda së njëjtës familje apo fis e fqinjësi, mund të justifikohet fundja edhe stërzgjatja gjer në ekzagjerim historik, e këtyre “soap-ve”, me nga 20  e më tepër vjet transmetime.

Erdhi ndërkohë mesi i viteve 90-të sërish nga Italia, në Shqipëri na vërshoi një tjetër tip telenovelash, bëhej fjalë për ato amerikano-latine!

Në Itali televizionet e mëdhenj, si Rai i shtetit, ashtu edhe Mediaseti privat, rrallë u kushtonin vëmendje këtyre prodhimeve me origjinë nga ana perferike e botës së qytetëruar (Amerika e Jugut), por çdo kanal i vogël lokal italian, programin kështu e mbushte rregullisht...dhe një ditë zbarkmi “aleat” telenovelist latin, u verifikua me sukses edhe në vendin tonë.

Nisën të shihen ca “Perla Nera” argjentinase e ku di unë çfarë më tepër!

Novela televizive peruane, venezualiane, kolumbiane e deri tek ato më të njohurat meksikane!

Histori pa shumë kripë, me pak mend dhe mund brenda tyre, me njëçikë ose aspak dramë, aktorim tejet të dobët, gjestikulim montruoz ekstrem të protagonistëve që dukej dhe duket sikur janë në garë mes të folurit llafollogjik pa frena dhe të lëvizurit të duarve (dhe këmbëve) papushim, sikur të jenë vazhdimisht në ndonjë kompeticion tangoje, salse apo mamboje 24 orë në 24, aq s’u rri e prapmja një minutë në vend pa u tundur e përdredhur!

Histori dhe ngjarje të njëjta, të përsëritura në një rutinë dërrmuese edhe për më të duruarën e shikueseve, edhe për amvisën shtëpiake më të goditur nga mos-pasja gjë më të mirë për të bërë sesa dedikimi i disa orëve për të ndjekur këto spektakle të absurdit hispanik të Amerikës Jugore.

Telenovela ku heroina është përherë një e gjorë, një vajzë e shkretë tepër “caliente” (HOT, e nxehtë), shtatëhedhur, lëkurërreshkur nga dielli latin-ekuatorial-tropikal-meksikan-kuban-portorikan...ndonjë vajzkë hispanike tipike, kaçurrelkë, flokëgjatë, me leshërat e bukur që i rrjedhin porsi ndonjë ujëvarë drejt shpatullave e gjer në kurriz, teksa i ndalen mbi dekoltenë sensuale ku dielli përvëlonjës i atyre anëve, nis të çlodhen mbi gjoksin e saj mikpritës, rrezet e tij më të zgjedhura dhe shëndritëse!

Kjo heroinë (që gjatë telenovelës, pa një-pa dy do na tregohet se ka lindur e bija e ndonjë pronari plantacionesh kafeje ose kokaine pse jo...apo fermeri e lopëçari latin të pasur, ndokush që domosdo regjizori, ka zgjedhur të personifikohet në këtë rol, nga ndonjë aktor mëtues për t’i ngjarë Banderasit)...do të endet buzëvarur dhe sylotuar, nëpër rrugët e bardha shtruar me gurë dekorativë të ndonjë qyteze amerikano latine, nën diellin e fortë të “medio dia-s”...mesditës, me duart thonjëgjata në bel dhe buzën e poshtme mishtore, të kafshuar lehtazi me dhëmbët si “lepuruth” (të dalë paksa më tej se tjerët, model Bugs Bunny).

Vajzë, një “chica latina” e vërtetë, që lotët dhe thirrjen e dëshpërimit i refuzon me kokën lart dhe shpirtin e vuajtur, por të paepur, gjithmonë e gatshme për të duruar përçmimin dhe sulmet e pamerituara (sepse padyshim, ndonjë njerkë shpirtkazmë do e ketë ndarë përdhunshëm nga përqafimi i babait, pasi kësaj të ngratës t’i ketë vdekur e ëma “ëngjëllore”...dhe do t’i ketë punuar ndonjë rreng, duke e dërguar protagonisten tonë në jetimoren më të largët, andej nga humbëtirat e gadishullit të Jukatanit, mijëra kilometra larg Ciudad de Mexico-s, po të bëhet fjalë për film meksikan, ndërsa të atit të saj do i ketë shpifur se vajza vdiq në aksident apo e rrëmbyen narkotrafikantët e Tijuana-s).

Heroinë që rastësisht njeh të themi diku në Mercado-n e Peublo-s (tregun e fshatit), edhe dashurinë e jetës së saj, që sipas trurit të regjizorit të telenovelës, do na jetë patjetër, askush tjetër përveçse, djali i njerkës së keqe që kësaj i ka nxirë jetën, por jo i biri i të atit të saj (se ndryshe do dilte inçest i pastër dhe amerikano-latinët, njihen për shumëçka, por jo për këtë fenomen të tmerrshëm), pasi me siguri shtriga e keqe e telenovelës, e ëma e tij dhe njerka e kësaj, do e ketë lindur atë nga një marrëdhënie e mëparshme me ndonjë burrë të keq tjetër.

