| E diele, 15.09.2013, 10:37 AM |
KUJTIME, QË MBETEN KURDOHERË TË PASHLYERA…
(Libri “Përjetë me Shefikun”, nga Urti
Osmani-“Mësuese e Popullit”)
Nga: Prof. MURAT GECAJ
1.
Nuk është hera e parë, që marr në dorë libër me
kujtime e mbresa, nga një bashkëshort. Tani, p.sh., më kujtohet se, një botim i
tillë, ishte edhe libri me poezi, që shkroi e publikoi, afër dy vjet më parë,
kolegu e miku i paharruar, i ndjeri Skënder Hasko. I njohur nga lexuesit tanë për shumë botime
të gjinive të ndryshme, pas ndarjes përgjithnjë nga jeta të bashkëshortes, ai
thuri disa poezi. Në kujtim të saj, ato i tuboi në librin “Më iku Shanja,
gjysma ime”…
Ndërsa në këto pak radhë dëshiroj të flas diçka për
një libër të ri, me autore Urti Osmanin-“Mësuese e Popullit”. Sigurisht, lexuesit e njohin emrin e saj
përmes mjaft botimeve të ndryshme pedagogjike, pra për arsimin dhe edukimin.
Një vend të merituar ato kanë zënë edhe në ndihmë të fëmijëve të
bashkatdhetarëve tanë, në diasporën shqiptare. Ndërsa kësaj here, ajo u ul e
shkroi libër të një natyre tjetër. Atë e hartoi me dashuri, dhimbje e mall të
pashuar, me disa kujtime të zgjedhura, për bashkëshortin dhe bashkëpunëtorin e
jetës, prof. Shefik Osmanin, i cili u nda përgjithnjë nga jeta, më tepër se një
vit më parë. Rasti e solli që unë, ashtu si dhe kolegë e miq të saj, të bisedonim
me të gjatë kohës, kur vendosi t’i hidhte në letër kujtimet e saj. Ajo shprehej
e mallëngjyer dhe e merakosur: “Vallë, a do të mundem unë, që t’i shkruaj të
sakta dhe ashtu si duhet e si e meriton, kujtimet e mia të një jete, me
Shefikun e shtrenjtë?”.
2.
Pas një pune disamujore, këmbëngulëse e të
pasionuar, mësuesja veterane e arsimit
tonë kombëtar, Urti Osmani, arriti ta mbaronte librin e saj, të cilit i vuri
titullin domethënës, “Përjetë me Shefikun”. Në kushtimin e saj, ajo
shkruan: “Shefikut, bashkëshortit tim të paharruar, me mirënjohje të thellë,
për kujdesin e jashtëzakonshëm, që ka treguar dhe për dashurinë e pakufishme,
që më ka dhuruar”.
Libri në fjalë u përgatit për botim nga Shtëpia
Botuese “Filara”, Tiranë dhe u shtyp, me një teknikë të lartë, nga
Shtypshkronja “Mileniumi i Ri”, po në kryeqytet. Ai është ndërtuar sipas
një strukture të menduar me kujdes të posaçëm. Hyrjen e librit e ka shkruar
prof.dr. Tomor Osmani-“Mjeshtër i Madh”, pedagog në Universitetin e Shkodrës,
“Luigj Gurakuqi”. Ndërsa në parathënie
ka shkruar pak radhë, vetë autorja, Urti Osmani. Më tej, vijojnë 7
kapituj të librit, secili më i bukur e domethënës, se tjetri.
Një vend parësor i ka kushtuar autorja njohjes dhe
mbresave nga jeta bashkëshortore, duke dëshmuar për lexuesit edhe fakte të
prejardhjes së tyre, mbresa nga jeta arsimore e pedagogjike, në Shkodër e
Tiranë etj.
Për punën e përkushtuar atdhetare, arsimore e
pedagogjike dhe për botimet e shumanshme, prof. Shefik Osmani është çmuar, vlerësuar e nderuar. Për këto,
autorja shkruan e dëshmon edhe me mjaft
fotografi, se ai mori “Çmimin e Republikës”, të shkallës së tretë, për
“Fjalorin Pedagogjik Shqiptar” (1984); titullin “Mësues i merituar”(1989) dhe
titullin “Drejtues kërkimesh”(1995), i barabartë me “Profesor”.
Një pasuri e çmuar, për të ndriçuar jetën dhe
veprimtarinë e prof.Shefik Osmanit, janë edhe kushtimet e vlerësimet e sa e sa
personaliteteve, kolegëve e miqëve të tij, të cilat autorja i ka vendosur në
pjesën e pestë të këtij libri. Ndërsa në pjesën e shtatë janë pasqyruar, përmes
fotografive, pjesëmarrjet dhe ligjëratat e mbajtura nga ai, si brenda e jashtë
vendit. Mendoj se ky “mikroalbum” përbën një libër më vete, domethenës e
kuptimplotë.
Vëmendjen e lexuesit e tërheq edhe pjesa “Heshtja,
dhimbja që nuk durohet”, përmes radhëve të dhimshme të së cilës Urti Osmani
e kujton plot dashuri e mall të pashuar, bashkëshortin dhe bashkëpunëtorin e
një jete të tërë, prof.Shefik Osmanin. Plot sinqeritet, me mendimin e një
lexuesi, ajo i përgjigjet edhe pyetjes së kureshtarëve, nëse ai kishte patur ndonjë të metë: “Urtia
e ka përshkruar Shefikun ashtu siç ka qenë. Ndërsa, nga marrëdhëniet e tyre
bashkëshortore, ne kemi marrë shembull”.
3.
Në tërësi, këtë botim e bëjnë më të lexueshëm
pjesët e shkurtëra nga autorja, të cilat lidhen natyrshëm e organikisht me
njera-tjetrën. Veçori tjetër dalluese është përdorimi i sa e sa fotografive,
shprehëse e domethenëse. Ato i japin kuptim tërë përmbajtjes së një jete,
ndërmjet dy bashkëshortëve e bashkëpunëtorëve të ngushtë, në punë, studime e
botime në fushën e arsimit kombëtar shqiptar.
Mund të shkruaja e të flisja edhe më gjatë për vlerat e domethënien e këtij botimi. Ndërsa, po përfundoj me mendimin e shprehur nga një mësuese dhe edukatore, Katerina Zhuri. Ndoshta, ishte e para që e lexoi librin “Përjetë me Shefikun” dhe, përmbledhurazi, ajo u shpreh me këto fjalë: “Është shëmbulli më i mirë e më i bukur, përkushtimi më bindës dhe emocionues, që mund t’i bënte ajo bashkëshortit të saj të dashur, të nderuar dhe përgjithnjë në mendjen dhe zemrën e vet. E përgëzoj, e uroj dhe shprehi mirënjohjen time ndaj saj, për këtë “lapidar prej floriri”, që i ngriti atij. Pra, i lumshin mendja e duart!”