Kështu heroina jonë, flokëdredhur, zeshkane lëkurëpërqafuar nga fragrancat më tërheqëse se vetë magneti hormonal njerëzor, e veshur me ndonjë fustan tipik meksikan, pasojë e trashëgimisë sa spanjolle, aq edhe amerindiane vendase, me këmbët e saj shalë-shfaqura, do të çajë përpara nën zhurmën e takave të veta dhe byzylyqeve në duar e vathëve lodrues të gjatë nëpër veshë, brenda Hacienda-s (godinës së fermës) prindërore, ku pasi të takojë të atin (që s’e njeh ende), do të përballet me njëmijë e një keqtrajtime dhe vuajtje, derisa një ditë shtrigën e keqe do t’a heqi qafe, do e mbylli në manastir klausure dhe do të jetojë e lumtur “para siempre”, përgjithmonë me dashurinë e vet, thjeshtrin e të atit të saj.

Përmbledhtazi, tej përshkrimit tim, që u përpoqa t’a bëj figurativisht sa më besnik të realitetit të atyre vendeve, një telenovelë meksikane, është e lirë në çmim, banale në histori, lojë aktoriale dhe temat që përballet ajo vetë dhe që i ofron publikut të gjerë në Meksikë dhe botë, pa asnjë sens të vlefshëm dhe arsye të fortë përse dikush duhet të marrë mundimin dhe të ketë durimin t’a shikojë, pa kurrëfarë mesazhi apo realizmi, por me sekretin e thjeshtësisë së këtyre lloj prodhimesh të ngërthyer në vete, pra çmimin e përballueshëm për çdo tip televizioni edhe lokal.

Shto këtu edhe zbrazëtinë totale në bërthamën e temave që trajtojnë të tilla telenovela, nuk do mend që janë të shumta/ë ato që i ndjekin, pasi do pranuar se jo të gjitha/ë kanë durim dhe dëshirë të thellohen në prodhime me histori dhe tematika të komplikuara që kërkojnë vëmendje dhe njëfarë ndjeshmërie intelektuale për t’i ndjekur dhe kuptuar.

“Novelas” prodhon me shumicë edhe Brazili me rrjetin e tij të njohur dhe tejet të pushtetshëm televiziv “Globo TV”, por deri diku brazilianët edhe duke qenë latinë, falë gjuhës së ndryshme që flasin dhe një përzjerjeje më të veçantë popujsh që kanë qenë palca e kolonizimit të atij territori të pakufishëm, të ndarë siç janë nga Amazona prej spanjishtfolësve të tjerë pranë tyre, kanë ditur të krijojnë një shoqëri sa të ngjashme me fqinjët e vetë, aq edhe mjaft të dallueshme nga ata, gjë që reflektohet automatikisht edhe në prodhimet e tyre televizive.

Tani si për t’u marrë pak edhe me qershinë mbi tortë, arrijmë tek turqit.

Serialet e tyre, janë e reja e fundit në tregun mediatik shqiptar, një e re dërrmuese, e suksesshme që çan përpara siç bënin vetë osmanët jataganë-mbajtës dikur, duke shkelur me këmbë dhe shfarosur konkurrencën.

Arsyet e suksesit televiziv turk, të serialeve të tyre pra, janë komplekse dhe nuk mund të shpjegohen qartë dhe mjaftueshëm gjatë një shkrimi të vetëm.

Pjesë e suksesit të tyre, është pa asnjë dyshim, prirja shqiptare, për t’u ndjerë të afërt me turqit dhe botën e tyre, me fundet e flixhanëve të kafesë, me fjalët pas shpine, me thashethemet e furishme, me keqanërinë e ngritur dhe transformuar në një formë e veçantë arti gati-vrasës kundrejt atij ose asaj fatkeqeje të radhës drejt të cilit/cilës është lëshuar nga llapaqenia/matrapazi i zakonshëm ziliqar dhe keqdashës.

Me turqit nuk na afrojnë vetëm qoftet, tasqebapi, bakllavaja, revania ose turshitë por edhe shumë gjëra të tjera, për të cilat në shumicën e rasteve nuk është fare për t’u krenuar!

Na bashkon smira ndaj suksesit dhe mirëqënies së tjetrit, qoftë ky shok ose shoqe e jona, mik ose mikeshë, një i panjohur që ka qëlluar t’i ecin gjërat mirë në jetë, kushuririt, motrës apo fqinjit e të afërmit.

Na bashkon me turqit (dhe këto fenomene prapanike i hasim me tonelata në serialet e tyre që gëlojnë tanimë anembanë televizioneve tona)...edhe urrejtja patologjike ndaj mirëqënies së dikujt tjetër, mallkimet e kobshme ndaj të mirës së kujtdo, traditat mesjetare, sytë e faqet që mbulojnë si sjellje injorante sa për të ruajtur aparencat tejet të sforcuara...edhe konflikte dhe mëri nga më të egrat familjare, që janë gati të shpërthejnë në konflikte të vërteta shfarosëse, por që struken dhe shtypen gjersa të plasin njëherë e mirë, nën tapetet apo sixhadet e një shtëpie turkomane për nga sjellja dhe mendësia, sepse kultura e të fshehurit pas një etikete formale “pseudo normaliteti” është në rend të ditës shumëkund brenda shoqërisë sonë...edhe pa qenë për influencën në rritije të serialeve të turkut.

Nuk harroj këtu që rastësitë nuk ekzistojnë dhe “ngrohtësia” e madhe e marrëdhënieve me “vëllezërit” turq neo-otomanë, pikërisht koinçidon me këtë fushatë televizive plot seriale turq!

Por kjo është një histori tjetër!

Bota e telenovelave është mjaft e gjerë dhe e komplikuar pra, marrëdhënia jonë me to, është po ashtu e tillë!



(Vota: 33 . Mesatare: 2/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora